Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Pas rezultatit të 23 qershorit, një student 22 vjeçar i ftuar tek Opinion i Fevziut tha se «e ardhmja e rinisë shqiptare nuk duhet të orientohet dhe të jetë në varësi për të mbushur rradhët e militantëve të partive”! E kam edhe tek blogjet e botuar tek libri im Traumat e Tranzicionit, që është një detyrim kombëtar për cilëndo parti, si kusht sine qua non – për një qeverisje fair.
Po liderët e partive në Shqipëri nuk duan t’ia dinë. Ata krenohen kur shpërndajnë sa më shumë tesera partie në rradhët e rinisë, në vend që t’i jepnin rinisë siguri dhe mundësi pune për të ardhmen.
Këtyre ditëve një deputet i PD-së pati ditëlindjen. Në facebook kjo reflektohet. E njoh këtë deputet. Ka qenë bashkëpunëtori ynë kur kontribuonim tek Bota Sot. Ia botonim kolumnat. I takon gjeneratës së studentëve të dhjetorit. „E kujtoj me nostalgji atë kohë“, më ka thënë gjatë një komunikimi, kur i kujtova bashkëpunimin me ne. E pra, thashë, edhe si mik që e kam në Facebook, po e uroj. Ky zotëri në profilin e tij mban si cover foto atë të Sali Berishës, ndofta brenda kraharorit të tij mban edhe ritmet e zemrës të liderit historik të PD, por urimit tim do të duhej t’i përgjigjej, ashtu si veproi me të tjerët. Kritikat tona në adresë të PD-së kanë bërë që nëna parti të na shpallë armiq të saj. Kështë ndodh edhe sa herë kritikoj majtas. Si ngjau pas një shkrimi kritik për një gafë të Ditmir Bushatit, në postin e Ministrit të Jashtëm në OKB, kur në programin më të shikuar kabllor Amerikan të FOX TV, i pyetur nga gazetari se „A është vend fisnik Amerika ?“– Ditmir Bushati përgjigjet „Kjo është një pyetje komplekse“(!!!), kur për shumicën e shqiptarëve Amerika është vend fisnik.
Karakteristikë e politikës është se ata ndihen imun, të pagabueshëm, Zoti në qiell, ata në tokë, për konsekuencë të pakritikueshëm, tamam si Partia e Punës.
Nëse do të vazhdohet të zbulohet dhe ndëshkohet si armik gazetari që kritikon, tatëpjeta është përfundimtare. Sepse kështu po bëhet luftë klasash në kushtet e integrimeve Euro-Atlantike. Absurde dhe autoritariste kjo mendësi. Kanë plasur dasitë politike brenda familjeve si në diktaturë. Shqiptarët nuk presin këtë gjë nga Edi Rama. Partia mund të presë këtë gjë, por Shqipëria jo! Ndërkohë, që në ditët e para të qeverisjes fushata e largimeve nga puna ka arritur kulmin. Edi Rama ka premtuar se do të largojë militantët, ata që janë edhe burim i keqpërdorimit të pushtetit. Kjo do të thotë që këtë qëndrim ai duhet ta mbajë edhe për militantët e tij.
Në Shqipëri sa herë ka zgjedhje – fitorja apo humbja lidhet direkt me përfitimet apo humbjen e përfitimeve prej marrjes apo lënies së pushtetit. Dmth sa herë vjen në pushtet njëra palë, pala tjetër shpronësohet nga përfitimet e pushtetit që de jure i takon popullit. Deri tani, të dyja palët kanë qenë uzurpatore të pushtetit të popullit sepse e kanë shpërdorur këtë pushtet. Asnjëra palë nuk synon të ndërtojë shtetin e së drejtës – por veç të ndajnë plaçkën e « luftës » – sipas shprehjes « To the victor belong the spoils » – Fitimtarit i takon plaçka – e luftës.
Lufta për ndarje trofesh e postesh ka dy dekada që nuk ndalet në një Shqipëri të sfilitur nga diktatura. Partitë kanë pronë të tyre gjithçka, përfshi «superstrukturën» e kohës të diktaturës dhe elitën e tranzicionit, që tani ka hyrë në shërbim të pastër klientelist. Kemi shkrimtarët, gazetarët, këngëtarët, poetët e PS dhe të PD. Këta fitojnë privilegje dhe i humbin ciklikisht, për mbrojtjen që i bëjnë interesave të partive nga përfitojnë.
Në Shqipëri ka mijëra OJQ këtë çerek shekulli tranzicion, pasuri e madhe po të ishin në funksionin që kanë, por ato asnjëherë nuk i janë përmbajtur detyrimit ligjor dhe kanë mbetur atavizma të dy partive kryesore.
Në Perëndim ekziston institucioni think tank, i pavarur nga partitë politike, megjithëse nuk përjashtohen edhe think tank-et brenda partive, të cilët në mënyrë të pavarur analizojnë politikat publike në të gjithë sektorët që përmbledh sistemi politik – nga politikat sociale deri në strategjitë politike, të ekonomisë, shkencës, kulturës. Këto institucione janë të shenjta, në kuptimin, se qëndrimet e tyre duhet të pranohen a priori nga politika, sepse përballë deputetëve sharllatanë – janë bodyguard-ët e shtetit të së drejtës.
Rolin e një think tank-u me autoritet të pakundërshtueshëm institucional në Shqipëri do të duhet ta luante së pari Akademia e Shkencave, e cila është inekzistente. Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të duhej të kishte përcaktuar politikat afatgjata të vendit, në kuadrin e integrimeve Euro-Atlantike, përfshirë « vizat e kuqe »- të cilat nuk mund t’i shkelë asnjë parti, cilat do qofshin preferencat apo interesat e saj, përfshi politikën e jashtme. Politika e jashtme e Shqipërisë është një.
Në Shqipëri nuk ka organizma think-tank, por ka intelektualë që përfaqësojnë këtë lloj institucioni. Si Profesor Romeo Gurakuqi, i cili përbën një rast sui generis, pasi nuk shndërrohet në një konsumator të arritjeve të tij personale, në planin akademik, produkt i meritokracisë, por paraqitet në publik me qëndrime kritike, në të mirë të sistemit, i cili në Shqipëri është i rrezikuar. Po të isha unë në vend të Ed Ramës, për të garantuar suksesin, njerëz si Prof. Romeo Gurakuqi, do t’i mbaja sa më afër.
Në një prononcim nga më të fundit në një blog të tij, titulluar « Miradministrim i i Shtetit përball frymës së spoils system dhe synimeve jakobiniste » Prof. Romeo Gurakuqi konstaton duke vënë alarmin se rotacioni rrezikon të kthehet në jakobinizëm. “Spoil system” – kur fitimtari, në rastin tonë partia merr gjithçka. Jakobinizmi është një doktrinë që e organizon pushtetin në mënyrë shumë burokratike dhe shumë të centralizuar. Si lëvizje historike jakobinizmi në shekullin XX u shfaq tek BRSS. Jakobinizmi i mbështetur në justicionalizëm krijon premisa për konfrontime. Profesor Romeo Gurakuqi thotë se kësisoj vendi mbahet në një “Luftë të Ftohtë permanente”. Ku fituesit dhe humbësit kthehen në dy ushtri në luftë të hapur kundër njeri-tjetrit. Pa parime, pa moral, pa integritet – tip Ligji Xhungle.
Por qeverisje të stilit jakobinist dhe justicionaliste rrezikojnë rendin dhe sigurinë e vendit. Këtë rrezik Edi Rama duhet ta përjashtojë.