Nga Albana M Lifschin*/
Edgar Ellen Po duke shprehur të veçantën e kësaj gruaje, dikur u shpreh:
“Shoqëria njerëzore është e ndarë në burra, gra dhe Margaret Fuller.”
Margaret Fuller ka qënë e para femër e emancipuar, lektore, gazetare, kritike letrare e korespondente ndërkombëtare e shtypit amerikan. Ajo guxoi të kompletonte vetëveten e saj si grua duke hedhur poshtë epitetet nënvleftësuese me të cilat paragjykimet e veshin një femër. Njohëse që në fëmijëri e disa gjuhëve të huaja, gjermanishtes, frëngjishtes, gjuhës italiane, greke dhe latine, ajo u rrit në fillimet e shek. të 19, duke zhvilluar një intelekt e talent të jashtëzakonshëm.
Margaret Fuller qe redaktorja e parë e revistës intelektuale transedentale “Dial” të cilën e mbajti për dy vjet. Qe autorja e parë që shkroi një libër për jetën e tribuve indiane të Amerikës e keqtrajtimin e tyre nga të bardhët, duke u bërë kështu mbrojtëse e të drejtave të tyre.
Në dhjetor 1844 ajo u punësua nga “New York Tribune”, botuar nga Horac Greeley. Fokusi i artikujve të saj ishte sfera shoqërore dhe letrare e jetës amerikane. E pamohushme në aftësitë e saj profesionale ajo guxoi të prekte me kritikat e saj edhe emrat krijuesish të njohur të kohës madje dhe vetë Emersonin. Botimi i librit të saj “Gratë në shekullin e 19-.të “,në shkurt të vitit 1845, në Nju Jork, krijoi sensacion të madh. Libri ishte një thirrje pa kompromis për të drejtat e gruas amerikane.
Fuller kishte besim në aftësitë e cilësitë e gruas. Deklaratat e saj ishin shumë të guximshme për atë kohë. Në mes të tjerash ajo shkruante se gratë janë të afta të bëjnë çdo lloj pune madje edhe kapitene detrash, po të duan.
Në 1846, Margaret Fuller shkoi në Angli si korespondente për Nju Jork Tribune, duke u bërë kështu gruaja e parë korespondente jashtë kufijve të Amerikës. Në Angli libri i saj qe lexuar me simpati dhe i hapi shumë dyer. Ajo intervistoi mjaf personalitete të kohës si Harriet Martineau, Wordsworth, dhe De Quincey. Në Angli takoi Giuseppe Mazzinin, një emigrant revolucionar italian qëllimi i të cilit ishte të bashkonte Italinë, (Në 1847 Italia ishte e ndarë në disa shtete papale) në një republikë të vetme. Ai ishte organizator i lëvizjes së të rinjve”Italia e re”. Fuller e ndoqi Mazinin në mbledhjet me të rinjtë. Ajo kishte hyrë pakuptuar në lëvizjen revolucionare të kohës duke u bërë aktiviste e saj. Ndërkohë Fuller vazhdonte të shkruante për gazetën Nju Jork Tribune,në kohët me dramatike që po kalonte Evropa dhe mblidhte materiale për të shkruar veprën “History of Italian Liberation.”
Ajo mësoi të donte jo vetëm Italinë por edhe italianët. Ajo shkroi një artikull për Mazzinin për gazetën. Ndërkohë kur po mendonte kthimin në atdhe, në Itali ajo u njoh rastësisht me një djalë republikan, më të ri se veten: Giovani Angelo Ossoli, djalë i një familje fisnike italiane. Njohja me Ossolin i dha jetës së saj një kthesë të papritur. Pas një kohe të shkurtër djali i ri i propozoi për martesë. Ajo refuzoi dhe u largua në Milano, në veri të Italisë. Miku i saj, poeti Mickiewicz e këshillonte të mos e linte italianin e ri. Nga ana e tij Ossoli në letrat e tij çuditërisht parashikonte: “Ju do të ktheheni tek unë”. Parashikimi i dashnorit platonik doli i vërtetë. Margaret Fuller nga Milano u kthye në Romë tek Ossoli. Më vonë, ajo pat shkruar:”Veprova ashtu siç ndjeva. Gruaja ka lindur për dashuri dhe është e pamundur ta kthesh atë nga kërkimi i saj.”
Anxhelo nuk ishte intelektual si ajo, por Margarita gjeti tek ai mirëkuptimin dhe ngrohtësinë që u mungonte puritanëve, prej nga vinte ajo.
Ata e mbajtën sekret lidhjen e tyre dashurore. Ndërkohe Margarita i shkruante nënës së saj se nuk kishte qenë kurrë më e lumtur që kurse kishte qenë fëmijë. Në 5 shtator 1848 ajo lindi një djalë. I vuri emrin e të atit, me të cilin ende nuk ishte e martuar, e detyruar nga rrethanat. Anxhelo e pa foshnjën vetëm për një ditë dhe nxitoi të kthehej në Romë. Ndërkohë Fuller vazhdonte të shkruante për gazetën e saj në kohët më dramatike që po kalonte Evropa dhe mblidhte materiale për të shkruar veprën monumentale “History of Italian Liberation” . Ndërkohë shkrimet e saj në Amerikë kishin lënë shije jo fort të mirë. Ndër të tjerash Fuller shkruante: “Vendi im tani është i përkëdhelur nga prosperiteti, budallepsur nga fitimi, ndotur nga vullneti për të përjetsuar skllavërinë, turpëruar nga një luftë e paturpshme (Lufta me Meksikën) ndërsa në Evropë një shpirt më fisnik po përpiqet, po lufton…”
Anxhelo Ossoli shpëtoi nga Roma me ndihmën e saj nëpërmjet një pasaporte amerikane dhe në vjeshtë të dy të dashuruarit sëbashku me foshnjen e tyre lëvizën në Florence. Aty bënë martesën ligjore. Margareta u bë Markeza Ossoli. Ndërkohë, botuesi i gazetës së saj në Nju Jork dhe miku i saj, Horac Greeley, kishte dëgjuar thathethemet mbi dashurinë “e lirë” të Margaretës dhe i preu rrogën. Për shkak të policisë sekrete, burrë e grua vendosën ta lenë Italinë e të udhëtojnë drejt Amerikës. Kështu, në maj 1850 ata lanë Livornon. Udhëtimi qe i pafat. Në 18 korrik anija Elisabeth po i afrohej portit të Nju Jorkut. Një ndjenjë lehtësimi i pushtoi të dy. Gjatë natës pati erë në det. Në orën 4 të mëngjesit anija Elisabeth u përplas papritur me Fire Island. Varkat e shpëtimit u bënë të papërdorshme. Anija filloi të shkatërrohej. Margareta i dha brezin e saj të shpëtimit një detari i cili po përpiqej të ndihmonte njerëzit në anije.
Në breg dukeshin silueta njerëzish, të cilët çuditërisht nuk afroheshin t’i jepnin ndihmë njerëzve që po mbyteshin. Ishin piratë që po bënin sehir deri sa t’u vinte ora e grabitjes. Në orët e fundit të mbytjes së anijes kush mundi të shpëtonte, shpëtoi. Margaret Fuller nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të shpëtuar e veçuar nga burri apo fëmija. Ende me këmishën e gjatë të natës, mbante mbërthyer në gjoksin e saj foshnjën. Ky ishte imazhi i fundit i saj që rregjistroi kujtesa njerëzore. Para nisjes në këtë udhëtim të fundit për atdhe, ajo pat shkruar që jeta e saj qe zhvilluar si një tragjedi greke.
Vdekja e Margaret Fuller qe një sensasion publik. Miqtë e saj nga Bostoni erdhën në ishull me shpresë se mos gjenin ndonjë gjurmë të dorëshkrimit të saj mbi revolucionin italian. Asgjë nuk u gjet në mbeturinat e anijes veç një kutie të mbyllur me letrat e dashurisë së Margaretës dhe Anxhelos.
*Botuar tek Gazeta ILIRIA, Nju Jork, 2003
(Perfshire ne librin “Perendimi mistik” 2016)