Nga Lorenzo Fiorito/
Pergatiti per Diellin: Eugjen Merlika/
Nuk është e vërtetë, siç ka shkruar Adorno, se mbas Aushwitz-it nuk është më e mundur poezia. Në të kundërt Visar Zhiti ka vërtetuar se nga tmerri i historisë më të errët mund të lindë lirika e madhe.
Zhiti ka jetuar një një Vend, të cilin diktatura staliniste e Enver Hoxhës e kishte bërë, ndoshta, më t’errtin e botës. Nën atë tirani ai u dënua sepse vargjet e tij ishin “armiqësorë ndaj regjimit, të trishtuar dhe hermetikë”, siç shprehej çensura zyrtare. Kujton poeti : “Në qeli të veçimit, për të ruajtur barazpeshën mendore e shpirtërore e për të bashkëjetuar me terrorin që nuk arrija t’a zotëronja, duke mos patur mundësi të lexonja libra apo t’i shkruaja familjarëvet, shkruanja poezi, por vetëm me mënd. I recitonja me zë t’ulët, duke u munduar të pakësonja frikën.” “ E trishtuar dhe hermetike” : gjykimi donte t’ishte zvogëlues, por nuk mund t’ishte më larg së vërtetës. Sigurisht, poezia e Zhitit tregon poshtërsinë, jo figurative por të vërtetë, instiktin e dëshpëruar të mbijetesës, terrorin, gjakun, dhimbjen.
Në vargjet e tij është përshkrimi i diçkaje të ngjajshme me ferrin ; megjithatë ata rrezatojnë gjallëri dhe lumturi, energji e shpresë, dashuri për jetën. Madje humorizëm. Por mësimi i madh, i vërtetë që nxirret nga kjo poezi që lind në gulagët, është se me të përgënjeshtrohet ideja e lirikës si hapësirë individuale që kapërcen të vërtetën objektive.
Përkundrazi, Zhiti dhe poetët e tjerë të mbyllur në kampet e përqëndrimit, do t’a kenë gjetur të çuditëshme idenë e Hugo Friedrich-ut, simbas të cilit qëllimi i lirikës “nuk është bota, por vetëm e vetëm fjala”, pra një subjektivitet krejtësisht i shkëputur e i pavarur. Ndërsa vërshimi në universin thelbësisht të papërgjegjshëm të vetëdijës lirike bashkëkohore, të një përvoje poetike që ushqehet me mishin e gjallë të historisë, tregon se poezia nuk mund të jetë vetëm ajo loja intelektuale për elitat në të cilat është kthyer shpesh. Poezia e Zhitit sigurisht është një poezi e madhe, për gjuhën e fuqishme dhe origjinale, për larminë dhe thellësinë e temave, për kërkimin e formave dhe pasurinë e figurave dhe vendoset në majat e lirikës bashkëkohore botërore. Por këta vargje na thonë diçka më shumë : në ta nuk ka një poetikë jetësore të mbyllur në vetvete, nuk ka një estetizëm të drobitur të një uni lirik ëmbëlsisht të pavetëdijshëm të botës, si mund të themi.
Në të kundërt, Zhiti dëshmon dhe bën të njohur përvojën e vet vetiake, historizon martirizimin e tij dhe i a blaton përsiatjes së përgjithëshme. Për këtë poezia e tij është një vjershërim shumë i lartë qytetar, që si një parmendë lëron ndërgjegjet tona dhe i ushqen me gjellë të re, ndërsa largon çdo perde ideologjike që pengon të kuptuarit e asaj që ka ndodhur në një të shkuar t’afërme në një pjesë jo të largët t’Evropës. Në burg Visar Zhiti frikësohej se nuk mund të ishte pa poezinë : për ne, pa tregimin e tij, pa përfytyrimin e fuqishëm lirik të ndodhisë së tij të dhimbëshme dhe heroike, ajo tragjedi ndoshta nuk do të kishte ekzistuar në përmasat në të cilat ai na e paraqet.
Kështu, fati vetiak i një njeriu që ka hasur dhimbjen e historisë, është bërë dëshmi e gjallë, letërsi e madhe, poezi madhështore.
Lorenzo Fiorito është një profesor i Gjuhës dhe Letërsisë angleze pranë Universitetit “Oriental” të Napolit. Ushtron profesionin e tij edhe në katedra të tjera të Vendit të tij si “Federico II” dhe “Suor O. Benincasa” të Napolit, n’Universitetin e Molises, n’atë të Cassinos etj. Ka lindur më 1955 në Gruno Nevano, provinca e Napolit, ku jeton edhe sot.
Shkrimi, që kam përkthyer, është marrë nga Websiti i shtëpisë botuese Diana Edizioni e cila, në vitin 2012, me kujdesin dhe pregatitjen e profesorit të njohur Elio Miracco, ka botuar vëllimin me poezi të shkrimtarit e poetit të njohur Visar Zhiti, me titull “Confessione senza altari” (“Rrëfim në asnjë altar”). Shkrimi i profesorit napoletan Fiorito dëshmon edhe njëherë nivelin e lartë të vlerësimit, në rrafsh ndërkombëtar, të personalitetit letrar e poetik të Visar Zhitit i cili, simbas tij, qëndron “në majat e lirikës bashkëkohore botërore”.
Qershor 2016 Eugjen Merlika