Në 70 vjetorin e ekzekutimit/
Nga Reshat Kripa/
Nata e 14 janarit të vitit 1948. Një natë e zezë. Qielli qante papushim. Retë nxinin mbi Gjirokastër. Gjëmimet ushtonin me forcë. Dukej sikur Zoti me këtë donte të ndalonte gjëmën që po ndodhte. Por djalli në ato kohëra ishte më i fortë. Ai e kishte futur në kthetrat e tij Shqipërinë e gjorë. Ajo nuk kishte më zë. Kishte vetëm urdhëra monstruozë, të dhënë nga njerëz monstruozë. Në të gjithë vendin hidheshin vallet e vdekjes.
14 janar, katërmbëdhjetë burra ecnin me kokat lart të lidhur dy nga dy. Rreth e rrotull një tufë hienash të kuqe, me sytë e skuqur nga etja për gjak dhe uria për mish kufomash. Zoti me gjëmimet dhe vetëtimat e tij mundohej t’i ndalonte, por ata nuk besonin në Zot. Zoti i tyre ishte vetë djalli.
Në krye të kollonës qëndronin krenarë Syrja bej Vasjari dhe Zenel Shehu, dy ish udhëheqës të luftës kundër pushtuesit, i pari komandant i batalionit ballist “Tafil Buzi“.ndërsa i dyti komisar i batalionit partizan “Baba Abaz“, Ecin dhe kujtojnë betejat e zhvilluara së bashku kundër pushtuesit italian në Mogila dhe Miricë, në Qafën e Kiçokut dhe në Malin e Bardhë, në Shkallën e Zezë dhe në Buz.. Dy familje të mëdha të krahinës, dy miq të mëdhenj që nuk mund të luftonin ndryshe veçse në krah të njeri tjetrit, pavarësisht nga bindjet e secilit prej tyre. Nuk kishin si shkonin ndryshe edhe në vdekje.
– Po shkojmë në varr së bashku! – foli Syrjai.
– Si në luftë. – u përgjigj Zeneli.
– Pushoni, nuk keni të drejtë të flisni! – u ndie zëri i njerës prej hienave.
– E ç’mund të na bëni më tepër? – u përgjigj i qetë Zeneli.
Pas tyre vinin të lidhur dy robër të Zotit, At Gjergj Suli dhe Baba Shefqeti. Edhe ata ecin dhe kujtojnë. At Gjergjit në ato momente i kujtohen vargjet e një kënge të vjetër:
Papa Kristonë e vranë,
Dhe për të s’ra një kambanë!
Ndryshimi i vetëm ishte se ndërsa Papa Kristonë e helmuan andartët grekë, At Gjergj Sulin po e vrisnin vëllezërit e tij shqiptarë. Edhe për vdekjen e tij nuk u dëgjua asnjë kambanë. Thuhet se një prift i Leklit i ra kambanave në një orë jo të zakonshme Një gjë e tillë i kushtoi disa vite burg.
Baba Shefqeti ecte i menduar. Jo se i vinte keq për vdekjen. Tashti i kishte kaluar të pesëdhjeteshtatat. Në dorën që e kishte të palidhur, mbante një palë tespie , të cilat i numëronte duke u lutur. Edhe në vdekje donte të shkonte me bekimin e Zotit, të cilit i kishte shërbyer për gjithë jetën. Një nga hienat e pa, ia rrëmbeu dhe i vërviti në errësirën e natës.
– Zoti ta faltë gjynahun, se edhe ti vetë nuk di se ç’bën! – i tha babai me qetësi.
Në rreshtin e tretë ecte i qetë Baba Aliu, një tjetër shërbëtor i devotshëm i Zotit. Kur shkuan ta marin për ta pushkatuar një roje u përpoq ta mbante për krahu. Mendonin se Babai do të trembej para vdekjes. Kurse ai i qetë i tha:
– Mos kij merak se mbahem vetë, biri im!
Ja si e përshkruan momentin e ekzekutimit të Baba Aliut historiani dhe shkrimtari Novruz Shehu:
Njeri nga pushkatarët rrëzohet, i bie të fikët. Nuk mund të qëllojë.
– Nrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me ty!… Ngrehu biri im! Po s’qëllove ti, do të qëllojë dikush tjetër. Po s’vrave ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak, gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin e njeriut.
Toga hapi zjarr disa herë. Trembëdhjetë burra bien për të mos u ngritur më, ndërsa Baba Aliu, për çudinë e të gjithëve, vazhdon të qëndrojë në këmbë.
– Do të të heq taçin Baba
Eshtë dervish Resuli.
– Hiqe bir!
Dervishi u ul, I puthi këmbët.
– Falmë Baba!
– Të kam falur bir!
– U shoftë Shqipëria me këtë farë të keqe që ka ardhur!
– Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve, e të gjallëve dhe e të vdekurve. Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë të vdekurit. Mos e ngarko shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti të jetojë!
Një batare tjetër u dëgjua dhe Baba Aliu ra me emrin e Shqipërisë në gojë. Ishte ora dy pas mesit të natës të dates 14 janar 1948. Cili ishte qëndrimi i këtyre burrave në natën e fundit të qëndrimit në qelitë e burgut të Gjirokastrës? Lexojmë librin e Ibrahim Vasjarit, birit të Syrja Beut:Sapo kishte kaluar mesnata. Errësirë. Jashtë, nëpër qiellin e grisur, përpëliteshin mes resh të largët, të ftohtë. Palcë dimri – Kot vrasim mendjen Syrja! – tha Baba Shefqeti. – gjithçka është ëndërr. E vërteta është vetëm Perëndia., që është “Një“ dhe shokë tjetër nuk ka.
– Ashtu është Baba, kemi bërë gjumë të keq, – tha Syrjai.
– Gjumë? Pothuaj e kemi harruar fare gjumin, – tha Zeneli – sa shokë na janë vrarë?
– Dhe sa do të vriten akoma! – tha me një ironi të hidhur At Gjergji.
– Po kjo është ndryshe,krejt ndryshe, – iu përgjigj Zeneli – kjo është e pakuptueshme.
– Nuk ia vlen të kërkosh arsye, – tha Baba Shefqeti, – e keqja nuk fillon dhe nuk mbaron me ne. Ky është mallkimi i Perëndisë. Mendjet tona nuk janë në gjendje ta gjykojnë. Gjarpri do ta shtrëngojë për gryke këtë vend për një kohë të gjatë.
Të katër heshtën për një çast të mbyllur secili në veten e tij.
Çome Cini, një veteran ish komunist, kujton në vitin 2005 tregimin e Misto Papajanit, një i dënuar tjetër me vdekje nga ky grup, që iu fal jeta:Mistua më tregoi edhe episode të tjera. Ishte mesnatë kur trokiti roja.
– Syrja Vasjari, – tha ai – hajde se të kërkojnë në zyrë.
Syrjai u ngrit dhe filloi të vishej.
– Mos u vish – i tha roja – se pesë minuta punë ke në zyrë.
– E di se ç’punë kam, – i tha Syrjai – prandaj do të vishem. Nuk vij kështu.
– Mos na vono, – nguli këmbë roja, – se pesë minuta punë ke dhe do të kthehesh prapë.
– E di për ku jam nisur, – vazhdoi me qetësi Syrjai, – atje nuk shkoj i zhveshur.
Ne u përlotëm. Syrjai u vesh dhe u rregullua qetë qetë si për ceremoni. Pastaj u kthye nga ne, na pa të përlotur dhe duke u ndarë tha: – Mos qani, bëhuni të fortë, se vdekja pesë minuta është. Mbeçi me shëndet dhe mos na harroni! Të fala atyre që lemë pas! U thoni që nuk i kemi tradhëtuar ndonjë herë.
Kaq ishte dhe u ndamë për jetë me Syrjain.
Po kush ishin këta burra që shkonin kaq krenarë drejt vdekjes?
Syrja Bej Vasjari lindi në Vasjar të Tepelenës më 13 tetor 1898, në një familje me tradita të pasura patriotike. Stërgjyshi i tij Veiz Vasjari ishte një nga kapedanët më në zë të kryengritjeve antiosmane të viteve 30 dhe 40 të shekullit të XIX-të. Nëna e Syrjait vdes e re duke e lënë jetim në moshën shtatë-tetë vjeçare. Babai, Abazi pas disa vitesh detyrohet të martohet përsëri, për të rritur fëmijët jetimë, tre djem dhe dy vajza. Abazi u kujdes që t’i shkollonte fëmijët e tij. Syrjai mbaroi arsimin fillor dhe atë unik në qytetin e Tepelenës. Pastaj i ati e dërgoi në Gjirokastër dhe më pas në liceun e Korçës, ku u regjistrua në klasën e shtatë. Kjo ndodhte në vitin arsimor 1922-1923.
Duke studiuar në Korçë ai ra në kontakt me idetë iluministe franceze që ishin shumë të përhapura në atë qytet. Këto bënin që të binte shpesh herë në kundërshtim me idetë konservatore dhe patriarkale me të cilat ishte ushqyer deri atëherë. Si mbaroi liceun, në vitin 1924 i kërkoi të atit të vazhdonte studimet e larta në Francë. I ati ia plotësoi dëshirën.
Studioi dhe u diplomua për inxhinieri agrare në universitetin e Alfortit, pranë Parisit. Franca e asaj kohe ishte një vend i preferuar për studentët shqiptarë. Ajo ishte simboli i lirisë, demokracisë dhe qytetërimit botëror.
Kthehet në Shqipëri në vitin 1932 dhe filloi punë si kryeagronom i nënprefekturës së Tepelenës Bie në kontakt me intelektualë progresistë të qyteteve Tepelenë, Gjirokastër, Vlorë, Fier. Me ta ndante pikpamjet e tij republikane. Për këtë arsye arrestohet dhe mbahet disa muaj në burg, i akuzuar si pjesëmarrës i lëvizjes së Fierit, gjë që nuk ishte e vërtetë. Në përgjithësi ishte kundër dhunës revolucionare.
Pushtimin fashist e priti me indinjatë të thellë. Shpejt ra në kontakt me eksponentë të Ballit Kombëtarë në krahinë. Filloi me organizimin e çetave nacionaliste të zonës Krahës-Tepelenë, deri sa arriti të marrë detyrën e komandantit të batalionit “Tafil Buzi“. Të gjitha këto i bënte sipas udhëzimeve të mara nga qendra, duke patur lidhje sidomos me Hysni Lepenicën dhe Skënder Muçon në Vlorë. Ai ishte njeri me ndjenja patriotike. E konsideronte si mik të tij çdo njeri që luftonte për lirinë e atdheut, pavarësisht nga bindjet politike. Kështu mbante lidhje të ngushta me batalionin partizan “Baba Abaz“ , ku komisar ishte miku i familjes së tyre Zenel Shehu. Të dy batalionet së bashku kanë luftuar krah për krah në disa beteja, të cilat i kam përmendur më sipër.
1-2 gusht 1943. Në Mukje zhvillohet takimi i njohur midis përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar. Pjesëmarrësit e saj janë figura të njohura të të dy palëve. Shquhen emrat Mit-hat Frashërit, Hasan Dostit, Thoma Orollogait, Hysni Lepenicës, Skënder Muços, Isuf Luzit nga Balli Kombëtar. Ato të Abaz Kupit, Ymer Dishnicës, Mustafa Gjinishit, Myslym Pezës, Omer Nishanit e të tjerë nga Fronti Nacional-Çlirimtar. Rezultatet e këtij takimi historik tashmë njihen: luftë të përbashkët kundër okupatorit, Shqipëri etnike dhe vendosja e pushtetit me anën e votës së lirë.
Komunistët shqiptarë nuk ishin të kësaj mendjeje. Ata kishin vendosur që pushtetin ta mbanin për vete. Pa u tharë boja e marëveshjes së Mukjes, e braktisën atë. Një parullë e re filloi të dëgjohet në Shqipëri. Pushteti nuk buron më nga vota e lirë. Ai buron nga gryka e pushkës. Ishte parulla e hedhur nga krerët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në Shqipëri filloi lufta vëllavrasëse. Masakra të tmerrshme bëheshin në çdo skaj të saj. Më lejoni të permend disa: atë të Libohovës me 105 viktima, të Gjirokastrës me Boço Kalon në krye me 17, të Myzeqesë me 65 bujq të pafajshëm, të Tiranës në nëntorin e 1944 me 38 intelektualë të vrarë.
Prishja e marëveshjes së Mukjes, vrasja e Hysni Lepenicës me tridhjetepesë trimat e tij dhe fillimi i vëllavrasjes, e detyruan Syrjan të shpërndante batalionin dhe të hiqte dorë nga kjo luftë që tashmë ishte kthyer në luftë civile. Shtabi i forcave të Zonës së Parë Operative i propozoi të bashkohej me forcat partizane. Ai nuk pranoi.
– Nuk u largova nga Balli, por nga vëllavrasja. Bindjet politike nuk i ndryshoj. Me ju nuk mund të vij se nuk mund të bëhem komunist. – i tha Dr. Ibrahim Dervishit që kishte ardhur për t’i bërë propozimin.
U largua dhe u vendos familjarisht në Lushnje. Me mbarimin e luftës kthehet përsëri në fshat. Ishte njeri i nderuar dhe respektuar. Kryesonte Këshillin e Gjërë Popullor të Rrethit Tepelenë dhe anëtar i Këshillit të Qarkut Gjirokastër. Nisi ndërtimin e shtëpisë së djegur nga italianët, por nuk arriti ta mbaronte. Në muajin tetor arrestohet me të njëjtën akuzë si miku i tij Zeneli dhe më 17.11.1947 dënohet me vdekje me pushkatim, vendim që ekzekutohet më 14 janar 1948.
Edhe për familjen e Syrjait filloi përndjekja e zakonshme. Për t’i shpëtuar sado pak kësaj, nëna e tij Miriami, bija e Arshi Selfos nga Kanina, së bashku me djemtë shpërngulet në qytetin e Vlorës, ku kishte edhe përkrahjen e njerëzve të saj. Duke përfituar nga zbutja e luftës së klasave për pak kohë, si pasojë e kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në vitin 1956, djali i madh Ibrahimi, mundi të vazhdonte fakultetin pedagogjik me korespondencë. Që nga ajo ditë dhe deri në vendosjen e demokracisë u end nëpër fshatrat më të humbur duke u mësuar gjuhën dhe letërsinë nxënësve të shkollave. Këtë fat nuk e pati djali i vogël, Devi. Kohët kishin ndryshuar. Lufta e klasave kishte rifilluar përsëri dhe ai u detyrua të ushtronte profesionin e muratorit.
Zenel Shehu lindi në vitin 1918 në fshatin Toç të Tepelenës. Ishte djali i madh i Sheh Beqirit, Babai i teqesë së Toçit, e njohur në gjithë krahinën. Në këtë teqe ai mbante krahas kuranit edhe abetaret e para shqipe me të cilat mësonte nxënësit në shkollën e parë shqipe të krahinës, të hapur prej tij në vitin 1913. Ishte një burrë i rrallë, një atdhetar i vërtetë. Më 28 nëntor 1912 është një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë, përkrah firmës së Plakut të Vlorës, Ismail Qemalit. Në janar 1920 zgjidhet dhe mer pjesë në Kongresin e Lushnjes, së bashku me patriotin tjetër Arshi Shehun. Po atë vit organizon dhe mer pjesë në krye të çetës së tij në luftën patriotike të Vlorës, kundër pushtuesve italianë që kishin zaptuar atë qytet. Vlora e kërkoi për të dytën herë nëntëmbëdhjetë vjet më vonë. Vendi ishte pushtuar përsëri nga italianët, por ai i kishte mbyllur sytë, duke ia dorëzuar stafetën të birit Zenelit.
Zenel Shehu shkollën fillore e zhvilloi në Krahës dhe atë unike në Tepelenë. Pastaj vazhdoi mësimet me bursë shteti në shkollën tregëtare në Vlorë. U dallua si një nxënës i shkëlqyer, por më tepër si një njeri me mendime përparimtare. Iu përgjigj me zjarr profesorit italian të lëndës së “moralit fashist“, që zhvillohej në atë kohë në shkollë, kur ai fyeu flamurin tonë kombëtar. Deshën ta përjashtonin nga shkolla, por ishte ndërhyrja e Qazim Koculit që e shpëtoi nga një gjë e këtillë. Gjesti i djaloshit tepelenas bëri jehonë në të gjithë Vlorën.
Me mbarimin e shkollës tregëtare shkon në Itali, ku vazhdon universitetin e Romës në degën e financës. Në vitin 1939, me rastin e pushtimit të Shqipërisë, detyrohet të ndërpresë studimet në vitin e tretë dhe të kthehet në Shqipëri. Këtu e mobilizojnë ushtar dhe e dërgojnë në Pukë. Por ai nuk mund të pranonte të shërbente në ushtrinë fashiste. Së bashku me disa shokë të tjerë braktis shërbimin ushtarak dhe hidhet në ilegalitet, në rradhët e çetave partizane. Zotësia e tij e dallon nga të tjerët. Në vitin 1942 emërohet komandant i çetës së Verzivollit, me luftëtar të zonës së Krahësit dhe Buzit. Me formimin e batalionit “Baba Abaz“ në Donie të Kalivaçit, emërohet komisar i tij. Me këtë detyrë bashkëpunon dhe luan një rol kryesor me luftëtarë të tjerë partizanë dhe ballistë si Syrja Vasjari, Asaf Dragoti, Hajri Zaçe, Abaz Shehu, Fejzo Ismaili e të tjerë duke krijuar një shtab të përbashkët për të drejtuar luftën. Këto luftra përfunduan me sukses në Mogila dhe Miricë, në Qafën e Kiçokut dhe Malin e Bardhë, në Shkallën e Zezë dhe në Buz. Të tërbuar italianët, rikthehen me forca të shumëfishuara dhe djegin shtëpitë e fshatarëve kryengritës, midis të cilave ato të Zenel Shehut dhe Syrja Vasjarit.
Me prishjen e Marëveshjes së Mukjes krahu i djathtë i forcave partizane, filloi ta kuptojë lojën aspak të ndershme të udhëheqësve të tyre. Një ndër këta ishte edhe Zenel Shehu. Në Kongresin e Përmetit pati kurajon t’u drejtohej udhëheqësve me fjalët:– Ne morëm armët dhe dolëm në mal dhe vumë në dispozicion të luftës pasurinë dhe jetën tonë e të familjes, për të hequr spatat e fashizmit nga flamuri ynë dhe jo për të vendosur në vend të tij simbolin sllav të yllit të kuq.
Pas fjalës së tij Tahir Kadareja e tërhoqi mënjanë dhe i tha:-Çfarë bëre kështu more Zenel? Nuk luftohet kështu si ti, se të merr plumbi ose në ballë ose prapa koke.
Tahir Kadareja e njihte strategjinë e hienave.
Pas mbarimit të luftës emërohet nënprefekt i Tepelenës. Propozohet si kandidat për deputet në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, por hiqet nga lista nga organet drejtuese në Tiranë. Në fillimin e vitit 1946 heq dorë nga detyra e nënprefektit. Arrestohet në shtatorin e atij viti. Me vendimin Nr. 242 datë 17.11.1947 dënohet me pushkatim, me akuzat false se gjoja paska kundërshtuar të gjitha ligjet dhe reformat e pushtetit popullor, ka patur takim me të arratisurit kriminelë lufte, ka patur kontakt me përfaqësuesit e shteteve imperialiste si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe e të tjera. Vendimi ekzekutohet më 14 janar 1948.
Përndjekja dhe terrori do shoqëronin familjen e Zenel Shehut pas pushkatimit të tij. Vëllai katërmbëdhjetë vjeçar Mehmeti arrestohet dhe dënohet në të njëjtin gjyq si korier i grupit me katër vjet burg. Në vitin 1967 arrestohet përsëri dhe dënohet me njëzetetre vjet, nga të cilat kryen nëntëmbëdhjetë. Vëllai tjetër Ismaili dënohet me pesë vjet burg, ndërsa Haxhiu vritet në mënyrë misterioze, pa u zbuluar kurrë shkaku i kësaj vrasjeje.
E shoqja e Zenelit, Erveheja mbetet e vetme me dy djemtë dhe vajzën. Një kujdes të veçantë për ta tregoi i ati i saj Arshi Shehu, i cili i mori dhe i futi nën mbrojtjen e tij. Djali i madh Eqeremi mundi të regjistrohej në fakultetin e mjekësisë. Por në vitin 1962, në bazë të relacionit të dërguar nga pleniumi i partisë së Tepelenës, përjashtohet nga shkolla, në vitin e fundit, si biri i një armiku të popullit. Por më e rënda do të ndodhte shumë vonë, kur mendohej se diktatura ishte përmbysur. Dora e pasardhësve të atyre që vranë Zenelin do qëllonte edhe mbi Ademin, djalin e dytë të tij, më 14 shtator 1998.
At Gjergj Suli u lind në fshatin Lekël të Tepelenës më 12 mars 1893, në një familje me bindje të thella të besimit ortodoks. Arsimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmin në gjimnazin “Zosimea“ të Janinës. Në vitin 1922 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendoset në Boston dhe Filadelfia. Bie në kontakt me shqiptarë të tjerë dhe bëhet anëtar i shoqërisë “Vatra“. Ishte nën ndikimin fetar të imzot Fan Nolit. Kreu një shkollë fetare dhe pas saj shungurohet prift. Zotëronte gjuhët angleze, frënge, greke dhe italiane. Në vitin 1934 kthehet në Shqipëri. Vendoset në fshatin e tij ku, nëpërmjet shërbesave fetare, u mësonte njerëzve rrugën e drejtë që duhet të ndjekin. Ishte njeri i respektuar. Ai ndodhej kudo, në hidhërime dhe gëzime dhe me fjalën e tij u pakësonte dhimbjen ose u shtonte gëzimin. Ngrinte dollitë sipas zakonit dhe ia merte këngës labe me atë zërin e tij të ëmbël. I pëlqenin më tepër këngët e trimave.
Pushtimi fashist e gjeti në fshatin e lindjes. Besnik i parimeve të tij, bekonte të gjitha forcat, si ato partizane ashtu edhe ato nacionaliste, për fitoren mbi fashizmin. I qëndronte besnik parimeve të demokracisë amerikane.
Në dhjetorin e vitit 1946 arrestohet si dy të mësipërmit dhe dënohet me vdekje me pushkatim më 17.11.1947. Vendimi ekzekutohet më 14 janar 1948.
Familja e tij trajtohet në mënyrë barbare. Gruaja e tij Vasilia mbetet e vetme me dy djemtë, Josifin dhe Thomain dhe vajzën Jetën, të cilëve u mohohet arsimimi. Si rezultat i presionit psikologjik të ushtruar mbi ta Josifi pëson një traum nervor. Sot ata jetojnë në Greqi.
Baba Shefqeti i Koshtanit lindi në vitin 1885. Shërbeu për një kohë të gjatë në teqenë e Koshtanit, që ishte kthyer në vatër të shqiptarizmës. Mik i ngushtë i Shehut të Toçit, Babait të Gllavës dhe Baba Ali Tomorit, me të cilin do pushkatoheshin në të njëjtën natë. Ishte një antifashist i vendosur. Teqeja e tij u bë një qendër ku kuroheshin partizanët apo nacionalistët e plagosur. Por ishte gjithashtu një antikomunist i vendosur. Si besimtar ndaj Zotit, nuk mund të pranonte ata që ishin bashkuar me djallin. Dhe kur ky e pushtoi vendin, jeta e tij nuk kishte më kuptim. Ai duhej të vdiste sepse nuk gjente arsye për të hyrë në diskutime boshe dhe që nuk të nxirrnin gjëkundi. Ai ishte i bindur se Zoti ishte i madh dhe se syrit të tij nuk i shpëtonte asgjë. Me këtë besim përballoi momentet e fundit të jetës. Arrestohet në dhjetorin e vitit 1946 dhe dënohet më 17.11.1947. Ekzekutohet më 14 janar 1948.
Baba Ali Tomori ka lindur në vitin 1893 në fshatin Shalës të Buzit. Ishte i biri i Abazit, që kishte mbaruar shkollën e lartë për mësues në Stamboll dhe emëruar në Kozare të Selanikut, ku shërbeu për 23 vjet. Në vitin 1913 kthehet përsëri në teqenë e Prishtës, ku vazhdon rrugën e të atit. Pas masakrës së vitit 1914 nga ana e grekëve, detyrohet të marrë rrugën e emigrimit, së bashku me Baba Shabanin, i cili vdes në Kajro ku ishin vendosur.
Aliu vazhdon studimet për njerëzit e mëdhenj. Këto studime, rreth 300 faqe, i përmbledh në vëllimin ”Mësime margaritarësh“, një pjesë e të cilave do të botoheshin në vitin 1934. Kthehet përsëri në Shqipëri dhe vendoset si Baba në teqenë e Kulmakut, ku mori edhe titullin “Baba Ali Tomori“. Në vitin 1924 mer vesh lajmin e vrasjes së Avni Rustemit. Si republikan që ishte, niset për në Vlorë, ku në varrimin e tij mban një fjalim në të cilin thotë:
– Fli i qetë Avni! Prehu në gjirin e kësaj Vlore kreshnike, pranë Ismail Qemalit të
ndjerë, pranë Lekës, pranë Pirros, pranë Kastriotit, pranë Vaso Pashës, pranë Jani Vretos, pranë regjimentit apostolik të rilindjes shqiptare .
Pushtimi i Shqipërisë edhe prej tij u prit me indinjatë të thellë. Si të gjithë bektashinjtë e
tjerë edhe teqeja e tij u bë çerdhe e djalërisë kryengritëse. Kohët e fundit shërbeu në teqenë e Zallit në Gjirokastër. Arrestohet në janarin e vitit 1947 dhe dënohet më 17.11. 1947. Si shokët e
tij ekzekutohet më 14 janar 1948.
Këto ishin figurat kryesore të asaj masakre që u zhvillua atë natë janari në Gjirokastër. Por sa të tilla janë zhvilluar gjatë regjimit totalitar? Shkoni në sallën e genocidit të këtij muzeu dhe do të shihni fotografitë e disave nga mbi gjashtëmijë burrave të masakruar. Një pjesë prej tyre, gjatë periudhës kur vendin e qeveriste Partia Demokratike, kanë fituar titullin “Martir i Demokracisë“. Për të tjerët vazhdon heshtja. Ndërmjet tyre edhe për heronjtë e këtij shkrimi.
A është e moralshme një gjë e tillë? Unë mendoj se jo. Hidhini një sy teksteve të historisë që studjohet nëpër shkolla dhe do të shihni se për këta burra dhe për këtë terror as që flitet fare. Atëhere kur do ta mësojë të vërtetën e këtij vendi brezi i ri që po rritet në atdheun tonë?
Dua t’iu drejtohem partive politike, deputetëve dhe qeveritarëve, këshilltarëve të bashkive dhe komunave, shoqatave të ndryshme , qofshin të djathta apo të majta:
– Kur do e gjejnë vendin e tyre figurat e harruara të kombit shqiptar? Përse të mos marrë emrin e “Apostullit të Shqiptarizmës“ Mit-hat Frashërit, Biblioteka Kombëtare në Tiranë? Përse të mos marrë emrin e Abaz Kupit, organizatorit të rezistencës antifashiste, sheshi kryesor i Durrësit? Përse të mos marrë emrin e heroit të Termopiles shqiptare Hysni Lepenicës, një lagje e Vlorës? Lista mund të zgjatet në pafundësi që nga Patër Mëshkalla e Gjon Shllaku, Jusuf Vrioni e Kudret Kokoshi, Isuf Hysenbegasi e Haki Karapici, deri te martirët për të cilët jemi mbledhur.
Ne sot po jetojmë epokën e ndryshimeve të mëdha. Dhe unë besoj se kjo do të jetë koha e rehabilitimit të plotë të nacionalizmit shqiptar. Një gjë e tillë do të bëjë që të fitojmë Shqipërinë e ardhshme, Shqipërinë demokratike, Shqipërinë e qetë.
Një problem tjetër është edhe ai i gjetjes dhe rivarrimit të eshtrave të të rënëve tanë. Ata janë pa varr, ashtu si çifutët dikur që mbetën në shkretëtirë gjatë shtegtimit të tyre për në malin e Sinait. Mendoj se kjo duhet të jetë një detyrë parësore e shtetit shqiptar. Shkoni në Hungari apo në Gjermani dhe do të shihni se krahas varrezave të dëshmorëve të atdheut, janë edhe ato të viktimave të komunizmit.
Së fundi më lejoni të tregoj një ngjarje intime, lidhur me personazhet e kësaj kumtese.
Po shkonim për në Libohovë për të kremtuar 80 vjetorin e lindjes së mikut tonë Tomor Alikos. Isha me mikun tim Eqerem Shehun, djalin e Zenelit. Në të dalë të Gjirokastrës, Eqeremi i foli Fejzit, që drejtonte makinën:
– Ndale pak të lutem!
Makina ndaloi dhe ne zbritëm.
– Këtu është pushkatuar babai me shokët e tij, – tha Eqeremi
Ne qëndruam në heshtje në formë respekti. Në atë vend tani ishte ngritur një hotel. Një gjë e tillë sepse më kujtoi legjendën e Rozafës. Edhe në themelet e atij hoteli ishin bërë kurban njerëz. Tregojnë se në kohën kur filluan punimet për ndërtimin e tij, punëtorët gjetën eshtra njerëzish. Lajmëruan organet kompetente se dyshuan mos ishin varreza të gjirokastritëve. Por përgjigja erdhi të vazhdonin punën se ato ishin eshtra të “armiqve të popullit“.
– Fejzi, bjeri bories! – foli përsëri Eqeremi.
Dhe boria ushtoi në ato brigje në kujtim të martirëve të lirisë dhe demokracisë.