• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dilema migjeniane: Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun

December 15, 2013 by dgreca

Shkruan: Skender BLAKAJ/

Duket si në përrallë-po ëndrra ishte e gjatë dhe e përgjakshme. Ama, Kosova nuk u bë Shqipëri, por u bë shtet. Edhe kjo po i lë pa gjumë ish-çifçinjtë e saj serbë, të cilët, kur e robëruan, u kthyen në padronë dhe e dhunuan barbarisht 100 vjet. Në kryeveprën e vet, “Darka e gabuar”, Ismail Kadare vetëtin e godet si rrufeja, me çështje të mëdha që janë preokupime dhe përjetime të rënda të jetës së kombit. Epiqendër gjeografike e ngjarje­ve të veprës është vendlindja e tij, Gjirokastra. Në mënyrën e tij, me plot retrospektiva, kalon nga ita­lia­nët e gjermanët aty, e nga këta te komunistët e te universi komunist, me aferat e komplotet, në të cilat Gjirokastrën duan ta bëjnë qendër. Me një penel të shpejtë, po të përndeztë, e vringëllon trazimin e qytetit me të cilin jetojnë edhe sot shqiptarët – “ai bënte që banorët e qytetit, për shkak të bujqve grekë që punonin në pronat e shqiptarëve si çifçinj, të kishin një përfytyrim të shtrajtuar jo vetëm për grekët, por edhe për gjithë greqizmin, bashkë me shtetin grek, me politikën, madje me gjuhën e tyre.” Kurse, degëzimit tjetër tronditës të kësaj teme i kthehet dy-tri herë, si një bërthame atomi, që të bën shkrumb. Sipas qëndrimeve e bisedave politike “Shqipëria s’kishte pse të futej në grindje verbazi, pa parë volinë e saj. Gjermania vërtetë ishte pushtuese, por Rusia e kuqe s’ishte më e mirë. Veç kësaj, Gjermania sillte Kosovën e Çamërinë, kurse Rusia, veç kolkozeve, nuk sillte asgjë. Madje, kishte gjasë që fjalët “Shqipëri etnike”, në fletushkat gjermane, në vend që t’i gëzonin, i kishin acaruar komunistët. Kishte gjasë që edhe padurimi për luftë andej vinte. Dhe kjo ishte e natyrshme, përderisa në krye të tyre kishte dy a tre shefa serbë, për të cilët fjalët “Shqipëri etnike” ishin mortje e shkuar mortjes… Kalo zoti gjerman ashtu siç premtove, transit. Mos më nga, s’të ngas.  Achtung! U theve brinjët Greqisë e Serbisë? Puna jote! Jepmë mua Kosovën e Çamërinë, jawohl!”

Nga këto pjesë te veprës brilante të Kadaresë, që ua përkujton shqiptarëve e të huajve se Shqipëria as nuk mbaronte aty diku te Kukësi, as te pikat tjera, le të bëjmë pak shfletime të “Letrave të konsujve serbë nga Prishtina, 1890-1912”, në kohën kur kryeqyteti i tashëm i Kosovës ishte brenda Perandorisë Osmane. Mbas Kongresit të Berlinit, 1878, me diplomaci, me pushkë e me topa, ishte vendosur njëfarë paqeje në këtë pjesë të Evropës. Perandoria Osmane i lejon Serbisë hapjen e konsullatës në Prishtinë. Shumë shpejt shqiptarët e vrasin konsullin e parë para zyrave të tij, më 1890, “sepse kjo është kapia nëpër të cilën Serbia do të arrijë në Kosovë”. Normalisht, Serbia nuk hoqi dorë, dhe nga viti 1890-1913, kur e kishte pushtuar Kosovën barbarisht, në Prishtinë si konsuj shërbyen personalitete të njohura, madje kryeintelektualë serbë. Krahasojeni me diplomacinë e sotme të Kosovës së shkretë! Këto raporte të konsujve serbë u botuan vitet e fundit në dy vëllime të mëdha dhe, natyrisht,  pa përjash­tuar tendencën tepër antishqiptare të raportuesve, janë një dimension tejet interesant për historinë tonë, po edhe për qëndrimet e habitshme të prijësve shqiptarë. Edhe pse të programuar e me mision të ngulitur që të punojnë që Kosova patjetër të bëhet Serbi, aq shpesh në raporte për Kosovën u përvidhet emërtimi Shqipëri, kurse për serbët, duke përshkruar mjerimin e tyre, theksojnë që janë bujq të patokë e çifçinj në pronat e shqiptarëve dhe që zullumin ndaj serbëve, si diçka gati e logjikshme, e bëjnë kryesisht muhaxhirët shqiptarë që i dëboi Serbia nga pronat e veta nga Sanxhaku i Nishit.

Edhe socialdemokrati serb D. Tucoviq, në librin “Serbia dhe Shqipëria”, 1914, kur përmend kërkesat dhe pjekurinë politike të shqiptarëve për pavarësi, thekson: ”E tërë Shqipëria Veriore, me kryeqendrat e saj: Shkodrën, Prizrenin, Gjakovën, Pejën e Prishtinën, brenda një apo dy muajve u pastrua prej pushtetit dhe prej garnizoneve ushtarake turke. Në Shqipëri u bë një kryengritje revolucionare e përgjithshme”. Autori tjetër, M. Obradoviq, në librin serbisht “Reforma agrare dhe kolonizimi i Kosovës 1918-1941”, përgatitur e botuar në Prishtinë më 1981, nën mbikëqyrjen e akademik Ali Hadrit, e përkufizon nocionin e çifçinjve, çfarë ishin serbët në Kosovë: “Çifçija është bujk që ka pak tokë dhe punon në çifluk. Shumica e çifçinjve, megjithatë, nuk kishin tokë të veten”. Ai citon vendimin shtetëror: “Duhet përpjekur që në afat sa më të shkurtër masat e forta e kompakte të shqiptarëve të shpërbëhen duke sjellë midis tyre së paku 50% sllavë”.  Pa trojet tjera shqiptare në Jugosllavi, shifrat vetëm për Kosovën janë tme­rruese. Nga 475.000 banorë, sa ishin më 1910,  edhe përkundër vrasjeve e dëbimeve masive që bëjnë serbët, përmes kolonizimit, në vitin 1940 numri rritet në 666.900 banorë, ose për 39.54%. Pa përmendur këtu gjithë dhunën e zhvendosjet në kohën e komunizmit.

Qeveria e Kosovës ka caktuar fonde disa milionëshe që ta dëshmojë para botës se shqiptarët nuk po e marrin tokën e Serbisë. Po, sigurisht, po i ruan derisa Beogradi t’i kryejë punët e veta.

Kosova ka pavarësinë, kushtetutën, njohjet, Shqipëria në NATO, ndërtimet, udha e kombit, asfaltet, dhe prapë jeta e shqiptarëve është aq jocilësore. Kurse krerët, në vend se me detyrat e posteve që i kanë, janë të zënë me punët e veta, të klanit, të farefisit. Privilegjet e veta, në kësi mjerimi, nguten t’i beto­nojnë me ligje. Kur e hetojnë “shkëlqimin” e zbehur, vrap në Tiranë a në Prishtinë, me qilima të kuq, me parada, fjalime e dekorata “Skënderbeu”, qytetar nde­ri, trimi i Kosovës etj., të shpërndara me lehtësi si bizhuteri të lira të buzërrugës, si parodizime me vetveten e, edhe si kapardisje shpërfillëse për miqtë e jashtëm që po na e hapin udhën e i kanë ngarkuar në shpinën e vet shpresat tona. Ndërsa lidhjet politike, ekonomike e kulturore, aq të domosdoshme për integrimet kombëtare, janë në shkallë dëshpëruese. Si protagonistë të absurdit, si do të dukej që krerët e qendrave shqiptare ta shpallnin njëri-tjetrin qytetar nderi në ndonjë nga katundet krejtësisht të boshatisura për mungesë të kushteve më elementare për jetë. E dëgjova me tmerr një analist serioz nga Tirana kur tha se në Kuvendin e tashëm të Shqipërisë 13 ish-kryepolicë të kohës së diktaturës janë deputetë, kurse në Kosovë është në qeverisje një simbiozë e rrezikshme e titistëve dhe e enveristëve, si një bashkim-vëllazërim i hershëm Beograd-Tiranë, që mund të prodhojë murtajën. Kjo duhet të evitohet, por pa stupca, siç bëjnë kombet e civilizuara, anise e zorshme. Kush mund ta harrojë 23 marsin e vitit 1989, kur shpejt bëhen 25 vjet nga dita kur Millosheviqi ia hoqi Kosovës elementet e njësisë federalformuese, dmth. atë formë shtetësie. Reagimi protestues i shqiptarëve u shua me gjak e me shumë viktima. Në skenë e në prapaskenë, këtë akt e ndihmuan edhe  shumë shqi­ptarë, madje edhe titullarë të tashëm të institucioneve të Kosovës. Ferri ynë i pastajmë dihet. M. Ahtisari e tha asokohe se ky veprim i Beogradit ishte argument i fortë për ndërtimin e Pakos së tij për Kosovën. Si pjesë e absurdeve tona, për këtë akt të tërthortë atdhetarie, ndihmësit e atëhershëm të Sllobës, rrezik që vie dita e ndoshta edhe mund të dekorohen nga Kuvendi i Kosovës.

Tash, përballë dilemës migjeniane – Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun – zgjidhni! Megjithatë, pavarësisht zhgënjimeve, a nuk kemi hyrë atje ku ishim moti, në orbitën përendimore, dhe së bashku me të, doemos që do të sillemi e do të lëvizim edhe na.

Dhe, jemi në prag të festave. Gëzuar!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: apo derr i kenaqun, dilema migjeniane, Skender Blakaj, Sokrat i vujtun

Artikujt e fundit

  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar
  • DR. ELONA SHEHI, A STORY OF SUCCESS AND INSPIRATION IN NEW YORK
  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT