Shkruan: Mentor Kikia/
Në një akt të paprecedent, Ministria e Jashtme e Greqisë shpërndau një notë proteste pasditen e së premtes, pak orë pasi policia shqiptare kishte mbështetur zyrën e Përmbarimit në Përmet, për të zbatuar një vendim të formës së prerë të gjyqësorit shqiptar, për të larguar një kishë pa leje nga mjediset e një ndërtese, për të cilën gjykata kishte vendosur se i takon bashkisë së qytetit, pasi kishte qenë Pallat Kulture. Ishte një konflikt i vjetër mes kishës dhe bashkisë, një konflikt që përfundoi në gjykatë dhe gjykata i dha të drejtë njërës palë. Ani se disa mendojnë se e drejta ishte në anën tjetër. Kjo është një çështje që ha debat, sa publik aq edhe ligjor. Por qeveria greke, ku hyn në këtë valle, ose më saktë, ç’ndreqin do që hyn?
Fabula është shumë e thjeshtë. Kisha ortodokse dhe bashkia e qytetit ishin në konflikt për ndërtesën e Pallatit të Kulturës. Kisha pretendonte se ndërtesa kishte qenë kishë para se të bëhej Pallat Kulture nga komunistët. Por, edhe pse kishte humbur gjyqin ajo ndërtonte natën, duke korruptuar organet e bashkisë që duhej të zbatonin ligjin, dhe brenda Pallatit të Kulturës u ngrit një kishë. Pra një kishë pa leje. Konflikti zgjati vite, derisa zyra e Përmbarimit – “më në fund” thanë shumë njerëz – zbatoi vendimin e gjykatës. Dhe pikërisht në ditën e zbatimit të vendimit të gjykatës, qeveria greke reagon përmes një note proteste për “mbylljen e ambienteve dhe heqjen me dhunë të simboleve fetare, ikonave dhe sendeve të shenjta nga ky ambient”. Ne nuk dimë ndonjë rast kur një ndërtim pa leje të prishet duke hequr tullat një nga një dhe të paketohen. “Ato nuk kanë asnjë bazë ligjore. Respektimi i të drejtës së besimit, liria e besimit, ndërtimi i vendeve të faljes, janë në themel të një shteti dhe qëndrojnë si bazë e integrimit të tij europian. Ne shpresojnë se këto veprime janë kryer pa dijeninë e qeverisë shqiptare”. Ministria e Jashtme greke deklaroi se po ndjek nga afër situatën dhe ka porositur ambasadën në Tiranë të jetë e vëmendshme.
Ta zëmë se të gjitha veprimet e drejtësisë shqiptare janë të pabaza. Por, kush është ai politikan apo anëtar qeverie në Athinë që i atribuuaka të drejta vetes të mbajë qëndrime e të bëjë vlerësime mbi vendimet e Gjykatës së Lartë shqiptare? E në qofshin këto veprime të institucioneve shqiptare të padrejta, përse u merakoska qeveria greke kur në Përmet u prish një kishë pa leje? Përse u merakoska qeveria greke se u penguan disa besimtarë shqiptarë të futen në kishë për t’u lutur, pikërisht kur ajo po çmontohej? Apo, se u dhunuan disa besimtarë shqiptarë të fesë ortodokse, që tentuan të pengojnë zbatimin e një vendimi gjykate? Përse u merakoska qeveria greke se një prift shqiptar ortodoks u pengua të futet në kishën që po prishej dhe që shtynte me duar policët e shtetit? Deklarata e Ministrisë së Jashtme greke ishte këmbë e kokë sikur gjykata shqiptare të kishte marrë një vendim kundër kishës greke dhe sikur policia shqiptare të prekte interesat e shtetasve grekë. Por, a e di qeveria greke se Përmeti është territor shqiptar dhe aty jetojnë njerëz me shtetësi dhe kombësi shqiptare dhe që janë nën juridiksionin e shtetit shqiptar? A e di qeveria greke se ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë? A mos vallë duhet të reagojë me notë proteste Athina edhe për prishjen e ndërtimeve pa leje në Himarë, Palasë, Ksamil, apo kudo tjetër që “Agimi i Artë” mendon se janë zona greke? Padyshim që Athina e di se prishja e një kishe pa leje nuk e cenon fare besimin fetar në Shqipëri. Ndërkohë që nuk e di, dhe as nuk duhet ta dijë fare, nëse shumicës së njerëzve në atë qytet u shërben më shumë një kishë apo një qendër kulture.
Reagimi i Athinës dhe premtimi i saj se do të ndjekë situatën nga afër, është një ndërhyrje flagrante në punët e brendshme që, në rast se do të implikonte ndonjë shtet tjetër dhe jo Shqipërinë me politikën e saj vasale, do të merrte tjetër vëmendje. Athina na shfaqet si një mbrojtëse e ortodoksisë edhe në Shqipëri. Sikur të mos mjaftojë që kishën ortodokse shqiptare e ka pronësuar një prift grek, tashmë është politika e Athinës që heq maskën fare dhe tregon se është ajo inspiruesja e politikës se kishës greke në Shqipëri. Politika zyrtare greke tregon qartë se është ajo që ka frymëzuar tërë palaçot me veladon të zi që rrëmojnë nëpër varre e mbledhin kocka të vdekurish në fshatrat e Juglindjes, për t’i shitur në pazarin e nacionalizmës së sëmurë të Athinës si heronj të helenizmit. Politika e Athinës tregon qartë se ka qenë ajo që ka frymëzuar edhe konfliktin e acaruar e të gjatë mes bashkisë së Përmetit dhe kishës, që ndërtonte natën, brenda mureve të një ndërtese që i shërben qytetit si mjedis kulture dhe argëtimi.
Politika shqiptare ka heshtur deri tani, sepse përulësinë ndaj Athinës e maskon me faktin se feja është e ndarë nga shteti. Por kur nga Athina vijnë reagime të tillë, atëherë si politika zyrtare ashtu edhe ajo jo zyrtare, duhet të ngrenë zërin për të hedhur poshtë me neveri çdo ndërhyrje të tillë. Pasi këtu nuk flitet më për diplomaci, por për përdorim të fesë në shërbim të ca politikave të errëta nacionaliste, të lëna me kohë në sepeten e Mesjetës nga qytetërimi perëndimor, por të mbajtura gjallë në trurin e disa politikanëve në Athinë. Tru që për fat të keq nuk janë vetëm brenda kokave të rruara, vendosur mbi supe psikopatësh me kryqe naziste, por edhe tek ata baballarë të kombit që po përpiqen ta shpëtojnë Greqinë nga gremina ku ka rënë.
Pasi ndau së gjalli nënat shqiptare nga foshnjat vetëm se kërkoi të imponojë deri edhe gjuhën në pasaportat zyrtare shqiptare, tashmë emisarët diplomatikë të Athinës kanë veshur të gjithë veladonin e zi dhe po vajtojnë ortodoksinë shqiptare. Sot në Përmet do të shkojë konsulli grek i Gjirokastrës për të mbledhur tullat e kishës pa leje, për t’i çuar në Athinë, si të ishin gurët e çmuar të Kishës së Varrit të Shenjtë ku është varrosur Jezusi në Jerusalem.
LAJMI
Përplasja me komunitetin ortodoks, Athina zyrtare: Veprime të dënueshme
Përplasja mes zyrës së Përmbarimit dhe komunitetit ortodoks në Përmet ka pasuar me reagimin e Ministrisë së Jashtme greke. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i kësaj ministrie, Kostandinos Kutras shprehu shqetësimin e Athinës zyrtare, për aktet e dhunës ndaj priftërinjve dhe besimtarëve në Përmet. “Jemi të shqetësuar mbas marrjes së informacioneve se priftërinj dhe besimtarë ortodoksë u dhunuan në Përmet. Kjo ngjarje ka ndodhur pikërisht një ditë mbas festimeve për ditën e Shën Marisë”, – shkruhej në deklaratën e Athinës zyrtare. “Largimi i dhunshëm i besimtarëve dhe klerikëve, mbyllja e ambienteve dhe heqja me dhunë e simboleve fetare, ikonave dhe sendeve të shenjta nga ky ambient janë veprime të papranueshme dhe të dënuesh-me. Ato nuk kanë asnjë bazë ligjore. Respektimi i së drejtës së besimit, liria e besimit, ndërtimi i vendeve të faljes, janë në themel të një shteti dhe qëndrojnë si bazë të integrimit të tij europian”, – shkruhej më tej. “Ne shpre-sojmë se këto veprime janë kryer pa dijeninë e qeverisë shqiptare”, – përfundoi Ministria e Jashtme greke, e cila theksoi se po ndjek nga afër situatën.(Kortezi:Gazeta Shqiptare)