• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Lumenjtë kthehen në shtëpi”

August 19, 2015 by dgreca

Esse-analizë letrare rreth vëllimit poetik “Lumenjtë kthehen në shtëpi” të Dhimtër Pojanakut./
Nga Raimonda MOISIU/
Poezia në kuptimin gjithpërfshirës është “pjellë e fantazisë” së intimitetit të shpirtit e lidhur ngushtë vetvetiu me gjenezën njerëzore. Poezia është thellësisht metafora e jetës, me sinqeritetin e saj eternal dhe universal. Poezia përmban brenda vetvetes embrionin e një lidhje të çfarëdo motivi apo veprimi, që ekzistojnë në morinë e mundshme të natyrës njerëzore. Poezia është memuari i fjalës, i ëndrrave, i momenteve të lumtura e të trishta, pasioneve, dëshirave, psikikes e shpirtërores. -mes brengës e mallit, nostalgjisë e kujtimit, urtësisë e mencurisë, vlerës e antivlerës, bukurisë e groteskes, vdekjes e jetës, admirimit dhe mirëkuptimit, miqësisë dhe respektit. Poeti kontemporan, i shquar i vargjeve lirike shqiptare Dhimtër Pojanaku botoi vitin që kaloi “Lumenjtë kthehen në shtëpi”, libër i dalë nga shtëpia botuese Skanderbeg books”, Tiranë, një nga vëllimet poetike më të mirë dhe i vlerësuar bindshëm nga kritika e kohës. Leximi i poezive zbulon simbolikën e thellë dhe temat universale, penën mjeshtërore poetike të Pojanakut, i cili demonstron një përsosmëri të rrallë filozofike dhe ndjeshmëri artistike, ndërton urën emocionale, që bën efektin e qartë në përditshmërinë e jetës së njeriut; mediton ndjeshëm në udhëtimin e trishtë e të lumtur në të përditshmen njerëzore. Pojanaku deklamon idetë nëpërmjet tingujve lirikë dhe artistikë, me natyrën e vërtetë të dashurisë, filozofisë për jetën dhe vazhdimësisë së saj. Që në titull e merr kuptimin e dyfishtë të librit “Lumenjtë kthehen në shtëpi”, si një frazë që i referohet aktit të vërtetë të kohës, një të kaluar e idealizuar, që i ka shërbyer poetit për të dhënë detajet –peisazhin dhe figuracionin poetik, misionin e gjallimit të jetës, që kalon shpejt, sikundër rrjedhin dhe gurgullojnë lumenjtë, me kohën e për kohën. Ky dualitet që në titull , është metaforë intriguese, meditative dhe elokuente në artin e poezisë, por që Pojanaku e përdor me mjeshtëri artistike dhe filozofike. Lexuesi i kujdesshëm është i vetëdijshëm se poeti me këtë interpretim, ka bërë një marrëveshje në heshtje, beson në ura të padukëshme mes lumenjve dhe shtëpisë në kohë e hapësirë, për të na rrëfyer të vërtetën e gjëndjes shpirtërore. Me anë të mikrofabulave plot ndjenjë dhe emocion, na vetëdijeson se natyra e jetës njerëzore është e pashmangëshme ndaj mplakjes dhe vdekjes, gëzimit dhe hidhërimit. Sido që të jetë, jeta është e bukur, dhe ne duhet ta jetojmë! Poeti Pojanaku është poet thellësisht intuitiv, ai gjen forcën e nevojshme për të qenë autonom, hulumton me humor, ironi, sarkazëm dhe trishtim, duke sfiduar kështu me fuqinë e tij, që lumenjtë me rrjedhën e tyrë të kristaltë kthehen në shtëpi, në cdo kohë e stinë, ngrohtë apo ftohtë, që do të thotë se jeta dhe dashuria ekzistojnë si pjesë e mëmës natyrë, në tokë, ajër, qiell dhe ujë. Pasioni, vitaliteti dhe intimiteti lirik, karakterizojnë penën e tij poetike, “bisedojnë” lirshëm, dhe ndjejnë sensin e një shpirti të trazuar me dhimbjen, mallin dhe dashurinë, që mbartin më shumë se një kuptim; përjetimin e ndjenjës dhe emocionit sa afër , aq edhe larg, emocion i brishtë, i ciltër dhe i fortë. Pojanaku shfrytëzon bindshëm mjeshtërinë e vet artistike e filozofike në konceptimin e vargut poetik, dhe fizionominë e tij, skrupuloz në kërkim të fjalës së bukur, meditimit, ndjeshmërisë së lartë, dhe koloritit të pasur i figurave të goditura metaforike, Pojanaku në cdo varg demonstron ton të ri poetik, në endjen e vargjeve dhe gdhendjen e strofave. Gjatë këtij procesi poetik. me ritëm mbresëlënës, rima, gjuhë të rrjedhëshme, leksik i kujdesshëm, metaforat, tematikë e pasur, harmoninë dhe nga erudicioni i karaktereve, Dhimitër Pojanaku është gjithmonë në veprim-hap shtigje të reja në lirikën shqiptare.
Në vëllimin poetik “Lumenjtë kthehen në shtëpi”, që në hyrje është dedikimi i poetit për familjen, vecmas dashurive të jetës, bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tij. Poezitë janë të mirëvendosura në tre kapituj, me nëntitujt respektivë: “Lojërat e natës”, “…Në dhomat e mbyllura”, dhe “Pastele të harruara”. Vetë poeti Pojanaku mbetet peng i lirisë me veten, me botën që e rrethon dhe traditat e ndryshme të vargut lirik, me fuqi mbresëlënëse e kuptimplotë, përpjekjekjo, për të përfaqësuar realitetin, mitiken dhe ndjenjën, tendencën e lidhur zakonisht me “post-modernen” ose avant gardës, për të komunikuar me botën e brendëshme dhe të jashtëme në më të shumtën e poezive.
“ Përmbi të marrë duhet të jem,/Përderisa,/Shpirtin jap,/Dhe asgjë nuk ndodh./Ende plogështia mbars trishtim,/Ftohtësira virgjëron akuj,/Myshqet rrethojnë me xhelozi gurë./Të marrë duhet të jenë,/hedh shpirtin tim si kaprua,/Të qetësoj egërsirat,/Dhe ato,/Nuk e shohin,/Nuk e përfillin. (poezia “Hire”,f.9, kapitulli -“Lojërat e natës”,). Poeti Pojanaku ka vendosur kuptimin alegorik, që në titullin e kësaj poezie të titulluar “Hire”. Ai ka vendosur shpirtin e tij, për të na rrëfyer fizionominë e realitetit, në konseguencën e mendimit varg pas vargu, përballjen e sinonimeve, dhe në sjelljen e natyrshme të figurave, të cilën Pojanaku e bën si nga afër ashtu edhe nga larg, ku të gjitha shqisat e shpirtit dhe fizike përjetojnë emocionalisht të gjithë faktorët që luajnë rolin e tyre ndaj realitetit, universit njerëzor e shpirtëror dhe dukurive të tyre psikollogjike, besimi në të vërtetën e sfidës për mbijetesë. Autori me mjeshtëri letraro – artistike e filozofike prezanton kontrastet e dy aspekteve të personalitetit të tij poetik. Shpirti i poetit nuk shikon, por vështron ndjeshëm “Hiret”, “për të hedhur shpirtin tim si kaprua”, dhe heton e vepron me cdo shqisë “Të qetësojë egërsirat”, duke motivuar kështu luftën për jetën dhe përmirësimin e të kundërtave në hapësirën e dimensionit njerëzor dhe stalagitet e shpërbërjes në hapësirën e boshtë të farsave sociale, që : “nuk e shohin/” dhe “nuk e përfillin”-vargëzon poeti, për të analizuar dhe interpretuar me ndihmën e artit dhe forcën e ndjenjës. Të gjitha shqisat janë në akord me përjetimin emocional, dhe metafiziken e natyrës dhe humanes.
“Nën blozën e shkundur,/Xixëllonja thëngjije,/Moj,flaka katile,/Moj, flaka katile,/Dancojnë e nuk vdesin,/Pilivesat thëngjije,/Moj flaka, katile, /Moj Fla…ka,/Ka…ti…le.”(poezia “Jetë Qyngjesh”, f.31) në këto vargje ndjehet forca shpirtërore dhe forca e tij poetike është se ai krijon vargje thellësisht nën efektet e tij mbi lexuesin, duke përdorur fjalë ndjellëse dhe imazhet në poezinë e tij. Hulumtimi i parreshtur i dualitetit dhe polaritetit të jetës, poeti na i jep me një “incident dramatik natyror” i tensioneve destruktive krijuese të cilat “nën blozën e shkundur”, “dancojnë e nuk vdesin”, poeti përkufizon pikëpamje komplekse dhe intensitetin simbolist, si pozitive ashtu edhe negative, përjetuar mes vargjesh me vizionin meditativ që ekzistojnë mes trupit dhe shpirtit, reales dhe mitikes, qetësisë dhe lëvizjes. Me fuqi të shquar poetike Pojanaku zbulon një botë të cudtishme nëpërmjet “Jetë qyngjesh”-qyngjet në vetvete nënkuptojnë “rrugë apo bulevarde të cuditshme” të populluar nga xixëllonjat, bloza dhe flaka katile, -me të cilat Pojanaku nënkupton shtresat dhe farsat sociale, demonstron idetë e tij nëpërmjet metaforave dhe filozofisë për jetën, figura këto që kanë krijuar negotacionin delikat dhe meditacionin brilant, luftën dhe efektet e saj në hapësirat sociale e qytetare, dhe mendjet njerëzore, pasqyrë jete të fasadës së jashtëme e të brendëshme të “Jetë qyngjesh”. Poeti ka shprehur ndjeshëm mendimin e ndërgjegjshëm e të nënndërgjegjshëm, meditacionin brilant, që na rrëfen se syri dhe shpirti i poetit Pojanaku është ai i një poeti vizionar lirik.
“Loti i ndarjes”-(f.33.)/doli nga guvat e shpirtit,/Dhe u ndal,/Dy gisht nën qerpikë./Trembet,se po ra,/Shkrumbon dhenë./”
Është krijim melankolik –i lindur si rrjedhojë i castit kalimtar trishtimi, meditimi, dilemës e melankolikisë. Autori nëpërmjet emocioneve të tij, i vetëdijshëm në atë që shpreh, Pojanaku legjitimon nga dalin lotët, mbasi ato janë të pranishme në gjithcka tonën që flet për ndjenjën e “identitetit” dhe nevojën tonë për përtëritje. Një përgjigje krejt e natyrëshme për të shprehur kur jemi të lënduar, fizikisht, mendërisht e moralisht, dhe poeti vargëzon:”Xhevahiret e botës,/Fantaksur para tij,/Zgjatin kthetrat,/ Tasakatojnë,/Ta terratisin.”. Pojanaku e di këtë fare mirë dhe na kujton se cdo lot që derdhim, derdhet për një arësye të lumtur apo të trishtë, lotë që derdhen në kohët e frikës dhe tragjedisë, vuajtjes dhe trishtimit, të ndara nga lotët e gëzimit.
“Loti i ndarjes,/Sulmet shpërfill/E,/Shndrit,/Llamburit,/Burin prej përdëllimit./”,
Loti kurrë nuk shpërfillet as injorohet, edhe kur jemi të vetmuar apo të braktisur, por vetë loti “sulmet shpërfill”—thotë autori në një varg,-sepse loti është perla që pastron shpirtin, është mendimi i bukur frymëzues, është burim force dhe inkurajimi. Loti rrjedh edhe kur njeriu është i lumtur përtej fjalëve respekt e dashuri, dhimbjes e lumturisë që merr e jep nga dashuria e trishtë apo e ëmbël, nga gabimet e bukura që bëjmë në jetë dhe forca tërheqëse e tyre për t’i përsëritur ato. Jeta është e tillë që të mbështjell edhe me shqetësimin e dikujt, tëndin, timin, të atij apo asaj, të gjithsecilit nga ne, dhe na jep forcë për të përballuar cdo gjë që shtrihet para nesh, lotët futën në vargjet e ndjenjës, gjëjnë shtegun për të vaditur shpirtin, na cojnë në psherëtimën e thellë, aty ku bashkëjeton dhe ecën shpirti me jetën. Mjeshtëria e këtyre vargjeve të skalitura nga mendja dhe pena e Pojanakut, është përfomanca e arritur e autorit në atë mënyrë që ai i përshtat këto ndikime shpirtërore në stilin e tij artistik, filozofik me përvojat dhe idetë, duke bërë anestezinë e lotit që del nga bukuria e të fshehtat e shpirtit.
“Afër Fundit” (f.69) –“Ai në një qoshe,/Ajo në një tjetër,/Diku në mes,/Dashuria.”/ Poeti Pojanaku zbulon botën e cuditëshme dhe kërkon normalitetit brenda asaj bote dhe brenda ekzistencës, që e duam dhe e ëndërrojmë –brenda dashurisë njerëzore.Për të kuptuar se nuk ekzistojnë vetëm lidhjet dialektite mes njerësve, por dashuria është e gjitha e lidhur me shpirtëroren e psikiken, me metamorfozën e jetës-dhe kjo është pjesë e njerëzores. Pojanaku sheh këtë traditë profetike të shfaqjes së ideve, ndikimeve dhe stil, që evoluon zërin e tij lirik.
“Si tre hire,/Clodhin frymët./Një dorë e padukëshme,/Trazon hirin, të zbulojë misteret e zjarrit…/.”
Poeti Pojanaku komplikon dhe humanizon, bën të prekëshme një gamë të tërë të përvojave jetësore dhe percepton monologun e dashurisë, heshtjes, dhe guximitsë ndjenjës të fortë të dashurisë,- përshkrim i sinqertë i një realiteti melankolik e të lumtur, në qartësinë e shprehjes, imazhet dhe tonin, i thjeshtë emocional, pesimist dhe optimist.
Ka plot poezi të tjera që janë shëmbuj të vlefshme dhe të rëndësishme të talentit të tij poetik, që vërtet meritojnë një analizë serioze. Është jo vetëm besimi im në pikat e forta dhe rëndësinë e poezisë së Pojanakut, por edhe besimi dhe shprehia e kritikës së kohës, e cila e cmon poetin Dhimtër Pojanaku si një poet i shquar i vargjeve lirike shqiptare në traditën letrare dhe letrat shqipe.
“Balada e Flamurit”-titullohet poezia që mbyll vëllimin poetik, “Lumenjtë kthehen në shtëpi”. “C’është ky ajër që të rrethon,/Ai merr frymë, e ti valon,/Nga vjen kjo shqipe e bën fole,/Mbi gjak martiri që dot nuk fle./Po c’qenke ti, o tribunar,/Armikun tund e ivë zjarr,/Ti qenke sa një mijë bori,/O dashuri, o kuqezi./”
Poezia është enthuziazmi i virtytit, dashurisë, dhimbjes, mallit, ndjenjë e ngrohtësi, brishtësi, ironi e sarkazëm, vetëdije dhe guxim, histori, patriotizëm dhe atdhedashuri, qytetari dhe inteligjencë, që janë të lidhura kryesisht me emocione të tilla nën aureolën e njerëzores e dashurisë, vetë poezia duket sikur është një atom në univers që e konsideron natyrën e njeriun thelbësore, nga e cila rrjedhin fjalët e shkruhen vargjet. Poeti Dhimitër Pojanaku është nga poetët më të vlerësuar dhe më me ndikim në letrat shqipe, dhe jo vetëm kaq! Por edhe përtej kufijve! Pena poetike e Pojanakut, konkuron në kompeticione prestigjioze kombëtare, ndërkombëtare dhe europiane, Laureat i shumë Çmimeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare, ndërsa poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Së fundmi në kompeticionin poetik, “Centro Giovani e Poesia-Triuggio”, mes 548 poetëve nga e gjithë bota, Pojanakut iu akordua Cmimi Special, “Poezia e Popujve”, cmimi që jepet vetëm për poetët më të mirë të huaj. Këto vlerësime dinjitoze nga kritika e kohës e kanë shëndrruar poetin Dhimitër Pojanaku, në protagonistin më të shquar të letrave shqipe, ballkanike dhe europiane dhe tani për tani është dhe mbetet epitoma që mbart pjalmin e artit poetik bashkëkohor dhe vargjeve lirike shqiptare.

Raimonda MOISIU
Hartford CT USA
Gusht 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: “Lumenjtë kthehen, NE SHTËPI, Pojanaku, Raimonda Moisiu

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT