• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qasje e re biografisë së Nënës Tereze

July 17, 2022 by s p

Prof. Dr. Engjëll SEDAJ

Zagreb, 30 qershor 1990

(Përktheu nga kroatishtja: Don Lush GJERGJI)

Lush GJERGJI, Madre della carità, VELAR, Bergamo, 1990, f. 217

Zonja dhe zotëri, miq të dashur!

Hyrje

Kam kënaqësi dhe nder të posaçme që pikërisht sot, kur presim themelimin e Shoqatës Bamirëse Humanitare të Kosovës me emër të dashurës sonë Nëna Tereze, të flas në Zagreb për librin më të ri të autorit dhe mikut, dr. Don Lush Gjergjit. Nuk ka dyshim se ai tek ne, por edhe në botë, është autori më i njohur, ndoshta edhe më i pranishëm dhe dëshmi e gjallë, do të thosha edhe më tepër se biograf mbi Nënën Tereze. Me dëshirë që të zbulohet fshehtësia e kësaj madhështie, Lush Gjergji ka pasur gjithnjë parasysh, në një anë fjalët e Ungjillit dhe shembujt e ndritshëm të shenjtërve të Kishës, dhe në anën tjetër traditën bujare të familjes shqiptare, që e ka karakterizuar udhën jetësore të një shpirti të shenjt.

Qysh në fillim, po ashtu duhet të themi, që me meritën e tij figura e kësaj gruaje bujare është bërë më e njohur në periudhën para vitit 1955. Ndriçimi i kësaj periudhe, domethënë i fëmijërisë, prindërve dhe rrethanave tjera jetësore, si dhe zgjidhja e thirrjes rregulltare, murgeshës misionare, Lush Gjergji e ka arritur me librin e parë “Nëna jonë Tereze”, botuar në vitin 1980 në gjuhën shqipe, pastaj të përkthyer dhe botuar në gjuhën kroate, Nëna Tereze, fytyra dhe vepra, prej vogëlushes deri te nobelistja. Ky libër është përkthyer edhe në gjuhën sllovene, italiane, anglishte, frëngjishte, spanjolle, hungarishte.

Vepra e dytë e Autorit nuk është biografi, por siç mund të kuptohet edhe nga titulli “Lule për Nënën” (1985), është ontologjike, letrare dhe artistike, të poetëve shqiptarë dhe autorëve tjerë kushtuar Nënës Tereze. Edhe ky libër është përthyer dhe botuar në gjuhën italishte, që në këtë mënyrë është arritur paraqitja e letërsisë shqipe në botë.

Kur flasim për botimet e tija në botë, duhet të thuhet që vetëm në Itali libri “Nëna e Dashurisë” ka arritur te botimi i katërt, ndërsa në disa përkthime dhe botime nuk ka të dhëna, por tirazhet janë të mëdha, pasi interesimi për Nënën Tereze rritet gjithnjë në botë. Me një fjalë, pra, është një shkrimtar me përvojë të madhe, që me cilësinë e librave, botimeve dhe shkrimeve tjera i “imponohet” opinionit të gjerë.

Pse mos të thuhet edhe kjo, që ai si kryeredaktor i revistës fetare kulturore “DRITA”, gati në çdo numër të revistës sjell ndonjë shkrim mbi Nënën Tereze. Ky është padyshim kontributi dhe pasurimi i fytyrës së saj me të dhëna të reja, me përkujtime të përsosura për barazinë njerëzore.

Mirëpo libri i tretë i radhës, të cilin ne do ta paraqesim në mënyrë të thjeshtë, siç e kemi bërë në Prishtinë më 15 qershor të këtij viti, është i konceptuar pak ndryshe prej botimeve tjera. Botimi në fjalë i përshtatet rrethit italian, për lexues të huaj, mirëpo zgjon vëmendje edhe te lexuesit tanë. Vepra është shkruar në gjuhën italishte, nuk është përkthim, sepse autori ynë këtë gjuhë e përdor si në shkrim, ashtu edhe në të folur, duke dëshmuar kështu nivelin e lartë të vetëdijes dhe mundësinë e madhe të komunikimit dhe informimit mbi Nënën Tereze. Këtë vepër do ta paraqes në mënyrë përfshirëse, mund të themi qysh tash se autori që nga fillimi i ka kuptuar në mënyrë të drejtë dy momente të rëndësishme në jetën e Nënës Tereze, udhëtimin e saj jetësor me të gjitha elementet biografike të koloritit shqiptar dhe jugosllav, si dhe motivin bazë në këtë udhëtim, që padyshim mbështet në fjalën e Nënës Tereze që e ka thënë me rastin e marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979): “Pranoj Shpërblimin Nobel për Paqe në emër të të varfërve”. Duke shërbye të varfrit unë e shërbej Atë. Ajo, pra, është përcaktuar të shërbejë “Atë”, domethënë Jezu Krishtin, të munduar dhe të kryqëzuar për shëlbimin e njerëzimit. Shembulli i Tij është fuqia më e madhe në bamirësinë e fenomenit Nëna Tereze. Me një fjalë kjo është filozofia e jetës së çdo të krishteri, që Nëna Tereze e ka zbatuar në mënyrën më të përsosur, duke mbuluar kështu një zbrazëti të madhe të kohës sonë në luftë kundër të keqes më të madhe, e kjo e keqe është egoizmi. Lush Gjergji këto dy momente i ka kuptuar dhe trajtuar në mënyrë të drejtë, si meshtar dhe njohës i mirë i historisë së popullit shqiptar, sidomos asaj kishtare. Kjo qasje kësaj tematike gjithsesi depërton në shtresa të ndryshme njerëzore për të gjithë ata që dëshirojnë ta njohin bukurinë e shpirtit për Zotin dhe për njeriun.

Konceptimi i librit

Nëntitulli i këtij botimi është: Nëna e ëndrrave të mia, Lush Gjergji ka dëshmuar, dhe në këtë ka pasur sukses, në paraqitjen gjithëpërfshirëse biografike në pikëpamje të rinisë së saj, shkollimit dhe punës në Indi dhe gjetiu, vizitat e saja në Jugosllavi dhe lidhjen e sa të vazhdueshme me vendlindje, por edhe kuptimi ideologjik i një Fenomeni botëror që quhet Nëna Tereze. Kështu ai e bënë një ndarje të pranueshme të librit në tri pjesë, për ta konceptuar me të dhëna të mjaftueshme mbi Gonxhe Bojaxhiun, motrën Tereze, dhe pjesa e tretë, Nënën Tereze, me titull “një jetë për jetë”. Natyrisht, ky botim luksoz dhe teknikisht i bukur, begatohet edhe me ilustrime, që autori ynë me shumë mund i ka zbuluar.

Lidhur me librin e parë, të botuar në gjuhën shqipe, ky konceptim ndihmon që në të ardhmen më tepër të ndriçohet në mënyrë tematike fenomeni i Nënës Tereze në të gjitha dimensionet, nga pikëpamja pedagogjike, didaktike dhe veprimtare, duke i përpunuar temat e ndryshme sistematikisht, për fëmijëri, shkollimin dhe veprimtarinë e saj në Indi. Ky libër, në përpunimin e temave specifike, do të ndihmojë jo vetëm aktualizimin e disa gjërave, por edhe zgjidhjen e drejtë të pyetjeve të shtruara.

Disa nga momentet e tilla i ka theksuar në parathënie të shkëlqyeshme edhe kardinali Lurdusamy, Prefekti i Kongregatës për Kisha Lindore, që e pasuron këtë monografi dhe ia rritë vlerën e saj.

Lidhja me popullin e saj

Qysh në fillim autori jep një paraqitje të shkurtë historike të popullit shqiptar, me figurat më të njohura, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pal Engjëlli, Pjetër Budi, Fan Stilian Noli, patriku ekumenik Atenagora dhe shumë të tjerë..

Thënë të vërtetën, krishterimi në hapësirat tona është qysh nga koha apostolike, gjë kjo që dëshmon Shën Pali në letrën Romakëve (15,19). Në Koncilin e Nicesë (325), që e ka ftuar Kostantini i Madh, ishin të pranishëm edhe Daku i Dardanisë, si dhe tjetri nga Stobi, me emër Budi, që domethënë se hierarkia në Dardani, Kosovën e sotme, dhe më gjerë, ka një traditë të gjatë. Aq më tepër, prej antikës janë të njohur martirët Shën Flori dhe Lauri. Me ardhjen e sllavëve ilirët, banorët autoktonë të këtyre viseve, humbin disa vlera etno-gjuhësore, por jo edhe fetare, si do të ndodhin në kohët e vështira me Shqiptarët, tashmë popullit të formuar bashkëkohor, kur ishim të sulmuar në mënyra më të egra nga Turqit, të cilët me represion të vazhdueshëm kanë thye dhe tjetërsuar popujt e nënshtruar.

Gjatë sundimit të tyre, shkruan Lush Gjergji, kleri katolik shqiptarë, duke predikuar Ungjillin e Krishtit, por edhe duke kultivuar gjuhën dhe letërsinë, e kanë ruajtur popullin, aq sa ishte e mundshme, nga ndikimi turko – islamik, nga shthurja e tërësishme kombëtare dhe fetare. Këtë rol, që ata e kanë pasur nga e kaluara, sot e pranojnë të gjithë, bile edhe Shqipëria që është i vetmi shtet në botë edhe zyrtarisht ateist, që me dekretin e datës 13. 11. 1967, atëherë kur janë mbyllur fatkeqësisht 2169 tempuj fetarë.

Në rrethana tejet të vështira, në gjirin e këtij Populli, linden dy njerëz të mëdhenj të shekullit, Atenagora, profet i ekumenizmit, dhe Nëna Tereze, profetë e dashurisë së krishterë.

Lush Gjergji në mënyrë spontane, reale, pa imponuar elemente apologjetike, informon lexuesit e huaj që vuajtjet shekullore dhe gjaku i derdhur i martirëve shqiptarë për fe dhe atdhe, nuk ishte e mundshme që mos të sillte fryte dhe mos të lulëzonte në Evropën e krishterë. Qytetërimi ynë gjithmonë ka qenë i mbrojtur nga bijtë dhe bijat e popullit shqiptar, që janë ruajtur në thjeshtësi, me punë dhe urti.

Këto të dhëna historike mbi popullin shqiptar ndërlidhen edhe me kontributin e madh të këtij populli të vogël për ruajtjen dhe përparimin e humanizmit dhe qytetërimit evropian, ndërsa Nëna Tereze është apoteoza e gjallë që vetvetiu flet më së shumti në dobi të popullit të saj. Kështu ajo në letrën e 10 dhjetorit 1979, ditën e Shpërblimit Nobel për Paqe, shkruan në gjuhën shqipe kështu: “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shum luti Zotin qi pagja e tij të vjen në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën”.

Familja dhe fëmijëria

Gonxhja, bija e Kolës dhe Dranes Bojaxhiu, ka lindur në Shkup më 26 gusht 1910, ku ishin vendosur prindërit e saj nga Prizreni. Autori përmend shumë ngjarje të treguara nga vetë Nëna Tereze, si dhe nga vëllai i saj, Lazri, për të kaluarën e hershme dhe aktuale të kësaj familjeje tregtare, për lidhjet që i kishin me Katedralen dhe mbi krenarinë për prejardhjen e tyre nga Prizreni. Në këtë botim janë fotografitë nga Shkupi, Prizreni, Lidhja e Prizrenit (1878), shtëpia e kësaj ngjarjeje, portreti i Avdyl Frashrit, katedralja etj.

Familja Bojaxhiu ishte marrë me tregti, sepse edhe prindërit e Kolës, Lazri dhe Çilja, kanë qenë tregtarë të mëdhenj. Pikërisht Çilja, gjyshja e Nënës Tereze, kishte blerë shtëpi në Shkup, për të krijuar një rreth të madh të miqve pa dallim feje dhe gjuhe, sipas traditës tonë të bukur: bukë, kripë dhe zemër. Kola, biri i saj, kishte vazhduar rrugën e saj dhe kishte arritur sukses të madh si ndërtimtar, tregtar. Ndoshta është e tepërt të thuhet se ai ishte katolik i bindur dhe praktik, që edhe sot është veçori e shqiptarëve katolikë në Jugosllavi pothuaj pa ndonjë përjashtim. Ai ishte njeri i nderuar, çmuar dhe i mirë, me kulturë të lartë, kështu që përpos gjuhës shqipe, fliste edhe turqisht dhe serbo-kroatisht, mjaft mirë edhe italisht dhe frëngjisht. Si aktivist kishte themeluar orkestrën “Zani i Maleve” dhe teatrin e parë në Shkup. Më 25 mars 1912 kishte organizuar një manifestim madhor kulturor me rastin e çlirimit nga Turqia. Nga kjo familje kanë lindur fëmijët: Lazri (905), Agëja (1908( dhe Gonxhja (1910), që nga viti 1019 do të mbesin në duar të nënës, pas vdekjes së babai Kolë.

Për nënën Drane autori jep edhe më shumë të dhëna, ilustrime, tregime të njerëzve të asaj kohe, që e kishin njohur mirë dhe për së afërmi. Ajo para Luftës së Dytë Botërore kishte kaluar në Shqipëri, së bashku me Agen, për t’u bashkuar me Lazrin, kështu që ka vdekur në Tiranë. Lidhjet e Gonxhes me familjen në Tiranë janë vetëm nëpërmjet shkrimeve, ndërsa me Lazrin ishte takuar në Itali. Megjithatë autori ka arritur t’i plotësojë kureshtjet e lexuesve me fjalë dhe me fotografi, me shumë letra, për t’i kuptuar të gjitha rrethanat e rëndësishme të fëmijërisë dhe rinisë, atje ku ishte rritur Gonxhja e talentuar dhe e përshpirtshme.

Thirrja e shenjtë prej Letnicës

Siç dihet, edhe në kohën e rinisë së Nënës Tereze, Zoja mblidhte për çdo vit në Letnicë shumë shtegtarë. Në vitin 1927 dhe 1928 Gonxhja kishte qëndruar në këtë Shenjërore pak më gjatë, afro dy muaj. Aty i kishte pasur edhe Ushtrimet Shpirtërore së bashku me rininë.

Ja kujtimet e saja nga këto rrethana fatlume, sipas përshkrimit të autorit tonë: “Isha ende shumë e re. Sa i kisha mbushur dymbëdhjetë vire, kur në rrethin familjar kam dëgjuar zërin e thirrjes, dëshirën që t’i kushtohem krejtësisht Zotit. Për këtë kam menduar dhe jam lutur gjashtë vite. Së fundi pata një frymëzim prej Zotit dhe në këtë më ka ndihmuar Zoja Cërnagore”.

Ky çast i rëndësishëm frymëzimi në jetën e Nënës Tereze është aktualizuar me ilustrime dhe dëshmi tjera, të cilat vetëm autori që e njeh rëndësinë e madhe të kësaj Shenjtërore mrekullibërëse të Zojës Cërngore, e cila për nga popullariteti krahasohet me Zojën e Këshillit të Mirë në Shkodër, pajtore dhe mbrojtëse e gjithë shqiptarëve në botë. Mu për këtë është krejtësisht e kuptueshme që Nënën Tereze e kishte thirrë Nëna e Hyjit për vepra të mëshirshme.

Gonxhja murgeshë

Sipas mendimit të Lush Gjergjit, gjendja shpirtërore e Gonxhes së re në bashkësinë rregulltarë nuk kishte ndryshime të mëdha me atë të rrethit familjar: ajo njëjtë ishte e lidhur me jetën ungjillore të bamirësisë, kështu që udhëtimi Shkup Zagreb, pastaj me 13 shtator 1928 vazhdimi i udhëtimit për Dublin (Irlandë), ku do t’i ketë njohuritë dhe përgatitjet e para për jetën rregulltarë dhe misionare. Ajo tashmë qysh moti kishte vendosur t’ua sjelltë të gjithëve Ungjilli, Lajmin e gëzueshëm, Zotin, nëpërmjet jetës së kushtuar, duke e shërbye njeriun ta donte Zotin.

Njerëzit që vuanin më së shumti, kishin nevojë për një jetë, dëshmi dhe dashuri të tillë. Vendimi ishte konkret. Vendi do të jetë Kalkuta, qyteti i shenjt i lumit Ganges, ndërsa profesioni motër medicinale. Sa njerëz këtu lindin, jetojnë dhe vdesin në rrugë. Me të ishte një sllovene dhe tri angleze. Atje ajo përjetoi “thirrjen e dytë”, për ta dëshmuar dhe dhuruar Jezu Krishtin të varfërve ndër më të varfër. ”Isha plotësisht e lumtur me thirrjen rregulltarë, me bashkësinë time të “Motrave të Loretos”, me jetën time të re”.

Më 24 maj 1929 pranoi veshjen rregulltare dhe i dha kushtet e para, ndërsa ato të përjetshme në vitin 1937. Tashmë kishte mësuar gjuhën anglishte dhe bengalishte, që të mund të jetë profesoreshë, më vonë edhe drejtoreshë e shkollës: tani ajo ishte e aftë t’i shprehte të gjitha aftësitë e saja, tërë dashurinë ndaj fëmijëve, të varfërve.

Ja si i shkruante “Nënës Loke”: “Gonxhja jote e vogël është e lumtur. Kjo është një jetë e re. Qendra jonë është shumë e bukur. Unë jam profesoreshë dhe drejtoreshë e shkollës. Të gjithë më duan shumë”.

Përcaktimi i saj për bamirësi çdo ditë e më shumë zbatohej: ajo nuk është më motra e vogël e Krishtit Fëmijë, siç quhej te Motrat e Loretos, por bëhet Nëna Tereze, siç e thirreshin fëmijët “Ma”, domethënë nënë, ndërsa bota e thërret Mother, Mere, Mutter, Madre, Mati…

Punën zyrtare të kancelarisë ajo e kryente natën, atëherë kur motrat tjera pushonin, ndërsa gjatë ditë, pas uratës dhe meshës së mëngjesit, ajo punonte sipas parimit: jeta jote është dashuri, dëshmia e dashurisë së Zotit në të afërmin tënd.

Themelimi i ri i Misionareve të Dashurisë

Pas 20 viteve të kaluara te Motrat e Loretos, si dhe përvojës që kishte fituar në shoqëri me të sëmurë dhe të varfër, ajo pati frymëzimin dhe thirrjen që t’i shërbente për së afërmi të varfrit ndër më të varfër. Me 15 gusht 1949 India fitoi pavarësinë kombëtare, ndërsa në zemrën e saj gjatë udhëtimit me tren Kalkutë – Darjeeling, duke medituar dhe lutur, shkruan Lush Gjergji, brenda thirrjes së parë lindi “thirrja e dytë”, apo thirrja në thirrje, për ta arritur përsosmërinë më të madhe ndër vdekatarët. “Kam vendosur ta themeloj Rendin që lirisht t’i shërbejmë të varfrit ndër më të varfër” shkruante ajo. Kështu fillon procedura dhe kërkesa, së pari arqipeshkvit të Kalkutës, pastaj Papës, që ta lironin nga kushtet e përjetshme, për të qenë kudo me ata, në rrugë, në sheshe, në shtëpi, me të sëmurë, të gërbulur, pleq, të braktisur, për t’iu sjellë pak ngushëllim.

Në vitin 1949 në shoqërinë e saj ishin dhjetë murgesha, e para ndër to ishte motra Agneze, e cila tash është në detyrën e sekretares së Rendit, Më 7 tetor 1950 Nëna Tereze zyrtarisht themeloi Rendi e Misionareve të Dashurisë. Me kënaqësi të të gjithëve çdo gjë shkonte si është më së miri, ndërsa ajo mendon vetëm në të varfër. Ajo ndër të tjera thotë: “Te varfrit janë njerëz të mirë: ata kanë ndjenja të thella të falënderimit”. Duke vrojtuar jetën dhe veprimtarinë e Nënës Tereze dhe të Misionareve të Dashurisë, shenjtëria është shumë e afërte, diçka e prekshme, sepse ajo është shembull konkret i përshpirtërisë së përsosur të krishterë. Vërtet, Rendi i saj është një shkollë, ku mësohet si të shpëtohen më të rrezikuarit. Rendi i saj përhapet çdo ditë në botë, prej qytetit në qytet, prej shtetit në shtet. Në letrën që ma ka dërguar më 12 maj 1963, të cilën e boton Lush Gjergji, ajo shkruan: “Ne tash jemi 181 motër dhe tani kemi filluar edhe për meshkuj”. Natyrisht sot të dhënat janë krejt ndryshe, shumë më tepër.

Përfundim

Autori ynë i ka kushtuar mjaft hapësirë rritjes dhe zhvillimit të Rendit të saj në Indi dhe në botë, ndërsa sa i përket popullaritetit, me Shpërblimin Nobel dhe dhjetëra shpërblime tjera, mund të themi që nuk janë lëndë hulumtimi për këtë monografi. Ky është qëndrim i drejtë. Sepse autori nuk pretendon formimin e kultit të saj me ndonjë formalitet apo reklamë, por në bazë të vlerave humaniste edukuese dhe morale, që ndikojnë në përafrimin e njerëzve dhe popujve. Librin nuk e karakterizojnë shumë lëvdata, por paraqitja reale e një shpirti të frymëzuar për ta ndërruar botën me shembullin e dashurisë ndaj të varfërve, dhe kjo ka ndikuar që libri të ketë këtë titull “Nëna e Dashurisë”. Kur përmendet çmimet dhe shpërblimet, në pyetje të gazetarit, çka domethënë për motrat e saja Shpërblimi Nobel, ajo thotë: “Për motrat e mija s’do me thënë asgjë, sepse nuk ndryshon asgjë në Kongregatën tonë. Ky Shpërblim, si dhe të gjitha shpërblimet tjera, janë të rëndësishme vetëm për të varfrit tanë”.

Kjo është biografia e shkurtë e saj, në të cilën çdo lexues e njeh fuqinë lëvizëse, e cila atë e bënë mrekulli mirësie dhe dashurie, virtyte këto që shumë njerëz duan t’i kenë.

Pa e marrë para sysh që mund të gjendet ndonjë vërejtje, si për shembull mënyra e trajtimit publicisti, përsëritja e disa elementeve, rëndësia shkencore e këtij botimi është e madhe. Ndoshta porosia më bindëse e Nënës Tereze është kjo: “shenjtëria nuk është luks apo thirrje vetëm për disa, por detyrë për të gjithë. Puna që në bëjmë është vetëm mjet për ta realizuar thirrjen tonë në shenjtëri, në dashuri ndaj Zotit dhe të afërmit”.

Në fund duhet të themi që në këtë libër në mënyrë të argumentua, me ilustrime dhe dëshmi të drejtpërdrejta apo tërthorazi, janë paraqitur momentet e madhërisë së fenomenit botëror të Nënës Tereze. Kjo është qasje dhe synim në shkrimin e kësaj biografie të një shenjtëreshe të gjallë, ndoshta të shenjtëreshës së gjallë të vetme në historinë e Kishës, si dhe të vetmes shenjtëreshë shqiptare.

Prof. Dr. Engjëll SEDAJ

Zagreb, 30 qershor 1990

(Përktheu nga kroatishtja: Don Lush GJERGJI)

Filed Under: Sociale Tagged With: Lush Gjergji

“Mother Theresa,,- në Bibliotekën e LTHS në Çikago

February 10, 2017 by dgreca

Libri,,Mother Theresa,,i dr.Dom Lush Gjergji në Bibliotekën e LTHS në Çikago/

Nga Skënder Karaçica/
1 Mother TeresaNë vazhdën e aktiviteteve kulturo-kombëtare të SHSHA-së në Çikago,tashmë është bërë traditë e mirë që botimet e ndryshme shkencore të fushës së historisë,të gjuhësisë,të traditës,të dokeve dhe ato që hedhin dritë për praninë dhe shpëtimin e hebrenjve të botuara në Prishtinë e Tiranë,të gjejnë vend nëpër bibliotekat e shkollave të mesme,univesiteve,të muzeut holokaust dhe në bibliotekën e Kongresit dhe të Senatit Amerikan në Uashington.

Këto ditë libri,,Mother Theresa,,i dr.Dom Lush Gjergjit iu dorëzua bibliotekës së shkollës së mesme (LTHS)në Çikago,që është një nga vatrat arsimore më një traditë shekullore të dijes për brezin e ri amerikanë,i themeluar në vitin 1888.Figura e Nënës Shqiptare tashmë është bërë pjesë e tërë botës dhe në SHBA përkujtohet me respekt të veçantë,thuhet në deklaratën për shtyp të SHSHA-së në Çikago.Ndërkaq,shqiptarët-amerikanët që erdhën tash e një shekull në Amerikë nga trojet etnike shqiptare dhe veçmas nga Shqipëria,e kujtojnë me dinjitet emrin e Nënë Terezës kur ajo në një takim me ish presidentin Bill Klinton kërkoj prej tij që të shpëtoj popullin shqiptar dhe Kosovën nga agresori vrastar i Serbisë.

Udhëheqja e bibliotektës së shkollës(LTHS)në Çikago e mirëpriti këtë gjest të SHSHA-së dhe libri për ,,Mother Theresa,,do të vendoset në sirtarët e kësaj biblioteke dhe do të zë vend në koleksionet e përzgjedhura nga botimet në Amerikë dhe botë,ku lexuesit e rinj amerikanë do të njohin nga afër figurën e Nënë Terezës dhe shpirtin human dhe liridashës të popullit shqiptar në Ballkan në miqësi të përjetshme më SHBA-në.

Libri për Nënë Terezën i përkthyer në gjuhën angleze,ka 216 faqe dhe në secilën faqe me nga dy-tri flotografi kolor nga jeta e Nënë Terezës në Viti të Kosovës,në Shkup,Shqipëri dhe Kalkutë të Indisë ku kaloi tërë jetën në shërbim të mirësisë,të humanizmit dhe në krye të herës duke nisë masazhin për popullin shqiptar i vjetër sa vetë Evropa me traditën e njohur,,Bukë,krip e zemër,,!

Teknika e përsosur e botimit të këtij libri me vlerë historike dhe fotografitë e përzgjedhurea nga fotografët e njohur Franco Marzi,Giambattista Villa dhe Walter Serra si dhe përkthimi brilant në gjuhën angleze të Mary Rose Agius,e bëjnë këtë botim të biografit të njohur dr.Dam Lush Gjergji për Nënë Terezën,edhe një udhë të pasur me lulet e atdheut shqiptar,para botës dhe para popullit miq të përjetshëm të Amerikës.

Filed Under: Kulture Tagged With: i dr.Dom, Lush Gjergji, Mother Theresa, në Bibliotekën e LTHS në Çikago

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT