• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Marshi protestues, i shqiptarëve, me 1822

November 25, 2013 by dgreca

Marshimet e shqiptarëve drejt Prishtinës, në nëntorin e vitit 1988, nëpër sqotë e shi, baltë e të ftohtë, ma kujtonin marshin e madh protestues të shqiptarëve në vitin 1822, në rrugë të pambarim, në këmbë, prej Prishtinës deri në Stamboll e mbrapa./

 Shkruan: Skënder Blakaj/

Në faqet e “Rilindjes”, me titull “Rezistenca pasive”, u botuan pjesë të zgjedhura nga libri i Mahatma Gandit, “Lufta pa dhunë”. Nuk dua të ndalem e ta diskutoj faktin se mos do të thotë kjo se zbuluam njeriun,  burimin dhe mësimet e shenjta për veprim dhe për rezistencë në kushte të okupimit të rëndë, i cili te ne nuk është ndërprerë kurrë, po vetëm është sforcuar, por dua ta përkujtoj një ngjarje të madhe historike të kombit tonë këtu e 180 vjet më parë. Për atë ngjarje është botuar serbokroatisht, me 1969 në Prishtinë, një libër mjaft i dokumentuar(Revolta dhe marshi protestues i banorëve të Kosovës me 1822”, i autorit Omer Nakiqeviq, me plot faksimile, me dokumente të përkthyera nga turqishtja dhe me përshkrim të rrethanave në Ballkan dhe në Perandorinë Osmane, e posaçërisht në Kosovë, kur edhe u zhvillua ajo ngjarje. Prandaj, unë nuk do të bëj tjetër pos që do t’ua përkujtoj lexuesve këtë ngjarje. Them kështu, sepse edhe me 1978, në serinë e emisioneve dokumentare për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, trembëdhjetë emisione njëorëshe të përgatitura nga TV i Prishtinës, është përmendur ky moment i çuditshëm e tronditës, ajo luftë e rezistencës së pazakonshme pasive e popullatës shqiptare të kadillëqeve të Prishtinës, të Vushtrrisë e të Novobërdës.

Marshimet e kosovarëve drejt Prishtinës në nëntorin e vitit 1988, mijëra sish, për mbrojtjen e atij pak pushteti që ende i kishte mbetur Kosovës,  nëpër sqotë e shi, baltë e të ftohtë, ma përkujtonin marshin e madh protestues të shqiptarëve në vitin 1822 në rrugë të pambarim,  rreth dy mijë km. udhëtim në këmbë, prej Prishtinës deri në Stamboll e mbrapa.  Kurse të huajt këto marshet tona aq të njohura si rezistencë civile,  i zbuluan dhe i mikluan si lëvizje gandiste, e neve u duk se na erdhi mirë për këtë, që na ndodh edhe shkaku i mosnjohjes së historisë kombëtare. Ata që merren me çështje të reinkarnimit të shpirtit, mbase këtu do të gjenin diçka. Ku ta dish mos vajti shpirti i ndonjërit prej prijësve të marshit të madh protestues të shqiptarëve në trupin e Mahatma Gandit dhe vetë ai, mbas më se një shekulli, i përsosi edhe ato forma të rezistencës pasive! Ose, mbasi shqiptarët fort rrallë mësojnë gjë nga vetvetja, ndoshta shpirti i Gandit ka qenë në trupin e ndonjërit nga organizatorët a të prijësit të protestës shqiptare, komandant Ebu Beqirit. Sidoqoftë, në ato javë ngjarjesh të mëdha, as të organizimeve të tjera shqiptare në vitet e nëntëdhjeta, askush nuk diti t’u thotë gjithë atyre gazetarëve të huaj se ne e kishim një përvojë të ngjashme historike, njëqind e kusur vjet para se të shfaqej mësuesi ”ynë”  Mahatma, do të thotë shpirt i madh, siç e quajti populli i vet. Kurse, siç thamë, tanët ne i harruam fare. Nuk janë në asnjë skutë të historisë. Ndoshta për faktin se ky marsh i çuditshëm i shqiptarëve nuk prodhoi ndonjë rezultat. Marshi ndodhi krejt pesë muaj mbas rënies së Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës.

Anash këto, ama del pak si e çuditshme pse disa prej teksteve më të njohura të historisë kombëtare nuk e kapin këtë moment të rëndësishëm, aq më shumë kur ndodh në kohën e vlimeve jashtëzakonisht të mëdha në Ballkan dhe në tërë Perandorinë Osmane, e sidomos ndër shqiptarët (telashet me pashallëqet shqiptare e sidomos me Ali Pashë Tepelenën), prej të cilave edhe vetë ky marsh protestues i më se tremijë vetëve e trandin keqas mbarë Perandorinë? Të jetë kjo për mungesë të dokumenteve, të zbuluara vonë, apo pse forma e tillë e rezistencës nuk është vlerësuar e denjë për të gjetur vend në tekstet e historisë kombëtare, në mos e pastë mbytur zhurma e topave a hija e ngjarjeve të tjera të mëdha të asaj kohe?! Se, nganjëherë, përleshje e gjuajtje të vogla me armë, ku vriten 4-5 andej e 2-3 këndej, kanë zënë faqe të tëra të historisë, të librave e të monografive, janë bërë drama, filma e piktura, e kanë hyrë edhe në këngën e në kujtesën e popullit, kurse kjo hiç ose aq shpërfillshëm, aq sa është botuar libri i përmendur më lart dhe del se është futur  në raftet e harresës!  Pastaj, edhe një gjë paradoksale-Gandin dhe rezistencën e popullit të Indisë (nuk i thashë luftë, sepse, me gjasë,dhe ashtu duket  të jetë, kur je “pasiv”, do të thotë kur nuk lufton, dhe na del paksa qesharake apo, se do të thotë që angazhohesh për liri e pavarësi, por nuk lufton, prandaj nuk të kap as historia, ose disi ngjashëm. Ja, fundja, kanë ndërruar kohët, bindjet e doemos edhe historianët. Gandizmin në botë e popullarizuan rezultatet çlirimtare në Indi,po edhe vetë pushtuesit e Indisë, pra vetë anglezët. Bile ata së voni bënë edhe një vepër madhështore kinematografike, në të cilën pa kurrfarë kompleksi i (ri)treguan botës se si një njeri të cilin mund ta barte në strajcë cilido ushtar anglez, ndërsa dhia e atij Gandit do t’u shkonte mbrapa, e gjunjëzoi Perandorinë e Madhe. Tani le të më thotë kush se Zoti është i drejtë- shkon e u çon indusve për pushtues anglezët e civilizuar, kurse shqiptarëve të zi bizantinët që shkojnë e tretin duke lanë pas vetes dëshmi të pranisë, pos të tjerash, edhe trashëgues e vazhdues të ideve të tyre të tmerrshme, pastaj osmanët, për të cilët nuk del bir nëne që mund ta marrë me mend se me ato shallvare të gjëra e kapin kamerën e bëjnë film për Gjergj Kastriotin apo për Komandantin e marshit protestues shqiptar, Ebu Beqirin. Ose për prijësin madhështor  shqiptar, Dr. Ibrahim Rugovën dhe rezistencën  e tij civile, lëvzijen mahnitëse të mosdhunës, atë lëvizje pozitivisht shumë kryeneçe, siç ishte edhe vetë prijësi i saj, i palëkundshëm në përcaktimin e vet të lirisë e të pavarësisë. Dhe, le ta themi që, në njëfarë mënyre, del se ka popuj që kanë pasur dhe kanë fat edhe me zaptuesit që u dërgon perëndia!(Te plote mund ta lexoni ne Gazeten Dielli te printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: Marshi protestues i shqiptareve me 1822, Skender Blakaj

Artikujt e fundit

  • Penalizimet e kryeministrit për pyetje ndaj gazetarëve janë rast tipik shqiptar. Këto penalizime duhen refuzuar
  • Në Kroaci u zhvillua shkolla verore e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare
  • Rinjohja e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe roli i SHBA
  • 2 Korrik 1990 si revoltë ndaj sistemit komunist
  • Përkujtohet veprimtari i shquar i arsimit shqip Ahmet Gashi
  • EMËRTIMET E VENDBANIMEVE,  VLERA ETNO-KULTURORE  TË ÇDO MJEDISI
  • KËSHILLI BASHKIAK LIBOHOVË I JEP TITULLIN “MIRËNJOHJA E QYTETIT” (PAS VDEKJES) ATDHETARIT QERIM BAJRAM HAXHIU
  • LA PATRIE (1920) / IMZOT LUIGJ BUMÇI : “POPULLI SHQIPTAR, ME VULLNETIN E TIJ, NUK DO TA LËSHOJË KURRË VLORËN.” – SHKRESA DREJTUAR KONFERENCËS SË PAQES NË PARIS
  • KOSOVA PARA 32 VITEVE: DEKLARATA KUSHTETUESE PËR PAVARËSI E 2 KORRIKUT 1990
  • Plenumin i Brioneve në fokus të Shërbimit Inteligjencës Amerikane 1 Korrik 1966
  • JETA E NJË FËMIJË “KULAKU” NË DIKTATURË!
  • “MEDIA SHQIPTARE, RRUGËTIMI I VËSHTIRË DREJT LIRISË”
  • “Nuk mund të ketë paqe pa të vërtetën dhe pajtimin”
  • Mesazh i Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës Prof. Dr.Rifat Latifi lidhur me vaksinimin kundër COVID-19
  • PËRSE PUTINI DUHET T’A HUMBASË LUFTËN N’UKRAINË SIMBAS JONATHAN LITTELL-it

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT