• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DAVID L.Phillips: Marrëveshja e Washingtonit injoroi çështjen thelbësore*

September 15, 2020 by dgreca

Marrëveshja e Washingtonit injoroi çështjen thelbësore – njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka thënë David L. Phillips, ish-këshilltar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, aktualisht drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbias.

Sipas tij, me përjashtim të njohjes nga Izraeli, pjesë tjetër e marrëveshjes është një rilexim i marrëveshjeve ekzistuese.

“Marrëveshja e Washingtonit është e heshtur sa i përket njohjes reciproke, e cila qëndron në thelbin e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet për targa dhe diploma janë të mira. Por ato nuk janë zëvendësim për një marrëveshje të përgjithshme, për njohjen reciproke”, ka thënë Phillips në intervistën e javës për “Kohën Ditore”. Sipas Phillips, Shtetet e Bashkuara do të duhej të lëshonin një “deklaratë të presidentit”, duke afirmuar politikën e saj karshi Kosovës dhe duke u bërë thirrje shteteve të tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Por, siç ka thënë ai, administrata aktuale ishte e përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik rajonal, në mënyrë që Trumpi të pretendojë një sukses në politikën e jashtme përpara zgjedhjeve të SHBA-së, të cilat mbahen në nëntor. Teksa ka folur për elementet që duhet t’i përmbajë një marrëveshje finale dhe ligjërisht e obligueshme Phillips, i cili ka shërbyer si këshilltar i lartë në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara, vlerëson se Serbia është ajo që duhet të bëjë kompromise.

“Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe t’u bëjë thirrje vendeve të tjera t’i normalizojnë marrëdhëniet me Kosovën. Ajo duhet të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të mirëpresë flamurin e Kosovës që valëvitet jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar ai. Sa i takon Kosovës, sipas Phillipsit, nuk duhet dhënë asgjë më shumë përveç riafirmimit të angazhimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore serbe.

“Njohja nga Izraeli, pika e vetme historike”

KD: Z. Phillips, cili është vlerësimi juaj për arritjen e Marrëveshjes në Washington, ku Kosova dhe Serbia u zotuan para Shteteve të Bashkuara për normalizim ekonomik?

Phillips: Njoftimi i njohjes reciproke midis Izraelit dhe Kosovës është një përparim historik. Ai u dërgon sinjal vendeve të tjera se armiqësitë e vjetra duhet të braktisen dhe se kontakti, komunikimi dhe bashkëpunimi sjellin përfitime reciproke. Shumë njerëz kanë punuar në normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin gjatë shumë vjetëve. Ata meritojnë nderim. Ne gjithashtu duhet ta pranojmë rolin e administratës Trump në ndihmën e dhënë për të nënshkruar marrëveshjen.

KD: Cilat pika të kësaj marrëveshjeje konsideroni se mund t’i sjellin përfitime dhe janë të rëndësishme për Kosovën?

Phillips: Marrëveshja e Washingtonit është e heshtur sa i përket njohjes reciproke, e cila qëndron në thelbin e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Avdullah Hoti e ka bërë të qartë se marrëveshjet teknike, të tilla si bashkëpunimi ekonomik rajonal dhe personat e zhdukur, nuk janë zëvendësim për një marrëveshje të plotë dhe përfundimtare për normalizim. Marrëveshjet teknike do të rrjedhin nga një marrëveshje e përgjithshme për normalizim.

Serbia e ka humbur Kosovën si rezultat i krimeve të Milosheviqit. Serbia duhet të përballet me faktin se Kosova nuk do të kthehet më kurrë në “status quo”. Kur Serbia e pranon që Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, atëherë Serbia mund të shënojë përparim drejt bërjes së një shteti normal dhe të përfitojë duke qenë pjesë e sistemit ndërkombëtar.

KD: Në draftet fillestare të marrëveshjes ka ekzistuar edhe pika që flet për angazhim të palëve drejt njohjes reciproke, por pas refuzimit të Serbisë ajo u largua. A ka mundur të shtyhej përpara kjo çështje, meqë marrëveshja u ndërmjetësua në Shtëpinë e Bardhë?

Phillips: Shtetet e Bashkuara do të duhej të kishin lëshuar një “deklaratë të presidentit”, duke afirmuar politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi Kosovës dhe duke u bërë thirrje shteteve të tjera që ta njohin pavarësinë e saj. Sidoqoftë, administrata e Trumpit ishte përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik rajonal në mënyrë që të mund të pretendojë një sukses në politikën e jashtme para zgjedhjeve të SHBA-së në nëntor. Shumica e kosovarëve refuzojnë ndarjen, kështu që Richard Grenell e hodhi prapa idenë e shkëmbimit territorial dhe u përqendrua në çështjet ekonomike.

KD: Një marrëveshje e këtij lloji sa mund të garantojë paqen edhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Phillips: Ka pasur shumë marrëveshje teknike, por shumica prej tyre janë bllokuar nga Serbia. Bashkimi Evropian duhet të kryejë rishikimin e zbatimit të 33 marrëveshjeve ekzistuese, duke identifikuar problemet dhe madje se kush është përgjegjës për vendosjen e gurëve, dhe të intensifikojë presionin mbi Serbinë. Marrëveshjet për targa dhe diploma janë të mira. Por ato nuk janë zëvendësim për një marrëveshje të përgjithshme për njohjen reciproke. Në mënyrë që Bashkimi Evropian të bëhet një ndërmjetës efektiv, besimin mund ta ndërtojë përmes liberalizimit të vizave për ata që mbajnë pasaporta të Kosovës.

Injorimi i njohjes reciproke

KD: A mund t’i jepet kësaj marrëveshjeje epiteti i “Marrëveshjes historike”?

Phillips: Njohja e Izraelit për Kosovën është me të vërtetë historike. Pjesa tjetër e marrëveshjes është një rilexim i marrëveshjeve ekzistuese, të cilat injorojnë çështjen thelbësore – njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.

Është mirë që palët po bisedojnë dhe që SHBA-ja është e angazhuar, por le të përqendrohemi tek fundi i lojës. Derisa Serbia të njohë Kosovën, ajo do të mbetet një shtet, interesat e të cilit janë në përputhje me regjimet autoritare në Rusi dhe Kinë.

KD: Edhe pas kësaj marrëveshjeje, problemet politike mes dy vendeve mbesin, me Serbinë e cila refuzon ta njohë shtetin e Kosovës. Si e shihni zgjidhjen e këtij problemi?

Phillips: Kapitulli 35 ia ndalon Serbisë që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian derisa ta njohë Kosovën dhe të vendosë marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne supozojmë se Serbia e sheh anëtarësimin në BE si një përparësi. Sidoqoftë, strumbullari i Serbisë në Lindje hedh dyshime mbi synimet e saj për t’i dhënë përparësi integrimit euroatlantik.

Por cilat janë opsionet e tjera?

Duke plotësuar përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, Qeveria e Kosovës mund të ndjekë një udhë paralele duke i dhënë përparësi bashkëpunimit më të ngushtë me NATO-n. Takimi i së martës me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duhet të trasojë rrugën përpara.

Avancimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është hapi i parë i domosdoshëm drejt bashkëpunimit më të ngushtë në fushën e sigurisë ndërmjet Kosovës dhe NATO-s dhe anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin për Paqe (PfP). Me aplikimin e saj si kandidat në pritje për në NATO, Qeveria e Kosovës mund t’i thellojë lidhjet duke ofruar personel për t’u bashkuar me operacionet e NATO-s, të tilla si operacioni policor civil i udhëhequr nga NATO-ja, i modeluar nga një forcë xhandarmërie ose karabinieri. Personeli i Kosovës gjithashtu mund të marrë pjesë në aktivitete të veçanta të NATO-s, siç janë ndërgjegjësimi dhe asgjësimi i minave.

Anëtaret e NATO-s, si: Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – nuk e kanë njohur Kosovën. Ish-ministri i Jashtëm i Spanjës, Josip Borell, mund të luajë një rol kryesor duke e sjellë Spanjën në bord. Nëse Spanja bashkëpunon, ka më shumë të ngjarë që shtetet mosnjohëse ta zbusin kundërshtimin e tyre.

Marrëveshjes së Washingtonit i mungon një mekanizëm monitorimi

KD: Çfarë kompromisesh duhet t’i bëjnë palët për të arritur deri tek njohja e ndërsjellë?

Phillips: Është Serbia ajo që duhet të bëjë kompromise. Si një masë e ndërtimit të besimit, Kosova mund të riafirmojë angazhimin e saj për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore serbe. Kosova tashmë i ka bërë këto zotime duke mbështetur parimet e Ahtisaarit dhe përmes kushtetutës së saj, e cila është një model për të drejtat e pakicave.

KD: Kosova dhe Serbia negociojnë prej vitit 2011 nën ndërmjetësimin e Brukselit, derisa në vitin 2013 ishte nënshkruar edhe marrëveshja e ashtuquajtur për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Por shumë prej pikave të asaj marrëveshjeje nuk kanë gjetur zbatim. A mund ta presë fati i njëjtë edhe marrëveshjen e firmosur në Washington?

Phillips: Marrëveshjes së Washingtonit i mungon një mekanizëm monitorimi. Nuk ka asnjë afat kohor ose detyrim në rast se Serbia injoron angazhimet e saj. Ne e dimë nga përvoja që Serbia gjithmonë do t’i mbrojë angazhimet e saj përderisa nuk ka një presion të vazhdueshëm.

Marrëveshja e Rambujesë trasoi rrugën drejt shtetësisë së Kosovës

KD: Nëse i kthehemi së kaluarës, cilat marrëveshje konsideroni se mund të quhen “historike” në kontekstin mes Kosovës dhe Serbisë?

Phillips: Marrëveshja e Rambujesë e vitit 1999 garantoi rrugëtimin për ta zgjidhur çështjen e Kosovës në mënyrë paqësore. Sidoqoftë, Serbia kurrë nuk ishte e sinqertë në lidhje me negociatat për të parandaluar luftën.

Më vonë, në 1999, Marrëveshja e Kumanovës kërkoi tërheqjen nga Kosova të forcave serbe të sigurisë, i dha fund konfliktit të dhunshëm dhe e vendosi Kosovën në rrugën drejt pavarësisë.

Vendimi i vitit 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë duke afirmuar të drejtat kombëtare të Kosovës, hodhi poshtë pretendimin e Serbisë se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

KD: Cilat elemente mendoni se duhet t’i përmbajë marrëveshja finale me Serbinë, e cila do t’i përmbushte kërkesat për t’u quajtur “historike”?

Phillips: Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe t’u bëjë thirrje vendeve të tjera që t’i normalizojnë marrëdhëniet me Kosovën. Ajo duhet të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të mirëpresë flamurin e Kosovës që valëvitet jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara. Serbia duhet të kërkojë publikisht që Rusia dhe Kina të heqin dorë nga kundërshtimi i tyre ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB. Asgjë më pak nuk është e pranueshme.

*E dergoi per Diellin zyra e David L Phillips

Filed Under: Ekonomi Tagged With: David L.Phillips, Marrëveshja e Washingtonit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT