Shkruan:Eugen SHEHU/
Malet e Burrelit mbushur me pisha e lisë gjithfarësh,qarkuar prej ujërave të kulluar të lumit të Matit,kanë hyrë në historinë e betejave të lavdishme të shqiptarëve për liri,si karakolle të qëndresës kulmore.Supet e burrave të Matit,në rrebeshe luftërash u mbështetën në supet e maleve,duke paraparë tek këta aleatë të tyre natyrorë.Prej kësaj mbijetese të çuditshme brezash,erdhën deri në mesin e shekullit që lamë pas,trimëritë që u rrëfyen nëpër kullat matjane dhe u kënduan nga nënat ndërsa përkundnin djepat.Një e tillë rrëfenjë trimërore,ende sot merr krahë pëllumbi dhe endet brigjeve e grykave të Matit.Rrëfenja për burrin trim,për mbretërorin e palëkundur deri në fund,Murat Basha.
Murati ka lindur në fshatin Plan të Bardhë në Mat,në vitin e largët 1900.Bashajt asaj kohe hynin në dyert e mëdha jo vetëm të Matit por krejt viseve shqiptare.Veli Basha gjyshi i Muratit në vitet e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kishte qenë krahu i djathtë i Xhelal Pashë Zogollit,Iljaz Pashë Dibrës dhe krejt asaj plejade të shkëlqyer prijësash ushtarakë,të cilët me luftën e tyre i treguan Evropës se kufijtë etnike të Shqipërisë,ishte vështirë të shkeleshin.Madje me aktin e tyre heroik të kërkesës për autonomi,i rrëfyen Portës së Lartë se dinin jo vetëm të mbroheshin por edhe të qeverisnin.Trimi Veli Basha në krye të matjanëve trima,ka marrë pjesë dhe ka luftuar në mënyrë të veçantë në trojet shqiptare në Mal të Zi,aty ku rreziku qe më i madh.Në ag të shekullit të njëzetë,babai i Muratit,Hyseni do të lidhej ngushtë me lëvizjen autonomiste shqiptare dhe njëherazi do të vijonte miqësia dhe besa e pathyer me familjen Zogolli.Në shtëpinë e Bashajve në Plan të Bradhë,do të organizoheshin kuvende të fshehtë ku do të flitej për Komitetin e Manastirit,ç’pat vendosur ai dhe cilat ishin rrugët që vlente të ndiqeshin për të përhapur në popull idenë e lume të pavarsisë së Shqipërisë.Pikërisht në këtë mjedis,ku burrat kishin rrokur armët për t’u dalë zot fateve të vendit,kur lumi i Matit nuk ridhte vetëm lugjeve dhe gurëve por edhe legjendave,u rrit dhe u burrërua Murat Basha.Në shtëpinë e tyre do të shkonte shpesh Said Najdeni,i cili nën petkun e dervishit do të çonte aty libra shqip dhe do t’i mësonte Muratit –djaloshar jo vetëm të shkruajë e lexojë gjuhën e bukur shqipe,por historinë e lavdishme të kombit tonë.Njëherazi në rininë e tij,Murat Basha do të vijonte miqësinë e thellë me familjen Zogolli e në mënyrë të veçantë me djalin e vetëm të kësaj familjeje,Ahmetin.Por kjo miqësi u ngjiz në mënyrë të veçantë në vitet 1917-1918, atëherë kur ngjarje të reja do të trokisnin jo vetëm në dyert e kullave të Matit,por krejt Shqipërisë.
Siç dihet Kuvendi madhor i Lushnjës i janarit të vitit 1920,zgjodhi qeverinë e re,një varg burrash të shquar për atdhetarizmin e tyre.Pos të tjerave,ky kuvend,me votim unanim,zgjodhi në funksionin e ministrit të mbrendshëm të shtetit shqiptar,Ahmet Zogun.Në këtë kohë,Murat Basha në krye të disa dhjetra luftëtarëve matjanë,së bashku edhe me prijës të tjerë shqiptarë,kishin organizuar mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës si nga forcat ushtarake italiane,ashtu edhe prej disa taborreve shqiptarësh të gënjyer,të cilët për të marrë ndonjë para,ishin gati të luftonin që Shqipëria të mos kishte shtetin e vet.Është i njohur tanimë,akti i burrit të matit,ministrit të mbrendshëm shqiptar të asaj kohe Ahmet Zogut,i cili përballë i pati italianët ( veçanërisht në Durrës) ku patën zënë pritë për të mos lejuar qeverinë të shkonte në Tiranë.Duke marrë përsipër edhe çastin sublim,vdekjen për atdhenë,Ahmet Zogu doli përballë këmbënguljes së ushtarakëve italian.Dhe kësisoj rruga e qeverisë u çel,ndërsa në krah të Ahmet Zogut qëndronte Murat Basha,20 vjeçari me trup të gjatë si lastari,veshur me kostumin tradicional të matit,armatosur me një mal dashurie për atdheun e vet.Me të marrë funksionin e rëndësishëm në shtetin shqiptar të atyre viteve,Ahmet Zogu u ndesh me një varg pengesash të mëdha.Së pari ishte intervencioni jugosllav në veri të Shqipërisë,ku mijëra ushtarë të rregullt të beogradit,për të vënë në jetë elaboratet famëkeq serbe ndaj shqiptarëve,patën pushtuar me dhunë,zjarr e hekur kilometra të tërë prej trojeve dhe mbrenda kufijve politikë të shtetit amë.Në bashkëpunim edhe me ministrin e luftës,Ahmet Zogu iu kundërpërgjigj këtij intervencioni me luftë frontale,dhëmbë për dhëmbë,ndërkohë që qevreia shqiptare ndërmerrte dhe hapa të tjerë politikë dhe diplomatikë.E vërteta është se Ahmet Zogu,ndonëse në funksionin e ministrit të brendshëm,nuk thirri dhe organizoi taborre për t’u ruajtur vetë,por në krye të trimeve matjanë përkrah Murat Bashës me shokë,luftoi pa u epur derisa i fundit ushtarë serb u largua prej kufirit shtetëror shqiptar.Murat Basha së bashku me burrat e tjerë të Matit do të vijonte të ishte nën urdhërat e mikut të vet Ahmet Zogu,edhe në rastin e luftimeve në veri të Shqipërisë kundër forcave malazeze.Në janar të vitit 1923,atëherë kur kryeministri shqiptar Ahmet Zogu,do të duhej të përballej sërisht me forcat jugosllave,kësaj radhe në Dibër e Starovë,ai ka urdhëruar Murat Bashën dhe disa prijës të tjerë popullorë që me çetat e tyre të nxjerrin jashtë kufijve shtetërore ushtarët serb.
“Pas restaurimit të Legalitetit më 24 dhejtor 1924,Presidenti Zog i ngarkoi Hysen Selmanit detyrën e vështirë të drejtimit të reformave në Forcat e Armatosura dhe Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,sidomos në krijimin dhe modernizimin e repartit special të Gardës Kombëtare,më vonë Garda Mbretërore.Në këtë detyrë tejet të rëndësishme dhe delikate kolonel Hysen Selmani kishte në krah major Murat Bashën dhe këtë mision,këta ushtarakë të shkëlqyer e kryen me sukses të plotë.Me urdhër personal të presidentit,major Murat Basha u emërua Komandant i Shkollës së Xhandarmërisë”( Gazeta “Atdheu” – Tiranë, 29 qershor 2003 ).
Jo vetëm në këtë funksion të lartë por edhe në ata që mori më pas,Murat Basha do të bënte ç’ish e mundur që arma e xhandarmërisë shqiptare të modernizohej e forcaohej dita-ditës.Jo pa qëllim,Mbreti Zog,thirri specialistë britanikë në këtë armë,me ç’rast përvoja e tyre u shndrrua në një shkollë të paçmueshme jo vetëm për Muratin,por për të gjithë kuadrot e tjerë shqiptarë,të cilët ndërthurnin tanimë dijet e fituara me atdhedashurinë e mëkuar qysh në djep.Njëherazi në këto funksione,major Murat Basha do të shfaqte edhe personalitetin e vet atdhetar.Në mënyrë të veçantë në vitet 1936-1938,atëherë kur ndërhyrja italiane në Shqipëri po bëhej gjithnjë e më evidente,Murat Basha u bë barrierë e fuqishme ndaj kësaj ndërhyrjeje në radhët e xhandarmërisë.Ai u kujdes që kjo armë kaq delikate,të ishte kurdoherë në shërbim të popullit të vet,pa u shndrruar askurë lodër të klaneve politike,sado të rëndësishëm të ishin këta.Gjatë tërë këtyre viteve,Murat Basha u nderua me urdhëra e medalje nga vetë Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu.
7. prilli i vitit 1939, si në jetën e krejt shqiptarëve,do të sillte ndryshime edhe tek Murati.Tashmë emri i tij ishte tejet i njohur për Romën –fashiste,ndaj ai largohet nga Shqipëria si dhe qindra atdhetarë të tjerë,me shpresë se sërisht do të ngarendin atyre maleve e brigjveve në kërkim të lirisë së amshuar.Për rreth një vit,major Murat Basha do të mbahej i izoluar prej serbëve në një nga garnizonet ushtarake në Gostivar.Më pas ai do të lidhej ne kolonel Hysen Selmanin dhe Abaz Sul Kupin me ç’rast nisin nga organizimi për t’u kthyer në atdhe,me qëllim që të luftojnë të bashkuar pushtuesin italian.Në fillim të vitit 1942,në ilegalitet të plotë,Murat Basha nis organizimin e rezistencës antiitaliane në Mat dhe së bashku me Dule Allamanin,Kurtin etj,radhiten në krah të forcave të Abaz Kupit,me ç’rast kryejnë një varg luftimesh të ashpra deri në kapitulimin e Italisë fashiste në 9 shtator të vitit 1943.Në muajin që vijuan më pas,në mënyrë të veçantë pasi komunistët shqiptarë i kthyen krahët marrveshjes së Mukjes,Abaz Kupi dhe pasuesit e tij,kuptuan përfundimisht se klika e Tiranës i kishte sytë tek komunistët e Beogradit,ndaj u përpoqën me çdo mjet e mënyrë të gjenin të tjera alterantiva për nacionalzmin e ndershëm shqiptar.Duke shpresuar në një rikthim të mundshëm të mbretit Zog në atdhe,si faktor bashkimi e mobilizimi për gjithë shqiptarët në luftë kundër okupatorit,këta burra formuan në nëndorin e vitit 1943 Partinë e Legalitetit:Në këtë kuvend,Murat Basha,tanimë i sprovuar jo vetëm për aftësitë luftarake por sidomos mençurinë e atdhetarinë e vet,merr detyrën e udhëheqësit të shtabit legalist.Që në ditët epara të krijimit,ky shtab do të përballej me dy armiq.Nga njëra anë forcat gjermane,okupuese dhe nga ana tjetër aradhat nacionalçlirimtare shqiptare,të cilat shtinë dy pushkë sa për sy e faqe ndaj okupatorit dhe luftuan duke derdhur gjakun rrëke me vëllezërit e tyre që mendonin ndryshe.Pa dashur të sjell shumë argumente rreth kësaj ideje e shoh të udhës të sjellë në këto rreshta një dokument autentik të vetë historiografisë komuniste të Tiranës bollshevike,lidhur me situatën në atë moment thuhet tekstualisht ;”Brigada e Katërt dhe Brigada e Pestë,kishin detyrë luftarake shkatërrimin e forcave të Abaz Kupit.Më 3 korrik komandnati i përgjithshëm i UNÇSH-SË i theksonte edhe një herë Shtabit të Divizionit të parë :Ju kemi lajmëruar se duhet të mos e lëni Bazin të grumbullojë forcat e formojë një front kundër nesh.Mos neglizhoni këtë vërejtje,pse përgjegjësia bie mbi shtabin eDivizionit”(“Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH”- Tiranë 1976 , faqe 466 ).
Pra shihej në mënyrë pastër të qartë se aradhat partizane si synim kryesor të tyre,kishin goditjen e forcave nacionaliste sipas urdhërave të marra nga Beogradi.Ndërsa krejt ndryshe vepronin forcat nacionaliste.Major Murat Basha,intuitiv shpesh herë e parandjente rrezikun prej aradhave partizane dhe bënte çmos t’i shmangej sa më shumë luftës vëllavrasëse.Në bashkëpunim të ngushtë edhe me trimin e Krujës,Abaz Kupin,ata bënë çmos të mos luftonin vëlla me vëlla,përkundrazi të takoheshin,të bisedonin,të largonin mëritë duke i dhënë besë burrit,ashtu sikundër kishin vepruar tradicionalisht shqiptarët,atëherë kur pushka e hasmit gjëmonte tek pragu.Në librin e tij “Bijtë e Shqipes” autori britanik Xhulian Emeri ( oficer i lartë i SOE pranë shtabit të Abaz Kupit) tregon me fakte e ngjarje konkrete se në mjaft raste,prijësit zogistë e shmangën luftën vëllavrasëse,ndonëse në ndonjë rast edhe jashtë vullnetit të tyre.Veçanërisht në malet e Krujës,Martaneshit dhe Shpalit,aty ku aradhat nacionaliste ishin me djem të pafajshëm 15-16 vjeçarë nga jugu i shtetit amë,legalistët asesi nuk pranuan përleshje,Ata u hapnin rrugë këtyre djemve të parritur,ndërsa klika komuniste e Tiranës shpërndate e ngazëllyer fletushka,kinse për arratisje të legalistëve nga sytë këmbët,apo shpartallim të plotë të tyre.Madje ky nuk harron të përmend faktin se në verën e vitit 1944,rreth Abaz Kupit mund të grumbulloheshin rreth 10 mijë burra.Në këtë rrafsh mendoj se nuk ka qenë e vogël edhe ndihmesa e komandantit të shtabit të tij,major Murat Bashës.Me rënien e qeverisë të drejtuar nga Rexhep Mitrovica,klika komuniste e Tiranës filloi të bënte krime mu në mes të ditës,duke vrarë burra e djem shqiptarë të cilët ishin lidhur me lëvizjen nacionaliste.Më tej,ata vijuan me organizimin e aradhave të tyre dhe në këtë mënyrë terrori i kuq u shtri në krejt Shqipërinë.Murat Basha aso kohe,qëndronte me shtabin e vet luftarak në rajonin midis Laçit dhe Burelit,por intuitivisht ai e ndjente se lufta vëllavrasëse po merrte dimensione të papara.Në një takim në ditët e para të gushtit 1944,këtë shqetsim ai në cilësinë e komandantit të shtabit të zogistëve,ia paraqet edhe përfaqsuesve britanik Maklinit dhe Emerit.Sidomos kur me urdhër të E.Hoxhës dhe të Titos,aradhat partizane nisën inkursionin e tyre në veri,ishin shumë nacionalistë që nuk donin këtë veprim ushtarak ngase parashihnin lumejtë e gjakut që do të derdheshin.Këtë plagë të re për shqiptarët,kuptohet do ta hapnin komunistët e Tiranës dhe të Beogradit.Ata dualën kundër vullnetit të popullit të vet,madje historiografia komuniste 50 vjeçare shkruan tekstualisht: “Pas kalimit të Divizionit të parë në Veri,shumë krerë tradhëtarë si Abaz Kupi,Murat Basha, Ramadan Kaloshi,Seit Kryeziu dhe të tjerë i kërkuan misionit anglez që Komanda Aleate e Mesdheut të ushtronte ndikimin e saj për të ndaluar marrshimin e forcave partizane drejt Shqipërisë së mesme dhe asaj të Veriut”(“Historia e Luftës Antifashiste nacionalçlirimtare e popullit shqiptar” – Tiranë 1989, vëllimi 4 , faqe 403 ).
Por dihet tanimë se klika komuniste e Tiranës,duke u udhëhequr në çdo moment prej përfaqsuesve jugosllav,nuk pranuan as ndërhyrjen britanike në këtë pikë,përkundrazi e nisën inkursionin e tyre në Veri të Shqipërisë,duke kaluar edhe kufijtë politik të shtetit amë,dhe kinse për të luftuar pushtuesit gjermanë,u përleshën për jetë a vdekje me nacionalistët shqiptarë si në vise të Kosovës ashtu edhe në ato të Maqedonisë shqiptare.Në shtatorin e vitit 1944,kur ushtria gjermane nisi të largohej nga Shqipëria,komunistët vendosën të shtojnë terrorin e tyre jo vetëm kundër burrave të nacionalizmit shqiptar,por sidomos edhe ndjekësve dhe familjeve të tyre.Në këto momente,Major Murat Basha,në bisedime të ngushta edhe me Abaz Kupin shpërndan një pjesë të konsiderueshme të forcave luftarake,me qëllim që të shpëtonte sa më shumë prej tyre nga rreziku i murtajës komuniste.Ai organizoi vetëm 300-400 luftëtarë të cilët duke bashkëpunuar edhe me forcat e “Ballit Kombëtar” , mundën të kryejnë disa aksione të sukseshme në rrugën nacionale Krujë-Shkodër kundër forcave gjermane që tërhiqeshin.Ashtu sikundër edhe komandantët ushtarakë të “Ballit Kombëtar”,Murat Basha me zgjuarsinë që e karakterizonte,këto sulme kundër forcave gjermane i organizonte në terrene shumë larg fshatrave në këtë mënyrë të mos kishin mundësi ( pasi ishin në tërheqje e sipër), të hakmerreshin mbi fshatarë të pafajshëm apo të digjnin shtëpitë e tyre.
Në tetorin e vitit 1944,atëherë kur shtabet luftarake të “Ballit Kombëtar” dhe të “Lëvizjes së Legalitetit” u përqëndruan në fshatin Prezë,disa kilometra në veri të Tiranës,Murat Basha,Abaz Ermenji,Abaz Kupi etj,u përballën edhe me disa sulme sporadike të aradhave nacionalçlirimtare.Në dy-tri raste,këto sulme u thyen menjëherë,madje Murat basha me dy-tri luftëtarë të tij i bëri me dije komunistët se qëllimi i tyre nuk ishte të luftonin kundër vëllezërve të një gjaku:por,në ditët e fundit të tetorit 1944,atëherë kur u pa qartë se Kalaja e Prezës po rrethohej me mijëra komunistë,ishin sërisht Murat Basha me komandantët e tjerë nacionalistë që e lanë vendin pa lëshuar asnjë armë,vetëm evetëm të mos derdhnin gjakun e pafajshëm të djemve shqiptarë.Më tej,nëndorin e po këtij viti,qetësisht ai shpërndan shtabin e vet dhe në takim të fundit me Abaz Kupin,i kumton atij se në çdo rast në gjdo moment që ta kërkojë Monarkia,Murat Basha do të jetë jo vetëm një ushtarak i saj por edhe një mbretëror i palëkundur deri në fund të jetës së tij.
Me uzurpimin e Shqipërisë nga klika terroriste komuniste shqiptarosllave,më 29 nëndor 1944, nisi njëherazi hakmarrja e madhe e aradhave nacionalçlirimtare kundër çdokujt që pati shfaqur ide dhe mendime të kundërta me komunizmin.Në këtë valë terrori edhe major Murat Bashën,atë burrë fjalëpak por trim e muarën dhe e flakën në burgun famkeq të kryeqytetit.Këtu,pas farsës së qëllimshme të kinse “demaskimit” të tradhëtarëve,xhelatët me në krye Koçi Xoxen dhe Bedri Spahinë e dënuen major Murat Bashën me vdekje me pushkatim.Burri i Palnës së Bardhë e priti qetësisht dënimin.Një natë përpara se të pushkatohej,ai u kërkoi miqve të vet një laps dhe letër dhe shkroi këto radhë për gruan e tij :
“Ah grue,moj e zeza grue ! Tash shtatë vjet që zemra jote qet vetëm vaje,lot dhe vner domethënë qysh prej 7 prillit 1939,dhe ti moj e bekueme,me gjithë kalamajtë vuejte,u mundove,u dogje dhe u përvlove.Kështu ra qi edhe ti e bane luftën tande.E përse ? Për të fituar lirinë ! Kurse sot,që pritshim me shiju të drejtën,mundin,djersën dhe gjakun e derdhun përkundrazi,paska qenë kadër për me u ba kurban i mundimeve tona viktimë.Ani ani Sato e dashun,prap mos u dëshpro,por të lutem si nga hera banu burrneshë e qëndro,se unë po bahem kurban i Lirisë së shenjtë.Tan bota e din çështjen teme dhe eçmon fare mirë.Porosi sa vijon ;Aman kalamajtë,shumë,shumë,shumë kujdes për fatin dhe edukimin e djemve dhe me ju dhanë ndonji zanat.Mbasi shpija asht e juaja,besoj se s’kam me ja u nga,bani si të bani e Zoti ju ndihmoftë dhe kam besim se miqtë s’kan me ju leshue doret.Dëshiroj që vorri të mos hupi.Teshat që kisha me vedi në burg,i tregon lista ngjitur.Rujimi si kujtime ma të shtrenjtë nga ana jeme.Me Metin takojuni,se mund t’u bajë hall për ndihmë.Këto letra ja u nepni të adresuemve.Nuk më vjen keq se po vdes,se po vdes për Liri dhe për çështjen tonë të madhe.Po hallin tuej e të rretit familjar e kam të madh se e di se në ç’gjëndje po ju lej, e nuk po mund ta përshkruej dëshprimin tem,po fuqimadhen Perendi paçi ndihmë. Pra edhe njihere po ju lutem e po u them ta bani shumë gajret.Po i nap fund,duke ju puth e përqafu gjithmonë.Në zemrën tande Murati.Edhe nji porosi ;Vaj e gjamë mos me ba,vetëm gajret”( Gazeta “Atdheu” – Tiranë më 29 qershor 2003 ).
Të nesërmen,12 burra nacionalistë të lidhur me zinxhirët e rëndë të burgut,u nxuarën përballë skudrës së pushkatimit.Midis tyre pati edhe një djalë të vogël që mesi qëndronte në këmbë.Me zë të lartë,t’i jepte kurajo,major Murat Basha i tha ; “Mbahu se je burrë !”.Më pas të gjithë të dënuarit me vdekje ia muarën hymnit të flamurit.Të burgosurit e tjerë në biruca,duke marrë krahë nisën poashtu të këndojnë hymnin e madh të shqiptarëve.Pastaj gjëmuan krismat e armëve të kriminelëve,midis krismave u ndje i fuqishëm zëri i major Murat Bashës ; “Rroftë Shqipnija Etnike ! Rroftë Mbreti !”. Kështu mbyllej jeta fizike e mbretërorit trim.(ne Foto: Garda Mbreterore)