Opinion nga Keze Kozeta Zylo/
Mediet shqiptare bëjnë të ditur se janë takuar për 30 minuta, Nishani dhe Rama, rreth vendosjes së Guvernatorit të ri të Bankës Shqiptare.
Sa e trishtueshme dhe e dhimbshme është kur krerët e shtetit vazhdojnë të harxhojnë kohë të tipit e lagu se lagu për të gjetur njeriun e besuar dhe të përshtatshem për të administruar paratë e shqiptarëve!
Zoti kryeministër, qeveritarë dhe kuvendarë të Kombit tim, Guvernatorin dhe ekipin e tij e keni në Diasporë! Siç ju kam shkruar më parë, dhe që u mbështet nga shumë shqiptarë në rrjetin social në f/b, por mjerisht ju s’doni t’ja dini fare se ç’bëhet në Diasporë, Guvernatorin e ardhshëm te Bankës Shqiptare e keni në Diasporë, z.Richard Lukaj, bankier i suksesshëm në Amerikë, personalitet i njohur në botën amerikane dhe në botë, ku mjaft senatorë, kongresistë, personalite të shquara në Botë përfshirë Zëvendës presidentin Amerikan Joe Biden dhe Princin Charls të Anglisë kanë qenë në shtëpinë e Tij, shtëpi që është kthyer në Shtepinë e Bardhë të Shqiptarëve.
Doni ta nderoni Kombin, t’i ngrini lart prestigjin Shqipërisë propozoni në Kuvend z.Lukaj dhe jam e sigurtë se korrupsioni, mafia e grabitjes që e ka lënë në mjerim të tejskajshëm atë vend, do të jenë në rënie…
Si pjesëtare aktive në media në Diasporë e arratisur nga politikat e tmerrshme dhe dritëshkurtëra në shkurt të vitit të mbrapshtë të 97-ës më dhemb në palcë të shpirtit kur dëgjoj dhe shikoj se si vuan shumica e popullit dhe se si shumë prej pjesëtarëve të familjeve tona atje, presin me gojë hapur t’ju çojmë ndihma nga larg, këtu përfshijë dhe familjen time në Tiranë, ku babai im veteran si dhe shumë të tjerë si ai nuk mund të jetojnë me pagesë pensioni 50 deri në 150 dollarë në muaj se nuk u dalin as për ilaçe…
Sigurisht ndihmat e Diasporës të sjella atje ju zgjatin jetën politikanëve mafiozë, hajdutë dhe dallkauk që të rrjepin atë popull të mjerë dhe përvehte të jetojnë në lluks të shfrenuar… por ky është një problem tjetër i tmerrshëm, i dhimbshëm, gërryes!…
Prandaj shqiptari Richard Lukaj si një bankier i fuqishëm, bamirës botëror, investues i biliona dollarëve në ekonominë botërore është lluks ta ketë guvernator Banka Shqiptare, është bamirësi nga ana e tij të japë kontribut për Shqipërinë, edhe pse kuptoj që ka humbje parash në se vendoset në atë post, por Diaspora gjithmonë ka sakrifikuar dhe i është ndodhur Kombit në ditë të vështira!
Zoti Kryeministër dhe ju kuvendarë të Kombit tim, Guvernatorin e Bankës Shqiptare e keni në zemër të ekonomisë më të fuqishme në Botë, në Amerikë!
Duhet të na dëgjoni!
14 shtator, 2014
Staten Island, New York