• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MËSUES I PARË NË SHKOLLËN SHQIPE TË LURËS

July 5, 2015 by dgreca

Nga Abdurahim Ashiku/
Musa Hysen Shehu (Kuqi) i njohur nga brezi im në qetësinë e shëtitjeve nën kurorën e blirëve të qytetit, shok i pandarë me Haxhi Gjapin, Adem Shehun, Arif Besatarin e të tjerë, në humorin e pastër shoqëror rreth tavolinës në klubin e Ali Baboçit, më vjen larg nëpërmjet një dorëshkrimi për jetën e tij si mësues në Lurë.
 Disa fotografi dokumentesh arkivore marrë rastësisht në Burrel e paraqesin Musa Shehun mësues në Lurë…
 Në vlerësim të përkushtimit të Musa Hysen Shehut (Kuqi) e vlerësova që dorëshkrimin e tij ta zbardh në vlerë të një dokumenti për historinë e gjuhës shqipe në trevën e Lurës, një ndër trevat që i ka dhënë shumë Dibrës dhe Shqipërisë me pushkë, penë e mendje.
Më 22 maj 1925 shkova në Lurë si mësues në shkollën fillore. Atë natë shkova në shtëpi të prindërve të Gjokë Doçit. U prita me bujarinë karakteristike të kësaj zone. Atëherë në Lurë ekzistonte një varfëri e madhe. Asnjë fshatar nuk kishte tesha fjetjeje. Për të fjetë më sollën një dyshek me kashtë thekre, një trup druri për jastëk dhe një dollame grash për tu mbuluar. Më porositi i zoti i shtëpisë “Në këto tesha nuk ka fletë kush. Fli rehat se janë të pastra”
 Të nesërmen shkova dhe takova mësuesin e besimit At Ludovik Kiri. Ai banonte në kishë dhe kishte tre dhoma. Më propozoi për të më liruar një dhomë për fjetje. Dhomat ishin të rregullta, me krevat, shtresa etj. Po në kishë kishte një virgjëreshë e quajtur Age Kiri. Prifti ma prezantoi si motrën e vet.
 Të nesërmen shkova në zyrën e krahinarit të Lurës Zef Doçi dhe i kërkova që të më gjendet një lokal për shkollë. Ai u interesua dhe më gjet një përdhese që kishte qenë mashën e pronarit Hazis Koçeku në Fushë-Lurë.
 Të nesërmen, pasi kisha lajmëruar krahinën, filluan të vijnë nxënësit për regjistrim. Atë ditë duke regjistruar filluam të bëjmë pastrimin. Na ndihmuan Muharrem Tollja dhe një prej të Kaçorrit që nuk e mbaj mend emrin. Këto u interesuan për gëlqere dhe na e sollën. Gëlqerja erdhi por nuk gjenim furça për lyerje. Atëherë na u deshtë të marrim një copë postaqi dhe me të lyem lokalin. Lokali mori një formë nga e zeza në të bardhë. Të nesërmen unë shkova dhe i thashë kryeplakut për të më siguruar disa dërrasa për banka shkolle. Ai mu përgjigj se nuk kam ku ti gjej. I thuaj krahinarit. Atëherë mua mu desh t’ua shtroj fëmijëve duke u thanë se na duhen disa dërrasa dhe se a keni mundësi të na sillni ju nga një copë ose gjysmë cope. Të gjithë u shprehën dakord dhe të nesërmen filluat që ti binin. Dërrasa u sollën mjaft por derisa u bënë bankat fëmijët rrinin në shesh. Unë bashkë me fshatarët arsimdashës Tollja, Kaçori me Halil Met Koçekun filluam të bëjmë bankat në mënyrë që një copë të ishte për tu ulë dhe një copë dërrasë për të vendosur librin. Dhe kështu bëmë 8 copë banka. Kishim të regjistruar 41 nxënës. Në secilën bankë vendosëm nga pesë fëmijë ngjesh njeri me tjetrin. Ngeli një pa vend. Këtij i bëmë një stol të veçantë afër bankave. Më prapa improvizuam për mësuesin një tavolinë dhe bëmë një dërrasë të zezë.
 Nxënës kishim 41 kurse libra kishim 19 Abetare dhe 22 aritmetike. Kështu na u desh që afërsisht në dy fëmijë me shtëpi afër njeri tjetrit të shpërndanim një libër.
 Fletore dhe lapsa nuk gjendeshin. Për t’i sjellë nga qytetet dhe veçanërisht nga Shkodra ku në atë kohë kishte lidhje më shumë kjo krahinë. Me të hollat e mia u bleva në Shkodër 15 copë dërrasa guri me kornizë të drunjtë dhe ua dhashë gratis.
 Nxënësit e mi të parë mbaj mend Gjokë Gjet Rajta, Gjokë Ndue Rajta, Zef Llesh Kaçorri, Tahir Mena, Met Kaci, Ali Gjoçi, Ndue Prenga…
 Në shtëpinë e Zef Doçit kur shkova atë natë për të flejtë vura re një varfëri që më vonë e takova në të gjithë krahinën. Ai theri berr dhe më priti shumë mirë. Karakteristike se me atë sahan prej teneqeje që na u shtrua darka, në atë sahan na shtinë me larë duart. Ishte ndër orenditë e rralla të shtëpisë që përdorej për shumë nevoja të familjes.
 Në Lurë gjeta një Musa Osmani. Ishte plak 123 vjeç. I shëndoshë, i fortë në trup. Ky më tregonte disa gjëra të vjetra. Kishte qenë gjyqtar i vendit. Kur bëheshin krime ky i gjykonte sipas kanunit të Lekë Dukagjinit. Më tregonte për punën e liqeneve. Liqeni i Iljaz Perkroses, liqeni i Koçekut. E pyesja se pse i thonë liqeni i Koçekut. Ai më thoshte se në këtë liqen familja Koçeku ka kap një vajzë njëzetvjeçare brenda në liqen. E ka marrë në shtëpi dhe ka bërë fëmijë. Për ta detyruar të fliste sepse nuk folte pas tre vjetësh ia morën fëmijën t’ia presin. Foli por në atë minutë vdiq bashkë me djalin. Për liqenin e zi thoshte se Austria e pat rrethuar me tela me gjemba sepse kishte fuqi magnetike dhe të tërhiqte. Musa Osmani thoshte se në këtë liqen ka hyrë një ka dhe ka dalë kau në Bunën e Shkodrës. Ishte e çuditshme se në Gurrë të Nezhdës, tek liqenet shkonim me fëmijë. Atje dëgjohej ditët e diela në orën tetë një kambanë. Nuk kuptohej se ku bie. Bënin kontroll me fëmijët për ta gjetur. Dukej sikur binte mbi kokë.
 Në Lurë kishte pasanikë dy-tre shtëpi, Ibrahim Gjoçi dhe Hakik Mena, bajraktari i Lurës. Në shtëpitë e tyre kishte qilima, sixhade dhe bagëti të mjaftueshme.
 Unë kisha mbaruar në atë kohë gjimnazin në gjuhën serbe në qytetin e Dibrës së Madhe. Në këtë kohë unë u largova prej atje dhe erdha për të banuar tek motra ime Zyra Zeraliu, e shoqja e Jashar Zeraliut. Prej këtu shkova në Tiranë për punë. U paraqita në drejtorinë e përgjithshme të arsimit duke kërkuar të më gjendet një punë për arsimtar në fshatrat e Dibrës. Ata më dërguan në Mat pasi më sorollatën më shumë se një muaj. Prej këtu shkova në Lurë. Asnjëherë në jetën time nuk kisha parë fshatra kaq të varfër, ndërtesa pa tavan, vetëm me rrasa guri e furde të mbuluara përsipër. Rroga ishte 110 franga ose 5.5 napolona ari. Unë pagoja dy napolona në muaj dhe ushqehesha bashkë me fratin në kishë ku edhe flija. Rrogat i merrnim një herë në pesë muaj. Kur u pushova prej pune mora me vonesë rrogat e muajve të kaluar.

KRYENGRITJA E DUKAGJINIT

 Më përpara se të shkoj në Lurë njihesha me Ejup Xhidrën, Tajar Zavalanin, Mehdi Ndreun, Lame Tominin, Mustafa Gjinishin dhe Mustafa Kaçaçin. Këto të fundit ishin rreth 16 vjeç. Bisedonim mbi organizimin e organizatës së Dukagjinit dhe bënim regjistrimet për njerëzit e besueshëm. Kishim korrespondencë me të gjithë priftërinjtë e rrethit të Matit, Lurës etj. Në fillim të vitit 1925 ka ardhur nga Sofja Jako Radoviçi i cili na solli 500 copë letra kartëvizita nga Fan Noli. Në letra thuhej: “Të dashur arsimtarë! Përpiquni për atdheun kundër regjimit zogist” Ky njeri emrin e kishte Jako Radoviçi. Shqipen e zotëronte shumë mirë. Ndoshta ky emër ishte pseudonim. Me vete kishte një sasi parash prej 200 napolona ari.
 Ai ndenji 15 ditë në tavanin e shkollës. Nga dërrasat që tepruan prej bankave i bëmë një vend të posaçëm mbi tavan. Sapo iknin fëmijët dilte. Natën e merrnim në kishë dhe rrinim bashkë. Zhvillonim biseda se si të organizojmë kryengritjen kundër Zogut.
 Nënprefektura e Matit i shkruante krahinarit të Lurës. Letrën e kam lexuar vetë në krahinari. Shkruante se në rajonin e Matit ka dalë fshehtas duke kaluar kufirin një i quajtur Jako Radoviçi. Ky është kriminel i rrezikshëm kundër regjimit në fuqi. Kush ta diktojë të lajmërojë. Për ta kapur ka si shpërblim 50 napolona ari dhe gradim.
 Ky njeri pasi ndenji atje u përcoll për në Fan të Mirditës i shoqëruar nga Dalip Kaci dhe Llan Kaci. Sot Llani është gjallë dhe banon në Ushtelencë. Llani kur u kthye erdhi dhe na njoftoi se Jaku mbërrini shëndosh e mirë në Fan.
 Një ditë përpara se të arrestohemi ne u kam thanë nxënësve në shkollë: “Filloi lëvizja e Dukagjinit. Poshtë satrapi Zog! Rroftë Fan Noli!”
 Të nesërmen na arrestuan së bashku me fratin. Fshatarët na dhanë ndihmë. Na sollën kafshë për të shkuar në Burrel. I detyruan xhandarët që të na hipnin në kafshë. Ata na zbritnin kurse fshatarët u thërrisnin se do tu vrasim po i zbritët. Këta na shoqëruan deri në Burrel pasi kishin frikë se po na vrasin rrugës xhandarët. Kur u nisëm për në Tiranë më ndanë nga prifti dhe më lidhën pas një trungu dhe deshëm të më vrasin. Në këtë kohë dëgjohen këmbët e dy kuajve dhe ata të frikësuar më zgjidhën dhe nuk më vranë.
 Ndenja në Lurë rreth tre vjet. Vitet që erdhën më vonë nga 41 nxënës ngelën 31. Gjashtë ngelën në klasën e parë. Në klasën e dytë mbetën 35.

DYQANI I LURËS DHE MALLËRAT QË I SHITESHIN POPULLIT.

Dyqani kishte vajguri, kripë, sapun, litar, opinga lope, kafe e sheqer. Tre çerek të popullatës nuk kishin siguruar bukën e ditës. Gaz blinin gjysma e popullatës kurse gjysma tjetër përdornin pishën. Më e shumta konsumohej kripa dhe bezja. Këtë tregtari, kur e jepte me kredi kripën e jepte tre lekë kilen kurse në qytet shitej një lek e gjysmë. Një punëtor merrte në ditë tre lekë. Këto i shiste në afat të caktuar. Në ditën e mbarimit të afatit i vinte klientit në shtëpi, i ulesh në votër dhe i merrte leshin, bagëtinë me çmim që donte vetë. Përndryshe nuk i dilte nga dera e shtëpisë. Unë një ditë shkova të blej 8 kut beze (Një kut është baras me 64 centimetra) për plakun Musa Osmani për ta ndihmuar sepse ishte i varfër. Tregtari më pyeti në se do ta paguaj me lekë në dorë apo kur të marr rrogën. Këtë pyetje e bënte me qëllim që të merrte vesh në se e marr me kredi dhe të më dyfishonte çmimin. Unë i thashë duke qeshur: “I kam paret në dorë. Edhe mua deshe të më fusësh në defterin tuaj dhe të më merrnit fajde.” Tregtari u përgjigj: “Jo desha të pyes se njerëz jemi dhe edhe kemi edhe nuk kemi.”
 Mishin e shisnin me çmim dyfish dhe nga kjo fshatarët vinin e varfëroheshin çdo ditë. Fillonte shamata njeri me tjetrin. Nga këto shkaktoheshin edhe grindje e vrasje të kota. Në Lurë nderi i familjes ekzistonte shumë lart. Hala zbatoheshin zakonet e Lekë Dukagjinit. Njerëzit e liq dënoheshin vetë nga populli. Për këto dënoheshin me dënime shumë të randa ai që bënte poshtërsina.
 Tregtar i atëhershëm në Lurë ishte një krutan. Dyqanin e kishte vendos në Fushë-Lurë. Nga Lura merrte bagëti, lëkura, lesh, tëlyen. Vezët fshatarët nuk i shisnin: Kishin turp të shisnin vezë. Kur u kërkoje thoshin se megjithëse ishin të varfër t’i falnin. Thoshin se nuk e kemi zakon të shesim vezë.
 Lamë në Lurë në atë kohë kishte vetëm Hakik Mena, kapiten i Zogut, Ibrahim Gjoçi dhe Rajtet.

Shënim: Fotografitë janë fiksuar nga ana ime në udhëtimin në Lurë me rastin e përvjetorit të hapjes së shkollës shqipe dhe të sesionit shkencor zhvilluar me atë rast.

Filed Under: Histori Tagged With: Lure, Mesuesi i pare, Shkolla shqipe

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT