-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një rol jetik për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova/
-Drejtori për Çështjet e Evropës Jug Qendrore, Matthew Palmer, tha se ShBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në fuqizimin e shtetit të saj dhe proceset nëpër të cilat po kalon/Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 6 Prill 2018/ Ka mbërritur sot në Prishtinë Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore të SHBA-së, Matthew Palmer. Diplomati amerikan në takim me presidentin e Republikës, Hashim Thaçi, rikonfirmoi edhe një herë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugëtimin evropian të Kosovës.Presidenti tha se Kosova është e përkushtuar për paqe të qëndrueshme në rajon.“Kosova është e gatshme për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë dhe është e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhje të përhershme që forcon paqen në rajon dhe në tërë kontinentin e Evropës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi dhe drejtori Palmer vlerësuan se vetëm dialogu çon drejt stabilitetit rajonal dhe paqes afatgjate, si dhe mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve në rajonin tonë.
Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore të SHBA-së, Matthew Palmer sot pasdite u prit edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj.Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një rol jetik për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, tha Haradinaj në takim ku u bisedua për situatën aktuale në Kosovë dhe rajon, procesin e transformimit të FSK-së në Ushtrinë e Kosovës, dialogun Kosovë – Serbi, si dhe aspekte që lidhen me sundimin e rendit dhe ligjit dhe proceseve të tjera të rëndësishme të integrimit euro-atlantik. “Qytetarët dhe institucionet e Kosovës përherë janë falënderues për ndihmën e gjithanshme që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin SHBA-të, për Kosovën. Kosova është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të, njëkohësisht duke rritë konsolidimin e shtetit dhe duke forcuar agjendën e saj të integrimit euro-atlantik”, tha kryeministri Haradinaj.Nga ana e tij, drejtori për Çështjet e Evropës Jug Qendrore, Matthew Palmer, tha se ShBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në fuqizimin e shtetit të saj dhe proceset nëpër të cilat po kalon. Palmer, poashtu tha se SHBA-të vazhdojnë interesimin e tyre në rajon dhe në procesin e dialogut.Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore i SHBA-së takoi edhe përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë, zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim në largim, Dalibor Jevtiç dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Igor Simiç.Para ardhjes në Prishtinë Palmer qëndroi në Beograd, ku është biseduar edhe për normalizimin e marrëdhenieve, të vlerësuar vendimtar për procesin e integrimit në BE, si edhe për stabilitetin e prosperitetin në rajon.