Nga Aida Dismondy /
Kosova i mbushi 15 vjet liri në Qershor, Amerika i mbush në 4 Korrik dyqindeca vjet liri. Të dyja shtete të lira, të dala nga sundimi i një shteti tjetër. Të dyja dolën prej dëshirës për të qenë të mosvarur. Po i sjellim këto dy përqasje për të pasur një tablo ku qëndron koncepti i lirisë në këto dy shtete për të treguar sesi koncepti i lirisë të pasurit apo të mos pasurit e tij ndikon në drejtimin që merr një shtet. Çfarë lirie qëndron në to? Dhe e kujt është ajo?
SHBA u bë kjo që është sot jo nga rastësia, por ngaqë u udhëhoq prej vizionit të baballarëve të SHBA-së, njohës në plan shpirtëror të Providencës (Krijuesit). Bazuar nga ajo njohje ata përkufizuan lirinë dhe të drejtat që vijnë me të në Deklaratën e Pavarësisë, një nga dokumentat më të rëndësishëm të historisë së SHBA-së. Deklarata hapet me pohimin se në rrjedhën e historisë qëllon që kombe të lidhur me njeri-tjetrin vjen momenti që shpërbejnë lidhjet politike. Kurse shpirti i Deklaratës qëndron në pohimin se “njerëzit janë krijuar të barabartë” dhe se “Krijuesi iu ka dhënë të Drejta të patjetërsueshme, ndërmes tyre janë e drejta e Jetës, Lirisë, dhe kërkimi i Lumturisë”, se qeveritë janë përgjegjëse për t’i siguruar këto të drejta dhe se kur këto qeveri nuk përmbushin dëtyrën atëherë është e ”Drejta e Popullit për ta ndryshuar apo hequr atë, dhe të formojë një Qeveri të Re”. Qysh prej atij momenti fatlum te vitit 1776 Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë udhëhequr nga ai koncept i lirisë. Nuk ka qenë e lehtë të përmbushet, por vizioni e koncepti i Lirisë së përkufizuar prej tyre ka qëndruar e qëndron udhëheqës për të gjithë ata që marrin përsipër drejtimin e shtetit si dhe për të gjithë shtetasit amerikanë se si qenie njerëzore jemi krijuar njësoj me të drejta të patjetërsueshme.
Tani ta lëmë Amerikën dhe të udhëtojmë mbi 7000 milje përtej oqeanit, në Kosovë, në shtetin më të ri në botë, në tokën e lashtë sa Europa plakë, me liri veç 15 vjeç. Paçka se Kosova nuk pati Deklaratë të shkruar të Pavarësisë, por ajo është shkruar ka shekuj: nga Skënderbeu, tek Rilindasit, e tek çdo shqiptar që i dha vendit. Me të drejtë i jemi gëzu lirisë që fituam duhet t’i gëzohemi. Veç zhvillimet e këtyre viteve tregojnë se askush s’po e merr përgjegjësinë të formojë një vizion udhëheqës për lirinë. Çfarë përkufizimi po i japim lirisë? Kush po e formon konceptin tonë të lirisë si shtet? Politikanët që zihen apo internacionalet që përveç këshillave që japin po e mjelin Kosovën si lopën?
Liria ështe trazovaçe e duan të gjithë. Diktatorët e duan lirinë që të pushtojnë, skllavërojnë, sundojnë, dhe kontrollojnë popullatën, terroristët e duan lirinë të terrorizojnë këdo e kërkënd e të përmbysin demokracinë, serbët në veri duan lirinë e tyre të mos iu nënshtrohen ligjeve të shtetit të Kosovës, Presidentja e do lirinë të mendojë si kofini pas të vjelit të qartësohet për rolin që Kushtetuta i ka dhënë për të na dhënë ne lirinë të presim, partitë e duan lirinë për të mos u marrë vesh mes vete, mafia e të bëjë punët e pista, politikanët duan lirinë t’u tregojnë grave e vajzave të dhunuara se nuk mund të njihen si viktima të luftës, të shkolluarit e duan lirinë të diplomohen pa lexuar, unë e ti e duam lirinë tonë të bëjmë diçka të mire. Ju thamë liria është trazovaçe e nga sa përshkruam liria tek ne ka krijuar konfuzion, kaos.
Mbase në këto vite liri akoma po mësohemi të jemi të lirë, mbase kjo vjen ngaqë u mësuam kaq shumë kohë me mungesën e saj sa dinim të silleshim kur na mungonte por s’po dimë të sillemi tash që e kemi. Baballarët e kombit na kanë vdekur, kemi mbet jetimë, paçka se ata na lanë principet e lirisë të bazuara dhe ato në Providencë sikurse themeluesit e SHBA-së. Këta të sotmit janë udhëheqes pa princip, pa vizion për lirinë e kombit. Ata e kanë plasteruar vizionin e tyre të lirisë në paftyrësinë e premtimeve boshe, në korrupsionin e nepotizmin, në punesimin e kuç e maçeve të pakualifikuar në ndonjë qoshe zyre. Mbase këta e kishin një ëndërr për lirinë që donin se helbete dhe ata ishin pjesëmarrës e pjesëtarë të luftës që ra mbi Kosovë, por duket se endrra e tyre për liri vdiq ditën që morën “ofiqin”. Vizioni i tyre për lirine është kaq i qartë sa vendi po shkon turbull si i dehuri në qorrsokak.
Të mos biem në pesimizëm edhe populli është i lirë. Ai zgjohet çdo ditë i lirë duke vëzhguar lirinë e abuzuar dhe të imponuar të politikanëve e të çdokujt tjetër që përpiqet të drejtojë këtë apo atë gjë në Kosovë. Populli e merr lirinë e vet në kafene ku lirshëm shprehet se s’ka punë, se s’di a do këtë pune; ku lirshëm mendon për të shku në emigrim diku tjetër; ku lirshëm ëndërron për ditën kur të jetë i lirë me udhëtu nëpër Europë me paret që do t’i ketë fitu prej vendeve të punës së misioneve “impossible”; kur lirshëm ndonjëhere do mendojë dhe mos me e gëzu të drejtën kushtetucionale të jetes, por me ushtru lirinë me e marr atë jetë pasi s’do me u perballë përditë me femijët e uritur, që dhe ata po ushtrojnë lirinë e mbajtjes së barkut me dorë. Ky është rezultati i vizionit të lirisë së atyre në pushtet. Kaq liri ishte dhe në kohë të diktaturës. Kemi shijuar lirinë e çdokujt veç tonës si shtet s’po ia gjejmë fillin.
Çfarë lirie? Ajo që ëndërruam qëndron qartë e paketuar diku në ëndërrat tona e lidhur me shpresën si fjongo. Diku lexova se demokracia është një mënyrë jetese, është një armë në duart e atyre që kanë kurajon dhe aftësinë për ta përdorur, përndryshe në duart e çdo të paafti është veç një copë ndryshku, bërllok. Kështu dhe Liria si demokracia varet shumë nëse ata që e drejtojnë atë dinë ta manovrojnë, dinë të vlerësojnë delikatesen e saj, por dhe vlerën e saj në mënyrë që shteti të prosperojë. Vizioni i lirisë që Kosova meriton mbetet akoma për t’u shkruar ai Amerikan ishte i sukseshëm pasi njeh të vërtetën universale për çdo njeri të këtij planeti se: më së pari jemi njerëz, krijuar njësoj, e Krijuesi na ka dhënë të drejtat e patjetërsueshme të jetës, lirisë, dhe të lumturisë. Rilindit tanë i njihnin këto të vërteta e na lanë një pikënisje. Mbase duhet t’u kthehemi atyre principeve, këtyre të vërtetave universale që të shënojmë vizionin udhëheqës të shtetit të lirë.
© Aida Dismondy 29 Qershor, 2014