Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 1 Janar 2018/ Në Kosovë Viti i Ri 2018, në të cilin pritet liberalizim vizash dhe aplikim për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, u prit me koncerte në sheshe plot njerëz në festë, në një natë me dritë hëne e fishekzjarrësh, me shumë stoli e bredhe.
Në kryeqytet Prishtinë djalë lindi fëmija i parë në Qendrën Klinike Universitare, në këtë vit të ri, në momentet e ndërrimit të moteve. Bëhet e ditur se nëna ka vendosur që djalin ta pagëzojë me emrin Ajn.
Sipas Statistikave të Lindjeve, të publikuara në verën 2017 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, brenda një viti – në 2016-tën në Kosovë ishin 23.416 lindje, kurse jashtë vendit 6.915. Binjakë u lindën 722 foshnje ndërsa trenjakë e më shumë u lindën 30 foshnje.
Në Kosovë, emrat më të shpeshtë, të rekordit, për fëmijtë e lindur në vitin 2016, për vajza ishte Alea me 169 pagëzime dhe Sara me 134, ndërsa për djemtë Ajan me 218 dhe Noar me 195 pagëzime.
Edhe për fëmijtë e lindur në vitin 2015, emri më i shpeshtë për vajza ishte Alea me 223 pagëzime, e pastaj ishte Erina me 146, ndërsa për djemtë Diar me 214 dhe Ajan me 205 pagëzime.
Dy emrat më të shpeshtë për vajzat ishin të njëjtit edhe në vitin 2014, por nën një ishte Erina me 199 pagëzime e nën dy Alea me 182.
Në 2015-ën emri për vajzat Alea rikthehet në vendin e parë ku ishte edhe në 2013-ën me 154 pagëzime, e që pasohej nga Tuana me 118.
Për djemtë edhe në 2014-tën emri më i shpeshtë ishte Diar me 215 pagëzime, e pas tij Amar me 180. Edhe në 2013-tën për djemtë emërat e njejtë Diar me 122 dhe Amar me 117 pagëzime ishin më të shpeshtit.
Statistikat për 2017-tën priten në verën 2018.
Kosova në 2018-tën, në 17 Shkurt, feston 10 vjetorin e pavarësisë së njohur deri tani nga 115 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.Në 17 Shkurtin historik 2008 në Kosovë fëmija-vajzë që lindi pesë minuta pas shpalljes së shtetit të ri – pavarësisë u pagëzua me emrin Pavarësia.
***
Edhe në Shqipëri fëmija i parë lindi djalë. Në natën e vitit të Ri në dy maternitetet e Tiranës lindën 16 fëmijë. Dy fëmijëve të parë në dy maternitetet përkatëse kryetari i Bashkisë Erion Velia dorëzoi nga një çek shpërblyes.