• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIQENET E LURËS – MADHËSHTIA, BUKURIA E SHËMTIMI I TYRE

September 15, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1-luraBukuria e Liqeneve te Lures
1-luar-sot Ne Foto:Pamja sot e liqeneve
1.Këto liqene akullnajore të Periudhës të Kuaternarit, përndryshe: “sytë e kaltër të Lurës”, mrekulli e bukuri gjeo-turistike e kësaj krahine etno-historike të veçantë, shtrihen në shpatin lindor të Kunorës së Lurës. Shpesh, në gjeo-fizikë, thirren dhe “Liqenet e Kunorës së Lurës”.
Shkrimtari i madh shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, kandidat për Çmimin Nobel, në vitin 1967, qëndroi nji kohë të gjatë në Lurë, e cila e frymëzoi atë për të shkruar disa nga poezitë e vëllimit poetik “Motive me diell”. Se Lura merr shumë rrezatim nga qielli dhe bijat e bijtë e vet, se jep shumë rrezatim nga toka e kullat e saj. Asokohe, Kadare, tek reportazhi i tij “Një mbrëmje në Lurë” shkruante: “E vërtetë është që, zakonisht prapa fjalës tingëlluese “Lurë” shtrihen…liqenet e saj me tërë bukurinë dhe magjinë e tyre. Askush nuk mund ta ndajë Lurën nga liqenet e saj. Prandaj kush udhëton drejt Lurës, udhëton drejt liqeneve të saj”.
Kangtari kombëtar epik e lirik, Arif Vladi – nga nji derë e njohur në Krejë-Lurë, e ka nji kangë hit “Liqejt’ e Lurës” me përplot dashuri për vendlindjen e tij, me hymn për bukuritë e saj të rralla: “Je e bukur moj vendlindje/Sa të dua Lura ime./Si Liqejt e Lurës, pra /Oj, kërkund nuk ka !/”.
Kangtarja e shquar dibrane, nga Lashkiza e Dardhës, Lirie Rasha, Artiste e Merituar, me zërin e saj në rrjedhë të kohërave e çoi kangën “Shtatë liqejt’ e Lurës” në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, me refrenin: “Shtat’ liqejt’ e Lurës, o /Lart .o përmi pllaja /Prin si syt’ e shqipes, o /Hapin te kalaja/Ky Liqen i Luleve/Nën majën me borë / Dëshmorve të Lurës, o /U qëndron kunorë /.
2.
Krejt Shqipëria i ka 247 liqene të tipeve e madhësive të ndryshme, nga të cilët 12 prej tyre ndodhen në Lurë, po vetëm 7 apo 8 prej tyre kanë ujë në përhershmëri, ndërsa të tjerët periodikisht.
Shqipëria Natyrale i ka gjithsej 134 liqene akullnajore, ku ma të shumtit e tyre formojnë grupe të veçanta nga 10 deri 22 liqene si “Liqenet e Lurës”, Liqenet e Sylbicës e të Dobërdolit në Bjeshkët e Nemuna (Bekuara) në Tropojë; të malit të Balgjajt, të Malit të Lopës, të Valamarës, të Malit të Shebenikut, të Jezercës, të Runicës, etj.
Ky grup i liqeneve në Lurë janë të përhapura në një territor me sipërfaqe 20 km2 dhe shtrihen në lartësinë nga 1.500–1800 m. mbi nivelin e detit. Këto janë 12 liqene të vegjël me formë të rrumbullakosura me sipërfaqe 0.97 km2, afro 100 ha.
“Liqeni i Madh”, i cilësuem kështu nga vendasit lurjanë prej sipërfaqes së tij të madhe, kap 32 ha gjithsej, me përmasa e tij maksimale 300 m. gjerësi e 425 m. gjatësi.
Pas tij, në vargni hapësinore vijnë “Liqeni i Pishave” me sipërfaqe 13 ha; “Liqeni i Zi” me sipërfaqe 8 ha; “Liqeni i Luleve” me sipërfaqe 4 ha.
Në grupin e këtyre liqeneve hyjnë dhe të tjerë ma të vegjël, si “Liqeni i Bruçit” – që e ka marrë emrin prej vllaznisë lurase Bruçi; “Liqeni i Hotit”- prej fisit të Hotit në Borje-Lurë, “Liqeni i Rrasave”, “Liqeni i Shtatë Lopëve” (Liqeni i Lopëve), etj.
Këto liqene natyrore të Lurës ushqehen me ujë nga reshjet e borës dhe të shiut. Ato kanë një regjim tipik alpin, me lëkundje të vogla të nivelit gjatë vitit. Nivelet më të larta të tyre vrojtohen në pranverë, fill pas shkrirjes së borës, ndërsa ma të voglat në dimër, kur liqenet ngrijnë dhe mbulohen përsipri me borë. Në këto liqene ka amfibë, si tritoni, etj. tipik të trevave alpine. Ngjyra e blertë e mbyllur e ujërave të liqeneve dhe pyjet e pishës që i rrethojnë ato, krijojnë një mjedis piktoresk dhe i bëjnë “Liqenet e Lurës” një vend pushimi mjaft tërheqës. Diçka e mirë po lëviz sot. Shumçka e mirë do të gjallnojnë nesër. Në një ditë të afërt Lura do të jetë një nga destinacionet turistike botërore dhe kjo do të jetë meritë dhe e pranisë e bukurisë të “Liqeneve të Lurës”.
Në gushtin e vitit 2014 isha për herë të parë në Lurë e, sigurisht, dhe për një vizitë rasti ditore tek disa nga Liqenet e Lurës. Kena kalue një drekë të mirë në natyrë tek “Liqeni i Bruçit”. Isha i ftuar nga miku im i viteve të rinisë qyshse në Fierzë, nga biznesmeni bajemirë, Dod Doçi, në shoqërinë e tij mikpritëse. Aty kishin ardhë dhe zonja e tij e nderuar, Alda Laçi-Doçi, tre inxhinierë të talentuar të firmës “Lura”- projektues të Kishës Shën Maria në Lurë, e cila është vepër bamirëse e lurjanit të suksesshëm, Dod Doçi i Derës së Parë të Lurës.
3.
Pasaporta e Lurës i ka në identitetin e vet krahinor, natyror, turistik “Liqenet e Lurës”.
Ato liqene janë të shpallura zyrtarisht “Monumente Natyre”. Pra, të ligjëruara, të klasifikuara, të hipotekuara si pasuri elitare për kombin, të trashëgueshme për brezat shqiptar, të pacënueshme nga askush – as nga lurjanët, as nga shtetarët, as nga barbarët me keqpërdorim deri në shkatërrim të tyre.
E veçanta e “Liqeneve të Lurës” është se këto liqene përfshihen tërësisht në territorin e “Parkut Kombëtar të Lurës”.
Kjo jep ma shumë siguri për mbrojtjen e liqeneve dhe të pyjeve të Kunorës së Lurës e të krejt kësaj krahine të rrallë, nëse shteti ynë do të tregohet me të vërtetë kombëtar, nëse shteti ynë i sheh realisht këto si pasuri e madhe dhe e çmuar kombëtare.
Liqenet e Lurës kanë vlera shkencore, ekologjike dhe turistike, prandaj Tradita Shqiptare në shekuj ka pasë rregullat e veta njerëzore, kanunore e hjnore për ruajtjen e mirëmbajtjen e tyre.
Shteti ynë duhet të kujdeset çdo ditë dhe të investojnë çdo vit kalendarik, pasi liqenet po e humbin origjinalitetin e vet natyror të ujit e mjedisit, po iu damtohet barbarisht bukuria, po iu dhunohet hajnisht e harbutnisht krenaria e tyre lurjane, kombëtare e planetare. Kjo prej nga pakujdesia e banorëve e turistëve të saj dhe deri tek babëzia kriminale e keqtrajtimit e shfrytëzimit nga individë, firma e vet shteti ynë i dy shekujve të fundit. Një turist i huaj që kërkon bukurinë e rrallë në Liqenet natyrore të Lurës ka rrezik të pësojë tronditje psikologjike nga gjendja e tyre e deritanishme. Kjo për faktet se ka pasë ndërhyrje pa kriter për ndërtime të çmendura argjinaturash, për ndërtime aventureske kanalesh ujitëse, prerja pa kriter, pabesisht e poshtërisht të pyjeve, ndotjet e shumta të ujërave nga mbeturinat e vizitorëve, mospastrimi i liqeneve, moskujdesi shkencor për pyjet, etj. Të gjitha këto kanë krijue problematika ekologjike alarmante, degradim natyror kriminal të territorit të Kunorës së Lurës, etj.
At Lovro Mihaçeviq, magjistër i rishtarëve françeskanë në kolegjin françeskan të Zadrimës (1883-1892), misionari boshnjak nga Kresheva e Bosnjës, që (sëbashku me misionarin tjetër françeskan poetin Leonardo de Martino) pati ndikim të madh në jetën e udhët e të madhit Gjergj Fishta, ishte dhe në Lurë në vitin 1907. Ai u ngjit dhe në Kunorën e Lurës, tek liqenet e saj, si tek Liqeni i Madh, etj. Ky prift katolik, mik i përjetshëm i Shqipërisë, në njërin nga librat e tij për Shqipërinë e Shqiptarët, tek libri “Nëpër Shqipëri” – përshtypje udhëtimi, botue në Zagreb më 1911, shkruan tekstualisht: “Pak më lart, mbi këtë Liqen të Madh, është një tjetër më i vogël, i cili i jep ujë atij më të madhit më poshtë. Mua më interesonte gjithçka që shihja këtu në këtë lartësi prej 2.000 metrash dhe u kënaqa brenda dy orëve të plota në një qetësi idilike natyrore, por për Liqenin mund të them vetëm këtë, madhështor dhe i mrekullueshëm, por i lënë pas dore të Zotit dhe njeriut, kështuqë bukuria natyrore dhe me bukurinë e vet, e fsheh vendin e shkretë”.
Thonë e shkruajnë se nji gjerman, trajner futbolli, kur e vizitoi Lurën më 1989, kumtoi se “isha për dy ditë në Zvicrën Shqiptare, aty ku Zoti ka falur shumë, por dora e njeriut ka punuar pak”.
Unë e ndjej vetëveten si mik i Lurës e i Lurjanëve, si njohës i visareve historike, kulturore e natyrore të saj, që kam shkrue sadopak për rrugëtimet, kontribute e problematika të saj, më duket se gjendja e Lurës time/tonë ka mbetur pothuaj njëlloj, si në fillim (1907) dhe në fund (1989) të shek. XX si dhe në këtë shekullin e ri, XXI, në këtë ditë të sodit: shtator 2016.
Jo vetëm Toka e Qielli duhet t’ua ruajnë madhështinë e bukurinë “Liqeneve të Lurës” dhe vet krahinës etno-historike të Lurës, por dhe Shteti ynë duhet të jetë dalëzotës i tyre.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Liqenet e Lures, Madhështia, Ramiz Lushaj

Madhështia e Festës së Pavarësisë

December 2, 2015 by dgreca

Nga Mimoza Dajçi/

Pas darkes solemne qe organizoi Federata Panshqiptare e Amerikes Vatra me 27 Nnetor 2015, ku moren pjese rreth 500 bashkatdhetare, ku krahas tri bashkesive fetare, Kishes Katolike Zoja e Shkodres, Kishes Orthodokse ne Queens dhe Qendres Islame, kishte pjesmarres nga deget e Vatres ne Nju Jork, Shoqata Cameria, Partia Levizja e Legalitetit per SHBA, Rrenjet Shqiptare, Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane, Keshilli Shqiptaro-Amerikan, Shoqata Rugova, Ansambli “Rozafat” i Qendres Kulturore Rozafat, Ansambli”Kenga dhe Vallja Shqiptare”, perfaqesuese nga Shoqata e Grave Shqiptaro-amerikane- Motrat Qiriazi, etj, nje tjeter organizim masiv ishte nje dite me pas, me 28 netor.  Mbrëmjen e 28 nëntorit anija “Majesty Yacht” mblodhi në bord për një udhëtim rreth Manhattan Isle 1000 pasagjerë. Shumica e tyre shqiptarë, festues të 103 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Anija u nis nga New Jersey për të mbritur në brigjet e portit Pier 81, në 41 St, ku do të priste mysafirët e rastit. Me flamujt shqiptarë e amerikane shpalosur kudo, tavolinat mbushur me ushqime tradicionale e pije të ndryshme filloi udhëtimin e saj drejt Statujës së Lirisë. Sa bukur, mrekulli e vërtetë. Një Shqipëri e vogël mes ujrave të Lumit Hudson New York.
Festën e përshëndeti Assamblyman Z. Mark Gjonaj. Më pas u kënduan Hymnet Shqiptare dhe Amerikane. Bekimi fetar u mbajt nga përfaqësuesi i Klerit mysliman. Nderuan me pjesëmarjen e tyre personalitete të politikës amerikane kongresmeni Eliot Engel dhe Senatori Jeff Klein, ambasadorja e Shqipërisë në SHBA Floreta Luli- Faber, Konsulli i Republikës së Kosovës në New York Z. Fatmir Zajmi,u aktorja e Hollivudit Eliza Dushku dhe fotografi famoz shqiptaro amerikan Fadil Berisha. Të ftuar nga Ulqini dhe Ana e Malit ishin grupet artistike SHA “Tradita” dhe “Buzuku”.
Mbi 30 organizata ishin pjesë e festimeve në 103 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Rrugë të largët për këto festime nga Rhode Island kishte marë edhe poetja e humanistja shqiptare Znj. Rita Saliu së bashku me bashkëshortin e saj inxhinierin nuklear Z. Adem Saliu. “Ndihem shumë e lumtur dhe e emocionuar tha ajo, që ndodhem sot këtu mes motrave e vëllezërve të mi shqiptarë për të festuar së bashku 103 Vjetorin e Pavarësisë, Ditën e Flamurit të Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit”
Timonier e udhëheqës i punimve të kësaj feste të rëndësishme ishte Assamblyman Z. Mark Gjonaj. Nuk është hera e parë që kemi rast të marim pjesë në eventet që realizon Z. Gjonaj me familje apo me rrethe shoqërore, e sa kemi parë na kanë lënë mbresa dhe eksperienca shumë të veçanta. Kështu ndodhi edhe me udhëtimin e këndshëm festiv në anijen “Majesty Yacht” që shoqëroi mbi 1000 persona në bord. Muzikë, valle, hare shpalosi kjo mbrëmje në ujrat e lumenjve Hudson dhe East River që rrethojnë ishullin e shëndritshëm  -Manhattan. Kudo vezullime dritash. Simbolet e çdo organizate që u angazhuan në këtë festë së bashku me përshëndetjet përkatëse ishin përfshirë në librat e 103 Vjetorit të Pavarësisë vendosur nëpër tavolinat e ngrënies e pankartat e ndryshme varur edhe në koridoret e anijes.
Ngritja e flamurit shqiptar nga Batalioni Atlantiku, trimave shqiptare që çliruan Kosovën ishte një gjetje perfekte që ngjalli emocione tek të pranishmit. Të gjithë në këmbë përpara këtij çasti solemn, e për nder të heronjve të Kombit. Ndërsa organizatorët me përfaqësuesit e tyre ngritën flamurin amerikan. “Moj e bukura Morenë” e shumë këngë klasike të lehta apo popullore interpretuan këngëtarët e muzikës së lehtë e popullore, si dhe vallet e bukura me motive shqiptare i dhanë shumë jehonë festës. Daullja buçiste, të gjithë kërcenin e këndonin të gëzuar, ushqimet tradicionale ishin porosi e veçantë e Z. Mark Gjonaj, i cili çdo detaji i kishte kushtuar vemendjen e duhur e që bashkatdhetarët të kënaqeshin nën shijen e traditave tona.
Përsëri muzikë, valle e këngë nga treva të ndryshme të vendit. Anija bënte xhiron e planifikur, njerëzit lëviznin nëpër katet e shkallët e anijes duke përshëndetur njëri tjetrin e duke u fotografuar në grupe nën sfondin e Statujës së Lirisë. Moti ishte i bukur, oqeani i qetë e pa dallgë. Qielli i pastër e pa re. Çuditërisht edhe hëna ishte e plotë. Cruise turistik rrëshqiste ëmbël pa u ndier se ndodheshim brënda tij. Dritat e godinave përqark ishin bërë njësh me yjet në qiellin e kaltër, nuk dallohej fillimi e mbarimi i tyre. Një mrekulli e vërtetë, na dukej vetja si në përrallë. Dy të rinj veshur me kostume kombëtare kurorëzun fejesën e tyre me unazë në gisht. Moment fantastik për këdo që ishte pranë. Urime çiftit. Një piktore u vizatonte vogëlushëve në fytyrë dhe duar shqiponjën, ata ndiheshin krenarë që ishin bijtë e shqipes e lodronin gjithë hare nën kujdesin e prindërve të tyre. Ky manifestim bashkoi rreth flamurit të Skënderbeut e Pavarësisë shqiptarët e të gjitha trevave. Senatori Jeff Klein dhuroi për komunitetin tonë një Çek me shumën 2 miljon dollarë për ngritjen e Qendrës Kulturore Shqiptare në New York.

Udhëtimi madhështor i 103 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të mbetet i paharuar për të gjithë pjesëmarësit.

Filed Under: Komunitet Tagged With: e Festës së Pavarësisë, Madhështia, Mimoza Dajci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT