• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Loja, shembja e qiellit

April 13, 2017 by dgreca

Nga Eric Naulleau/*

2 Shehu Bashkim

Sa herë është rrotulluar Toka rreth Diellit qysh nga ngjarjet që rrëfehen te Loja, shembja e qiellit? Kufomat e balsamosura si e Leninit, apo ajo e Gjergj Dimitrovit, kanë përfunduar të ngatërruara me ato të faraonëve egjiptianë, Muri i Berlinit është bërë bashkëkohës me qytetet e inkasve, perandoria sovjetike s’është veçse një pluhur i hollë i kuq mes faqeve të një libri historie. Dhe vetëm shkrimtarët e mëdhenj, si Bashkim Shehu, ende mund ta nxjerrin nga hiçi që e ka gëlltitur Shqipërinë komuniste, atë regjim ku mjekët e kishin të ndaluar t’u thoshin pacientëve se kishin kancer “që të mos demoralizoheshin, çka binte ndesh me ndërtimin e socializmit”, atë tirani të aftë për ta ndjekur kundërshtarin imagjinar, madje edhe pas vdekjes së tij: “ai u përjashtua nga Partia si armik, gjashtë vjet pas vdekjes, a thua konspironte në botën e përtejme dhe në bashkëpunim me të vdekur të tjerë”.

Ky roman merr trajtën e kujtimeve të Aleks Krastës, ish-bashkëvuajtës i rrëfyesit (edhe njëri, edhe tjetri, dyzime të tejdukshme të autorit), “dhjetëra faqe të shkruara ethshëm, rrëmbyeshëm, një pjesë e madhe shënime fragmentare, me një shtjellim të ndërlikuar, madje herë-herë të rrëmujshëm”. Një tekst limit “me përjetime në kufijtë e së pamundurës”. Ëndrra të njëpasnjëshme, ku peripecitë u binden ligjve të gjendjes së jashtëzakonshme nokturne, domethënë pa u shqetësuar për kronologjinë dhe aq më pak për identitetet e qëndrueshme – një vajzë shndërrohet brenda çastit në një dyzetvjeçare, mbesa i zë vendin emtës ashtu si zëvendësimi i beftë i personazheve në një film të Méliès-it, tre aktorë të ndryshëm luajnë njëri pas tjetrit rolin e një prifti të ngarkuar që të dëgjojë rrëfimet në prag të vdekjes. Episodet ndjekin njëri-tjetrin dhe përsëriten të deformuar: Aleksi arrestohet nga policia politike në po atë tren që, kohë më parë, vidhte udhëtarët nën urdhrat e Xhimit, përvoja e tij seksuale me një të çmendur përfundon në një guvë të nëndheshme, ku e kishte çuar më parë një ëndërr që pasonte varrimin e të atit dhe ku do ta shpien sërishmi disa orë të kaluara në një klub nate. “Njohje nëpërmjet humnerave”, thoshte Henri Michaux. Gjumëprishur, personazhi kryesor, rrëfyesi dhe lexuesi nuk arrijnë të çlirohen nga çarçafët e lagur të rrëfimit, ashtu si të dyshuarit që nuk dinë se për çfarë krimi akuzohen, që t’i lënë më së fundi rehat: “s’kuptonte ç’po ndodhte, i bëhej si një ëndërr e keqe, nga e cila nuk zgjohej dot. Përveçse po të trillonte, të shpikte gjëra të paqena dhe të thurte me to një ëndërr për të dalë nga kjo ëndërr ku ndodhej”.

Autobiografi e tërthortë, vite burgu pas vdekjes së babait përmendur kalimthi, variacion mbi Kontin e Montekristos (hakmarrja e Aleks Krastës është po aq makiavelike sa ajo e Edmond Dantesit dhe roli i at Shtjefnit është jo më pak vendimtar se ai i abatit Faria), arritja e romanit Loja, shembja e qiellit buron gjithashtu nga një temë që rrallëherë është paraqitur me kaq vlefshmëri letrare: përvetësimi i trashëgimisë së katolicizmit nga diktaturat komuniste. Luigji, thjesht ingranazh i makinës shtypëse totalitare, nuk mjaftohet me të bërtiturën “tani Zoti jemi ne” dhe me uzurpimin e identitetit të një prifti, por, si trashëgimtar i Inkuizicionit, shfrytëzon të gjitha trajtat e fajësisë, që mund të ndiejnë kundërshtarët hipotetikë, duke filluar nga ajo që lidhet me mëkatin e zanafillës. Ashtu, sikurse çdo qenie njerëzore, vjen në botë e shenjuar me këtë damkë, çdo qytetar shqiptar ka mëkatuar ndaj Partisë në mendime, në veprime apo në fjalë, prandaj dhe në fundit të fundit, herët a vonë do ta pohojë. Ndërkaq, Aleks Krasta ndihet fajtor gjithkund dhe në çdo rrethanë, një ndjenjë që evoluon vazhdimisht gjatë romanit, por që nuk i shqitet nga shpirti: “tashmë i çliruar nga fajësia dhe, pastaj, ca nga ca, njëherësh me urrejtjen e tij ndaj atyre që po ia prishnin qetësinë babait në varr, dhe që më vonë do t’i quante pushteti i armiqve të popullit, i trazuar me këtë urrejtje, zu të ndihej fajtor për babanë, i cili gjithsesi njësohej në mendjen e tij me atë çka ai më vonë do ta quante pushteti i armiqve të popullit, dhe për shkak të gjërave që mund të kishte bërë i ati duke u shërbyer atyre”. Nuk është aspak për t’u habitur nëse në Shqipërinë e Enver Hoxhës psikanaliza ishte e ndaluar si pseudoshkencë borgjeze, arsye që nuk arrinte ta fshihte akuzën për konkurrencë hileqare.

Një diktaturë mund të shembet, si ndodhi në Shqipëri më 1991-shin, të burgosurit politikë mund të dalin nga burgu, sikurse u ndodhi atë vit Aleks Krastës dhe Bashkim Shehut, po burgu nuk del kurrë prej tyre. I pari, madje gjer në Milano, jeton në një botë që është “shndërruar në një karusel vegimesh që iknin pareshtur”, i dyti jeton me kujtimin e shokëve të tij të burgosur: “Sa herë më kthehet në mendje ajo pamje, më bëhet se ende janë atje, nën shiun e imët, sado që disa prej tyre i kam takuar pasi dolën së andejmi”. Që të dy në romanin që do të lexoni, “jeta e tij ishte për të njëfarë libri, për të cilin kërkonte ngulmueshëm, shqetësueshëm, një kuptim, apo më saktë një domethënie”. Në një tjetër hapësirë, në një tjetër kohë. Përgjithmonë.

Që të kuptosh një delir, nuk ka mënyrë tjetër përveçse të bësh tënden logjikën e tij; që të rigjesh një vend të zhdukur në një të çarë të thellë të Historisë, nuk ka mundësi tjetër përveç që ta lësh veten të bjerë në hon – Loja, shembja e qiellit të kujton ëndrrat e këqija të një speleologu që rrotullohet pareshtur në një shtrat një mijë lega nën Tokë, larg Diellit.

***

* Romani  “Loja, shembja e qiellit” i shkrimtarit Bashkim Shehu sapo qarkulloi në gjuhën franceze, me siglën Les Editions des Quatre Vivants, me përkthim të Michel Aubry dhe parathënie të Eric Naulleau.Romani “Loja, shembja e qiellit” u botua në shqip nga Botimet Toena në vitin 2013 dhe po gjatë këtij viti u vlerësua me çmimet: “At Zef Pllumi” dhe “Autori më i mirë i vitit”.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Bashkim Shehu, Eric Naulleau, Loja

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT