Marrëveshjen e Ohrit mund ta implementojë vetëm PPD-ja/
Në një intervistë kryetarja e komisionit për organizimin e Kongresit të PPD-së,Teuta Kamberi-Llalla, flet për Programin e PPD-së, numrin e delegatëve që do të marrin pjesë në Kongres, datën e kongresit, e shumë çështje të tjera/
PYETJE: Kur do të mbahet Kongresi, a kanë përfunduar përgatitjet, a është gjithçka gati?
Kamberi-Llalla: Në kuadër të Grupit të punës për përgatitjen e Kongresit të 6-të vepron edhe Komisioni për kuadro i cili me vëmendje të posaçme i analizon edhe potencialet kadrovike që partia i ka në momentin e dhënë. Komisioni përveç kësaj ka kontaktuar edhe kuadro për të cilat konsiderohet se mund ta udhëheqin partinë me sukses në periudhën që vjen. Synimi kryesor i nomenklaturës së deritashme politike është që të lansojmë në orbitën politike shqiptare kapacitete të reja politike që në heshtje ekzistojnë, por për një shkak ose një tjetër rijnë nën hije dhe nuk e marrin përgjegjësinë e shtyrjes së proceseve politike përpara. Këto kuadro me koncepcione evropiane, të rritur dhe edukuar në kohën e internetit, të facebook, twitter dhe instagram do ta marrin përsipër përgjegjësinë të ndërtojnë një shoqëri të drejtë multietnike, në të cilën do të respektohen dhe favorizohen realisht harmonia ndëretnike dhe parimet e barazisë e të drejtësisë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e tyre, duke u angazhuar për zbatim të politikave efikase dhe konkrete për barazi ndëretnike e për pjesëmarrje aktive të të gjithëve në prosperitetin e vendit.
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të përgjithshëm kemi caktuar një datë paraprake 14 dhjetorin, por do jetë mbledhja e Kuvendit të Përgjithshëm që do mbahet më 30 nëntor që në bazë të punës organizative që do të paraqes Komisioni për organizim të Kongresit. Do vendosi 14 dhjetorin apo disa ditë pak më tutje, të shohim, por ne punojmë për datën 14 dhjetor.
Komisionet vazhdojnë punët për përgatitje, do jetë një Kongres modest, larg lukseve dhe imazhit fallso. Çdo gjë do jetë demokratike ashtu siç ka qenë dhe është ndërtuar funksionimi i PPD.
PYETJE: Sa delegatë do të marrin pjesë në Kongres?
Kamberi-Llalla: Kemi paraparë që numri i delegatëve do të jetë 210 të cilët do votojnë për kryetarin e Partisë, kryesinë e ngushtë dhe drejtuesit e tjerë. Në Kongres do votohet për ndryshimet në Statut dhe Programin 4 vjeçar, politikën etj.
PYETJE: Kush janë kandidatët për kryetar partie?
Kamberi-Llalla: PPD ka qenë dhe mbetet ambient demokratik që nuk duron diktatura. Ne do të ndërtojmë ambientin tonë tradicional ku kryetari i partisë do të bashkëveprojë me organet e saja për ndërtimin e platformave politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore. Do të zbatojë platformat dhe nuk do të vihet në pozitën e të të gjithëditurit dhe komandantit suprem. Anëtarët e organeve udhëheqëse të PPD-së do të punojnë për realizimin e vizionit të përbashkët politik ashtu siç kanë vepruar rilindësit tanë në të kaluarën e jo ashtu siç veprojnë politikanët ballkanas: paraja mbi të gjitha.
Nisur nga këto parime Komisioni konsideron se ende është herët të lansohen emra për kryetar, sepse kjo nuk është më e rëndësishmja se sa rëndësia e përcaktimit të parimeve me të cilat do të ecet përpara. Fundja, të gjithë e dinë se PPD nuk duron diktaturë brenda-partiake dhe është e vetmja parti demokratike në Maqedoni dhe Evropë që për 24 vite veprimi është udhëhequr prej gjashtë kryetarëve.
PYETJE: A ka gjasa që PPD të kthehet dhe të bëhet partia më e madhe shqiptare që ishte dikur?
Kamberi-Llalla: Dy skuadra futbolli kur hyjnë në fushë për të luajtur për fitore, por vetëm një ekip do fitoj ndeshjen. PPD ka qenë një parti e madhe, parti e popullit dhe i përket vetëm atij. Shpresojmë që votuesi shqiptar të bëj vlerësimet se kush parti shqiptare u ka ofruar gjatë qeverisjes, siguri, shpresë, krenari dhe punësime pa ryshfet. Do jetë vota e popullit në zgjedhjet e ardhshme nëse ka dëshirë të rikthehet fuqishëm PPD apo të mbetet një parti në histori. Duhet të dimë se është mëkat që PPD të mbetet jashtë Kuvendit të Maqedonisë, sepse ajo ka qenë dhe është partia e vlerave të larta, partia që bëri historinë e vërtetë të shqiptarëve në Maqedoni.
PYETJE: A do të miratohet platformë e re e partisë dhe cilat risi do ti përmbajë ajo?
Kamberi-Llalla: PPD ka qenë dhe mbetet burim i pashtershëm i platformave politike. Koncepti ynë fillestar ka qenë dhe ende më tej mbetet ai i shtetit dykombësh. Nëse për një arsye ose tjetër forca politike të caktuara nuk janë në gjendje ta pranojnë këtë filozofi politike atëherë alternativa jonë do të ishte ajo e qytetarëve të barabartë dhe jo ajo e një kategorie qytetarësh të pagëzuar me emër e mbiemër dhe e qytetarëve numra me përqindje. Thënë shkurt, PPD parimet e veprimit të saj politik i ka paraqitur qysh në Deklaratën e Grupit parlamentar për barazinë e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë në vitin 1992 dhe ato janë parime bazë të veprimit tonë politik dhe janë: krijimi i një sistemi politik konsociativ mbi parimet e të cilit mund të ndërtohet baraspesha e përfaqësimit dhe e garantimit me dinjitet të pabarabartë institucional të interesave të shqiptarëve në tërësinë shtetërore të Maqedonisë, krijimin e një strukture shtetërore dhe institucionale që reflekton realitetin multietnik të Maqedonisë, përfaqësim të drejtë politik në institucionin qendror legjislativ (Kuvendin e Maqedonisë) proporcionalisht me peshën demografike të shqiptarëve në këtë republikë, përfaqësim të drejtë, respektivisht proporcional në pushtetin ekzekutiv, në strukturat dhe organizmat e saj, përfaqësim proporcional në organet dhe në të gjitha instancat e pushtetit gjyqësor, etj, etj.
Shihni, edhe pas 23 vitesh zhvillim demokratik platforma e PPD-së ende nuk është realizuar plotësisht, ende duhet kohë realizimi. Nuk është ndonjë thënie e mençur po qe se themi se aktiviteti ynë politik do të mbështetet kryekëput në Marrëveshjen e Ohrit. Fundja ajo marrëveshje bazë politike ka pasur platformën e PPD-së, madje edhe e hartuar nga ekspertë të PPD-së, e hartuar për kohë të caktuar dhe rrethana të caktuara. Në këtë Kongres ne do të dalim me një deklaratë politike se si PPD i sheh zhvillimet politike, ekonomike, kulturore, arsimore aktuale dhe paralelisht do të punojmë edhe për rifreskimin e platformës tonë të përgjithshme politike në të ardhmen.
Ka shumë tema për të cilat, jo vetëm PPD, por edhe partitë tjera, duhet ti meditojnë. Për shembull ajo e koalicioneve parazgjedhore me partitë e etnikumeve tjera. Si të sqarohet fakti kur në sytë e shqiptarëve partitë në fushatën parazgjedhore i shajnë partitë maqedonase dhe fshehtazi në regjione të caktuara e ndihmojnë njëra- tjetrën. Dilema është a duhet dhe a ka ardhur koha veprimet prapa skenës politikes partitë politike shqiptare e maqedonase ti legalizojnë apo të vazhdojnë edhe më tej të punojnë prapa shpinës së elektoratit në emër të një patriotizmi të rrejshëm? Fundja çka u duhet platforma politike partive politike shqiptare kur fitimin e votës nuk e bazojnë në vullnetin e lirë të zgjedhësit por në vjedhjen masive të votave, në blerjen e tyre pasi ta varfërojnë paskajshmërisht zgjedhësin, me frikësime policore të elektoratit, madje edhe me vrasje? Për PPD këto koncepte asnjëherë nuk kanë qenë të pranueshme dhe gjithnjë do të refuzohen.
PYETJE: A do të ketë risi në bashkëpunimet ndërpartiake?
Kamberi-Llalla: PPD, gjithnjë ka qenë partia që ka vërtetuar se për çështjet e mëdha kombëtare dhe shoqërore, ka afruar zgjidhje dhe bashkëpunim. Është PPD, ajo që i mundësoi formacionit ushtarak të papranuar nga komuniteti ndërkombëtar që të paraqitet me subjekt politik, por kjo parti e nëpërkëmbi sinqeritetin e PPD-së dhe anëtarëve të saj dhe u angazhua për zhdukjen e saj nga skena politike. Të mos harrojmë se PPD është partia mëme e këtyre dy partive dhe është mëkat të sulmohet dhe shpifet pa fakte për të. Për ne paraqitja e çdo subjekti të ri politik është zbukurim i mëtejmë i një kopshti me lule plotë dhe ngjyra të ndryshme. Zaten në programin tonë politik kemi theksuar se PPD-ja është e hapur për bashkëpunim me të gjitha formacionet politike identike me principet dhe vlerat e saja në vend dhe jashtë se PPD-ja afirmon vendosjen e partneritetit dinamik me tërësinë e organizmave dhe asociacioneve të shoqërisë civile.(Intervista u dha per “Lajm” ne Maqedoni)
ÇFARË JANË SHQIPTARËT NË MAQEDONI VENDAS APO ARDHACAKE?
Nga Teuta Kamberi-Llalla/
Mos përdorimi i gjuhës shqipe për ne shqiptarët që jetojmë në Maqedoni është sikur të kemi humbur atdheun, dhe për këtë humbje faji në radhë të parë bie mbi klasën tonë politike dhe tek nëpunësit shqiptar që punojnë nëpër institucionet shtetërore ku gjuha shqipe garantohet me ligj. Pasi sllavët na ofenduan me Enciklopedinë, ofendimet vazhduan në librat shkollor me të cilat mësojnë fëmijët shqiptar. Fenomeni i çuditshëm po ndodh viteve të fundit me përdorimin e gjuhës së shkruar shqipe. Sipas më të moshuarve thonë se gjuha shqipe ishte gjuhës zyrtare në ish-Jugosllavi, në Maqedoni. Siç duket dikush po i shtyn shqiptarët të ndiejnë nostalgji për jetën nën diktaturën jugosllave dhe kjo nuk bëhet paqëllim.
Injorimi i gjuhës sonë kombëtare fillon nga certifikatat personale, për të vazhduar me letërnjoftimet dhe pasaportat ku shpeshherë bashkëkombasit tanë të cilët punojnë në zyrat ku jepet këto dokumente na përgjigjen shpeshherë se nuk ka pasaporta në gjuhën shqipe. Certifikatat në heshtje na i japin vetëm në gjuhën sllavo-maqedonase, dhe nëse dikush e kërkon në gjuhën amtare nëpunësit na shikojnë shtrembër, me përbuzje. Pa folur që shpeshherë emrat dhe mbiemrat nga i shkruajnë me shkronja latine, por në gjuhën sllave duke bërë ndryshimin e shkronjave.
Ndërmarrja pritave elektrike EVN vazhdon të tallet me ironi prej disa vitesh me gjuhën shqipe, kjo u vërejt në deklaratën që bëri për një portal zëdhënësja e saj Vlera Gjakova ku tha ndër të tjera se faturat mund të vijnë në gjuhën shqipe pasi bëhet kërkesë zyrtare. Kjo deklaratë e një qytetareje me kombësi shqiptare duket sa ironike dhe qesharake kur dihet që përdorimi i gjuhës shqipe garantohet me ligj dhe Kushtetutë për të gjithë qytetarët me kombësi shqiptare dhe nuk duhet të parashtrohet kërkesë për përdorimin e saj.
Siç duket institucionet shtetërore dhe firmat e mëdha private i kanë shpallur luftë të hapur përdorimit të gjuhës shqipe, kjo luftë vërehet kudo edhe deputetët tanë heshtin përpara kësaj tragjedie. Duket se sa herë që afrohen zgjedhjet dëgjohen çjerrjet dhe britmat e ndonjë pseudopatrioti i orëve të vonuara për ta ngritur çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe ashtu siç i takon me ligjet e cunguara të votuara nga çorbë ngrënësit deputet shqiptar të cilët keqpërdorin votëbesimin e votuesve të tyre.
Poshtërimi i shqiptarëve si bashkëthemelues të shtetit të Maqedonisë u duk edhe me aprovimin e ligjit për përdorim e Flamurit Kombëtar, ku deputetët shqiptar votuan ligjin e zvogëlimit të flamurit tonë, pra flamuri shqiptar mund të përdoret vetëm i zvogëluat 30% nga përmasat e tij zyrtare. Ky është një devijim i rëndë nga ato përmasa që njihet kudo në botë zyrtarisht flamuri shqiptar.
Duke vërejtur edhe shkeljet e institucioneve shtetërore për përdhosjen e flamurit dhe gjuhës shqipe, shqiptarët duhet ti bëjnë pyetje vetes nëse janë qytetar vendas në Maqedoni apo ardhacak?
Shqiptarët duhet të zgjedhin midis qytetarit vendas dhe qytetarit ardhacak, nëse ndihen vendas atëherë duhet të mbrojmë identitetin e tyre kombëtar, duhet të luftojnë për tu ndier të barabartë me të drejta të plota ashtu si sllavo-maqedonasit, sepse fjala qytetar ka kuptimin të qenit i përhershëm, i barabartë me të tjerët para çdo ligji. Nëse shqiptarët ndihen ardhacak, atëherë duhet të heshtim, të nënshtrohemi dhe ta ndiejmë veten të përkohshëm, as me Maqedoninë e as me Shqipërinë.(të gjithë e dimë se si na quajnë në Shqipëri).
Prandaj secili nga ne duhet të marrë përsipër përgjegjësitë për të mbrojtur identitetin kombëtare në rast se nuk dëshirojmë të jetojmë nën diktaturën e mentaliteteve të kohëve të shkuara, të gjuhës së urrejtjes dhe dorës me kamxhik mbi kurriz. Për të mos ngritur dilemën se: na pengojnë, apo pengohemi me këmbët tona?