• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË GJURMËT E TRADITËS

July 14, 2021 by dgreca

-“Lundërtari dhe deti – sonete” i Uran Kostrecit-/

Nga Anton ÇEFA/*

Duket sikur poezia shqipe, mbas rrebeshit përmbysës të realizmit socialist, po rifillon të zhvillohet e lirë dhe e shëndtshme në dy hulli kryesore: në hullinë e traditës dhe në atë të poezisë moderne.

            Uran Kostreci na prezentohet me vëllimin me sonete “Lundërtari dhe deti” si një poet që po i lidh mjeshtërisht fijet e poezisë sonë të sotme me atë të traditës, me një profil të përcaktuar poetik e një mesazh shumë të qartë filozofik dhe, mbi të gjitha, larg çdo hermetizmi, që fatkeqësisht po abuzon sot mbi artin e vërtetë poetik shqiptar.

            Tradicionalisht si në zgjedhjen e motiveve, ashtu edhe në trajtimin e tyre, në mjeshtërinë artistike e në elementet poetike, në përgjithësi, ai gjithashtu e ushqen poezinë tonë edhe me motive të reja apo me nuanca të reja motivesh origjinale.

            Kur mendon se poeti, i arrestuar në moshën 23 vjeçare, ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij, e natyrisht më të buklurën, në burgje e internime – afër 30 vjet – të rrënqethet shtati, duke hamendësuar se gjatë leximit do të përjetosh përplasjen e rëndë të prangave a kërcitjen e shkopinjve të gomës mbi gjymtyrët e mpira të të burgosurve ose do të hasësh në imazhet e errëta, të lagështa e të ftohta të qelive. Në të kundërtën, poeti rrallëherë kujton zinxhirët, torturat, burgjet e internimet. Ato i rëndojnë frymëzimet, si dikur jetën, dhe ai pothuajse i braktis, duke i lënë në periferi të këngës.

            Poezia e tij do ajër, hapësirë, dritë, qiell e det, erë e furtunë:

T’ harroj un’ dua shpellën me beton

Ku më përgjonte llampa e sporteli…

Frëngjin’ prej ku e shihja pas kangjeli

Coptuar qiellin nga i ziu hon !

                                                            (“Mjaft më”, f. 14)

            Me dashuri të madhe ndaj Atdheut, me një pathos të vërtetë demokratik e më një moral të lartë qytetar, poeti nuk kërkon shpagim “për plagët që më shpoi me gjemba teli”.

            Sot në shtypin shqiptar, në mbledhje e biseda, shpesh me një nevralgji të shfrenuar e mllef shtrohet problemi i dënimit të shkaktarëve kryesorë, që me krimet e tyre i sollën Atdheut aq vuajtje e mjerim. Dhe objektiviteti i së vërtetës historike kërkon që të ballafaqohen me fajin ata, fajtorët e vetëdijshëm, komunistët. Por poeti është gjithnjë poet, gjithnjë fisnik. Dhe kjo në emër të humanizmit dhe të dashurisë së madhe për Atdheun, sepse Atdheu na lutet deri në përgjërim dhe na kërkon:

                        “T’ mos jemi ne Kaini dhe Abeli”

                                                (Idem, f. 14)

            Një kredo patriotike të vërtetë përbëjnë poezitë “Mendohu shqiptar!”, “Mjaft më” dhe “Përkushtim”. Mbasi i gëzohet lirisë së fituar dhe demokracisë që po vendoset, poeti zotohet me solemnitet:

            “Të qaj për gjithë ata që ranë theror

  E të këndoj për diell-demokracinë.”

Motivet mbizotëruese në vëllim i përbëjnë lirikat me një kuptim të thellë filozofik e që parashtrojnë një mesazh të qartë e të shëndoshë për kuptimin e jetës e qëllimin e saj, dashurinë si ndjenja më njerëzore, bukuritë e natyrës dhe vlerën e bukurisë, në përgjithësi, si koncept jo vetëm artistik, po edhe moral e shoqëror, etj. Këto, përgjithësisht janë më të realizuarat artistikisht se të parat. Kemi të bëjmë me një poezi filozofike të ndjerë, larg logjikës së ftohtë arsyetuese, një poezi të frymëzuar, që kultivohet në një mjedis të gjallë, lëvizës, dinamik, me tone optimiste.

“Shpesh mendjen vras a ka kuptim kjo botë?” shqetësohet poeti në poezinë “Kulari i jetës” (f. 28). Si tërhiqet nga dilema e dy poleve të kundërta, hiçi i mbytur në pije dhe ideali i lartë për t’i shërbyer njerëzimit, poeti kalon tek fataliteti i njeriut që dërmohet në punë si kafshë dhe përfundon:

“Oh varrin kur mendoj e vdekje shkretën,

Ngre sytë nga qielli…dua të shoh dritë…”

                                    (“Kulari i jetës” f. 28)

Dritë e kërkuar nga Zoti për të kuptuar qëllimin e njeriut në jetë. Po për poetin është më se i qartë misioni jetësor i njeriut dhe misioni i tij si poet. Është kuptimplotë fakti që poeti ka parapëlqyer titullin “Lundërtari dhe deti”, titulli i poezisë së parë të vëllimit, që sendërton frymën e krejt vëllimit.

            Tradita e poezisë sonë e ka të gdhendur figurën stoike të detarit, që triumfon mbi tallazet e detit, në perlën poetike të Serembes “Dejtënori” dhe në poezitë e Lasgushit. Edhe tek kjo poezi, lundërtari lufton me vdekjen me vendosmëri dhe optimizëm të plotë.

            Poeti jetoi në një kohë shumë të vështirë për popullin tonë dhe sidomos shumë të vështirë e të rrezikshme për poetët, në kohën kur mungonte liria e fjalës. Merita e Kostrecit është se ai i ruajti thellë në veten e tij frymëzimet dhe tani ia kushton rinisë sonë, të freskëta, të gjalla, plot jetë e dritë. Kur shëmtimi i jetës dhe përdhosja e idealeve fisnike lavroheshin nga diktatura, ai u dashurua pas së bukurës në të gjitha shfaqjet e saj konkrete, po edhe si koncept universal i botës, i jetës, i njeriut, i artit. Ja dy vargje lapidare që dëshmojnë:

                        “Lart u ngjit shpirti n’qiellin tramundanë

                         I etur për të bukurën sublime.”

                                                (“Kënga e mjelmës”, f. 36)

            Erotika zë pjesën më të madhe të vëllimit. Po është një erotikë në gjurmët më tepër të Naimit e më pak të Lasgushit, përsa i takon kahjes së vet filozofike. Koncepti për dashurinë është koncepti për vetë qëllimin e jetës. Vetëm një dashuri reciproke është burimi i një lumturie të vërtetë. Dashuria trajtohet si një ndjenjë e lartë, sublime e natyrshme, njerëzore dhe, në të shumtën e rasteve, ajo përsiatet si një ndjenjë e universalizuar. Nëpërmjet të saj, himnizohet gëzimi i jetës, vetë jeta.

            Poeti i drejtohet vashës:

                                    “Pa ty kuptim s’ka jeta as lezet;

                                     Pushtet e pasuri janë fjalë kote,

                                     Veç ti je lumturi e kësaj bote.”

                                                            (Bukuria, f. 37)

            Bukuria e vashës më shpesh jepet në një mënyrë të tërthortë, pa detaje konkrete në portretin e saj fizik. Përpara bukurisë femërorë veniten dhe stepen të gjitha bukuritë e madhështitë, jo vetëm ato të natyrës së planetit tonë, po edhe ato kozmiket.

            Naimi si panteist ka njëjtësuar dashurinë me bukurinë dhe këtë të fundit me Perëndinë. Kështu përligjet adhurimi i tij ndaj vashës deri në nënshtrim. Por çuditërisht, ja që del sot një poet që i bën Perënditë të falen para bukurisë femërore. Ndoshta sepse trillit poetik i lejohet çdo gjë. Ndoshta për një arsye tjetër. Dhe kjo ka të bëjë me periudhën që kaluam, kur nuk mund t’i këndoje lirshëm vashës dhe dashurisë.

            Motivi i nënshtrimit ndaj vashës arrin skajin final:

                                    “I lumtur vdes ta di se ma shkel varrë.”

                                                                        (Lëngimi i ëmbël”, f. 42)

Sigurisht këtu kemi të bëjmë me ndikime nga poezia jonë e traditës, kryesisht nga Naimi e Poradeci. Remenishencat në shtjellimin dhe teknikën e lirikës erotike shkojnë deri tek poezia e dikurshme persiane dhe letërsia klasike italiane, të cilën Kostreci e shijon aq mirë në origjinal. (Kujto simbolikën erotike të Saadiut dhe sonetet e Petrarkës për Laurën).

            Tablo lirike shumë të bukura, të vizatuara me ngjyra të gjalla e shije të hollë, përbëjnë poezitë për natyrën, të denja për t’u renditur në antologji lirike dhe në librat shkollorë, si p. sh. , “Mbas furtunës”, “Deti”, “Hëna”, “Trishtim vjeshte”, etj.

            Të njëjtit nivel arttik i përkasin edhe disa motive të tjera të trajtuara rrallë ose të patrajtuara në letërsinë tonë, në disa raste me vlera të theksuara edukative e didaskalike. Të tilla janë: poezia me nota elegjiake “Prindërve të mi”, një himn i vërtetë për dashurinë ndaj prindërve, ku një syrgjyn vajton sepse u ka vrarë prindërve ëndrrën e thurur për ardhmërinë e tij, ose “Soditje”, ku vazhdimësia e jetës së prindërve tek fëmijët e zhduk vrazhdësinë e vdekjes, e mohon atë, duke i dhënë jetës njerëzore përmasat e amëshimit. Me interes dhe të bukura janë poezitë: “Veneracion”, ku përgjithësohet denjësisht, si në folklor, figura e vajzës shqiptare, dhe “Dy mbesave”.

            Elemente novacioni në fushën e gjetjes dhe të shtjellimit të motiveve na përcjellin edhe poezitë” “Lumi i shqetësuar”, “Kur ndizen dritat”, “Vetëvrasja e Narçizit”, etj. Në këtë të fundit ngjizet një ridimensionim i kësaj figure mitologjike. Narçizi   që “në shterp idil meskin u përvëlua” vetëvritet, kur bindet se ai nuk mishëron bukurinë fizike njerëzore në superlativ.

            Sonetet janë shkruar me një teknikë të saktë dhe më një figuracion të pasur e të zhdërvjelltë. Mbizotërojnë krahasimet, antitezat e më pak epiteti. Kadenca ritmike,  gjithnjë e përdorur me mjeshtëri, në bashkëveprim me shkallëzimet dhe aliteracionet e pasura e të zgjedhura me kujdes krijojnë një muzikalitet sugjestionues dhe harmonik. Me këto elemente dhe me gjuhën e pasur popullore, ku nuk mungon edhe ndonjë fjalë e huaj, poeti ka krijuar lirika të bukura, që e pasurojnë poezinë tonë. Në fushën e figuracionit, të sintaksës dhe të fjalorit poetik ndihet qartë ndikesa dhe vazhdimësia e artit nolian  dhe lasgushian.

            Në njërën prej poezive tingëllon angazhimi i poetit. Është “Kënga e mjellmës” (f. 36). Jo e asaj mjellme që sipas legjendës këndon vetëm një herë pas vdekjes, por si kënga e një krushku që niset për dasmë:

            “Përpjetë në parnasin e thepisur,

             E t’mjellmës këngë, tash, në mugëtirë…

             Me qejf ia merr…si krushk për dasmë nisur.”

            Lexuesit do ta vlerësojnë poetin e do t’i urojnë shëndet e jetë që të vazhdojë ta pasurojë e begatojë me realizime të reja dhe më të bukura sofrën e letërsisë sonë.

 *Shtypur në Tipografinë Ushtarake, Tiranë, 1993

Botuar në “Dielli”, Nëntor-Dhjetor, 1993

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Çefa, Lundertari dhe Deti, Uran Kostreci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT