NGA GJON BUÇAJ/ Kryetar i VATRES/ Vatranët kanë qenë shpirtnisht bashkëvuejtës nga larg me popullin shqiptar, sidomos të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit, gjatë regjimit antikombëtar dhe anti njerzor të komunizmit. Me përmbysjen e diktaturës erdhi liria e fjalës dhe na, bashkë me ata që i mbijetuen asaj skëterre, shpresuem se do të vinte edhe drejtësia. Mjerisht, edhe tash mbas 25 vjetësh pluralizëm, ata ende kërkojnë drejtësi dhe na vazhdojmë t’i përkrahim. Kemi mbështetë vazhdimisht kërkesat dhe përpjekjet e asaj shtrese për integrimin në strukturat politike dhe ekonomike dhe këthimin e dinjitetit të tyne të nëpërkambun, me brutalitet të paimagjinueshëm, për afër nji gjysmë shekulli. Tashma nuk duhej të kishte nevojë për këso krëkesash, por megjitate, ish të përndjekunit vazhdojnë me dëshmue pakënaqsitë e tyne me kërkesa ose edhe protesta. Mbas aprovimit të ligjit për hapjen e dosjevet, nuk u ba asnji veprim nga ana e qeverisë për zbatimin e tij, megjithse ai ligj asht i mangët pa ligjin e lustracionit dhe si i tillë asht i padobi. Hapja e dosjevet duhet të shoqnohet me ligjin e lustracionit, përndryshe nuk ka as dobi as kuptim. Me zbatmin e ligjit të lustracionit do të luftohej burimi i korrupcionit që në klasën politike shqiptare ka mbërrijtë përmasa shqetsuese, tue rrezikue edhe stabilitetin e vendit e ma përtej.
Në keto ditë, kur debatohet për reformën e drejtsisë, bahen përpjekje për të ruejtë të pacenueme trashigiminë e regjimit të diktaturës, nga e cila shoqnia shqiptare duhej të ishte shkëputë me kohë. Tendenca për të vendosë në Kushtetutën e Shqipnisë një nen që do të ndalonte hetimin e krimeve të komunizmit, kundër të cilës foli publikisht Presidenti Nishani, asht jo vetëm ofendim për shqiptarët që i vuejtën ato krime, por edhe nji atentat arrogant kundër vlerave dhe rendit demokratik.
Shoqata e ish të përndjekunëvet ka kërkue qeverive, të tashmes e të maparshmes, ngritjen e nji monumenti për viktimat e komunizmit, por, si duket, nji vepër e tillë ende mendohet si tepër kontradiktore në nji vend ku krimet e diktaturës komunste nuk janë dënue dhe figurat e veprat e së kaluemes së përgjakshme përkujtohen e nderohen, ku askush nuk u ka lypë falje viktimavet, ku ndërtohen memoriale për ushtarët grek të ramë si okupatorë në tokën shqiptare, ku kryeqyteti “zbukurohet” me bunkerin, simbol i së kaluemes nga e cila politika shqiptare nuk don të shkëputet, ku……..Lista shkon gjatë, por janë edhe dy shembuj që dëshmojnë trajtimin shpërfillës të shtresës së ish të përndjekunëvet, dy faktorë që zvarriten qyshë prej fillimit të tranzicionit të pambarim: procesi i damshpërblimit për kohën e kalueme, pa faj, në burgje dhe në kampet e përqendrimit, që ish të përndjekunit atë proces e quejnë tallje me vuejtjet e tyne, dhe ngatrresat me pasoja shpeshherë tragjike të politikës së kthimit të pronave të konfiskueme padrejtsisht nga regjimi “popullor” te pronarët legjitim. Këto janë edhe dy ndër shejet dalluese në kartën e identitetit të klasës sunduese në tranzicionit.
Populli i ynë e ka nji fjalë të urtë: “fjalët e mira e gurët në strajcë”. Kështu janë trajtue ish të përndjekunit nga klasa politike tash 25 vjet, fjalë të mira sa të duesh, liri me folë e me shajtë komunizmin deri të lodhesh dhe me u largue prej vendlindjes kur të mundesh. Përsa u përket të drejtavet dhe barazisë qytetare, gurët në strajcë. Realiteti asht i idhët, i turpshëm dhe vjen tue u ba gjithënji e ma kërcnues.
Por duket se jemi në fundin e teposhtes dhe shoqnija shqiptare do të fillojë trajektoren e ngritjes. Ka fillue të ndigjohet zani i arsyes, gjithnji e ma i fuqishëm, jo vetem nga populli, por edhe nga intelektualët, aty-këtu edhe nga politikanët e inkurajuem, sidomos prej interesimit që po tregojnë SHBA me anë të ambasadorit Donald Lu. Reforma e Drejtësisë asht vendi kyç me fillue dhe pikërisht aty Ambasadori mik asht përqendrue me shumë përkushtim miqësor. I faleminderës! Kombi Shqiptar, edhe për këte, do t’i jetë gjithmonë mirënjohës atij dhe Amerikës.
Linja e jonë direkte me ish të përndjekunit mbetet e hapun, për t’u ba jehonë kërkesavet dhe arritjeve të tyne edhe në të ardhmën.