Deputetja e Partisë Socialiste e zgjedhur në qarkun e Vlorës, Luiza Xhuvani, ka lënë mandatin sot pasdite, pas ngjarjes tragjike ku u përfshi i biri i saj, Kostandin Xhuvani, ku u vranë 4 përsona, njëri shtetas italian.
Kostandin Xhuvani u arrestua nga policia dhe Prokuroria e Tiranës po heton me shpejtësi ngjarjen e rëndë ku në të gdhirë, 4 persona humbën jetën si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit.
Sipas hetimeve paraprake, Kostandin Xhuvani, mbetet i dyshuari kryesor, bashkë me 3 persona të tjerë.
Deputetja Luiza Xhuvani, doli sot pasdite në një deklaratë për mediat në Kryeministri, ku theksoi: “Dhimbja e një nëne që e ka të pamundur të marrë përsipër fajin e së birit. Edhe unë e dhe Gjergji përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijën e vet, por me sa duket kemi qenë të pafat në këtë drejtim. Kjo nuk ka lidhje me familjen e Kostandinit, as me prindërit e tij, as me mandatin që nëna e tij përfaqëson.Janë 4 familje që sot vajtojnë, dhe kërkojnë drejtësi, dhe drejtësia duhet të bëjë drejtësi, e duhet t’i trajtojë të gjithë si të barabartë. Kostandini është djali im, e do të jetë djali im, e një nënë duhet të jetë në krah të djalit të saj. Në pamundësi për t’i shërbyer zonës që përfaqësoj, kam kërkuar dorëheqjen nga kryeministri. Mos i ndodhtë asnjë prindi ajo që më ka ndodhur mua, e mos i ndodhte akujt ajo tragjedi që i ka ndodhur kësaj familje ”.
Kryeministri, Edi Rama, e ka vlerësuar si etik aktin e deputetes dhe ka deklaruar se drejtësia do të jetë e barabartë për të gjithë pa dallim.
Duke marrë fjalën pas znj. Xhuvani, Kryeministri Edi Rama u shpreh se drejtësia do të veprojë ndaj kujtdo që thyen ligjin dhe se të gjithë janë të barabartë. Kryeministri vlerësoi punën e policisë së shtetit për kapjen në kohë reale të autorëve të ngjarjes tragjike, ndërsa shprehu mbështetjen dhe për familjen Xhuvani në këtë moment të vështirë.
“Kjo histori papastërtie sociale ka krijuar idenë tek njerëzit se ka një ligj për fëmijët e tyre dhe një tjetër për fëmijët e politikanëve. Një shtet për ata dhe një shtet tjetër me autorë politikanë, zyrtarë, një Shqipëri për fëmijët e njerkës popull dhe një Shqipëri për fëmijët e nënës politikë. Unë di me siguri që koha e dyfytyrësisë ka përfunduar në 23 qershor”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se Kostandin Xhuvani do ta ketë shumë të gjatë rrugën e kthimit në shtëpi, duke u shprehur se ligji do jetë i barabartë për të gjithë. Kryeministri Rama theksoi se katër familjet kërkojnë tashmë drejtësi, ndaj “duhet të presim me qetësi vendimin e drejtësisë”. Duke folur për të birin e Luiza Xhuvanit, Konstandinin, ai e ka cilësuar si “tragjedia e gjallë e dy prindërve të pamerituar”, i cili është produkt i një keqqeverisjeje që ka prodhuar kriminalitet.
“Ai nuk është fëmijë por një burrë 26 vjeç tragjedia e gjallë dhe e pamerituar e dy prindërve të mrekullueshëm. Gurët e mbushura plot të zbrazur ndaj Luiza Xhuvanit i përkasin jetës së ulët, gruaja dhe nëna që i ra fatkeqësia ta jetojë në çdo qelizë të vërtetën e shprehjes “ç’të bën fëmija s’ta bën as perëndia” i përket jetës së lartë prej nga erdhi në politikë. Dy prindër tragjikisht fatkeq, jeta e tyre familjare është një film tragjik me një vajzë të mrekullueshme dhe një djalë që do ta ketë shumë të gjatë rrugën e kthimit për në shtëpi”, tha Rama.
Rama: Shëmbull dinjitoz i Luiza Xhuvanit
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social, shpreh dhimjen për humbjen e katër të rinjve në ngjarjen tragjike sot në kryeqytet, ndersa cilëson si një shembull dinjitoz dorëheqjen e deputetes Luiza Xhuvani.
Shefi i qeverisë ka postuar pas thenies “shëmbull dinjitoz i Luiza Xhuvanit “, fjalën e plotë të saj në konferencën e mbajtur të martën pasdite për median .
“Fjalët nuk më mjaftojnë për të shprehur dhimbjen dhe drithërimat e shpirtit! Dhimbje për katër jetët e humbura! Dhimbje për familjarët e atyre, që sot vajtojnë bijtë, që nuk jetojnë më! Sigurisht, dhimbjen e një nëne që sot e ka të pamundur të mbajë fajet e të birit.
E kuptoj se, sot, gjëja më e lehtë dhe e thjeshtë është të fajësosh prindërit e familjen e Kostandinit. Edhe pse nuk bëhet fjalë për një fëmijë, por për një burrë 26 vjeç. Edhe unë, edhe Gjergji përfaqësojmë një familje që nuk ka asnjë lidhje me krimin. Të dy njerëz të lidhur me artin dhe kulturën, të përkushtuar ndaj profesionit. Prindër, që si çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijët e vet, por mesa duket paskemi qënë të pafat në këtë drejtim.
Ngjarja e ndodhur sot në të gdhirë është një ngjarje tragjike. Por ajo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen e Kostandinit. Nuk ka lidhje as me prindërit e tij, as me mandatin që unë, nëna e tij, ushtroj.
Janë 4 familje që sot vajtojnë humbjen e njerëzve të tyre më të shtrenjtë.
Janë 4 familje që sot kërkojnë drejtësi.
E drejtësia duhet të bëjë drejtësi.
Drejtësia duhet t’i trajtojë të gjithë të barabartë përpara ligjit.
Kush është prind më kupton. Kush është nënë më kupton edhe më mirë. Kostandini është djali im dhe pavarësisht të gjithave do të mbetet djali im.
E, pikërisht, se një nënë duhet të gjendet pranë fëmijës edhe në momente tragjike si këto, me bindjen se drejtësia duhet të veprojë me rreptësi ndaj çdokujt që shkel ligjin edhe kur behet fjalë për fëmijën tënd, për t’i hequr çdolloj alibie çdokujt që mund t’i shkojë nëpër mend se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, në pamundësi për të vazhduar t’i shërbej dhe t’i dedikohem zonës që më ka zgjedhur, duke kërkuar ndjesë, i kam paraqitur Kryeministrit të vendit dhe Kryetarit të PS, dorëheqjen time si deputete e Sarandës.
Mos i ndodhtë asnjë prindi kjo që më ka ndodhur mua. Mos i ndodhtë askujt ajo tragjedi që ka ndodhur sot në të gdhirë, Jam nëna e Kostandinit dhe ai do të jetë gjithmonë biri im. Nuk mund ta mohoj se ai është gjaku im.
Do të tërhiqem në thellësinë e dhimbjes me peshë të parehabilitueshme. Drejtësia le të bëjë drejtësi!”, mbylli fjalën e saj në dhimbje Luiza Xhuvani, postuar nga Kryeministri Rama.