• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptari që bëri Turqinë

January 11, 2014 by dgreca

Shkruan: Skender Blakaj/

Andon Zako Çajupi, në vjershën Punërat e Perëndisë, botuar me 1902 në përmbledhjen Baba-Tomori, me pezmin e të pushtuarit e të të shtypurit, e pyet Perëndinë-“Kur bëre derr’ dhe arinë/ ç’ deshe që bëre Turqinë”? Në fillim të shekullit XIX, kur Turqia po binte plotësisht, ishte Mustafa Qemal Ataturku (19.05.1881-10.11.1938), shqiptar i vogël e turk i madh, ai që e ngriti dhe e nisi udhës së qytetërimit. Disa të dhëna për këtë personalitet të shquar e të çuditshëm, i mora nga libri Ujku i murrmë i amerikanit H. C. Armstrong. Me përkthim të atypëratyshëm e kishte lexuar edhe vet Ataturku dhe kishte bërë vërejtje – Ka bërë gabim të madh qeveria që s’e ka lejuar librin e Armstrongut në Turqi. I shkreti, ka lanë mangut, nuk ka thënë shumë për qejfet e dehjet e mia. Jo tjetër. Kurse Armstrong shkruan se Mustafa Qemali kishte lindur në Selanik, nga i ati Ali Rizai, i cili kur ishte djalë i vogël kish ardhur nga malet e Shqipërisë aty dhe kishte gjetur punë në portin e Selanikut dhe nga e ama Zybideja.., babai i së cilës kishte ardhur nga malet e jugut të Shqipërisë… Edhe kur jetonte në Stamboll, ku fshehej edhe Mustafa Qemali nga sulltanistët, e ëma-e moshuar dhe krejt e verbuar, kishte dëshirë t’u fliste të burgosurëve grekë, të cilët i jepnin lajme nga fshati i saj në Shqipërinë jugore, ku kishte lindur. Kjo ishte koha e vërsuljeve të egra greke, por edhe momenti kur turqit e marrin veten dhe e mbrojnë, jo perandorinë, por atë që e quanin Turqi. Ky ishte koncepti i Mustafa Qemalit. Ai u rrit në një pjesë të Selanikut, me shumicë turqish e hebrenjësh. Kishte bërë shkolla ushtarake dhe ishte ngritur shpejt në profesion. Hove-hove çonte jetë tmerrësisht të shthurur, i dehur nga alkooli e nga gratë. Kishte pak miq. Në çaste të shpeshta të dëshpërimit, ia hapte zemrën vetëm së ëmës, që ishte grua shumë dinamike. U largohej e i largoheshin pothuaj të gjithë me mosbesim. Shumë autorë thonë se edhe për nga pamja ai ishte turk krejt jo i zakonshëm. Grindej edhe me ata që i lidhte njëfarë ideali. Ata ishin pak, madje tre prej tyre ishin shqiptarë që po përpiqeshin ta mbanin Turqinë në këmbë-Njaziu nga Resnja, Enveri nga Manastiri dhe vete Mustafa Qemali nga Selaniku. Njaziu, shqiptari i egër, si një Garibald i panënshtruar e nisi revolucionin xhonturk në Resnje e në Manastir. Nga malet në Maqedoni, Njaziu shkoi në Shqipëri dhe atje u vra. Enveri, me veprimet praktike, edhe me dredhitë ushtarake e politike, shumë gjatë e la në hije Mustafa Qemalin. Dhe grindeshin e urreheshin shumë. M. Qemali donte o të ishte i pari o s’ do të bënte asgjë. I pamëshirshëm, i përkushtuar, i pandalshëm drejt cakut, i fuqishëm në rrëmujat ushtarake, M. Qemali del e shkëlqen në skenën politike. I urrente të huajt që kishin vërshuar ta copëtojnë e ta dirigjojnë Turqinë. Në Ankara ishte pushteti provizor në fuqi. Në Stamboll ishte Sulltani, Kalifi me Vezirin e Madh dhe me ministrat, por ajo ishte një qeveri vetëm për emër…Idetë e tij ishin që bashkë me armiqtë e huaj duhet të largoheshin edhe Sulltanati, Kalifati dhe të gjitha vjetërsirat e Perandorisë Otomane, gjithë ai shkëlqim i rremë dhe ai budallallëk primitiv i trashëguar nga e kaluara. Ai do të shpallte Republikën dhe pastaj ai do të ishte sundues absolut. E mbas kësaj do ta reformonte Turqinë në çdo detaj. Herë butë e më shumë egër, por i realizoi. Qysh kur bashkohej e i shtrinte degët e Shoqatës “Vatani” ishin betuar se do ta mposhtnin tiraninë e sulltanit e ta zëvendësonin me një parlament popullor, dhe se do ta shpëtonin popullin nga hoxhallarët dhe gratë nga shamia e haremi. Mustafa Qemali vetë ishte kundër hoxhallarëve. Nuk e duronte sistemin ligjor të bazuar në Kuran, sipas tij ai zbatonte ligje irracionale. Në luftë ishte i durueshëm, frymëzues dhe nxiste krenarinë e rënë: Ju, thërriste ai, ju jeni turq! A do të zvarriteshit para këtyre grekëve që deri dje nuk ishin veçse vartësit  dhe skllevërit tuaj? Këtë unë nuk mund ta besoj. Bashkohuni, përgatituni dhe fitorja është me ne. Grekët sistematikisht digjnin dhe shkatërronin çfarë t’u dilte përpara. Mirëpo, Ai fitonte dhe ishte “Gazi” (hero) për gjithë turqit. Bëri parti, i fitoi zgjedhjet, në parlament, në Ankara, fitoi kreun e vendit. Duhej të bënte reformat dhe i qëronte pamëshirshëm hesapet me kundërshtarët. Ai do ta shkulte fenë nga shteti. Edhe hoxhallarët fanatikë do t’i detyronte të punonin si gjithë të tjerët. Ai e kish përzënë Hoxhën më të lartë nga zyra dhe e kish gjuajtur me Kuran. I kish detyruar gratë të zbuloheshin. Gruaja e tij, Latifa, e shkolluar në Evropë, ecte nëpër rrugë e veshur si burrë. M.Qemali e donte Turqinë një vend të civilizuar, por e kuptoi se duhej t’i trajtonte turqit si mësuesi nxënësit e tij. Kur nuk bënte punë mësimi, e përdorte forcën. Ai i ishte vënë punës për të ndryshuar të gjithë mentalitetin e popullit, idetë e tyre të vjetra, zakonet, veshjet, sjelljet, doket, mënyrat e të folurit, të gjitha detajet e vogla të jetës së tyre, të cilat i lidhnin ata me të kaluarën dhe me formimin e tyre oriental. Vendosi që fesi duhej të zhdukej, si shenjë dalluese e otomanëve dhe e myslimanëve. Fesi është shenjë injorance, thoshte ai. Parlamenti miratoi ligjin për fesin. Rezistenca pushoi shpejtë. Nga rreziku i burgut dhe i trekëmbëshit çdo turk doli të blejë e te vejë kapele çfarëdo që ishte, madje edhe me pupla e me fjongo. Zbatoi kodin civil zviceran me të cilin e ndryshoi statusin e familjes dhe të drejtën mbi pronësinë, ndaloi poligaminë dhe haremin dhe rregulloi në mënyrë radikale pozitën e grave, të cilat fituan të drejtën e votës dhe u ngritën në profesione të larta. Zbatoi alfabetin latin dhe vetë me dërrasë të zezë vajti edhe katundeve t’ua shpjegojë lehtësinë e përdorimit. As të burgosurit nuk mund të liroheshin po të mos e mësonin alfabetin latin. Urdhëroi pastrimin e gjuhës, të këngëve… donte të jetonte si në perëndim. Ferma ishte gëzimi i jetës së tij. Kish blerë makineritë e fundit, demat dhe derrkucët më të shtrenjtë dhe atje kalëronte shpesh. I pëlqente të luaj rolin e fermerit zotëri. Nxiti zhvillimin e bujqësisë, industrisë, ekonomisë. Thonë se Turqia e sotme është vepër e Qemal Ataturkut. Ai është njeriu që respektohet më së shumti në Turqi. Edhe makinat në të gjithë Turqinë u bien burive dhe ndalojnë, e njerëzit madje dalin e qëndrojnë në heshtje pikërisht në çastet kur ka ndaluar zemra e tij dekada më parë. Edhe Çajupi dhe njerëzit tanë të ndritur e urrenin Turqinë, pikërisht atë që e urrente dhe që e reformoi Mustafa Qemal Ataturku. Megjithatë, a nuk na duhen edhe neve prijës e ligje që na i nxjerrin nga shpirti e nga shallvaret veset tona të këqija?!

 

Filed Under: Histori Tagged With: Mustafa Qemal attaturku, Shqiptari qe beri, Skender Blakaj, Turqine

Dosjet publike dhe hijeshimi i biografive

December 26, 2013 by dgreca

*Pak kohë mbasi u bë shteti shqiptar, më 1912, kur po i zihej fryma që në lindje, sidomos nga elementët turkoshakë, qytetarët e saj të zhgënjyer e shpikën formulën -“U bë Shqipëria që të plasin shqiptarët”. /

* Paç fat atdheu ynë!/

Shkruan:Skender Blakaj/

 Me formulimin “dosje publike” de­­sha të bëj dallimin me dosjet sekrete. Të parat janë ato që dihen, kujtohen e mund të shihen, kurse të dytat janë të fshehta, prandaj edhe spekulohet aq shumë me to. Dosjet, aq shpesh janë bërë temë diskutimesh të rënda, sidomos në vendet paskomuniste. Ndoshta pse quhen dosje sekrete, ato janë aq intriguese për kategoritë më të ndryshme të qytetarëve.Një pjesë e vendeve në tranzicion, si Çekia dhe Sllovakia, Sllovenia e ndonjë tjetër, janë marrë me to, kryesisht që t’i mbrojnë institucionet shtetërore nga depërtimet e protagonistëve të dosjeve. Më heret, po edhe këto ditë me to po merret intenzivisht edhe Bundestagu gjerman. Në krye të komisionit për dosjet kanë vënë një deputete nga ish-territori gjermano-lindor. Arsyet për këtë janë fort të nënkuptueshme. Në faza të ndryshme, edhe Tirana u mor me këtë çështje. Madje, edhe Bashkimi Evropian, nga frika e ngjalljes së nostalgjisë dhe të simpatisë për komunizmin, miratoi Rezolutë me te cilën dënoi krimet e komunizmit. Nga ajo Rezolutë duhet të nënkuptojmë se ky është një standard i domosdoshëm që, veçmas vendet e dala nga diktatura,  ta dënojnë atë sistem të krimit.

Pjesë e këtij dënimi do të ishte edhe hapja e dosjeve sekrete. Tema e dosjeve sekrete nuk është temë e Kosovës, as e këtij shkrimi. Sigurisht edhe kësaj i vjen radha. Në qoftë se në Beograd mund të retushohen dosjet e argatëve të Serbisë dhe ata të patriotizohen shqiptarisht me ndonjë veprim të tejdukshëm, ka argumente se sigurisht që dosjet e njëjta si në Beograd, ruhen edhe në kryeqytetet e ish-republikave jugosllave.

Administrata ndërkombëtare në Kosovë ia pat dalë që në vende të rëndësishme në Kosovë t’i instalojë ish kuadrot shqiptare të Beogradit. Ata dihen, mbi bazën e veprimeve publike, pa fantazuar se çfarë mund të ketë në dosjet sekrete për ta. Krejt kjo me qëllimin që të jenë njëfarë elementi qetësues për serbët, duke qenë njerëz të tyre. Katranosja e akëcilit, duke parashikuar përmbajtje të dosjeve sekrete, nuk është produktive. Por, nuk është keq të jenë në qarkullim gjithë ato që mund të përfshiheshin brenda kapakëve që mund t’u themi “dosje publike”, në situatën kur kjo kategori bëhen pengesë e çlirimit personal e kolektiv të qytetarëve të secilit vend si Kosova. Personave, që janë ekspozuar me angazhim të sforcuar projugosllav, e antishqiptar, që kanë ndjekur, burgosur, dënuar e likuiduar, që kanë vepruar aq fuqishëm për Serbinë Republikë, që tash ia kanë zënë frymën vendit tonë me praninë e tyre në skenën politike e në media, që të mos e ndotin përcaktimin e shenjtë për Kosovën Republikë, duhet t’u shqyhet karrigia e goja.

Me turrin, trimërimin dhe insistimin që të na hipin rishtas në krye, duke hijeshuar biografitë personalisht a përmes argatëve që i kanë në politikë e në media, me të cilët i lidh litari i biografive të ngjashme, në rrethanat pa tutorë e pa sapunët e tillë, do të kundërmojnë dhe fundi e vendi i merituar për ta duhet të ishin kontejnerët politikë. Kjo nuk do të nënkuptonte as prishje, as humbje të qetësisë a të jetës së tyre, por mbrojtje të qetësisë e të jetës për qytetarët e zakonshëm, gjithsesi.

Ky është një prej parakushteve për rehati, të cilin shteti doemos duhet t’ua garantojë qytetarëve të vet. Parakusht që garanton se nuk do të na neveritet liria, pavarësia, atdheu, shteti.

Pak kohë mbasi u bë shteti shqiptar, më 1912, kur po i zihej fryma që në lindje, sidomos nga elementët turkoshakë, qytetarët e saj të zhgënjyer e shpikën formulën -“U bë Shqipëria që të plasin shqiptarët”.

Mbas njëqind vjet vetmie, urojmë që kjo copë e atdheut tonë të shprishur, Kosova jonë, këtë Vit të Ri, dhe gëzimin e mëvetësimit ta rrisë me perspektiva të zhvillimit dhe të integrimeve frytdhënëse në shkallë të kombit e të kontinentit ku jemi.

Paç fat atdheu ynë!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Dosja publika, dosjet, hijeshimi i biografise, Pac fat Atdheu Yne, Skender Blakaj

Dilema migjeniane: Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun

December 15, 2013 by dgreca

Shkruan: Skender BLAKAJ/

Duket si në përrallë-po ëndrra ishte e gjatë dhe e përgjakshme. Ama, Kosova nuk u bë Shqipëri, por u bë shtet. Edhe kjo po i lë pa gjumë ish-çifçinjtë e saj serbë, të cilët, kur e robëruan, u kthyen në padronë dhe e dhunuan barbarisht 100 vjet. Në kryeveprën e vet, “Darka e gabuar”, Ismail Kadare vetëtin e godet si rrufeja, me çështje të mëdha që janë preokupime dhe përjetime të rënda të jetës së kombit. Epiqendër gjeografike e ngjarje­ve të veprës është vendlindja e tij, Gjirokastra. Në mënyrën e tij, me plot retrospektiva, kalon nga ita­lia­nët e gjermanët aty, e nga këta te komunistët e te universi komunist, me aferat e komplotet, në të cilat Gjirokastrën duan ta bëjnë qendër. Me një penel të shpejtë, po të përndeztë, e vringëllon trazimin e qytetit me të cilin jetojnë edhe sot shqiptarët – “ai bënte që banorët e qytetit, për shkak të bujqve grekë që punonin në pronat e shqiptarëve si çifçinj, të kishin një përfytyrim të shtrajtuar jo vetëm për grekët, por edhe për gjithë greqizmin, bashkë me shtetin grek, me politikën, madje me gjuhën e tyre.” Kurse, degëzimit tjetër tronditës të kësaj teme i kthehet dy-tri herë, si një bërthame atomi, që të bën shkrumb. Sipas qëndrimeve e bisedave politike “Shqipëria s’kishte pse të futej në grindje verbazi, pa parë volinë e saj. Gjermania vërtetë ishte pushtuese, por Rusia e kuqe s’ishte më e mirë. Veç kësaj, Gjermania sillte Kosovën e Çamërinë, kurse Rusia, veç kolkozeve, nuk sillte asgjë. Madje, kishte gjasë që fjalët “Shqipëri etnike”, në fletushkat gjermane, në vend që t’i gëzonin, i kishin acaruar komunistët. Kishte gjasë që edhe padurimi për luftë andej vinte. Dhe kjo ishte e natyrshme, përderisa në krye të tyre kishte dy a tre shefa serbë, për të cilët fjalët “Shqipëri etnike” ishin mortje e shkuar mortjes… Kalo zoti gjerman ashtu siç premtove, transit. Mos më nga, s’të ngas.  Achtung! U theve brinjët Greqisë e Serbisë? Puna jote! Jepmë mua Kosovën e Çamërinë, jawohl!”

Nga këto pjesë te veprës brilante të Kadaresë, që ua përkujton shqiptarëve e të huajve se Shqipëria as nuk mbaronte aty diku te Kukësi, as te pikat tjera, le të bëjmë pak shfletime të “Letrave të konsujve serbë nga Prishtina, 1890-1912”, në kohën kur kryeqyteti i tashëm i Kosovës ishte brenda Perandorisë Osmane. Mbas Kongresit të Berlinit, 1878, me diplomaci, me pushkë e me topa, ishte vendosur njëfarë paqeje në këtë pjesë të Evropës. Perandoria Osmane i lejon Serbisë hapjen e konsullatës në Prishtinë. Shumë shpejt shqiptarët e vrasin konsullin e parë para zyrave të tij, më 1890, “sepse kjo është kapia nëpër të cilën Serbia do të arrijë në Kosovë”. Normalisht, Serbia nuk hoqi dorë, dhe nga viti 1890-1913, kur e kishte pushtuar Kosovën barbarisht, në Prishtinë si konsuj shërbyen personalitete të njohura, madje kryeintelektualë serbë. Krahasojeni me diplomacinë e sotme të Kosovës së shkretë! Këto raporte të konsujve serbë u botuan vitet e fundit në dy vëllime të mëdha dhe, natyrisht,  pa përjash­tuar tendencën tepër antishqiptare të raportuesve, janë një dimension tejet interesant për historinë tonë, po edhe për qëndrimet e habitshme të prijësve shqiptarë. Edhe pse të programuar e me mision të ngulitur që të punojnë që Kosova patjetër të bëhet Serbi, aq shpesh në raporte për Kosovën u përvidhet emërtimi Shqipëri, kurse për serbët, duke përshkruar mjerimin e tyre, theksojnë që janë bujq të patokë e çifçinj në pronat e shqiptarëve dhe që zullumin ndaj serbëve, si diçka gati e logjikshme, e bëjnë kryesisht muhaxhirët shqiptarë që i dëboi Serbia nga pronat e veta nga Sanxhaku i Nishit.

Edhe socialdemokrati serb D. Tucoviq, në librin “Serbia dhe Shqipëria”, 1914, kur përmend kërkesat dhe pjekurinë politike të shqiptarëve për pavarësi, thekson: ”E tërë Shqipëria Veriore, me kryeqendrat e saj: Shkodrën, Prizrenin, Gjakovën, Pejën e Prishtinën, brenda një apo dy muajve u pastrua prej pushtetit dhe prej garnizoneve ushtarake turke. Në Shqipëri u bë një kryengritje revolucionare e përgjithshme”. Autori tjetër, M. Obradoviq, në librin serbisht “Reforma agrare dhe kolonizimi i Kosovës 1918-1941”, përgatitur e botuar në Prishtinë më 1981, nën mbikëqyrjen e akademik Ali Hadrit, e përkufizon nocionin e çifçinjve, çfarë ishin serbët në Kosovë: “Çifçija është bujk që ka pak tokë dhe punon në çifluk. Shumica e çifçinjve, megjithatë, nuk kishin tokë të veten”. Ai citon vendimin shtetëror: “Duhet përpjekur që në afat sa më të shkurtër masat e forta e kompakte të shqiptarëve të shpërbëhen duke sjellë midis tyre së paku 50% sllavë”.  Pa trojet tjera shqiptare në Jugosllavi, shifrat vetëm për Kosovën janë tme­rruese. Nga 475.000 banorë, sa ishin më 1910,  edhe përkundër vrasjeve e dëbimeve masive që bëjnë serbët, përmes kolonizimit, në vitin 1940 numri rritet në 666.900 banorë, ose për 39.54%. Pa përmendur këtu gjithë dhunën e zhvendosjet në kohën e komunizmit.

Qeveria e Kosovës ka caktuar fonde disa milionëshe që ta dëshmojë para botës se shqiptarët nuk po e marrin tokën e Serbisë. Po, sigurisht, po i ruan derisa Beogradi t’i kryejë punët e veta.

Kosova ka pavarësinë, kushtetutën, njohjet, Shqipëria në NATO, ndërtimet, udha e kombit, asfaltet, dhe prapë jeta e shqiptarëve është aq jocilësore. Kurse krerët, në vend se me detyrat e posteve që i kanë, janë të zënë me punët e veta, të klanit, të farefisit. Privilegjet e veta, në kësi mjerimi, nguten t’i beto­nojnë me ligje. Kur e hetojnë “shkëlqimin” e zbehur, vrap në Tiranë a në Prishtinë, me qilima të kuq, me parada, fjalime e dekorata “Skënderbeu”, qytetar nde­ri, trimi i Kosovës etj., të shpërndara me lehtësi si bizhuteri të lira të buzërrugës, si parodizime me vetveten e, edhe si kapardisje shpërfillëse për miqtë e jashtëm që po na e hapin udhën e i kanë ngarkuar në shpinën e vet shpresat tona. Ndërsa lidhjet politike, ekonomike e kulturore, aq të domosdoshme për integrimet kombëtare, janë në shkallë dëshpëruese. Si protagonistë të absurdit, si do të dukej që krerët e qendrave shqiptare ta shpallnin njëri-tjetrin qytetar nderi në ndonjë nga katundet krejtësisht të boshatisura për mungesë të kushteve më elementare për jetë. E dëgjova me tmerr një analist serioz nga Tirana kur tha se në Kuvendin e tashëm të Shqipërisë 13 ish-kryepolicë të kohës së diktaturës janë deputetë, kurse në Kosovë është në qeverisje një simbiozë e rrezikshme e titistëve dhe e enveristëve, si një bashkim-vëllazërim i hershëm Beograd-Tiranë, që mund të prodhojë murtajën. Kjo duhet të evitohet, por pa stupca, siç bëjnë kombet e civilizuara, anise e zorshme. Kush mund ta harrojë 23 marsin e vitit 1989, kur shpejt bëhen 25 vjet nga dita kur Millosheviqi ia hoqi Kosovës elementet e njësisë federalformuese, dmth. atë formë shtetësie. Reagimi protestues i shqiptarëve u shua me gjak e me shumë viktima. Në skenë e në prapaskenë, këtë akt e ndihmuan edhe  shumë shqi­ptarë, madje edhe titullarë të tashëm të institucioneve të Kosovës. Ferri ynë i pastajmë dihet. M. Ahtisari e tha asokohe se ky veprim i Beogradit ishte argument i fortë për ndërtimin e Pakos së tij për Kosovën. Si pjesë e absurdeve tona, për këtë akt të tërthortë atdhetarie, ndihmësit e atëhershëm të Sllobës, rrezik që vie dita e ndoshta edhe mund të dekorohen nga Kuvendi i Kosovës.

Tash, përballë dilemës migjeniane – Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun – zgjidhni! Megjithatë, pavarësisht zhgënjimeve, a nuk kemi hyrë atje ku ishim moti, në orbitën përendimore, dhe së bashku me të, doemos që do të sillemi e do të lëvizim edhe na.

Dhe, jemi në prag të festave. Gëzuar!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: apo derr i kenaqun, dilema migjeniane, Skender Blakaj, Sokrat i vujtun

Tema e dosjeve dhe patrioti i Serbisë Esat Pashë Toptani

December 5, 2013 by dgreca

Shkruan: Skender BLAKAJ/

Kërkesa e logjikshme e Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, zotit Barack Obama, për mendim të shërbimeve inteligjente për kandidatët për titullarë shteti a nuk na kthen te historia e qeverive tona që nga Vlora e deri në ditët e tashme, dhe te tema e dosjeve, e pëshpëritur dhe e bërtitur aq shpesh, por e ngelur në vend. Në mos nga frika e vetë krerëve të shtetit që të futen nëpër rëntgen të tillë. Ndërtimi i institucioneve shtetërore të pandikuara nga njerëz të agjenturave të huaja, është kërkesë elementare. Ose shteti bëhet si kali që e ushqejmë vetë dhe i hipin të tjerët. Shembulli më tipik në historinë tonë sigurisht që është Esat Pashë Toptani, i cilësuar gjithnjë si sinonim i tradhtarit të kombit të vet, por që aq shpesh ishte ministër, dyfish ministër e guvernator Shqipërie, i pranuar edhe nga forcat e huaja. Këto ditë lexova shkrimin e gjatë të një historiani serb për Esat Pashën, bazuar në dokumente me burim nga qeveritë serbe me të cilat ishte aq i lidhur pashai toptanas. Normalisht që shkrimi tenton ta nxjerrë pashain si njeri me vizion, i cili e ka preferuar më shumë bashkëpunimin me Serbinë, qoftë edhe duke bërë “disa” lëshime territoriale, që gjoja shteti i tij të mos ishte instrument i huaj, sidomos i Austro-Hungarisë. Komandant në Shkodër, mbas rrethimit serbo-malazez, dhe përkundër mbrojtjes heroike të banorëve dhe të garnizonit të gjeneralit turk Hasan Riza Pasha, E. P. Toptani e vret pashain turk, e dorëzon qytetin e Shkodrës dhe me ushtarët e vet tërhiqet prej aty. Kjo ishte tradhti aq e gjykuar ashpër në opinionin shqiptar, por njësoj, ky në shtator të vitit 1913, në Durrës, shpallet guvernator i Shqipërisë. Lidhjet me Serbinë i forcon edhe më shumë përmes diplomatit të saj në Durrës. Në fillim të vitit tjetër imponohet në krye të delegacionit që ia dorëzon kurorën e Shqipërisë princ Vidit në Gjermani. Në qeverinë e Vidit, figura qendrore, ministër i Ushtrisë dhe ministër i Brendshëm, bëhet pikërisht vegla e Serbisë, E.P. Toptani. Në marrëveshjen me Nikolla Pashiqin në Nish, kishte pranuar dogana, ushtri,  institucione e deri edhe union të përbashkët me Serbinë, me kusht që ushtria serbe ta mbrojë personin e tij sa herë t’i rrezikohet pozita politike në vend. E kishte marrë obligim edhe mbrojtjen e “Serbisë” së zgjeruar, nga “rebelët”  shqiptarë. Kur ndodhin lëvizjet kryengritëse antiserbe në veri të Shqipërisë, Esat Pasha shpejt e njofton qeverinë serbe se po niset me forcat e veta kundër fiseve katolike, se do ta mposhtë Shkodrën dhe se do t’i burgosë krerët e Kosovës, Isa Boletinin, Bajram Currin e Hasan Prishtinën, që të mos i bëjnë telashe Serbisë në ato vise. Gjatë luftërave ballkanike, Serbia e merr veriun dhe Shqipërinë e mesme dhe e mbron “sundimin” e Esat Pashës në Durrës e rrethinë. Plasja e Luftës së Parë Botërore e përmbys situatën. Kur Austro-Hungaria i vërsulet Serbisë, mbasi serbët vrasin Franc Ferdinandin, qeveria serbe, përfshirë edhe mbretin, tërhiqen nëpër Shqipëri drejt detit tek anijet e aleatëve. Në dimrin e 1915/16, në këtë rrugë nisen 220.000 ushtarë dhe në Korfuz arrijnë nja 139.750, kurse nga turma prej nja 200.000 të ikurish serbë para ushtrisë A/H, arrijnë vetëm nja 60.000. Çfarë kishin pësuar shqiptarët nga kjo turmë e egër dhe e uritur, vështirë të përmblidhet këtu. Autori serb thotë që humbjet do të ishin shumë më të mëdha sikur të mos i mbronte e të mos i ndihmonte gjatë rrugës E. P. Toptani me njësitë e tij. Kur ushtria serbe kalon në frontin e Selanikut edhe ky i bashkëngjitet me 1000 ushtarë dhe mbas bisedave me mbretin serb aty dhe me N. Pashiqin në Nish, merr obligimet për vete, po edhe premtimet e tyre për postin e tij pas luftës. Ndër obligimet ishte edhe përzierja e ushtarëve të tij me ushtrinë e me uniformat serbe në luftë kundër “rebelëve” shqiptarë në Kosovë. Në prag të Konferencës së Paqes në Paris, i shkruan kryetarit të SHBA-së, Vudrou Uillson se vetëm shteti jugosllav mund ta garantojë integritetin dhe pavarësinë e vendit të tij, Shqipërisë. Delegacionin e jugosllavëve në Paris e kryesonte N.Pashiqi, dhe Esati “ynë” kishte vajtur pranë padronit të vet “të mbronte” Shqipërinë si e donin serbët. Më 13 qershor të vitit 1920, studenti dhe patrioti shqiptar Avni Rrustemi e vret para hotelit “Kontinental”. Interesant është po ashtu përfundimi i këtij shkrimi: me nderimet më të larta ushtarake, Esat Pasha u varros në varrezat “Tje” afër Parisit, bashkë me ushtarët serbë.

Ku e la E. P. Toptani lidhjen me Beogradin, e vazhdoi Ahmet Beg Zogu, dhe nga luksi i hoteleve të atjeshme, serbët e instaluan në pushtet në Tiranë më 1924. Nolin e ithtarët e tij Zogu i dëboi e i vrau ku i gjeti.

Pjesa më e tmerrshme e këtij rrëfimi është vazhdimi i marrëdhënieve edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore e mbas saj, pothuajse me të njëjtin nënshtrim shqiptar e me të njëjtat kërkesa jugosllave. Beogradi ndërron taktikë, dërgon mugoshët e popoviqët që ta instruktojnë një parti e një ushtri e jo vetëm ndonjë toptan a zogoll. Partizanët e Shqipërisë, bashkë me ata të Kosovës e të Serbisë, mbi bazën e premtimeve vëllazëruese, dhe të konfederatës ballkanike, egërsisht bënë spastrimin e nacionalistëve dhe të antikomunistëve shqiptarë në Kosovë. Pastaj vazhduan sundimin e gjatë komunist, këndej e andej kufirit. Viktimat e atij sundimi ishin me mijëra. Në viset shqiptare në Jugosllavi ndodhën në kohën e miqësisë më të madhe të Tiranës me Beogradin, të Enverit me Titon. Prijës të lëvizjes antikomuniste e antiserbe, të NDSH-së sidomos, u dënuan e likuiduan barbarisht. Një numër, shpëtimin e kërkonin kryesisht nëpër Greqi. Që Shqipëria të mos bëhej leckë në prapanicën e Beogradit, e shpëtoi prishja Tito-Stalin. Shqiptarët mbetën robër të ideologjisë andej e robër të dyfishtë në Jugosllavi, me një grusht veglash qorre të Beogradit. Pas skëterrës njëqindvjeçare nën Serbinë, Kosova doli, u bë shtet dhe krerët e saj e prishen gjumin dhe duhet ta mbrojnë Kosoven shtet. Komunistët e egjër tash mund të jenë vetëm dëshmitarë të thinjur të krimeve, po dishepujt e tyre vetëm hapja e plotë e dosjeve mund t’i nxjerrë toptan si minjtë nga talla e pushtetit ku po struken.

Filed Under: Analiza Tagged With: Esat toptani, patrioti i Serbise, Skender Blakaj, tema e dosjeve

Marshi protestues, i shqiptarëve, me 1822

November 25, 2013 by dgreca

Marshimet e shqiptarëve drejt Prishtinës, në nëntorin e vitit 1988, nëpër sqotë e shi, baltë e të ftohtë, ma kujtonin marshin e madh protestues të shqiptarëve në vitin 1822, në rrugë të pambarim, në këmbë, prej Prishtinës deri në Stamboll e mbrapa./

 Shkruan: Skënder Blakaj/

Në faqet e “Rilindjes”, me titull “Rezistenca pasive”, u botuan pjesë të zgjedhura nga libri i Mahatma Gandit, “Lufta pa dhunë”. Nuk dua të ndalem e ta diskutoj faktin se mos do të thotë kjo se zbuluam njeriun,  burimin dhe mësimet e shenjta për veprim dhe për rezistencë në kushte të okupimit të rëndë, i cili te ne nuk është ndërprerë kurrë, po vetëm është sforcuar, por dua ta përkujtoj një ngjarje të madhe historike të kombit tonë këtu e 180 vjet më parë. Për atë ngjarje është botuar serbokroatisht, me 1969 në Prishtinë, një libër mjaft i dokumentuar(Revolta dhe marshi protestues i banorëve të Kosovës me 1822”, i autorit Omer Nakiqeviq, me plot faksimile, me dokumente të përkthyera nga turqishtja dhe me përshkrim të rrethanave në Ballkan dhe në Perandorinë Osmane, e posaçërisht në Kosovë, kur edhe u zhvillua ajo ngjarje. Prandaj, unë nuk do të bëj tjetër pos që do t’ua përkujtoj lexuesve këtë ngjarje. Them kështu, sepse edhe me 1978, në serinë e emisioneve dokumentare për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, trembëdhjetë emisione njëorëshe të përgatitura nga TV i Prishtinës, është përmendur ky moment i çuditshëm e tronditës, ajo luftë e rezistencës së pazakonshme pasive e popullatës shqiptare të kadillëqeve të Prishtinës, të Vushtrrisë e të Novobërdës.

Marshimet e kosovarëve drejt Prishtinës në nëntorin e vitit 1988, mijëra sish, për mbrojtjen e atij pak pushteti që ende i kishte mbetur Kosovës,  nëpër sqotë e shi, baltë e të ftohtë, ma përkujtonin marshin e madh protestues të shqiptarëve në vitin 1822 në rrugë të pambarim,  rreth dy mijë km. udhëtim në këmbë, prej Prishtinës deri në Stamboll e mbrapa.  Kurse të huajt këto marshet tona aq të njohura si rezistencë civile,  i zbuluan dhe i mikluan si lëvizje gandiste, e neve u duk se na erdhi mirë për këtë, që na ndodh edhe shkaku i mosnjohjes së historisë kombëtare. Ata që merren me çështje të reinkarnimit të shpirtit, mbase këtu do të gjenin diçka. Ku ta dish mos vajti shpirti i ndonjërit prej prijësve të marshit të madh protestues të shqiptarëve në trupin e Mahatma Gandit dhe vetë ai, mbas më se një shekulli, i përsosi edhe ato forma të rezistencës pasive! Ose, mbasi shqiptarët fort rrallë mësojnë gjë nga vetvetja, ndoshta shpirti i Gandit ka qenë në trupin e ndonjërit nga organizatorët a të prijësit të protestës shqiptare, komandant Ebu Beqirit. Sidoqoftë, në ato javë ngjarjesh të mëdha, as të organizimeve të tjera shqiptare në vitet e nëntëdhjeta, askush nuk diti t’u thotë gjithë atyre gazetarëve të huaj se ne e kishim një përvojë të ngjashme historike, njëqind e kusur vjet para se të shfaqej mësuesi ”ynë”  Mahatma, do të thotë shpirt i madh, siç e quajti populli i vet. Kurse, siç thamë, tanët ne i harruam fare. Nuk janë në asnjë skutë të historisë. Ndoshta për faktin se ky marsh i çuditshëm i shqiptarëve nuk prodhoi ndonjë rezultat. Marshi ndodhi krejt pesë muaj mbas rënies së Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës.

Anash këto, ama del pak si e çuditshme pse disa prej teksteve më të njohura të historisë kombëtare nuk e kapin këtë moment të rëndësishëm, aq më shumë kur ndodh në kohën e vlimeve jashtëzakonisht të mëdha në Ballkan dhe në tërë Perandorinë Osmane, e sidomos ndër shqiptarët (telashet me pashallëqet shqiptare e sidomos me Ali Pashë Tepelenën), prej të cilave edhe vetë ky marsh protestues i më se tremijë vetëve e trandin keqas mbarë Perandorinë? Të jetë kjo për mungesë të dokumenteve, të zbuluara vonë, apo pse forma e tillë e rezistencës nuk është vlerësuar e denjë për të gjetur vend në tekstet e historisë kombëtare, në mos e pastë mbytur zhurma e topave a hija e ngjarjeve të tjera të mëdha të asaj kohe?! Se, nganjëherë, përleshje e gjuajtje të vogla me armë, ku vriten 4-5 andej e 2-3 këndej, kanë zënë faqe të tëra të historisë, të librave e të monografive, janë bërë drama, filma e piktura, e kanë hyrë edhe në këngën e në kujtesën e popullit, kurse kjo hiç ose aq shpërfillshëm, aq sa është botuar libri i përmendur më lart dhe del se është futur  në raftet e harresës!  Pastaj, edhe një gjë paradoksale-Gandin dhe rezistencën e popullit të Indisë (nuk i thashë luftë, sepse, me gjasë,dhe ashtu duket  të jetë, kur je “pasiv”, do të thotë kur nuk lufton, dhe na del paksa qesharake apo, se do të thotë që angazhohesh për liri e pavarësi, por nuk lufton, prandaj nuk të kap as historia, ose disi ngjashëm. Ja, fundja, kanë ndërruar kohët, bindjet e doemos edhe historianët. Gandizmin në botë e popullarizuan rezultatet çlirimtare në Indi,po edhe vetë pushtuesit e Indisë, pra vetë anglezët. Bile ata së voni bënë edhe një vepër madhështore kinematografike, në të cilën pa kurrfarë kompleksi i (ri)treguan botës se si një njeri të cilin mund ta barte në strajcë cilido ushtar anglez, ndërsa dhia e atij Gandit do t’u shkonte mbrapa, e gjunjëzoi Perandorinë e Madhe. Tani le të më thotë kush se Zoti është i drejtë- shkon e u çon indusve për pushtues anglezët e civilizuar, kurse shqiptarëve të zi bizantinët që shkojnë e tretin duke lanë pas vetes dëshmi të pranisë, pos të tjerash, edhe trashëgues e vazhdues të ideve të tyre të tmerrshme, pastaj osmanët, për të cilët nuk del bir nëne që mund ta marrë me mend se me ato shallvare të gjëra e kapin kamerën e bëjnë film për Gjergj Kastriotin apo për Komandantin e marshit protestues shqiptar, Ebu Beqirin. Ose për prijësin madhështor  shqiptar, Dr. Ibrahim Rugovën dhe rezistencën  e tij civile, lëvzijen mahnitëse të mosdhunës, atë lëvizje pozitivisht shumë kryeneçe, siç ishte edhe vetë prijësi i saj, i palëkundshëm në përcaktimin e vet të lirisë e të pavarësisë. Dhe, le ta themi që, në njëfarë mënyre, del se ka popuj që kanë pasur dhe kanë fat edhe me zaptuesit që u dërgon perëndia!(Te plote mund ta lexoni ne Gazeten Dielli te printuar)

Filed Under: Featured Tagged With: Marshi protestues i shqiptareve me 1822, Skender Blakaj

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!
  • Kalendar: 24 Marsi 1999, Dita që i hapi shteg Lirisë e Pavarësisë së Kosovës
  • LIRIE (LYDIA) MEMETI, NJË HISTORI SHQIPTARE FRYMËZUESE
  • Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!
  • Tregimi për zonjat e suksesit shqiptar- ideja që jeton pa kohë
  • Ish-diplomati Syla, ftesë qeverive tona t’i promovojnë shtetet në SHBA, Kanada dhe Izrael

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT