• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptari që bëri Turqinë

January 11, 2014 by dgreca

Shkruan: Skender Blakaj/

Andon Zako Çajupi, në vjershën Punërat e Perëndisë, botuar me 1902 në përmbledhjen Baba-Tomori, me pezmin e të pushtuarit e të të shtypurit, e pyet Perëndinë-“Kur bëre derr’ dhe arinë/ ç’ deshe që bëre Turqinë”? Në fillim të shekullit XIX, kur Turqia po binte plotësisht, ishte Mustafa Qemal Ataturku (19.05.1881-10.11.1938), shqiptar i vogël e turk i madh, ai që e ngriti dhe e nisi udhës së qytetërimit. Disa të dhëna për këtë personalitet të shquar e të çuditshëm, i mora nga libri Ujku i murrmë i amerikanit H. C. Armstrong. Me përkthim të atypëratyshëm e kishte lexuar edhe vet Ataturku dhe kishte bërë vërejtje – Ka bërë gabim të madh qeveria që s’e ka lejuar librin e Armstrongut në Turqi. I shkreti, ka lanë mangut, nuk ka thënë shumë për qejfet e dehjet e mia. Jo tjetër. Kurse Armstrong shkruan se Mustafa Qemali kishte lindur në Selanik, nga i ati Ali Rizai, i cili kur ishte djalë i vogël kish ardhur nga malet e Shqipërisë aty dhe kishte gjetur punë në portin e Selanikut dhe nga e ama Zybideja.., babai i së cilës kishte ardhur nga malet e jugut të Shqipërisë… Edhe kur jetonte në Stamboll, ku fshehej edhe Mustafa Qemali nga sulltanistët, e ëma-e moshuar dhe krejt e verbuar, kishte dëshirë t’u fliste të burgosurëve grekë, të cilët i jepnin lajme nga fshati i saj në Shqipërinë jugore, ku kishte lindur. Kjo ishte koha e vërsuljeve të egra greke, por edhe momenti kur turqit e marrin veten dhe e mbrojnë, jo perandorinë, por atë që e quanin Turqi. Ky ishte koncepti i Mustafa Qemalit. Ai u rrit në një pjesë të Selanikut, me shumicë turqish e hebrenjësh. Kishte bërë shkolla ushtarake dhe ishte ngritur shpejt në profesion. Hove-hove çonte jetë tmerrësisht të shthurur, i dehur nga alkooli e nga gratë. Kishte pak miq. Në çaste të shpeshta të dëshpërimit, ia hapte zemrën vetëm së ëmës, që ishte grua shumë dinamike. U largohej e i largoheshin pothuaj të gjithë me mosbesim. Shumë autorë thonë se edhe për nga pamja ai ishte turk krejt jo i zakonshëm. Grindej edhe me ata që i lidhte njëfarë ideali. Ata ishin pak, madje tre prej tyre ishin shqiptarë që po përpiqeshin ta mbanin Turqinë në këmbë-Njaziu nga Resnja, Enveri nga Manastiri dhe vete Mustafa Qemali nga Selaniku. Njaziu, shqiptari i egër, si një Garibald i panënshtruar e nisi revolucionin xhonturk në Resnje e në Manastir. Nga malet në Maqedoni, Njaziu shkoi në Shqipëri dhe atje u vra. Enveri, me veprimet praktike, edhe me dredhitë ushtarake e politike, shumë gjatë e la në hije Mustafa Qemalin. Dhe grindeshin e urreheshin shumë. M. Qemali donte o të ishte i pari o s’ do të bënte asgjë. I pamëshirshëm, i përkushtuar, i pandalshëm drejt cakut, i fuqishëm në rrëmujat ushtarake, M. Qemali del e shkëlqen në skenën politike. I urrente të huajt që kishin vërshuar ta copëtojnë e ta dirigjojnë Turqinë. Në Ankara ishte pushteti provizor në fuqi. Në Stamboll ishte Sulltani, Kalifi me Vezirin e Madh dhe me ministrat, por ajo ishte një qeveri vetëm për emër…Idetë e tij ishin që bashkë me armiqtë e huaj duhet të largoheshin edhe Sulltanati, Kalifati dhe të gjitha vjetërsirat e Perandorisë Otomane, gjithë ai shkëlqim i rremë dhe ai budallallëk primitiv i trashëguar nga e kaluara. Ai do të shpallte Republikën dhe pastaj ai do të ishte sundues absolut. E mbas kësaj do ta reformonte Turqinë në çdo detaj. Herë butë e më shumë egër, por i realizoi. Qysh kur bashkohej e i shtrinte degët e Shoqatës “Vatani” ishin betuar se do ta mposhtnin tiraninë e sulltanit e ta zëvendësonin me një parlament popullor, dhe se do ta shpëtonin popullin nga hoxhallarët dhe gratë nga shamia e haremi. Mustafa Qemali vetë ishte kundër hoxhallarëve. Nuk e duronte sistemin ligjor të bazuar në Kuran, sipas tij ai zbatonte ligje irracionale. Në luftë ishte i durueshëm, frymëzues dhe nxiste krenarinë e rënë: Ju, thërriste ai, ju jeni turq! A do të zvarriteshit para këtyre grekëve që deri dje nuk ishin veçse vartësit  dhe skllevërit tuaj? Këtë unë nuk mund ta besoj. Bashkohuni, përgatituni dhe fitorja është me ne. Grekët sistematikisht digjnin dhe shkatërronin çfarë t’u dilte përpara. Mirëpo, Ai fitonte dhe ishte “Gazi” (hero) për gjithë turqit. Bëri parti, i fitoi zgjedhjet, në parlament, në Ankara, fitoi kreun e vendit. Duhej të bënte reformat dhe i qëronte pamëshirshëm hesapet me kundërshtarët. Ai do ta shkulte fenë nga shteti. Edhe hoxhallarët fanatikë do t’i detyronte të punonin si gjithë të tjerët. Ai e kish përzënë Hoxhën më të lartë nga zyra dhe e kish gjuajtur me Kuran. I kish detyruar gratë të zbuloheshin. Gruaja e tij, Latifa, e shkolluar në Evropë, ecte nëpër rrugë e veshur si burrë. M.Qemali e donte Turqinë një vend të civilizuar, por e kuptoi se duhej t’i trajtonte turqit si mësuesi nxënësit e tij. Kur nuk bënte punë mësimi, e përdorte forcën. Ai i ishte vënë punës për të ndryshuar të gjithë mentalitetin e popullit, idetë e tyre të vjetra, zakonet, veshjet, sjelljet, doket, mënyrat e të folurit, të gjitha detajet e vogla të jetës së tyre, të cilat i lidhnin ata me të kaluarën dhe me formimin e tyre oriental. Vendosi që fesi duhej të zhdukej, si shenjë dalluese e otomanëve dhe e myslimanëve. Fesi është shenjë injorance, thoshte ai. Parlamenti miratoi ligjin për fesin. Rezistenca pushoi shpejtë. Nga rreziku i burgut dhe i trekëmbëshit çdo turk doli të blejë e te vejë kapele çfarëdo që ishte, madje edhe me pupla e me fjongo. Zbatoi kodin civil zviceran me të cilin e ndryshoi statusin e familjes dhe të drejtën mbi pronësinë, ndaloi poligaminë dhe haremin dhe rregulloi në mënyrë radikale pozitën e grave, të cilat fituan të drejtën e votës dhe u ngritën në profesione të larta. Zbatoi alfabetin latin dhe vetë me dërrasë të zezë vajti edhe katundeve t’ua shpjegojë lehtësinë e përdorimit. As të burgosurit nuk mund të liroheshin po të mos e mësonin alfabetin latin. Urdhëroi pastrimin e gjuhës, të këngëve… donte të jetonte si në perëndim. Ferma ishte gëzimi i jetës së tij. Kish blerë makineritë e fundit, demat dhe derrkucët më të shtrenjtë dhe atje kalëronte shpesh. I pëlqente të luaj rolin e fermerit zotëri. Nxiti zhvillimin e bujqësisë, industrisë, ekonomisë. Thonë se Turqia e sotme është vepër e Qemal Ataturkut. Ai është njeriu që respektohet më së shumti në Turqi. Edhe makinat në të gjithë Turqinë u bien burive dhe ndalojnë, e njerëzit madje dalin e qëndrojnë në heshtje pikërisht në çastet kur ka ndaluar zemra e tij dekada më parë. Edhe Çajupi dhe njerëzit tanë të ndritur e urrenin Turqinë, pikërisht atë që e urrente dhe që e reformoi Mustafa Qemal Ataturku. Megjithatë, a nuk na duhen edhe neve prijës e ligje që na i nxjerrin nga shpirti e nga shallvaret veset tona të këqija?!

 

Filed Under: Histori Tagged With: Mustafa Qemal attaturku, Shqiptari qe beri, Skender Blakaj, Turqine

Artikujt e fundit

  • DIELLI ME SHQIPTARËT E ITALISË / SHKOLLA SHQIPE “DORA E PAJTIMIT”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI
  • 2023 A Consequential Year for Cybersecurity – Albania, Example of What Can Happen
  • Kryeministri Kurti përkujtoi dëshmorët në Rogovë të Hasit, Vraniq, Bishtazhin e Gadish
  • Karadaku, Bir i Kosovës dhe i Labërisë që luftoi heroikisht në Grykën famëmadhe të Mezhgoranit të Tepelenës
  • Kosova në mes të betejave morale dhe pragmatike
  • SA PËR RIKUJTIM!
  • FUQIZIMI I SHQIPTARËVE NË SERBI DO TË DOBËSONTE SYNIMET NACIONALISTE SERBOMËDHA NË KOSOVË
  • THIKË MU NË ZEMËR TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE!
  • PSE KJO PO NDODH VETËM TEK NE? KU ËSHTË PROBLEMI?
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVUAN 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT