NGA MARJANA BULKU/
Çfarë do ta frymëzonte botën që nga zanafilla e saj deri në modernizëm apo postmodernizëm?!
-“Liritë, barazitë, ligjet dhe e drejta, mundësitë dhe kënaqësitë, puna, pasuria, prona,edukimi, përgjegjësitë personale dhe ato kolektive”…- do të thoshte studjuesi dhe filozofi Harold Percival.
Po sot kur shumë nga këto destinacione vihen në pikpyetje sa edhe vetë ekzistenca , kur shkenca dhe inovacioni, paraja dhe fuqia e saj për të sunduar botën janë të kërcënuara nga një pandemi emërtuar Covid 19 të cilën vetëm nëpër filma me skenarë futuristo-imagjinarë e kishim parë , vërehet se sa shumë e nesërmja e pasigurtë dizenjon të ardhmen e të gjitha atyre ideve bazike mbi të cilat formësohet dhe evoluon jeta njerëzore.
Bilancet tragjike të humbjes së jetëve njerëzore,paniku social por edhe pasiguria e autoriteve shtetërore, kriza shumëplanëshe e viktimizon akoma më shumë individin po aq sa e bën edhe protagonist të vetvetes e më gjerë. Një përgjegjësi jo e panjohur e nxitur më së shumti nga shkollat dhe rrymat që inkurajojnë demokracinë si proçes që nis nga individi, ai i përgjegjshëm , reflektues ,i cili i njeh potencialet e veta , moralin e vet dhe mbi të gjitha shpirtin që ia nxit reflektimet.
Ja ku jemi pikërisht tek ai moment ku më qartësisht se kurrë “valëvitet” jo kapitullimi njerëzor por përgjegjsia e gjithsejcilit për të bërë diçka; izoluar, higjenizuar, edukuar, treguar, thirrur për ndihmë, dorzuar, mbijetuar.
Janë prioritete njerëzore në çdo kohë principet e edukimit, ato që edhe nëse nuk lindin me njeriun i nguliten me forcë atij nga familja, rrethi shoqëror, religjioni, shteti. Formula e edukimit e cila para së gjithash duhet t’i mësonte njeriut modern se misioni i tij nuk është konkurimi me Natyrën apo akoma më keq shkatërrimi i saj , por përdorimi i dy “armëve” të fuqishme me të cilat Zoti e pajisi njeriun e që janë ; gjuha dhe duart përmes të cilave ndërtohen civilizime, mbahen gjallë ato në çdo rast , madje edhe shkatërrimi.
Si ta ruash civilizimin kur paniku, pasiguria ekonomike, emocionale , pandemike kërcënon çdo siguri?
-Të menduarit!
Prerazi do thoshte Percival.
Po i referohem pareshtur filozofit i cili studimet e tij i nis me objekte të lashta artistike të cilat i flasin çdo kohe përmes largpamësisë që i prin të menduarit e që kanë mbetur të gjalla dhe kanë jetuar me shekuj duke u bërë mbrojtës civilizimesh .Mjafton një vështrim depërtues dhe i detajuar i skulturës “ The flying Mercury”ku Hermes ky mbrojtës i tregtisë me shkopin ku pështjellohen dy gjarpërinj duket se i flet të gjitha kohërave duke dëshmuar se bota është e pavdekshme përsa kohë gjuha, puna dhe të menduarit ndërveprojnë pa u ndalur.
Dhe ky proçes do ta bënte njeriun më të matur, më të ekuilibruar karshi akteve të tij ku gabimet bashkëjetojnë me arritjet por duke i lënë shtigje lirie lirisë së mendjeve të ndritura të cilave sistematikisht liria u ndërpritet .(Sikur të fliste Laokoonti , Troja nuk do ishte ndëshkuar).
Të menduarit është jo pak herë burim i cilësive më të mira në jetë.
Po kur edhe kjo pasuri njerëzore kërcënohet nga lakmia, pushtetet rivale, ambicjet?!
Po kur dëshirat, ndjenjat, mendimet, lutjet të cilat janë po aq mikroskopike sa edhe virusi shkatërrimtar që vret jetën , çfarë mbetet?
Zoti i dhuroi njeriut gjuhën për të artikuluar fjalët , mendimet, historitë dhe duart me të cilat ai të ndërtonte pronën dhe pasuritë që do ia bënin jetën komode në një farë mënyre i dha përjetësinë atij . Sot në mjediset tona aty ku ne jetojmë e ndërveprojmë jeta kërcënohet dukshëm dhe padukshëm e ku me dëshirat, ndjenjat, qëllimet mikroskopike por mbi të gjitha LUTJET arrijmë të mbajmë gjallë civilizimin të cilin e trashëguam nga mendimtarët e të gjitha kohërave .
Si ta mbash gjallë civilizimin që e kërcënon edhe një frymë njeriu nga e cila ke frikë , do t’i fshihesh, të zhdukesh në fluturim?!
-Është prapë njeriu , ai me ëndrra dhe shpirt, lutje e vullnete të cilat quhen jetë i cili e mban zgjuar jetën me veprat për të cilat po njeriu ka aq shumë nevojë; shqiptari për shqiptarin, mjeku për shkencëtarin , pacienti për mjekun, prindi për fēmijën dhe anasjelltas , njeriu për njeriun, një zinxhir jetësor ku jo doemos je i rrethuar me diamante por ku çdo hallkë merr vlerë kur oksigjenohet me jetë.
Le të mos këputet ky zinxhir lutjesh dhe njerëzish të mirë për akte të mira që jetës i japin jetë.
Marjana Bulku (mars 2020)