• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ja si funksionon mafia shqiptare

May 20, 2014 by dgreca

Drew Sullivan është kryeredaktor i Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP). Ai është gazetar dhe specialist i zhvillimit të medies me bazë në Sarajevë, të Bosnje-Hercegovinës dhe në Uashington DC. Sullivan është themelues i Grupit LLC për zhvillimin e Gazetarisë, një grup novator lider në zhvillimin e medies në mbarë botën. Drew ka punuar nga Azia në Evropë si një konsulent për IREX, Internews, Pace and News Media etj. Ai e ka nisur karrierën në media si gazetar investigativ, e me pas si redaktor i lajmeve, dhe se fundmi si menaxher për Associated Press në Nju Jork. Një ndër themeluesit e Qendrës për Gazetari Hulumtuese (CIN) në Sarajevë, e para e këtij lloji e ngritur në Ballkan. Drew Sullivan në një intervistë me Rudina Xhungën, flet për mafien, drogën, rrjetet kriminale shqiptare dhe gazetarinë e munguar investigative në Shqipëri.
…Çfarë informacionesh keni për mafien shqiptare.
Mafia shqiptare është një ndër aktorët kryesorë ndërkombëtare. Nuk operon gjithmonë brenda për brenda Shqipërisë, kryesisht operon jashtë Shqipërisë, dhe megjithëse paraja shpesh herë pastrohet ose investohet në Shqipëri, ku shihen shumë ndërtesa të mira këtu në Shqipëri, mafia shqiptare është shumë aktive në nivel ndërkombëtar. Ndërsa në rajon, ka disa grupe të caktuara dhe një prej tyre është mafia kosovare. Janë rreth pesë familje që operojnë së bashku, ndoshta më saktë dy grupe, që janë vëllezërit Osmani, të cilët operojnë në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë, Naser Kelmendi gjithashtu, besoj që shumë ia kanë dëgjuar emrin. Ai është i arrestuar dhe besoj se do të akuzohet shumë shpejt. Por siç ndodh shpesh, rrjeti gjithsesi vazhdon sepse mafia shqiptare e ka aftësinë që të vazhdojë aktivitetin e saj edhe nëse humbet drejtuesit e saj. Ajo çfarë dimë për mafien shqiptare është se ka aftësi shumë të mira për t’u lidhur me diasporën shqiptare në botë. Mafia shqiptare është shumë e lidhur me Italinë, me atë çfarë ndodh në Belgjikë, Londër dhe vendet e tjera. Në fakt, edhe policia e pranon se është mafia shqiptare ajo që kontrollon prostitucionin, drogën, shfrytëzimin e njerëzve, vrasjet në vende si Londra, Belgjika etj. Madje, mafia shqiptare ka mënjanuar edhe shumë grupe të tjera mafioze në Londër. Nuk po them që kontrollon të gjithë tregun, por një pjesë të madhe të tregut të këtyre krimeve. Ka shumë njerëz në këtë rrjet që e ushqejnë këtë sistem dhe mafia shqiptare është unike, mafia shqiptare është e përfshirë në marrjen e drogës direkt nga burimi si Kirgistani, Afganistani, deri në destinacionin përfundimtar.
Është një biznes shumë fitimprurës. Mund të blesh një kilogramë heroinë në Afganistan për rreth 800 dollarë dhe çmimi rritet pastaj deri në 2 mijë apo 3 mijë dollarë, ndoshta edhe më shumë. Kështu që mendoni, është një fitim shumë i madh nga trafikimi i drogës. Mafia shqiptare është shumë efikase dhe janë duke gjetur vende të ndryshme të Evropës, ku kanë rrugët e tyre të shpërndarjes. Sigurisht që ju nuk mund ta shihni këtë në Shqipëri, por po të shohësh se sa shqiptarë punojnë jashtë shtetit, sa pará dërgojnë ata në Shqipëri, atëherë do shihni që është një shumë substanciale dhe kjo është një nga arsyet, pse shumë shqiptarë mund të jenë indiferentë ndaj mafies, madje mund ta shohin edhe si diçka pozitive për vendin. Po të shihni, për shembull, shumë shqiptarë në vende të ndryshme të Europës, janë në burgje. Prandaj është shumë e kuptueshme që mafia shqiptare është një forcë e konsiderueshme. Po të doni mund t’ju përshkruaj pak edhe strukturën e mafies shqiptare dhe çfarë i bën ata kaq të fuqishëm.
Po, patjetër. Në Shqipëri njerëzit i njohin pjesëzat, që ju përmendni, por të shpërndara, pa bërë, ose dashur të bëjnë dot mozaikun?
Atëherë, unë po ju tregoj sesi funksionon i gjithë cikli i mafies. Çfarë i duhet një grupi mafioz? I duhen disa gjëra. U duhet diçka nga e cila të përfitojnë, u duhet një vend ku të jenë të sigurt, dhe u duhet një vend për t’i pastruar paratë e tyre, nga pará të paligjshme në pará të ligjshme. Ajo çfarë shihet zakonisht është përfshirje e mafies në trafikimin e drogës, i fitojnë paratë jashtë dhe i investojnë në Shqipëri, pasi e dinë që këtu ka shumë pak gjasa që t’i arrestojë dikush, apo që dikush t’i konfiskojë paratë e tyre. Po ta bësh këtë gjë në Londër, Shtetet e Bashkuara apo Europë, ka ligje shumë të mira konfiskimi dhe politika shumë të mira. Pra, atje është shumë e vështirë.
Domethënë, paratë e tyre janë këtu?
Po, pjesa më e madhe e parave vijnë këtu. Sigurisht, jo të gjitha sepse ato edhe i qarkullojnë në vende të ndryshme të botës për të mbajtur rrjetet e tyre, por zakonisht paratë i investojnë në vendin e tyre, pasi ky është vendi që njohin më mirë, ku kanë dashur gjithmonë të kenë një hotel të mirë në Tiranë, apo një vilë shumë të bukur në Vlorë. Prandaj, shihet dhe është e dukshme që këto pará kthehen, pasi pastrohen sigurisht dhe këto pará mjaftojnë për gjithë jetën. Atëherë, atë çfarë duhet të shohë publiku shqiptar është se Shqipëria është bërë si një vend i sigurt, si një parajsë e sigurt për mafiozët duke i dhënë pará policisë apo duke u bërë të paprekshëm, duke investuar shumë në partitë politike, duke investuar shumë në polici, duke investuar shumë në kompani private sigurimi, të cilat marrin në punë shpesh herë ish-policë. Ky është një problem shumë i madh sepse influencon shumë në politikën e vendit, i bën gjërat më të vështira për të zbatuar ligjin. Kur ke biznese me miliarda parash, politikanët i shohin këto pará si mundësi, madje iu sulen atyre, për të mbajtur partitë e tyre politike. Në Serbi sigurisht që ndodh e njëjta gjë, por paratë pastrohen përmes oligarkëve që jetojnë aty. Miroslav Mishkoviç, për shembull, është akuzuar tani për pastrim parash por ai ka një dekadë të tërë që e bën këtë gjë, përpara ka pasur pastrim parash për Sllobodan Milosheviç.
Nga njëra anë kemi paratë dhe nga ana tjetër kemi drogën dhe pikërisht aty ku janë paratë, është edhe rreziku. Sigurisht që droga është një biznes shumë fitimprurës, janë miliarda e miliarda dollarë që vijnë në këtë rajon dhe një pjesë e mirë e tyre shkon në investime të ligjshme, një pjesë në investime të paligjshme dhe një pjesë në politikë. Ky është sistemi i ngritur në vite, prej të cilit vështirë se del dot.
A kanë lidhje me njeri-tjetrin emrat e rëndësishëm të krimit të organizuar në rajon? Për shembull, a kanë ata takime mes tyre? A kanë marrëveshje, marrëdhënie, ndarje territoresh?
Absolutisht që po. Si gazetar, unë njoh çdo gazetar në të gjithë rajonin që punon në profilin tim. Mafiozët sigurisht që e njohin njeri-tjetrin në vendin e tyre. Figurat e krimit të organizuar bashkëpunojnë me njeri-tjetrin gjatë gjithë kohës. Ne dimë, sipas burimeve tona, që në vitin 2007 ka pasur një takim rajonal të figurave të krimit të organizuar ku kanë qenë vëllezërit Osmani, Naser Kelmendi, një mafioz nga Mali i Zi dhe ndoshta emra që mund të mos i keni dëgjuar kurrë, por që janë lordë të nivelit të lartë, njerëz të cilët ndoshta nuk e prekin kurrë me dorën e vet drogën, por që jetojnë si biznesmenë shumë të pasur dhe që janë në të vërtetë të përfshirë në trafikun e drogës. Pra, të gjithë janë takuar në vitin 2007 dhe bënë një lloj marrëveshje, të themi, për trafikimin e drogës në rajon dhe bashkëpunimin mes tyre. Ata krijuan një sistem shumë të mirë, një sistem që ende vazhdon të funksionojë dhe që tregon se vazhdojnë të komunikojnë me njeri-tjetrin. Ajo çfarë vendosën është se cila drogë shkon në cilin vend të Europës. Sigurisht që ky lloj bashkëpunimi i ka bërë fitimprurës gjithë sistemin, po bëjnë shumë pará dhe po të bëjmë një krahasim me Meksikën, për shembull, po ta marrim për frymë, ndoshta kemi po aq drogë në këtë rajon, aq sa ka edhe në Meksikë.
Për ne në Shqipëri nuk ka shifra?
Askush nuk e di dhe ky është problemi. Misteri qëndron tek fakti që gazetarët nuk mbulojnë ato që duhet të mbulojnë. Ne të gjitha këto informacione që i kemi për Serbinë, Malin e Zi, sigurisht që kanë qenë shumë të vështira për t’u gjetur por janë gjetur nga gazetarët e këtyre vendeve duke gjurmuar aktivitetet e kompanive jashtë vendeve, deri në Panama, për të parë se çfarë pronash ka secila kompani. Sigurisht që ka qenë një punë e jashtëzakonshme derisa të arrinim aty ku ta kuptonim të vërtetën. Ndërsa në Shqipëri nuk është bërë ende kjo punë, ka vetëm pak gazetarë që punojnë për këto çështje, për këto tema dhe në fakt nuk është se ndajnë shumë informacion me kolegët e tyre me vendet e tjera të rajonit. Prandaj nuk dimë shumë.
Diçka tjetër është se grupet e organizuara kriminale shqiptare kanë një lloj strukture klanore dhe brenda këtyre klaneve ka kode heshtjeje që janë shumë të forta dhe njerëzit nuk flasin shumë për to. Si pasojë, ndryshe nga bandat italiane të cilët nuk janë më klane familjare, por fisnore, sepse përfshijnë shumë familje, në Itali nuk ke të njëjtën besnikëri mes grupeve kriminale, siç ndodh në Shqipëri. Për shembull, bandat kriminale shqiptare kanë ende shumë lidhje fisnore apo lidhje në bazë fshatrash, ku nëse flet nuk vritesh vetëm ti, por edhe anëtarët e tjerë të familjes. Kështu që e bën shumë më të vështirë dhe prandaj në Shqipëri janë më të heshtur. Madje edhe gjuha shqipe është më e vështirë për t’u kuptuar nga vendet e tjera. Edhe policia ka probleme në shumë vende të Evropës për të kuptuar bandat shqiptare dhe nuk gjejnë dot njerëzit e duhur që të ndërveprojnë me bandat shqiptare. Shumë nga këta kriminelë, vijnë nga qyteza të vogla të Shqipërisë që shkojnë në vende të ndryshme të botës dhe nuk janë shumë të hapur në vendet ku shkojnë, bëjnë një lloj jete si në fshat me pak fjalë.
Dhe nëse gazetarët e bëjnë, është drejtësia që nuk e vazhdon…
Shqipëria e ka këtë problem siç e kanë edhe vende të tjera të rajonit. Figurat e krimit të organizuar shpesh herë nuk ndiqen penalisht derisa të bëhen armiq të qeverisë pra, shumica e ndjekjeve penale është mbi baza politike dhe prandaj nuk para ndodh që të akuzohen politikanët ose edhe nëse bëhet, nuk bëhet në mënyrë efikase. Për shembull, në Bosnje nga 26 politikanë të korruptuar ka ndodhur një akuzim i një personi madje, personi që u akuzua, iu tregua një natë përpara, që do akuzohej dhe ai u largua nga vendi. Situata këtu më kujton sigurisht situatën në Amerikën e viteve 1930 ku ishte një situatë ku Al Kapone ishte duke bërë shumë para nga pijet alkoolike të paligjshme, sepse këto ishin aktivitetet kriminale në atë kohë, dhe ai kishte bërë kaq shumë para sa kishte mundësi të korruptonte politikanë që i ofronin mbrojtje dhe sigurisht, bordero policësh, gjyqtarësh dhe çdo tendencë për të arrestuar atë apo bandën e tij ishte pothuajse e pamundur. Prandaj ishte një situatë shumë e vështirë, që zgjati për shumë vite në Çikago dhe kjo ngjason me çfarë po ndodh në shumë vende këtu në Ballkan madje këtu është edhe më keq situata se ç’ka qenë në Çikagon e viteve 1930. si u zgjidh situata atëherë në Amerikë? U zgjidh jashtë sistemit. Ishte Qeveria Federale e Uashingtonit që erdhi dhe që emëroi disa persona të paprekshëm dhe këta të paprekshmit ishin një grup oficerësh policie të cilët nuk i raportonin strukturave të zakonshme. Këtu u përdorën edhe prokurorë të Qeverisë Federale dhe jo prokurorët lokalë që mund të komprometoheshin. Ajo çfarë ndodhi ishte se duke përdorur këto teknika, nga të cilat u sulmua Al Kapone, pra ishte krijuar një grup i pavarur dhe i pakorruptuar, dhe për shkak të kohërave të atëhershme, sepse kishte ligje të Qeverisë Federale kundër pijeve alkoolike të paligjshme apo gjërave të tjera të paligjshme, dhe në fakt ata e atakuan Al Kaponen për evazion fiskal dhe kështu u fut në burg Al Kapone, për evazion fiskal. Në Shqipëri është e vështirë sepse ju nuk keni një forcë të jashtme, jashtë sistemit, por nëse qeveria dëshiron t’i tregojë popullit se është serioze, ajo mund të ngrejë një organ apo një zyrë prokurorie të posaçme për korrupsionin apo krimin e organizuar, kundër këtyre njerëzve. Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, do të duhet t’i adresojë këto çështje, sepse Bashkimi Evropian nuk ka për ta lënë Shqipërinë si pjesë të saj me kaq shumë probleme dhe ka për t’ia vështirësuar shumë Shqipërisë anëtarësimin. Prandaj Shqipërisë i duhet të demonstrojë, se i merr seriozisht këto gjëra dhe sugjerimi im është që të ketë një zyrë, një organ, të pavarur, të painfluencuar që të paktën të rekomandojë ndjekjet penale.
Nga Rudina Xhunga
Marrë me shkurtime nga emisioni “Shqip” i gazetares Rudina Xhunga

Filed Under: Interviste Tagged With: Ja si funksionon, mafia shqiptare, Rudina Xhunga

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT