Shënime për librin me mbresa nga Suedia, të prof.Murat Gecaj/
Nga: LUMTURI YMERI-BERSAVA/
Ne Foto: Lumturia dhe Bersa, e bija, me Muratin (Tiranë, 2013)/
1.
“Me zemër në vendlindje” titullohet libri i dytë, pas atij “Dorela”, që autori, miku dhe profesori i nderuar Murat Gecaj, m’i ka dhuruar me dorën e tij.
Kam patur kënaqësinë e takimit dhe e kam parë vërtetë që zemra e “Babushit”, siç i thotë mbesa Dorelë, por tashmë dhe mjaft kolegë e miq të tij, merr me vete një “copë vendlindje”, kudo që shkon, nëpër Europë ose në Amerikë, të cilën e ka vizituar dy herë. E kam parë këtë gjë në sytë e tij të lotuar prej mallit, në fjalët e tij, sa të thjeshta aq edhe të ngrohta.
Them, gjithashtu, “Me zemër në vendlindje”, sepse jeta e tij aktive, kryesisht në Shqipëri dhe në shumë vende të botës, si në trojet shqiptare të Ballkanit, por edhe kudo në diasporë, të frymëzon.
I ftuar nga miq të shumtë, pra edhe në Suedi, të cilët e duan të pranishëm, që e respektojnë dhe i shprehin dashamirësi të plotmerituar, duket mjaft qartë dhe në këtë libër të tij më të fundit. Por, edhe nga ana e tij, Babushi rrezaton mirësi e dashuri të ngrohtë për gjithëkënd, që e rrethon, e njeh ose e takon edhe për herë të parë. Këto cilësi të tij pasqyrohen, duke filluar nga fëmijët, të cilët i quan “pëllumba”, mbartës të gjakut tonë shqiptar, që do ta çojnë më tej traditën, kulturën shqiptare dhe vijojnë deri te studentët, intelektualët e veprimtarët e shumtë. Ata janë yje të përçimit të fjalës shqipe, si në poezi, në këngë e në prozë, për t’i treguar botës që ne jemi një popull liridashës, përparimtar e artdashës dhe gjuha jonë është e gdhendur në historinë shumëshekullore.
Në këto veprimtari, që tregohen më së miri në libër, në mjedisin e emigrantëve shqiptarë në Suedi, profesori na e sjell shumë pranë edhe dashurinë e ndërsjelltë, shprehur në falënderimet e mirënjohjet pafund, të kushtuara atij. Gjithashtu, pasqyrohet edhe me fotot e panumërta, ku duken qartë sofra e bujaria shqiptare edhe përtej kufijve tanë, ashtu si në Suedi, ku fjala shqipe jehon e bukur në veprimtaritë kulturore e artistike ose në mënifestimet, që bashkatdhetarët tanë organizojnë atje.
2.
Është një “valixhe” plot me çertifikata mirënjohjeje, falënderime e letra të dashamirësve të shumtë të autorit, të cilët ai kurrë nuk harron t’i pershëndesë dhe t’i përshkruajë në libër bukur, me nderim e respekt, duke sjellë edhe analizat rreth librave të autorëve bashkëkombës, të cilët e përçojnë në gjuhën e Mëmës, fjalën dhe ndjenjën poetike.
Ndër ta, është edhe përshkrimi i librave të mikes sime të dashur, Zyrafete Kryeziu-Manaj, “vasha e valëve”, e cila noton “mbi uraganin e dhimbjeve”. Për atë, ai shkruan se është “Vasha, që doli me guxim në breg, me forcën titanike të shpirtit të saj”.
Mua më duket vetja se jam vetëm “një pikë ujë”, në këtë “det” të madh falënderimesh e mirënjohjesh, buzëqeshjesh, vlerësimesh maksimalisht dhe urimesh lumturimi, që e mbushin jetën e Babushit tonë, plot gjallëri e optimizëm për jetën. Por është një pikël ujë, që i bashkohem këtij deti-dashurie shqiptare, me urimet më të mira dhe të përzemërta:
Shëndet dhe jetë, sa bjeshkët, Miku im i nderuar, Mik i gjithë shqiptarëve, me zemër të madhe e të pastër!
Urojmë nga shpirti: lumturi pa fund, për ju e familjen tuaj dhe një përqafim të ngrohte përcjellim edhe për mbesën tuaj të bukur e të mençur, Dorelën e dashur!
Faleminderit e mirënjohje për ju, miqësisht, nga zemra!
Tiranë, 22 qershor 2013