NGA LINDITA KOMANI/
Kush beson në çudira mund të hyjë vetëm në mënyrë të çuditshme në botën e çudirave. Kështu edhe unë Lindita si besimtare në çudira plotësoja kushtet më të çuditshme për hyrjen në botën e çudirave me emrin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kushtet e pashkruara ishin: Ka kontribuar në projektin “Alice in a World of Wonderlands”, kurorëzuar me publikimin e librit me të njëjtin titull që paraqet për të parën herë në këto përmasa romanin “Liza në botën e çudirave” dhe mënyrën sesi ai është sjellë në 174 gjuhë dhe dialekte anembanë në botë; ka marrë ftesë nga organizatorët e konferencës; si qytetare shqiptare ka bindur Ambasadën në Tiranë që e meriton besimin e shprehur nëpërmjet një vizë për të hyrë… në botën e çudirave.
Këto nota humori më ndihmojnë të përshkruaj në mënyrën më realiste të mundshme se çfarë mendoja teksa me pasaportën në dorë po ngjitesha në linjën ajrore Vjenë – Nju Jork në datën 3 tetor 2015, një datë të cilën nëse do të kisha mundësinë me makinë e kohës siç e njohim nga filmi me titullin “Back to the future” i cili vjen pikërisht nga bota e çudirave, do e ktheja ndoshta çdo ditë në jetën time.
1- “Welcome!”… “Pay attention!”… “Yellow cabs only!”
Aeroplani po zbret pas nëntë orësh udhëtimi të mbushur me filma, gjumë, lëvizje të kontraktuara, ecejake në korridoret e ngushtë dhe kundrim nën qepallat e rëna të pasagjerëve të çoroditur nga lodhja. 603 m lartësi, 6 minuta të mbetura deri në mbërritje, 9 gradë Celsius temperatura e jashtme, ora në vendin e nisjes 19:53 dhe në vendin e mbërritjes 13:53. Nga gjendja “i thënshin gjumë” në gjendjen “gjumë në këmbë”. Një radhë e gjatë për të pritur për hyrje në qytet. Ka vetëm një qytet në botë ku thuajse të gjithë në mos të gjithë janë të barabartë në këtë pritje aeroportuale. Të paktën një qytet ku edhe europianët e bashkuar presin po aq gjatë e me lodhje sa ata që duan të marrin titullin europianë të bashkuar. Ia vlen shijimi i kësaj pritjeje duke parë e parë. Ora në dorë tregon 22:.., kur pashaportën e marr të vulosur nga një vështrim që nis si dyshues e brenda pak çastesh kthehet në mikpritës. Me këshillën me vete që t’i drejtohem vetëm njerëzve në uniformë, në dalje nga aeroporti JFK i drejtohem tre policëve që i prek në buzagazin e humorit të radhës. Lejohet të shprehem që janë afro-amerikanë? Apo është më mirë të them të zinj? Kërkimi në internet më bën me dije se cilësimi si me ngjyrë tashmë vlerësohet si ofensiv. Termat zhvillohen po aq shpejt sa edhe zhvillimet politike-sociale në një gjuhë të gjallë. “Welcome!” “Pay attention!” “Yellow cabs only!” më thonë me dashamirësi, drejtojnë gishtin për tek taksitë e miratuara si të sigurta. Një Aladin i pafjalë më shoqëron prej aty mes rrugëve të mëdha, shumë të mëdha të një qyteti, tingujt e të cilit i njoh pak a shumë nga filmat. Ata më shoqërojnë në zbritjen në një lagje të konsideruar të mirë në termat relative të tij si qyteti i rritur në kult me miksin Manhattan, Brooklyn, Bronx, Queens. Ata më shoqërojnë teksa po bie në gjumë. Ata më zgjojnë të nesërmen në mëngjesin të cilin në mendje nuk e kuptoj nëse është i tillë ose jo. Nga televizori emisioni i radhës në NBC mbytet po nga ata, tingujt. NYPD, të falenderoj për mbresat! Me sytë që po mbyllen, më bëhet se gjendem në një film aksion ku protagonistja mbyllet në një dhomë me shumë çelësa. E me sytë që po çelen, në një film nga ata me jetë qyteti, prindër me fëmijë për dore dhe bukë të ngrohtë të sapoblerë në duar, kishë për besimtarët, drekë me miq të rinj e aktivitet social në vijim. Zbres shkallët si njujorkeze në një lagje njujorkeze me ndërtesa relativisht të vjetra, tulla të kuqe dhe shkallë metalike të jashtme, pemë që rrethojnë rrugën si korridor me kurorë në të gjelbrën e fundit para rrëzimit të gjetheve.
2- Në këpucët e Lizës
Si sot e mbaj mend kur në adoleshencë bleva të parat këpucë që me gjithë zemër i bleva, sepse i mendoja si pjesë e imja, e asaj që duhet të isha edhe në dukjen e jashtme. I quajta këpucët e Lizës, sepse më kujtonin këpucët e përfytyruara të Lizës në botën e çudirave, ndikuar edhe nga filmi vizatimor me të cilin fëmijët e brezit tim mbyllën fëmijërinë e parë për të hyrë në të dytën, në adoleshencë. Kishin ngjyrë të zezë, takë të ulët, vinin në formë thuajse të rrumbullakët përpara dhe me një mbërtheckë shtrëngoheshin pas këmbës. Me to mund të vrapoje, të fluturoje, të dukeshe fëmijë dhe zonjushë njëkohësisht. Prej atij çasti e deri më sot jam kujdesur që çdo sezon vjeshte e pranvere të kem të paktën një palë këpucë të Lizës tek të cilat të kthehem kur ma ka ënda apo kam nevojë. I kisha një palë të tilla me vete edhe në udhëtimin që më ktheu në Lizën që kaloi nga çudia në çudi pavarësisht se Liza as nuk ka qenë personazhi im më i preferuar. Do të ishte gënjeshtër sikur të pohoja të kundërtën. I druhesha librit dhe rrënqethesha, sikur ai të kishte frikën vetë brenda e ndoshta edhe më shumë se kaq. Me sy prej fëmije, në fëmijërinë e tretë, më bëhet se brenda librit shquaj praninë e fortë të mendjes jo të çiltër të një burri të mençur e të rritur dhe tani besoj se kjo ka qenë ajo çka pa kuptuar më shqetësonte dikur.
Liza është edhe sot objekt studimi nga shumë njohës të mirë të letërsisë e matematikës, profesorë letërsie duke nisur nga më të thinjurit e thinjurat deri tek më të rinjtë në moshë. Moskuptimi në mënyrë të plotë i librit në përmbajtje dhe gjuhë nga brezat e ndryshëm në vende të ndryshëm është një arsye më shumë pse libri vlen të përkthehet e përkthehet sërish, përkthimet të analizohen për nga cilësia e të krahasohen me njëri-tjetrin, konferenca të organizohen për të nderuar punën e të gjithëve në vite dhe për të përkujtuar si personazhin që jeton edhe sot dhe autorin legjendë të saj. “Një gjuhë nuk është e plotë nëse nuk ka përkthime të Biblës, Shekspirit dhe Lizës në botën e çudirave”, ka shkruar përkthyesja hollandeze Tiny Mulder në vitin 1962.
Përkthimet në 174 gjuhë dhe dialekte u bënë pjesë e projektit më të madh të realizuar ndonjëherë deri më sot për Lizën e ndoshta edhe për libra të tjerë të letërsisë artistike. Aq më shumë ndoshta çudit fakti që festimet më të rëndësishme të 150 vjetorit të librit “Liza në botën e çudirave” po ndodhin në SHBA dhe jo në Mbretërinë e Bashkuar. I vetmi shpjegim i arsyeshëm për mua ishte që SHBA sot është vendi i njohur e pranuar si prodhuesi dhe eksportuesi i çudirave. Britanikët ndoshta e kanë vlerësuar si të arsyeshme e te justifikuar që ta kalojnë më tej stafetën. Por fatmirësisht dëgjova përgjigje më bindëse për këtë pyetje që edhe unë ia kisha shtruar vetes. Përgjigja e parë erdhi nga drejtuesi i projektit Jon Lindseth dhe mbështetësi kryesor i tij Alan Tannenbaum. Ideja për të festuar 150-vjetorin e Lizës kishte lindur nga Lindseth, i cili i angazhuar me shoqërinë Lewis Carroll për Amerikën e Veriut dhe si një nga koleksionuesit kryesore të botimeve të para në shumë gjuhë të botës të librit, ia kishte shprehur atë kolegut të vet në një e-mail në vitin 2009. Pra gjashtë vite përpara kremtimit të paharrueshëm të realizuar me sukses deri në detaje. Përgjigja e dytë erdhi teksa bashkë me një grup adhuruesish të Lizës, të udhëhequr nga njohësi më i mirë i statujave në Central Park, G.A.Mudge, i cili i ka kushtuar atyre edhe një libër guidë, ishim ndalur në njërën prej dy statujave kushtuar personazhit të dashur. Një zotëri anglez i cili rastisi të ishte ish-kryetari i shoqërisë Lewis Carroll në Mbretërinë e Bashkuar, i pyetur nga njëri nga bashkëvizitorët, tha: ne nuk kemi gjë kundër faktit që festimet po zhvillohen kaq të mëdha në SHBA. Përkundrazi, kjo tregon që Liza tashmë është shkëputur e është nisur në udhëtim të arrijë botën, ashtu sikurse ne gjithmonë kemi dashur. Tanimë ajo i përket botës.
Edhe botës shqiptare, me drejtësinë e vënë deri diku në vend përmes përfaqësimit dinjitoz të gjuhës shqipe në këtë projekt. Nën drejtimin e Merita Bajraktari McCormack, kërkova e kërkova për të krijuar një listë sa më të plotë të Lizës që flet shqip, pa e ditur që do të gjeja një thesar të vërtetë, të lodhur e të bërë fije-fije, ruajtur me një kopje të vetme në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Përkthimin e parë të Lizës, realizuar nga Hysjen Çela e Beqir Çela, e përcolla tek Merita me gëzimin për gjetjen më të çuditshme dhe Merita bëri më të mirën e mundshme prej tij. Nëse nuk mjafton asgjë tjetër për të treguar tek brezat më të rinj sesa i tmerrshëm ka qenë sistemi komunist në Shqipëri, le të mjaftojë kjo dëshmi, e Lizës së përkthyer e publikuar në vitin 1944, së cilës i hoqën të drejtën e fjalës, zërin dhe dëshirën për të qenë fëmijë, teksa dy përkthyesit e saj u dënuan nga regjimi. Kolegët tanë që dëgjuan prej nesh në bisedat e zhvilluara në Nju Jork e të gjithë që janë ndalur në faqet shqiptare të librit të publikuar, munden vetëm të trishtohen. Çudia jonë ndoshta i kalon gjithë të tjerat.
3- Nga mesha arbëreshe në Little Italy, tek Vatra…
… Mbi urat, pranë bregdetit e lumenjve, nga mesha arbëreshe në Little Italy, tek Vatra në Bronx, në Little Albania në qytetin e pragrevolucionit, me Zërin e Amerikës tek gjithë shqiptarët për të përqafuar Nënë Terezën dhe për t’iu lutur Zojës së Këshillit të Mirë …
Kush beson në çudira mund të hyjë vetëm në mënyrë të çuditshme në botën e çudirave. Kështu edhe unë Lindita si besimtare në çudira, me këpucët e Lizës mbathur që prej vitesh e mendjen që lufton të zbulojë të çiltrën brenda kësaj bote të çoroditur, u bëra pjesë e historisë më të bukur të udhëtimit që ndonjë shqiptar mund të ketë bërë në vetëm 10 ditë në SHBA. Le të vihen të gjithë në garë nëse nuk e besojnë këtë. Unë i besoj fjalës së Meritës. Për një vizitë për të cilën je përgatitur gjithë jetën, për një gjuhë e frymë me të cilën, pa e kuptuar as ti vetë e as prindërit e tu, je lindur e rritur në mënyrë të natyrshme, për një trashëgimi kujtese e përjetimi shpirtëror që siç e tregojnë studimet më të fundit e mendjes së njeriut, kalojnë në mënyrë të vërtetueshme nga paraardhësit tek pasaardhësit, 10 ditë janë një jetë e vërtetë. Në këtë jetë të bëhet se njerëzit që po takon, i ke njohur prej kahera e do t’i kesh me vete sa herë të duash t’i kujtosh. Dr.Gjon Buçaj dhe zonjën e tij Nikoleta në meshën arbëreshe në Church of Most Precious Blood e më pas ata bashkë me Dalip Grecën e shekullores Dielli në Vatra, At Arthur Liolinin në Katedralen e Shën Gjergjit dhe Zonjën Neka Doko në Bibliotekën e Nolit, Merita Bajraktari McCormack si zemrën e një familjeje të mrekullueshme që e frymëzon të jetë grua, nënë, bijë e një atdheu e mëmëdheu që më të mirët e vet vazhdon t’i detyrojë të gjejnë të ardhmen në vend të huaj. Rënduar nga zhvillime që më bëjnë të trishtohem e vë në dyshim të ardhmen në vendin tonë, mbyll sytë e tek i çel kujtoj veten fëmijë pranë babait tim, teksa në vjeshtën e vonë të vitit 1989 dëgjonte Zërin e Amerikës. Në radion e vjetër hyrë në shtëpinë e gjyshërve në vitet ’30. Zëri në nivel shumë të ulët. Veshi i tij shumë pranë radios. Ai dëgjonte me vëmendje dhe duke më parë, më thoshte: Mos ia thuaj njeriu këtë që po sheh e dëgjon. Po, ishte pothuajse fundi i komunizmit, por rreziku ishte ende aq i madh sa të më bënte edhe mua si fëmijë të mendoja për pasojat dhe të kuptoja se çfarë ishte gjithë kjo. 26 vite më pas, gjendur në botën për ne atëherë e ndaluar, botë e cila dashur-padashur ka qenë brenda meje në mënyrë të natyrshme, shoh si ne mund të jemi nëse duam dhe flas me Zërin e Amerikës, përqafoj dhe i lutem për mbrojtje Nënë Terezës dhe Zojës së Këshillit të mirë në Basilica of the National Shrine of the Immaculate Conception. Në Library of Congress më përshëndesin patriotizmi dhe kurajoja, teksa drita hyn përmes dritësorit dhe dëgjoj sesi tërësia më e madhe e librave shqip jashtë Shqipërisë ndodhet pikërisht aty, bashkë me disa dhjetëra milionë të tjerë renditur në një varg raftesh prej 838 miljesh. Mes tyre edhe Liza e cila në habitatin e saj të natyrshëm, në botën e çudirave, di të flasë qartë e pastër dhe në shqip.
New York-Boston-Washington DC-Tiranë, Tetor 2015
* Ky reportazh u shkrua enkas per gazeten”Dielli”(Fotografite mund t’i shihni ne Facebook(dalip Greca)