Happy Birthday my SISTER!
Nga Matilda MIRAKAJ/
Janari është nje muaj shumē i rëndesishëm për mua. Si për të gjithë simbolizon fillime të reja, ëndrra dhe shpresa. Por në veçanti është i rëndesishëm për ngjarjet që formuan jetën time. Një nga këto ngjarje ishte arrestimi i babit në 15 Janar, kurse tjetra, ishte pozitive dhe dhurata më e bukur në jetën time.
Kur shkoj mbrapsht në thellesitë e fshehura të memorjes time, e para gjë që mbaj mënd është lindja e motrës. Big Bang i imi. Fillimi i gjithshkaje.
24 ditë më parë kisha mbushur 3 vjet. Sigurisht, nuk më kujtohet asgje deri atë ditë. Por, pak më shumē se tre javë më vonë, në trurin tim u regjistruan vizionet e para që simbolizojnë fillimin e kujtesave të mia. E para kujtesë e fëmijrisë sime e përzier me tregimet e mamit. Nga kjo mjegull kujtese hyjnë në të qënurit tim disa figura. Largesia e kohës së kaluar dhe mosha e brishte i veshin këto njerez me një mjegull të bardhe. Isha shumë e lumtur. Mami nuk kishte qënë në shtëpi për disa ditë dhe unë ia kisha ndjerë mungesën. Ishte ndarja e parë midis nesh. Për një fëmije të asaj moshe, prindërit dhe shtëpia janë gjithçka që eksiston. Është e para forcë graviteti që njeh. Është qëndra që tërheq një horizont që është në rritje konstante, ndaj vetes. Thuhet se njerëzit mësojnë deri në moshën tre vjeç shumë më tepër se se gjatë gjithë jetës së tyre. Ndoshta prandaj edhe nuk kujtojmë asgjë deri në atë moshë.Njohuria hyn në qënien tonë si një lum i rrëmbyer.
Dy gra dhe një vajzë e vogël. Mami me disa rroba në dorë, hallë Vali dhe Vilma. Vilma ishte disa muaj më e madhe se unë. Gati moshatare. Ajo më kujtohet më mirë se gjithçka tjetër atë ditë. Flokët e verdha me baluke. Si një kukull e vogël. Ato çfarë unē kujtova se ishin rroba në duart e mamit, doli se ishte bebja e vogël. Mami më ngriti lart me dy duart dhe më puthi.Oh, lëkura e fytyrës se saj më shkrinte me kënaqësi. Hallë Vali më puthi the më dha një karamele. Mami e lodhur nga rruga, akoma e dobët nga lindja, shkoj me hallë Valin në guzhine të shtrinte pak këmbët në minder. Edhe Vilma ndoqi nënën e vet. Unë ngela e mahnitur duke parë atë krijesë të vogël të vendosur diagonslisht në krevat. Dy sy të zinj dhe një fytyrë me ngjyrë trëndafili. Duart e vogla që mundoheshin të preknin ajrin rreth saj. Në duar kisha akoma karamelen që më kishte dhën hallë Vali. Goja e vogël e bebes lëvizte pa pushim sikur kërkonte diçka në hapsirë. M’u kujtua karamelja që kisha në dore. Mbase bebja do karamele, si unë. Ja afrova te buzët që ta lëpinte. I pëlqeu. Ok, e bëra sakrificën dhe ia dhashë të gjithën. Pa e kuptuar isha mbushur me dashuri për motrën e vogël që deri pak më parë nuk e njihja. Pastaj e lumtur për bujarinë time duke kercyer shkova në guzhinë te mami. Ajo ndërpreu bisedën me hallë Valin dhe më hodhi një vështrim të mallshëm. Mami, mami thirra unë, e eksituar. I dhashë bebit karamele. Mami, me sy të zgurdulluar bërtiti:- Çfarë…dhe vaproi në dhomën ku ishte Manjola e vogël. Ajo ishte duke u mbytur. Mami e kapi nga këmbët dhe i futi gishtin në fytin e vogël. E nxorri. Manjola filloi të marrë frymë dhe e trëmbur filloi të qajë. Unë kisha ngelur e friksuar në qoshe të dhomës.
Kjo ngjarje është e përzier me kujtesat e mia. E dëgjuam aq shpesh, sa, jo vetëm unë po edhe Manjola vetë, e mbante mand. Për fat, ajo që kishte qënē aq afër të ndodhte, u evitua. Dhe unë pata fatin te kem dhuratën më të madhe të jetës time për 44 vjet, 4 muaj dhe 7 ditë.
I love day lilies. They come on beautiful array of colors, some are pale and some have a deep color, some have different hues all together. Single layer of petals or double. Their fragrance feels the surroundings with a sweet aroma. They bloom on the morning and die with the sun. One day. No more. Short lived but it makes you smile filed with appreciation for its beauty when in bloom. A description that fits my sister so well. She was named after a flower. Two flowers actually. I don’t think it was intentional. Magnolia Margarita, Both white, beautiful flowers.
Bib, bib, bib, grafiku në ekran. I rrallë, i dobët pulsi.
…Edhe një, dhe pastaj heshtje. Një vijë e gjatë në ekran. Sytë e mbyllura, dhe të qeta. Një buzëqeshje gati e padukshme në cepat e buzëve. Lot, dhimbje, dorëzim. Dyert e arta të qiellit hapen të presin shpirtin që kthehet në shtëpi të vet. Ishte një udhtim i gjatë dhe i mundimshëm. Shumë i lodhshëm, por jo, kurrsesi i mërzitshëm. Ëngjëjt i tregojnë udhën, tashmë të harruar drejt shtëpisë së përjetshme.
Happy Birthday my SISTER!
ISHTE 15 JANAR
Nga Matilda Mirakaj/*
Ishte ditë dimri dhe frynte një erë e akullt. 15 Janar, 1980. Motra, unē dhe shoket e shoqet ktheheshim nga shkolla.Me çanta të shpuara në qoshe. Ecnim ngadalë për në shtëpi dhe ndonjeherë këndonim. Pa nxitim. Gjithë dita ishte e jona. Oh sa qejf, të jesh e mos të kesh asnjë përgjegjësi. Asnjë problem.Fushat e djerra, zgjateshin në horizont të kurorzuara nga kodrat e Gradishtës. Ne ecnim në shtegun e ngushte në buzë të kanalit. Nuk binte shi dhe ecja ishte më e kollajtë. Kur binte shi, çizmet e shpuara ngjiteshin në llucë shpesh here duke e tërhequr baltën me vete.Bëheshin aq të rënda sa bëhej e pamundur ti shqisje nga balta.Të rënda nja 4-5 kile. Ndonjëhere ngecnin dhe këmba dilte nga çizmja.Lopët e fshatarëve e punonin baltën dhe ujin në nje llaç ngjitës. Atherë duart hynin në punë për të ndihmuar këmbët. Ime motër, Manjola, ishte e holle dhe e gjatë si shkop. Dukej sikur ishte gati në çdo moment për tu thyer. Unë si motra e madhe qę isha, i shkulja çizmet nga balta dhe e ndihmoja ti vishte këmbęt të skuqura nga të ftohtit. Manjola ishte 3 vjet më e vogël dhe ate vit kishte filluar të pestën në Këmishtaj. Fillorja bëhej në kamp, 5 minuta larg shtëpie. Duke qënë me e madhe e kisha marr përsipër ta ndihmoja, dhe i mbaja çanten me libra çdo ditë. Më vonë kur të rritura zëmroheshim me njëra tjetren, ndonjë here ia përmëndja për ti kujtuar se sa shumē kisha bëre për të kur ishim të vogla, aq sa ia kisha mërzitur kokën.
Atë dit Janari ishte ditë e zakonshme dimri, të paktën pa shi. Ne, grupi i vogël i fëmijëve kaluam gërmadhat e kishës së Shen’Premtes. Partia komuniste e kishte djegur deri në dhe’. Dy qeparisa dhe gërmadhat ishte çka kishte ngelur.Varrezat pranë kishës ishin punuar me traktor shumē e shumë here dhe mbjellur me grurë për të bërë buke për popullin. Në atë muaj gruri i brishte krijonte një li ash te gjelbërt per rreth. Shpesh here duke kaluar pranë asaj që akoma quhej kisha, shikonim nëpër tokë dhëmbë ose fragmente kockash, që në një distancë jo shumë të largët kishin qënë buzqeshja e dikujt, ose duart e një nëne që kishte përkëdhelur fëmijët saj.
Ashtu ishte për aq kohë sa unë mund ta kujtoj nga fëmirija ime, dhe në atë kohë nuk më dukej diçka aq e tmerrshme dhe shtazarake sa sot që po shkruaj këto rreshta. Ata të vdekur ishin për ne fëmijët aq prehistorik dhe abstrakt sa dinosaurët. Në të vërtetë varrezat nuk duhet të kishin qënë shumē të vjetra. Mizerja që na rrethonte për së gjalli na pengonte të mendonim per dinjitetin dhe respektin e të vdekurit. Mbas kishës duhet të kapërcenim një kanal nja 2 metra të gjerë. Shoqja ime, Beta, ishte më atlete se unë, dhe e kapërcente pa vështirësi. Mbas nja dy provash më së fundi edhe unë u gjenda në krahun tjetër të kanalit. I dhashë kurajo edhe sime motre për të kercyer, dhe i shtriva krahun ta tërhiqja. Mbasi kalonim fushen ku luanim gjatë verës, të parat ndertesa që takonim ishin ato që ne quanim banjo. Ishin të ndërtuara në fund të rrugicës, por në këtë rast në fillim. Mvaret se nga ç’drejtim vije. Barakat tona ishin ndërtuar të gjata me dy krahë. Në çdo krah pothuajse jetonin nga 6 familje, pak a shumë. Akoma edhe sot më kujtohet me hollësi, ku jetonte çdo familje.Ah, memoria e fëmisë. Gjithsej ishin 4 barraka të tilla të ndërtuara paralel. Muret e holla ishin ndërtuar me baltë e me kallama, kurse çatia ish e mbuluar me katrama që me kohë ishte shpuar e shqyer dhe arnuar me copa plasmasi po të mund të gjenim. Dhomat ishin të vogla, nja 9 m2. Disa kishin vetëm një dhomë e disa dy. Çdo familje kishte ndërtuar nga nje kasolle të vogël me tulla balte, ne i quanim qerpiç këto tulla, ose me baltë e kallama, për ta përdorur si guzhinë. Kallamat rriteshin me shumicë. Fshati ku në jetonim kishte qënë kënetë dhe partia ishte shumē krenare për kryeveprën që kishte realizuar. Gjyshi im,babai i mamit, perpara se të përfundonte në burg kishte qënë drejtori i këtij projekti.Më parë ai kishte qënë gjeneral major, me yje e spaleta, me makinë e shofer e me të gjitha priviligjet që gëzonin pjestarët e rangut të lartë të partisë. Por ky është një tregim tjetër, për një ditë tjetër.
…Pra, kallama kishim me bollëk, faleminderit kënetës dhe ne i fusnim në punë kudo.Shyqyr zoti, ishin pa pare. Dhomat i kishim rrethuar me kallama perjashta, duke krijuar në atë mënyrë oborre të vogla që krijonin nje farë privatesije.Midis barrakave ishte nje rrugice nja 1 metër e gjëre.Kur binte shi ato gure të vendosur një këtu e një atje mbuloheshin me baltë.Të bëje ujin, nuk ishte shumē kollaj. Për të pirë kishim vetëm një çezëm në kamp.Oh, kamp përqëndrimi e kam fjalën, jo kamp vere. Tani e tutje fjalën barraka do ta zëvëndësoj me fjalën shtëpi, sepse ashtu ishin për ne. Aty kisha lindur unë dhe shokët e mij.Aty jetonim.Nuk ishte rrethuar me tela me gjëmba, por guxo ta kaloje kufirin e padukshëm dhe e shikoje se çfarë të gjente.Dënimi nuk ishte një shqelm në prapanicë, me tepër diçka si nja një jave në birucë të sigurimit me të rahurra si gomarit. Hajde ta kaloje po deshe. E spiuna kishte plot. Ne e kishim banjon të përbashkët me Zenelin.Ai kishte 4 kalamaj me sa e kujtoj, ne ishim 3 fëmije dhe mami e babi, pastaj ishte xhaxhai me gruan dhe nanën dhe djalin e madh. Djali i vogël ishte vetëm një vjeç dhe nuk kishte patur nderin ta përdorte akoma. Gjithsej 16 vete. Edhe familjet e tjera i kishin banjot me të njëjtën ndarje pak a shumë. Ok, mjaft me banjot se i kisha harruar dhe më vjen për të vjell kur i kujtoj. Edhe uji Ishte problem. Kishim vetëm një çezëm per të pirë e për tu larë. Shpesh, rradha bëhej e gjatë me kova e kazana sa duhej të prisnje 3-4 ore per të mbushur ujë. Ne prap, ishim më mirë se kushurinjt e mi që jetonin në kampin e Gjazës. Atyre i shkonte uji me kamion. Bëhej një betejë me zorra e bidona, kush ishte i zoti mbushte ujë, pleqtë në mëshirën e të tjerëve.Duke qënë se uji ishte problem, mund të imagjinohet kondicioni i banjove.
Atherë, të kthehemi tek ajo ditë. 15 Janari. Mbasi kaluam banjot në fund të rrugicës pamë Dhorën, që kishte nje pamje tragjike në fytyrë. Çfarë ka ndodhur e pyeta.
– Kanë arrestuar Mehdiun,- tha ajo. Ai ishte babai i Dianës, shoqes time.
– Oh jo-, thashë unë e tmerruar. Një vit më parë në Janar ata kishin arrestuar Naimin, baban e Gerit, Jimit dhe Dorianës. Oh jo. Mbas disa sekondash që u dukën shumë të gjatë, duke pëshpëritur me zërin që i dridhej, ajo shtoj. Kanë marrë edhe babin tënd…
Ishte 15 Janar…
* Ne Foto, e ndjera Manjola Mirakaj, qe nderroi jete ne New York…