Duke studjuar librin “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”, i autorit Enver Memishaj – Lepenica/
Shkruan: Eqerem Canaj, Shkrimtar, dekoruar me “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”/
Në tërësinë botimore historike, të veprave letrare – artistike, në pikturë, muzikë etj., në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, si pika më kulmore e Historisë sonë Kombëtare, një shfaqje e dukshme u realizua edhe në sferën studimore, veçanërisht, në atë monografike, gjë që la vlagë në botën shqiptare sepse paraqitej botkuptimi e vështrimi i ri i historisë, për luftën kundër përpjekjeve për të mbajtur të pushtuar bregdetin shqiptar dhe tokat e Jugut e Veriut të Shqipërisë, në përfundim të Luftës së Parë Boterore. Kundër këtyre përpjekjeve pushtuese, shqiptarët bënë Luftën e Vitit 1920, që në histori ka hyrë me emërtimin Lufta e Vlorës, është ajo luftë heroike, patriotike popullore, që do të shënonte fatin e vendit tonë.
Botimi i librit, monumental, “Major Ahmet Lepenica”, është një kontribut me vlerë, pse risjell në kujtesën kombëtare atë luftë të madhërishme popullore, atë shpërthim zjarri të brendshëm të trimave popullor të cilët u betuan: o do ta hedhim armikun në det, o do të shuhemi të tërë, siç edhe e stigmatizon autori faqe pas faqeje e kapitull pas kapitujsh, përgjatë 480 faqesh, në botimin luksoz të GEER 2012. Punë e pastër, serioze e plot përkushtim i autorit Memishaj, i cili i ka hyrë me ngulm temës historike në një sërë botimesh të suksesëshme të këtij lloji.
Të mendosh se botimi i këtij libri është thjesht një prurje për Luftën vigane të vitit 1920, do të ishte pak, brenda konceptualitetit historik e filozofik, edhe pse për këtë luftë popullore, për heronjtë, të cilët e shkruan historinë me heroizëm të pa shoqe, me gjakun e tyre. Kjo vepër është shumë më tepër, sepse ajo është një analizë e thellë historike e realizuar nga historiani, Enver Memishaj, pra kontributi i tij fiton tjetër pamje: me një vështrim të ri të Luftës së Vlorës, me përfundime të reja domethënëse, me vlerësime për personalitete të shquara dhe të mbuluar me harresë.
Përgjithësisht do të përmëndja këto momente:
* Për Luftën e Vlorës, në vitin 1920, ka mjaft krijime, veçanërisht, popullore, ajo luftë është intrepertuar si një luftë barinjsh e bujqish, sipas koncepteve antishkencore të kohës, një luftë me cfurqe, sopata e hanxharë, me gunat e dhirta, opingat me tela e ca gërshërë, u sulën përmbi një ushtri të një mbretërie dyzetmilionshe, në një ushtri të përgatitur e të organizuar me regjimente, korparmata, ndërlidhje, topa, avionë e flotë ushtarake, kryekomandanti pushtues gjeneral Gotti …, të tjerë e të tjerë.
Me një fjalë, pa mohuar edhe këtë anë: vitalitetin popullor, i cili ishte dhe mbeti një shëmbull i paarrirë asnjëherë më parë (dhe duhej të përjetësohej si i tillë nga autori), historiani Memishaj, nëpërmjet portretizimit të figurës ushtarake Major Ahmet Lepenicës i ka servirur lexuesit dhe studjuesit të linjës, se Lufta e vitit 1920 drejtohej, krahas mjaft figurave politike të kohës, Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”, prej ushtarakëve të lartë atdhetar, që kishin shkëlqyer në fushat e betejave të shumta të ish Perandorisë Otomane, si major Ismail Haki Libohova, major Ismail Haki Kuçi, kapiten Qazim Koculi, kapiten Ahmet Muka etj., oficerë që kishin marrë titullin e lartë ushtarak “Ismail Haki”, në komandë të të cilëve u emrua major Ahmet Lepenica, si Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare. Autori evidenton edhe faktin se koha e pati lënë disi në mjegull, këtë personalitet të shquar të historisë sonë që është njeri nga atyre heronjve që rishpallën Pavarësinë Kombëtare në vitin 1920.
* Uniteti i pjesëve dhe i elementëve përbërës në vepër.
Duke qenë se në vepër, në ballinën kryesore, foto dhe kryetitull është fiksuar ushtaraku “Major Ahmet Lepenica”, vetvetiu mendohet një parangjitje a përngjitje me Luftën e Vlorës, me llavën flakadanë që shpërtheu më 1920. Në një zjarr ku digjen e shkrumbohen drurë e gurë, luftëtarë që “hanë hekurin me dhëmbë” a vullnetarë të “çuditshëm” që kanë ardhur, nga tërë viset shqiptare, për të vdekur në Vlorë dhe për Vlorën.
Vërtet një shfaqje heroike, vigane, sikundër e kanë cilësuar e pranuar njëzëri të gjithë studjuesit e historianët, atë luftë. Ishte zëri i Atdheut që thërriste e tundonte. Dhe autori i librit Enver Memishaj, një studjues i kulluar dhe historian i mirëinformuar, këtë anë të rëndësishme të individit në histori, mendojmë, e ka trajtuar mirë nëpërmjet figurës së major Ahmet Lepenicës. Me pjekurinë e kthjelltësinë e një profesionisti autori na e përshkruan major Ahmet Lepenicën, si një luftëtar të çështjes sonë kombëtare që nga viti 1908, kur arnaut Ahmeti rrethoi pallatin e sulltanit deri sa ky pranoi Kushtetutën e Xhonturqve … Shkurt, sakt autori përshkruan formimin shkollor, ushtarak e botëkuptimor të heroit të veprës, falë literaturës që ai ka grumbulluar, studjuar, si dhe analizuar në të mirë të kësaj vepre patriotike që ia jep lexuesit shqiptar e, ndofta, më gjerë, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Major Lepenica, u përfshi në Lëvizjen Kombëtare që nga qershori i vitit 1912, kur zbriti në limanin e Vlorës për të shtruar vendin. Formimi atdhetar atë e hodhi në krahët e lëvizjes për liri, shkallë – shkallë ai u zgjua dhe iu përkushtua tërësisht çështjes së Pavarësisë Kombëtare, ndaj së cilës një ditë më 5 qershor 1920, do të dëftonte cilësitë e një komandanti të sprovuar në një luftë, jo të barabartë. Por, nënkuptojmë, përpos kësaj, se asnjë luftë nuk mund të fitohet pa strategji e strateg, pa taktikë e përkushtim. Këtë fakt historik e provon me mjeshtëri, autori i librit.
* Analiza, rruga efikase që ka ndjekur autori për të arrirë në përfundime të rëndësishme të veprës në fjalë.
Kemi të bëjmë me një vepër historike voluminoze, por edhe një temë e trajtuar prej penash të njohura artistike, domosdo dhe studimore e historike, edhe në kohë të tashme, kohë të trazuara, ku autorë të pa formuar mirë, orvaten të thonë diçka në një nga fushat e jetës, ose do të kopjojnë pararendsit (gjallë apo vdekur) pa iu dredhur qerpiku .
Ndryshe nga këta, Enver Memishaj ka studjuar dhe shfrytëzuar, dokumentet arkivore, dokumenta historike, literaturë të gjerë historiografike, kujtime të botuara, folklorin, gazetat dhe revistat, të harmonizuara dhe duke iu nënshtruar analizës dhe gjykimit të tij të ftohtë. Ai ka ditur të ballafaqojë veprat dhe mendimet për Luftën e Vlorës, si dhe teori, ide e pikpamje, nëpërmjet një analize logjike e botëkuptimore në përshtatje me kushtet politiko – shoqërore të kohës kur u zhvilluan ngjarjet. Nëpërmjet kësaj analize shkencore ravijëzohen mirë e bukur cilësitë dhe rëndësia e veprës historike të major Ahmet Lepenica nëpërmjet kapitujve: “Major Ahmet Lepenica bashkëluftëtar i Mustafa Qemal Ataturkut, Ismail Qemalit e Isa Boletinit”, “Mbrojtës i Pavarësisë Kombëtare 1912 – 1913”, “Çliroi krahinat jugore të Shqipërisë 1914”, “Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës 1920”, “Komandant i krahut të Vjosës 1921”, “Qarkkomandant i Xhandarmërisë Gjirokastër 1924”, “Në udhëheqje të Revolucionit të Qershorit 1924” …, etj., tregojnë qartazi se historiani Enver Memisha, përmes analizës, ballafaqimit, por edhe të portreteve të gjalla, jo vetëm i ka dhënë lexuesit një vepër e cila lexohet me interesim, porse ka vendosur edhe një gur, të skalitur mirë, në themel të historisë sonë kombëtare, thënë ndryshe, kuptojmë se rikthimi i autorit te tema e së kaluarës, është thelbi i patriotizmës shqiptare.