-Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e qeverisë së Kosovës vendos masa reciproke ndaj Serbisë për mosnjohjen e certifikatës së ADR-së. Ministrja Hykmete Bajrami, thirrje autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese dhe të njohin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Sot u mbledh qeveria, nesër Kuvendi i Kosovës në seancë plenare me 10 pika në axhendë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Mars 2016/Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa,zhvilloi sot mbledhjen e saj të rregullt, të 81-ën me radhë, në të cilën miratoi projektligje, koncept dokumente dhe vendime që bien në fushën e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka njoftuar kabinetin se më datën 21 mars 2016 ka marrë vendim që të vendoset masa reciproke ndaj Republikës së Serbisë, duke mos njohur certifikatën e ADR-së për automjetet si dhe certifikatën e ADR-së për shoferët, të lëshuar nga autoritetet serbe për transportuesit, eksportuesit e Serbisë të cilët realizojnë eksportin e derivateve të naftës dhe gazit në Kosovë.
“Me këtë vendim, është obliguar Dogana e Kosovës që të mos njeh certifikatën e ADR-së të lëshuar nga autoriteti serb. Vendimi është marrë pas përpjekjeve të shumta të qeverisë së Kosovës për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë fillimisht ka kërkuar nga autoritetet serbe që të marrin masat e duhura për të eliminuar këtë barrierë, por nuk ka pasur përgjigje pozitive. Pastaj e kemi lajmëruar rastin në Sekretariatin e CEFTA-s dhe çështja është diskutuar në takimin e fundit të nënkomitetit për barriera jo tarifore në nivel të CEFTA-s, i cili takim është mbajtur më 3 mars 2016, por sërish pala serbe nuk ka treguar gatishmëri për zgjidhjen e kësaj çështje”, tha Bajrami. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, po ashtu bëri të ditur se kjo çështje është ngritur edhe në nivel më të lartë politik.
“Ministrja e dialogut, Edita Tahiri ka kërkuar edhe ndërhyrjen e BE-së, dhe më 18 shkurt 2016, në Bruksel është mbajtur takimi i grupit punues trepalësh mes Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësuar nga BE-ja për çështjen e certifikatës ADR, për të kërkuar nga pala serbe njohjen e certifikatave përkatëse të ADR-së, por pala serbe sërish nuk ka treguar bashkëpunim. Kështu që, kjo masë vjen pas shterimit të të gjitha alternativave tjera që përmes dialogut të gjendet një zgjidhje. Përndryshe, që nga data 28 gusht 2015, kompanitë kosovare importuese që merren me importin dhe transportin e derivateve të naftës dhe të gazit nga Serbia, janë ballafaquar me një barrierë tregtare të vazhdueshme të vendosur nga autoritetit e Serbisë, duke mos iu njohur atyre certifikatat e ADR-së për automjetet dhe për shofer, të cilat janë të lëshuara nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Maqedonisë”, tha ministrja Bajrami.
Më tej, ministrja Hykmete Bajrami tha se në bazë të vendimit të datës 16 shtator 2015, Ministria e Ndërtimtarisë, e Komunikacionit dhe e Infrastrukturës së Serbisë, pati nxjerr një vendim me të cilën iu mundësonte kompanive kosovare të transportojnë deri më 31 dhjetor 2015, dhe të vazhdojnë transportin e derivateve të naftës dhe gazit pa pengesa.
“Përkundër këtij vendimi të lëshuar nga pala serbe, kompanitë e Kosovës përsëri nga data 15 tetor 2015 nuk kanë pasur mundësi të importojnë derivatet e naftës dhe gazit, për shkak se autoritetet e Serbisë prapë kanë vazhduar të mos i njohin certifikatat e ADR-së të Kosovës dhe as të Maqedonisë, që bie në kundërshtim me vendimin e lartpërmendur dhe me parimet e tregtisë së lirë të përcaktuara me rregullat e CEFTA-s”, tha ministrja Bajrami, duke i bërë thirrje autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese dhe të njohin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve.
Gjatë mbledhjes së sotme është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme dhe objekteve të “Banka themelore e Bankës së Lubjanës në Prishtinë”, të cilat ndodhen në Zonën kadastrale Prishtinë, për nevoja të qeverisë së Republikës së Kosovës.
Qeveria miratoi edhe katër koncept dokumente: për rregullimin e fushës së pensioneve, për çështjen e trajtimit të ndërtimeve pa leje, për çështjet e kadastrit, si dhe për rregullimin e shërbimeve private të sigurisë në Republikën e Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” Sh.A. në Prishtinë dhe Ndërmarrjes Publike Lokale “Ambienti” Sh.A në Ferizaj.
Me vendimin e miratuar nga qeveria e Kosovës janë ndarë mjetet për Qendrën e Kinematografisë së Kosovës. Ky vendim është edhe një vlerësim për arritjet e Qendrës Kinematografike të Kosovës pas nominimit të filmit “Shok” për çmimin Oscar.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për autorizimin e organizatës joqeveritare ECMI Kosova për mbështetjen e punës së Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është miratuar sot nga kabineti qeveritar.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Sipas ndryshimeve në këtë Ligji, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me miratimin e kryetarëve të gjykatave, mund të transferojë një gjyqtar në një gjykatë tjetër për një periudhë kohore të arsyeshme, në rastet kur gjykata tjetër ka numër të pamjaftueshëm të gjyqtarëve për shqyrtimin e lëndëve.
Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për aprovimin në parim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Maltës për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve.
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot edhe koncept-dokumentin për rregullimin e fushës së pensioneve. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se qëllimi kryesor është që të krijohen politika më të mira pensionale për qytetarët e Kosovës dhe shtetasit e huaj të cilët jetojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe të përhershme në Kosovë.
Mbledhja e sotme e qeverisë së Kosovës ishte e 14-ta në vitin 2016, ndërsa, nesër mblidhet Kuvendi i Republikës në seancë plenare me 10 pika në axhendë, mes të cilave “Formimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik”.
Në 18 mars, qeveria e Kosovës, ka miratuar vendimin për t’i riproceduar Kuvendit të Republikës kandidatët për kryetar dhe anëtarë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Në 15 mars, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku nuk mori pjesë opozita, e cila ka paralajmëruar vazhdimin e protestave kundër qeverisë në 26 mars, deputetët e maxhorancës me mosvotim kanë dështuar ta kompletojnë Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, që është një nga tetë kriteret e përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave.
Ndërkohë, në Kosovë ka qëndruar një mision i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave. Ky mision i paraprinë vizitës së Komisionerit Avramopoulos, të paralajmëruar në Kosovë për t’u njohur për së afërmi me progresin e bërë në adresimin e kritereve të fundit për të rekomanduar më pastaj heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.
Sipas Ministrisë së Integrimeve, prezantimet dhe informatat e ofruara nga ana e institucioneve të Kosovës gjatë takimeve të zhvilluara me ekspertët e shteteve anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian u kanë mundësuar atyre të kenë një vlerësim gjithëpërfshirës.
Sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në seancën e nesërme, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare do të shqyrtohen dy projektligje: për herë të parë Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, ndërsa për herë të dytë, atë për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar.
Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë tre raporte: raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me mbikëqyrjen buxhetore të Skemës së Ndihmës Sociale për periudhën 2013-2015, raportin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2014, si dhe raportin e Komisionit për të Drejta dhe Interesa të Komuniteteve dhe Kthim, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fshatin Hoçë e Madhe dhe Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Në fund, pritet të emërohet një anëtar në Bordin për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.