• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mustafa: Kosova as s’i ka marrë e s’i ka dhënë Malit të Zi asnjë metër tokë

March 31, 2016 by dgreca

-Lëvizja për Bashkim: T’i hapim rrugë dërgimit të çështjes së demarkacionit në arbitrazh ndërkombëtar/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 31 Mars 2016/ Kosova as nuk i ka marrë  e nuk i ka dhënë Malit të Zi asnjë metër tokë, tha sot kryeministri kosovar, Isa Mustafa, gjatë një vizite në Pejë. Kreu i qeverisë së Kosovës, pas një takimi me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri, duke iu përgjigjur interesimit  të gazetarëve për demarkacionin me Malin e Zi tha se kjo çështje nuk është diskutuar sot, por se është biseduar në takimet e mëparshme dhe se dje komisioni ndërkombëtar i ekspertëve ka dhënë një vlerësim të pavarur. “Tash është vërtetuar se as nuk kemi marrë nga malazezët e as nuk ju kemi dhënë malazezëve asnjë metër tokë. Pse njerëzit dalin dhe operojnë me 8 mijë ose 10 mijë hektarë është çështje e tyre. Por, në asnjë rast nuk është vërtetuar se një metër katror është këmbyer me Malin e Zi”, tha kryeministri Mustafa. I pyetur se a duhet demarkacioni të shkoj për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, kryeministri kosovar tha se tani kjo duhet të procedohet. “Kur do të procedohet prapë do ta shohim, konsideroj se duhet të arrijmë një pajtueshmëri, sepse territori i Kosovës nuk është vetëm i pozitës, është i qytetarëve të Republikë së Kosovës, territor për të cilin kanë përgjegjësi të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës”, u shpreh kryeministri Mustafa.

Kryetari i komunës së Pejës, Muhaxheri, tha se është  mbajtur një seancë e Kuvendit Komunal, ku me 30 vota pro është votuar rezoluta që i është drejtuar Komisionit  kosovar për demarkacion.

 “Ne si komunë, për dallim nga komunat tjera posedojmë kadastrin origjinal. Me kadastrin tonë kjo i bie se është ashtu. Është e dhimbshme sepse qytetarët tanë e mendojnë se edhe ajo pjesë e territorit i takon Republikës së Kosovës, por me dokumente nuk kemi fakte që i takon. Ana emocionale te qytetarët dhe te unë si kryetar i tyre mbetet se Çakorrin gjithmonë e kemi konsideruar kufi. Tash dokumentet nuk e aprovojnë këtë çfarë po pretendojmë ne”, tha kryetari i komunës së Pejës.

Ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë gjetur shkelje në procesin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe kanë vlerësuar se nga ky pikëvështrim procesi u është përmbajtur standardeve ndërkombëtare.

Kjo u bë e ditur dje pasdite  në një konferencë shtypi në Prishtinë, pasi anëtarët e komisionit ad-hoc të ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e procesit të demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, pas një pune dyjavore, ia dorëzuan Presidentes kosovare, Atifete Jahjaga, raportin me vlerësimet për procesin e përcaktimit të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

 “Nga aspekti ligjor dhe teknik, ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë gjetur shkelje në procesin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe kanë vlerësuar se nga ky pikëvështrim procesi u është përmbajtur standardeve ndërkombëtare”, deklaroi Jahjaga pas takimit.

Qeveria   e Kosovës në një komunikatë mbrëmë është shprehur e kënaqur me faktin se ekspertët e Komisionit ndërkombëtar nuk kanë gjetur shkelje në demarkacionin me Malin e Zi.

Komisioni vlerësues është themeluar me iniciativën dhe vendimin e nënshkruar në  15 mars 2016 të Presidentes së Republikës, pas shqetësimeve të ngritura nga opozita rreth marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për vendosjen e kufirit shtetëror.

Tre anëtarët e Komisionit janë: Fletcher M. Burton, diplomat i lartë amerikan në pension, i cili në vitin 2009 ka mbikëqyrur përpjekjet për përcaktimin e kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë, dhe Herbert Wilmes, shtetas gjerman,  i cili ka diplomë dhe  doktoraturë në gjeodezi nga Universiteti i Bonit dhe është vlerësues i hartave topografike, si dhe Fred Newton, i cili ka shërbyer për 25 vjet në policinë e porteve dhe të kufijve tokësorë të Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera të botës.

Para se të dorëzojnë raportin, ekspertët nga SHBA-ja, Britania dhe Gjermania pasi kanë dëgjuar palët në Kosovë ishin edhe në Mal të Zi.

Nga subjekti më i madh opozitar kosovar, Lëvizja Vetëvendosje, sot u deklarua se, “ne nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë dhe nga çfarëdo komisioni, vendor a ndërkombëtar, që Kosova të humbë qoftë edhe një centimetër të territorit të saj”. Këtë e deklaroi sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.

 Ndërsa, Lëvizja për Bashkim, parti e koalicionit qeverisës që udhëheqë Ministrinë e Diasporës, me ministrin Valon Murati, deklaroi sot se, “për shkak të paqartësive të mëdha që ka sjellë procesi i demarkacionit, e si rrjedhojë ka ngjallur mosbesim të madh te një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës lidhur me këtë proces, kërkon nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që duke votuar kundër, t’i hapim rrugë dërgimit të kësaj çështjeje në arbitrazh ndërkombëtar”.

Filed Under: Opinion Tagged With: : Kosova as s’i ka marrë e s’i ka dhënë, asnjë metër tokë, Behlul Jashari, MALIT TË ZI, Mustafa

SHQIPTARËT I DHANË PAVARËSINË MALIT TË ZI

April 20, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Shqiptarët ishin “Pro” Pavarësisë të Malit të Zi herët, qyshse në ma të parin Referendum, atë të 1 Marsit 1992. Me deklarata politike e publike dhe me bojkot e votim dolën hapur kundër federalizimit në Jugosllavinë drejt shpërbërjes.
Kujtesa historike dëshmon: Në fushatën e këtij Referendumi (1992) kryeministri i atëhershëm e i sotëm, Milo Gjukanoviçi me partinë e tij të Demokratëve Socialistë (DPS), lëshonte thirrje lumnuese e kërcenuese për bashkim federal me “Jugosllavinë e Tretë” të pas Titos, me Jugosllavinë e mbetur, me mikun e tij të ngushtë Sllobodan Millosheviçin. Trevat etnike shqiptare në brigje të Adriatikut deri në liqenin e Plavës dhe rrjedhave të Moraçës e Limit ia kanë ndie Gjukanoviçit hapat e fjalët evokuese e provokuese për “lidhje gjaku me serbët, krenari për luftërat sëbashku, shtet të përbashkët me zemër të hapur…”, etj. Shoveni e diktatori Gjukanoviç shkoi aq larg e lart sa i quajti “separatistë” shqiptarët nën Malin e Zi, pasi, sipas tij, këta dashkan shpërbërjen e Jugosllavisë, etj.
Përkrah federalistit Gjukanoviç, aleate ma kryesore ishte Partia Popullore, e themeluar më 1906 në kohën e krajl Nikollës dhe e rithemeltuar më 1990, parti e cila ende sotekësajdite e mban kryemoto të saj Hymnin e Krajl Nikollës të kënduar në luftëra pushtuese e aneksuese ndaj shqiptarëve, hymn që ban thirrje për të pasë kryeqytet Prizrenin (!) E treta parti që e mbështeste fort ishte Partia Radikale Serbe e antishqiptarit pa skaj, Vojisllav Sheshel, që tevona do ishte i shumkërkuar e i dënuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për Ish-Jugosllavinë.
Krejt ndryshe nga shqiptarët etnik nën Malin e Zi vepruan masivisht e aktivisht malazezë e serbë, etj. të cilët të prirë nga disa parti me frymë federaliste e prosllave, me ndikime e frymëzim edhe nga kisha ortodokse sllave në Rusi, Beograd e Çetinë, morën pjesë 66.04 për qind në votime dhe votuan 95.96 për qind e tyre “Pro” bashkimit me Jugosllavinë, të cilën tevona dashamiri me tepri i sllavëve, Havier Solana, do ta pagëzonte “Unioni Serbi e Mali i Zi” e do të thirrej si me humor politik “Solanda”.
Kontributi shqiptar për Pavarësinë e Malit të Zi duket qartë, qoftë edhe me nji krahasim të vetëm mes tri komunave “kampione” për nga popullsia e nacionaliteteve: Çetina me shumicë absolute malazeze (kryeqytet kushtetues i Fronit malazez) dhe Andrejavica, me shumicën ma të lartë serbe, votuan “Pro” federalizimit me Serbinë, përkatësisht me 95.24 për qind dhe 99.61 për qind. Ulqini, me mbi 80 për qind shqiptarë etnik, nga 15.363 banorë të rregjistruar për votim në Referendumin e 1 marsit 1992 mbi 15 për qind e tyre (2.411 vetë) ma së shumti malazezë e serbë të atyshëm, votuan për bashkim me Jugosllavinë.
2.
Shqiptarët etnik dhanë kontribut me pjesmarrjen masive e aktive në votim në Referendumin e 21 majit 2006 për Pavarësinë e Malit të Zi.
Pse pjesmarrja e shqiptarëve në Referendum ishte vendimtare?
E para: Bashkimi Europian për t’u njoft ndërkombëtarisht rezultatet e Referendumit kishte vendos kushtin “Lajçek”, i cili përcaktonte 50 për qind kufirin minimal të pjesmarrjes në votim.
E dyta, në Referendumin e vitit 1992 pjesmarrja e përgjithshme në votim ishte 66.04 për qind. Në rastin ma të keq kjo përqindje mund të ulej po të kemi parasysh se disa parti me ndikim elektoral të derisotëm si PzP (Lëvizja për Ndryshim) e Medojeviçit, LD e Bardhit, etj. banë thirrje për “neutralitet”. As “Jo” e as “Po”.
E treta: Bojktimi nga shqiptarët do të ishte problem për kritere e vlerat e Referendumit, pasi në shtetin multietnik të Malit të Zi shqiptarët etnik ishin në vend të katërt për nga popullsia.
Prapë, tjetër krahasim, me komunat me popullsi ma të madhe: Çetina, vend tradicional me popullsi malazeze deri në mbi 90 për qind, arriti në 89.7 për qind pjesmarrjen në votim. Andrejevica me mbi 65 për qind serbë (e mbi 23 për qind malazezë) siguroi 89.9 për qind pjesmarrjen në votim. Ulqini me mbi 80 për qind shqiptarë (rreth 10 për qind malazezë) kapi shifren rekord 81.7 për qind pjesmarrje në votim. Rozhaja, kryeqendër e boshnjakëve (81 për qind) ka pasë 77.5 për qind pjesmarrjen në votim.
Në këtë Referendum pjesmarrja e votuesve në Malin e Zi ishte 86.5 për qind. E kapërceu kuotën minimale të Bashkimit Europian. Pjesmarrja e shqiptarëve ishte 80 deri 90 për qind, sikurse e vet malazezëve dhe e serbëve.
3.
Shqiptarët etnik dhanë kontribut me votën e tyre “Pro” shkëputjes nga Unioni federalist me Serbinë në Referendumin e 21 majit 2006 për Pavarësinë e Malit të Zi.
Pse vota “Pro” e shqiptarëve në Referendum ishte vendimtare?
Bashkimi Europian me “kushtin Lajçek” kishte vendos një kufi të pazakontë, duheshin 55 për qind e votave “Pro” Pavarësisë për të njohur rezultatin e Referendumit, për të njohur Malin e Zi shtet të pavarur e sovran. Ndaj edhe tek një votë e vetme mund të varej fitorja e Pavarësisë ose humbja e saj.
Vota shqiptare në Referendum ishte përcaktuese për disa arsye. Së pari: struktura etnike e komunave në mes malazezëve e serbëve ishte e njëjtë: 9 me 9, sikuse edhe sot: Komuna me shumicë malazeze ishin Çetina, Danilovgrad, Nikshiqi, Podgorica, Mojkovaci, Kolashini, Kotorri, Budva e Tivari, ndërsa komunat me shumicë serbe: Andrejavica, Plevla, Zhabjaku, Shavniku, Berana, Bjellopolje, Tivat, Pluzhina, kurse në tre komunat e tjera si në Rozhajë e Plavë-Guci ishin shumicë boshnjakët e në Ulqin shqiptarët. Së dyti: mbi 70 për qind e rreth 200 mijë serbëve në Malin e Zi kishin lidhjet e veta të gjakut, tamblit, derës e pragut me Serbinë, veçanarisht në Veri, në komunat kufitare apo në afri me Serbinë e Republikën Serbe të Federatës të Bosnje-Hercegovinës. Së treti: politika unioniste me Serbinë kishte në ballë disa parti tejet aktive si Partia Popullore Socialiste, një parti social-demokrate me antarësi serbe e malazeze, e themeluar më 1997; Partia Popullore e kohës së krajl Nikolla Petroviç-Njugosh e zëdhënëse e idealeve të tij antishqiptare; Partia Demokratike Serbe, parti nacionaliste, kristian-demokrate e themeluar më 2003; Partia Popullore Serbe (tashti NOVA), parti nacionaliste, themeluar më 1998; etj. Së katërti: rezultate paraprake (sipas sondazheve) të botuara në media malazeze, ballkanike, etj. parashihnin që rreth 34 për qind e popullsisë të jenë për Pavarësinë e Malit të Zi, 31 për qind për Unionin me Serbinë dhe 24 për qind e votuesve ishin ende të pavendosur.
Nëse Mali i Zi nuk do të fitonte Pavarësinë me votën popullore të Referendumit të 21 Majit 2006, atëherë sipas Marrëveshjes së përbashkët Serbi-Mali i Zi të vitit 2003 i duhej të priste edhe tre vjet të tjera Mali i Zi për të organizuar një referendum të dytë. Kjo do të ngadalsonte zhvillimin ekonomiko-kulturor e do të vononte integrimin euro-atlantik të derisotëm në BE e NATO.
Kryetari i Komisionit të Referendumit, Frantisek Lipka, shpalli legjitimitetin e fitores së Pavarësisë të Malit të Zi me rezultat të ngushtë: mbi 55.49 për qind (55 për qind). Me një gjysëm pike diferencë. Përndryshe, për të pasë një ide ma të qartë për faktorin e faktorizimin shqiptar: 2.301 vota mbi kufirin e sanksionuar nga BE. Kësokohe, popullsia shqiptare ishte 31 mijë banorë apo mbi 5 për qind e krejt popullsisë së Malit të Zi.
Komunat në kufi me shtete ballkanike sllave patën përqindjet ma të larta “Pro” bashkimit me Serbinë: në kufi me Republikën Serbe të Federatës të Bosnje-Hercegovinës komuna Pluzhine 75.36 për qind, Plevla 63.36 për qind, Zhabjak 60.85 për qind; në kufi me Kroacinë komuna Herceg Novi me 60. 75 për qind; komuna në afri apo vijë kufi me Serbinë komunat Andrejavica me 71.89 për qind, Kolashini 57. 23 për qind, Shavniku 56.38 për qind, Berana 52. 46 për qind. Numri i shqiptarëve në këto komuna është tepër i vogël: Berana mbi 40 shqiptarë, Herceg Novi rreth 30 shqiptarë, Plevla mbi 10 shqiptarë, Kolashini e Mojkovaci dy-tre familje shqiptare, Andrejavica, Zhabjaku, Pluzhine, Shavniku asnjë shqiptar.
Komunat në kufi tokësor e ujor me Shqipërinë dhe Kosovën, që kanë popullsinë ma të madhe etnike shqiptare, kanë votue “Pro” Pavarësisë së Malit të Zi si Ulqini 87.69 për qind, Tivari 63. 07 për qind, Podgorica (përfshi edhe Tuzi-Malësi me shumicë të lartë shqiptare) me 53.22 për qind; Rozhaja 90.79 për qind (gjithë shqiptarët e atyshëm), Plavë-Gucia (si komunë–sëbashku-shqiptarët etnik e komunitetet, 78.47 për qind). Tue pasë parasysh faktin se në kit’ Referendum ndikonte edhe një votë e vetme shqiptare duhet cek edhe kontributi votues “Pro” Pavarësisë i rreth 400 shqiptarëve në komuna në brendësi të Malit të Zi si në Tivat, Budva, Kotorr, Çetina, Nikshiq e Danilovgrad.
Politikanë e analistë në dy anët e Atlantikut, personalitete zyrtare të BE, OSBE, etj., liderë malazez në Çetinë e Podgoricë deri edhe kryeministri Milo Gjukanoviçi, kanë shpreh vlerësime për kontributin e shqiptarëve në Shpalljen e Pavarësisë të Malit të Zi. Shqiptarët si territore etnike, si popullsi etnike, me votën e tyre referendare e vendimtare “Pro” Pavarësisë janë shtetformues të Malit të Zi. Shqiptarët me besën e tyre, me vlerat e virtytet e tyre, me kontributet e tyre, janë faktor progresiv në zhvillimet e integrimet e këtij shteti të vogël ballkanik, i cili në vend që t’iu jetë mirënjohës, vlerësues, bashkëpunues, po ua mohon keqas të Drejtat e Liritë Kushtetuese, po i diskriminon ashpërsisht, po i asimilon në vazhdimësi e shpërngul në tërësi nga trojet e veta etnike. Veçse diçka duhet të ketë leksion e aksiomë Mali i Zi: nuk mund të shkojë në BE e as në NATO pa Shqiptarët. Kjo po ndihet, shihet e kushtëzohet veçmas pas demonstratave kundër politikave të Gjukanoviçit të organizuara më 6-8 prill 2014 nga shqiptarët atdhetarë e demokrat në Tuzi (Malësi), Plavë-Guci e në Uashington.

Filed Under: Analiza Tagged With: MALIT TË ZI, Ramiz Lushaj, SHQIPTARËT I DHANË PAVARËSINË

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT