Pas më shumë se dy muaj nga vendimi për të radikalizuar protestën me hyrjen në çadër, kreu demokrat Lulzim Basha ka thirrur këtë të martë në selinë e partisë mbledhjen e grupit parlamentar.
Mbledhja është thirrur në orën 18:30 dhe zërat brenda PD-së bëjnë me dije që ajo të ketë lidhje me kritikat që një ditë më parë adresuan për lidershipin deputetët Bregu, Topalli dhe Selami.
Tre deputetët i kërkuan një ditë më parë kryetarit të PD-së të mbledhë urgjent forumet drejtuese të partisë për të diskutuar vendimmarrjen e bërë publike për të mos hyrë në zgjedhje, një vendimmarrje që nuk është diskutuar në asnjë nga forumet drejtuese.
Një muaj më parë kryetari i PD-së e thiri mbledhjen e grupit në praninë edhe të Kryesisë së partisë si dhe të krerëve të Departamenteve në selinë blu.
Mbledhja pritet të ketë në thelb të diskutimit situatën politike dhe vendimin për të mos u bërë pjesë e zgjedhjeve, vendim që do të shoqërohet me debate brenda grupit.