• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZEQIR LUSHAJ,“LIS I SHKRUAR” I KOHËS

December 12, 2013 by dgreca

Nga Ramiz Lushaj/

1.

“Lisi i shkruar”. Emën të bukur i ka gjet poeti librit të vet poetik. Po kisha me thanë ndryshe: Lis i shkruar është vet poeti ynë, njeriu i mirë,  Zeqir Lushaj. Në rrathët e tij njerëzit shkruajnë veç për mirë për kit’ djalosh flokëthinjur të fshatlindjes Gri, burrë i palctë i Malësisë së Gjakovës, zë i rinisë e i urtive pleqnare në letrashkrime të vyeshme, sportist i bjeshkëve e i bregdeteve.  Na ka marrë malli për kit lis me rrënjë e degë, i gjelbërt, i frutshëm. Ndaj sa herë ngjitemi e djergemi kujtimeve tona kena qejf me u ndal tek ky lis i kohës. Është lis i lexueshëm. Si gjithmonë. Jetë e mote.

“Lisi i shkruar” është mbajamendja jonë e lashtë dhe e re. Shpesh kena ndalë hapat në rrugë e kena fjalëshkrue emnin tonë apo të dikujt tjetër, lanë një urim…Shenjue vetveten në trupin e listë. Po me shkruejt për lisin tonë, Zeqir Lushaj, tek asht disi e vështirë. Dhe a e dini pse?! Janë të panumërt njerëzit që duan me folë për njeriun e mirë, poetin e brumtë, gazetarin e mjaltë, mërgimtarin e përmalltë, Zeqir Lushaj, që po “dimnon” në Nju Xhersi të Amerikës, në qytetin e kopshtijeve.

Në koft se flasim te tanë ata që e njohim dhe e duam, e fjalët tona i tufalakojmë buqeta me lule, atëhere do i kishim vargit lulefjalët tona nga brigjet e Valbonës, skej kullës së tij që ende loton për djalin e vet e dekteri në atë rrugëtim perëndim të diellit, në Planetin Amerikë, tek mërgimtari poet e gazetar që lindon me vepra. Dhe a e dini pse ndodh kjo? Për një fakt jo rastësor e krejt  jetësor:  Zeqir Lushaj hyn në atë rend burrash, rrinë në asi kryevendi, që na ban të duam jo vetëm kit njeri të mirë, po ta duam edhe vet kit botë të madhe e të vështirë që ka njerëz kaq të mirë, të cilët edhe kur ikin kaq larg na vijnë e rrijnë afër.

2.

“Lisi i shkruar” Zeqir Lushaj vrellon poezi me ndjenjë, ritëm, forcë, që në thjeshtësinë e vet të motiveve jetësore kanë madhështinë e shpirtit të tij poetik njerëzor.  Mjaftojnë titujt e gjashtë cikleve të këtij vëllimi poetik për me e kuptue tematikën e filozofinë e poetit në vendlindje, në i/emigrim, në udhëtimet e tij poetike: Flladi i Paqes (cikli i parë). Bashkekzistencë (cikli i dytë). Shpirti prej qelqi (cikli i tretë). Rrembat e gjakut (cikli i katërt). Njerëz që, (më duket se) i kam njohur (cikli i pestë). Shpresa më mban gjallë (cikli i gjashtë). Në vargjet e tij vijnë motive nga gjeo-poezia: lashtësia iliro-shqiptare, Amerika, Tropoja,Lozana në Zvicër, mali i Dajtit, Australia, Struga, lumi i Drinit, bjeshka e Dikçuerit në Gri, Shëngjini, Pogradeci, Prishtina, Alpet Shqiptare, Fierza, Shkodra, Maja Everest, Gjakova, Hasi, Rrashbulli i Durrësit, Gurra e Gjarpnit mbi Çerem, lumi “Mis Valbona”, lugina e Ohrit, Gjallica e Lumës, Qafa e Prushit, Komani, etj. Ky vëllim poetik “Lisi i shkruar” nuk është botim i shpejtë, po përmbledhje e përjetimeve poetike ndër vite, në kapërcyellin e dy shekujve, që nga viti 1976 deri më 2009. Autori në vargjet e tij është edhe epik, edhe lirik, përcjell edhe mesazhe, ban edhe sarkazmë, flet për politikën pa ba politizime dhe për historinë pa ba historizime, etj.

Poeti i dimensioneve e emocioneve, i mërzitur dhe i lumtur, i ambël e i sertë, i gjithanshëm e i përveçëm, në poezitë e tij ndihet sa familiarë edhe shoqëror, sa lokalist edhe kombëtar. Poeti nuk ban as pa njanen dhe as pa tjetrën, bashkjeton e udhëton me të dyja, brenda vetes e mes nesh. Ai ka poezi për kovaçin me ngjyrë, Aziz Vorfi, shtegtari i hidrocentraleve dhe për presidentin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova; për motrën e tij, Bute Ramë Ymaj dhe për Pjetër Bogdanin e Fishtën, për Migjenin e Ali Podrimjen. Ai i kushton poezi gjyshit të tij Selman Hasani i Grisë, që e ngriti kullën në mes të kshtajave e për mbesën e tij në Lozana të Zvicrës, Neomin në 3-vjetorin e lindjes, sikurse edhe për Dritëro Agollin e Ismail Kadarenë, për Ndre Mjedën e Ndoc Gjetjen e Lezhës. Ai i yllnon vargje babës së tij, të ditun e të shetitunit, mirëbërsit e mikpritësit, Sadik Selmani, ashtu sikurse edhe “korifeut të Lumës”, Myftar Zenel Spahisë. Ai ka kushtime poetike për Sheh Ademin e Grisë, po edhe për kangtarët Dervish Shaqa e Fatime Sokoli, për dy rapsodët e njohur të Hasit, Rrustem Çela e Hysen Dida, etj.

 

3.

“Lisi i shkruar” Zeqir Lushaj i përket një lisnaje në breza familjarë. Lis i madh me rrënjë të njoma e degë të pathara është edhe i ati i tij, Sadik Selmani i Grisë, që e kena në ballinën e parme të vëllimit poetik në foto vet i tretë, me nëntoger Mehmet Mulosmanin e Zenun Lamnicën, dalë në vitin 1935 në Iballe të Pukës, me uniformën e xhandarrit të kohës së Zogut. Diçka nga urtia filozofike e Sadik Selmanit: dikush, dikur, në kohën e komunizmit, teksa ia shfletoi biografinë, e pati dvet: Ju keni qënë xhandarr i Zogut? Ai iu përgjegj pa i lanë vend e kohë për pyetje të dytë: Asokohe nuk kishte ndërmarrje tjetër në Malësi! Sadik Selmani i pati edhe dy vllazën, Ademin e Ramën. Një lis tjetër i shkruar është edhe vllai i tij ma i madh, Nuredin Lushaj, një “arkiv i gjallë” i krijimtarisë popullore të Veriut të Shqipërisë, i cili ruan 600 blloqe të vegjël dhe fletore me shënime kangë të hershme, urti, doke e zakone, 400 pyetje etnografike të zbërthyera, etj.; ka botue librat “Këngë trimërie nga Tropoja” (2003), “Dervish Luzha – një yll drite” (2009), “Në zemrat besimtare” (2010), pritet të botojnë së shpejti edhe një tjetër “Mjaltë bjeshke” me 14 mijë fjalë të urta, etj.

Gria, vendlindja e poetit Zeqir Lushaj, ka plot lisa në truallin e vet: Tahir Sinani, Hero, gjeneral i tri luftrave: në Kosovë, Luginën e Preshevës, Maqedoni; prof. dr. Petrit Malaj, aktor, rektor i Akademisë së Arteve në Tiranë;  poeti, dramaturgu, gazetari e pedagogu Skënder Sherifi, që ka botue disa vepra ku vëlimi poetik “Love” u cilësue një nga dhjetë botimet ma të mira në gjuhën frënge për vitin 2008; Ibrahim Kadri Malaj, autor i një korpusi botimesh të tij për vendlindjen si “Tropoja në breza”, “Tropoja ime”, “Bujqësia tropojane ndër vite”, “Tradita etno-kulturore e Tropojës”, “Besimet fetare në Tropojë”, etj;.  dr. Nuredin Malaj, që la emër të mirë në Malësinë e Gjakovës, në shëndetësinë shqiptare, etj.;  veprimtari Avdyl Matoshi – nënkryetar i Forumit Shqiptar të Kulturës, Edukimit e Shkencës;  publicisti e humoristi Xhevdet Malaj,  autor i librit “Kur flasin burrat e Malësisë: në rjedhat e urtësisë tropojane” (2003), etj. etj.

Në Gri të Krasniqes (Malësia e Gjakovës – Tropojë) ka disa lisa natyror që kanë emër të madh në botime shkollore, enciklopedike, etj. dhe në odat malësore në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi, si “Gështenja e Bajram Currit”, e shpallun “Monument Natyre”, “Lisi i Grisë” (në bjeshkën e Dikçuerit), “Blini i Grisë” – në oborrin e kullës së Zeqir Lushajt.  Poeti ynë, herët, do të matej me të tillë lisa natyror të vendlindjes së vet dhe, për ma tepër, shumë shpejt e përgjithmonë, do të kthehej në një lis i madh, me rrënjë të thella e degë të larta, një lis i shumëfishtë.

4.

“Lisi i shkruar” Zeqir Lushaj është njeri i themeltë, i shoqërisë së madhe, të haptë dhe të qëndrueshme, një bajenderës me mirësi, një njeri me virtytin e mirënjohjes, një veprimtar i shumanshëm e i shumfishtë që ende duhet ta vlerësojnë drejtësisht, ma shumë, ma shpejt, edhe koha e sotme në nivele zyrtare duke i akorduar tituj apo dekorata meritore.

Asokohe, në vitet ’70-‘80 Tirana dukej disi e vogël po të ktheheshim në vendlindje pa e takue patriotin tonë tropojas, Zeqir Lushaj, i cili gjente kohë për të gjithë me i ndrrue dy fjalë miqësisht, me e pi një kafe për qejf, me na ba ndonjë nder me botime në gazeta e revista apo tek puna e tij me rininw, me ndonjë autorizim për biletë autobuzi me u rikthye në Tropojë, etj. Asokohe, kryeqyteti shqiptar kishte pak tropojas, saqë ne i numëronim ata vetëm dy herë me gishtat e dy duarëve, ndaj Zeqir Lushaj ishte, si të thuash, “ambasadori ynë” në Tiranë, ndoshta ma aktivi e ma i miri, bashkë me gazetarin Sadri Rrahmani, etj.  Në vitet ’90  Zeqir Lushaj do të ishte një “ambasador i Paqes” në Shqipërinë Londineze, në trevat shqiptare në Ballkan, pasi ishte sekretar i Përgjithshëm i “Lëvizja Shqiptare për Mirëkuptim e Paqe” dhe bashkëbotues i gazetës “Paqja”, etj. Kjo frymë, si misionar i paqes, ndihet edhe në krijimtarinë e tij poetike tek “Lisi i shkruar” dhe në të pesë librat e tjerë të tij, të botueme në 60 vjetorin e lindjes (2009).

Njeriu i mirë, gazetari i njohur, veprimtari shoqëror, poeti i heshtur, Zeqir Lushaj, kishte miqësi të virtytshme me djemtë e talentuar të Tropojës, si me poetët e mirënjohur Skënder Buçpapaj e Hamit Aliaj, me gazetarin e TVSH Ilir Buçpapaj, qyshse këta ishin studentë të Universitetit të Tiranës, me fotoreporterin ushtarak Agim Hajdar Doçi, me juristin Qazim Gjonaj, me poetin e veprimtarin Idriz Bajrami, me poetët  Selim Aliaj, Jaho Margjeka, Gjon Neçaj, etj. etj. Nga shoqëria ime (e jona) ndër vite me Zeqir Lushajn ruaj kujtimet ma të mira, kam pasë përkrahje të pakursyer prej tij, dhe, shpesh herë, njerëzit në Tiranë na thirrshin me emrat e njëri-tjetrit edhe në ndonjë rast që ishim të dy sëbashku. Këta na dinin se ishim vllazën apo kusherinj ndërveti, pamvarësisht se nuk kishim lidhje gjaku, ishim në dy fise të ndryshme e nga dy fshatra të ndryshme (Gri e Gegaj) të Malësisë së Gjakovës (Tropojë – Malësia e Mirë).

“Lisi i shkruar” Zeqir Lushaj, prej nga Amerika apo kur vjen në vendlindjen e tij, në Gri, teksa pushon verave në Shëngjin, kur rrinë në metropolin shqiptar në Tiranë, në rrugëtimet në trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, punon për vepra të reja, të cilat i ka në laboratorin e tij krijues, i ka shfaq pjeswrisht në media elektronike etj. dhe presim të dalin së shpejti në dritë, në duart e lexuesve, në bohemën e letërsisë e të historisë.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: i kohes, Lis i shkruar, Zeqir lushaj

Artikujt e fundit

  • Havzi Nela, 34 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë
  • GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO – AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ
  • DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI
  • KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
  • 1913 / KUR GAZETA FRANCEZE BOTONTE NJË FOTOGRAFI TË RRALLË TË ANËTARËVE KRYESORË TË KONGRESIT SHQIPTAR TË TRIESTES
  • Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”
  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT