SHKRUAN: MENTOR NAZARKO*/
Rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame më në fund u botua në Fletoren Zyrtare, duke nënkuptuar një dokument deri diku detyrues për politikën e jashtme shqiptare. Jo rastësisht duke iu referuar asaj, ministri i Jashtëm grek tha se nuk e njihte këtë fakt, ndërkohë që në qëndrimet e institucioneve shqiptare po vihet re një lloj aktivizimi i tyre në drejtim të ngritjes së kësaj çështjeje në kontaktet dypalëshe. Po vihet re se çështja çame në sytë e këtyre institucioneve nuk është më një çështje inekzistente apo individësh, por çështje në dosjen diplomatike dhe çështje kolektive.
Rezoluta përfaqëson me të vërtetë diçka simbolike për komunitetin çam, sepse është një tekst de facto i miratuar në një sallë parlamenti të rrethuar nga ky komunitet, i cili i përplasur me policinë, u përgjak, u izolua në rajone të ndryshme policie. Vetëm 9 vjet më vonë ajo konsiderohet e miratuar dhe de jure. Në të vërtetë, ky tekst bart presionin e madh grek që u ushtrua mbi palët në momentin e miratimit parlamentar (ose në vigjilje të tij), ndërsa gjatë punimeve në Komisionin e Jashtëm nuk u ndje ky presion. Të dy partitë kryesore, PS në pushtet dhe PD në opozitë, së bashku me parti historike si Balli Kombëtar dhe Legaliteti, e miratuan me konsensus tekstin. Por ama, kur projektrezoluta mbërriti në sallën e Parlamentit, tensioni që vinte nga jashtë- nga presioni diplomatik i Greqisë dhe nga thirrjet e protestuesve të grupuar nga shoqata “Çamëria”, u pa se Berisha iku nga salla, ndërsa Nano urdhëroi të vetët që të mos e votonin, ose të abstenonin. Me gjithë manovrat e deputetëve të caktuar për të ndaluar rezultatin pozitiv, nëpërmjet abstenimeve të shumta, madje dhe ndikimin mbi vetë kryetarin e Parlamentit, Rezoluta sot është në fuqi.
Duhet mbajtur parasysh diçka në kontekstin historik. Shqipëria ende nuk ishte anëtare e NATO-s. Konsiderohej si diçka e jashtëzakonshme iniciativa e Adriatikut, ndërmarrë nga SHBA-të për Shqipërinë, Kroacinë dhe Malin e Zi. Pra, Parlamenti i Shqipërisë tregonte guxim në raport me presionin e një vendi anëtar të NATO-s, i cili kishte një votë apo një veto në raport me anëtarësimin eventual të Shqipërisë në vëllazërinë atlantike. Po sot që Shqipëria është anëtare e NATO-s, si duhet parë kjo Rezolutë?
Teksti në fjalë në fakt kapërcen dhe pritshmërinë e vetë komunitetit çam, sepse kapërcen projektrezolutën e paraqitur nga vetë Shoqata në atë vit, por ama është ndërkohë shumë më konkret duke reflektuar qoftë kuadrin tërësor të të drejtave të këtij komuniteti apo komunitetit shqiptar në përgjithësi, qoftë referenca shumë të sakta në pikëpamje kohore për të drejtën e pronësisë. Ndihet se në këtë tekst ka punuar me shumë gjasa dhe avokati i njohur, ndoshta eksperti më i mirë i çështjes së të drejtave të shqiptarëve në Greqi, Agim Tartari.
Komentet nen për nen
1.Rezoluta hapet me bazamentin diplomatik dhe ndërshtetëror ku mbështetet teksti i rezolutës, duke e konsideruar vetë rezolutën si kontribut në marrëdhëniet e mira dhe në favor të paqes e sigurisë. Qasja që ndihet veçanërisht te ky paragraf është: zgjidhja e një problemi kaq të madh të së shkuarës kontribuon në përmirësimin e klimës së sigurisë dhe paqes mes dy vendeve. Sigurisht dhe heqja e ligjit të luftës, respektivisht abrogimi i tij, i efekteve të tij kryesore ndikon thelbësisht në këtë objektiv të sigurimit të paqes.
2.Referimi te Konventa Europiane, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare, të njohura nga të dyja palët, është referim te një kornizë që ofron shumëçka për të drejtat e shqiptarëve në Greqi, veçanërisht të komunitetit çam. Përmendet dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e OKB-së, e cila është miratuar më herët sesa Konventa Europiane. Ndërkohë ka referime dhe për dokumente të tjera ndërkombëtare, që është term i gjerë, por që mund të lëvizë nga ato që lidhen me institucionet e drejtësisë, si GJND etj., deri te konventa më specifike për gjenocidin, krimet e luftës etj. Në këto akte ndërkombëtare flitet për të drejtën e mosdiskriminimit mbi bazë etnike, fetare, kombësie, të drejtën e gëzimit të lirë të pronësisë etj.
3.Referimi te fryma e Traktatit të miqësisë ofron një koncept shumë të gjerë që, i mbështetur mbi aktet e tjera ndërkombëtare të përmendura më sipër, krijon bazën më të rëndësishme juridike ku mbështeten pretendimet e komunitetit çam. Ky Traktat, si çdo traktat dypalësh, ka në themel të vet parimin e reciprocitetit. Me një fjalë, çfarëdo që kërkohet prej një shteti, i duhet ofruar dhe shtetit tjetër. Greqia, e cila, me shumë gjasa, siç pohojnë ekspertë të Ministrisë së Jashtme të asaj kohe, ishte autorja e projektit në linja kryesore, nuk mund ta shmangte banalisht këtë parim, ndaj në këtë Traktat reciprociteti ndihet qartësisht i përmendur dhe i konsideruar. Pra, flitet për të drejta minoritare, flitet për të drejtën e pronësisë, për mësimin e gjuhës dhe trashëgiminë respektive kulturore, përfshi përmendoret, për zgjidhjen e konflikteve në frymën paqedashëse, dhe eventualisht përdorimin e institucioneve ndërkombëtare në rast të dështimit të negociatave dypalëshe. Ka një rilexim pasurues të këtij Traktati në dritën e reciprocitetit, i cili realisht ka funksionuar vetëm për palën greke. Ky traktat duhet të funksionojë edhe për palën shqiptare në territorin grek. Për këtë, çdo akt ligjor grek që bie në kundërshtim me Traktatin, sepse cenon zbatimin e tij për shtetasit shqiptarë, do duhet të shfuqizohet.
4. Shprehja “është koha… për zgjidhjen… e të drejtave çame”, në fakt ngjan shumë interesante. Viti 2004 është afro 10 vjet pasi ish-ministri i Jashtëm grek, sot President i Greqisë, zoti Papulias, i kishte thënë homologut të vet Serreqi, se “duhet të kalonte pak kohë që të krijohej mundësia e shqyrtimit të çështjes çame”, sepse sipas tij “plagët ishin ende të hapura”. Pra, Parlamenti i Shqipërisë ngjan se i përgjigjet kështu zotit Papulias: ka ardhur koha për zgjidhjen e çështjes çame. Fryma e Traktatit të miqësisë është korniza apo çadra më e mirë për një kuadër tërësor të këtyre të drejtave.
5.Nëse më sipër thuhet se “është koha…”, atëherë është normale që “qeveria të shtojë përpjekjet”. Por, nëse në paragrafin e mësipërm flitet për një kuadër tërësor të drejtash që duhet të rishqyrtohen, Kuvendi nëpërmjet kësaj rezolute e vë theksin kryesor mes tyre te “çështja e pronave dhe pasuritë e tjera të patjetërsueshme të popullsisë çame”. Në fakt, kjo çështje është jo vetëm e komunitetit çam, por edhe e shqiptarëve të tjerë të Greqisë, por Kuvendi ka dashur të theksojë komunitetin çam si përbërësen kryesore të kësaj popullsie. Ndërkohë, në përgjigje të shqetësimit të disa maksimalistëve brenda komunitetit, e drejta e pronësisë është e vetmja e drejtë e cila siguron të gjithë të drejtat e tjera si pasojë dhe ndërkohë është e vetmja e drejtë e cila mund të pretendohet më lehtësisht në kontekstin aktual të marrëdhënieve me Greqinë. Madje dhe në institucionet ndërkombëtare kompetente, pa krijuar konflikt të fortë me këtë shtet që ka rëndësinë që ka në rrafsh rajonal dhe global. Pra, Greqia s’ka asnjë bazë në refuzimin e kësaj të drejte për shtetasit shqiptarë me origjinë çame ose jo, që kanë të drejta pronësore në Greqi. A është rastësor apo jo referimi te popullsia çame dhe jo te qytetarët e tjerë, kjo është pa rëndësi për komunitetin çam, por kërkon një lloj pyetësori të autorëve të këtij teksti. A mendojnë ata se vetëm komuniteti çam ka pretendime pronësore, apo ata ngatërrojnë të gjithë shqiptarët e Greqisë me çamët? E njëjta gjë dhe në paragrafin e mëposhtëm. 6.Ligji i Luftës nuk prek vetëm pasuritë e popullsisë çame, pasi ata morën shtetësi shqiptare.
Paragrafi me referencën për Ligjin e Luftës është paragrafi më i qartë dhe më konkret i gjithë tekstit.
Së pari, ai pohon se Ligji i Luftës është ende në fuqi, sepse është në fuqi efekti kryesor i këtij ligji: sekuestroja konservative. Sekuestroja konservative sipas Ligjit të Luftës duhet të binte automatikisht me heqjen e gjendjes së luftës apo me rënien e cilësimit armik të Shqipërisë, dhe respektivisht dhe të shtetasve të saj si shtetas armiq. Ky cilësim duhet të ketë rënë sipas të drejtës ndërkombëtare me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në 1971, apo në 1987, kur kryeministri Papandreu e shpalli këtë heqje me komunikatë qeveritare, apo me firmosjen e Traktatit të miqësisë në 1996, që në të vërtetë ngjan shumë me një traktat paqeje. Ama autoritetet greke nuk kanë respektuar procedurat e parashikuara në ligjin e luftës të nëntorit 1940, ndaj shumë ekspertë grekë thonë se Ligji i Luftës është ende në fuqi. Për më shumë sekuestroja konservative mbetet ende në fuqi, si efekti më kryesor i këtij ligji, së bashku me pretendimet e ekstremistëve grekë mbi Vorio Epirin.
Së dyti, ai konsideron se nevojitet një zgjidhje e shpejtë qoftë në aspektin teknik, qoftë në atë juridik, e cila duhet të jetë një zgjidhje kolektive dhe jo një zgjidhje individuale siç thonë autoritetet greke, të cilat ftojnë që qytetarët shqiptarë t’u drejtohen gjykatave të vendit të tyre apo Strasburgut, si tha Venizelos. Po a ka mundësi reale që një problem kaq i madh, pra që prek një numër kaq të madh qytetarësh, të zgjidhet me procese gjyqësore individuale? Po koha që rrjedh, komplikimet që bart, shtimin e trashëgimtarëve apo vdekjen e tyre etj. etj?
Së treti, parë në këtë perspektivë – atë të pronave, të heqjes së sekuestros konservative, Parlamenti shqiptar kërkon ngrirjen e ligjit grek Nr. 2664, i cili vendoste një afat 7-vjeçar për regjistrimin e gjithë pronave në Greqi, shto dhe një dy vjeçar për konfliktet e mundshme, dhe pas këtij 9-vjetëshi vënien e gurit të rëndë mbi çështjen e pronave shqiptare në Greqi. Sot kjo kërkesë ngjan e kapërcyer, por ajo duhet të përkthehet në shtyrjen e afatit kohor të parashikuar prej këtij ligji për regjistrimin e pasurive shqiptare në hipotekat greke.
7.Parlamenti i sugjeron qeverisë veprimin konkret: krijimin e grupeve të posaçme të punës dhe i kërkon përshpejtim. Pse? Sepse në të vërtetë grupe të tilla u krijuan që para Traktatit, por ama nuk vazhduan funksionimin. Ndërkohë, sipas Traktatit, grupe të tilla duhet të ngrihen jo vetëm për çështjen e pronësisë, por edhe çështje të tjera sipas parimit të reciprocitetit. Kjo u ripohua në takimin me Venizelos dhe ngjan se ka qenë kërkesa e autoriteteve tona.
8.Prapa fjalisë diplomatike, ku flitet për rregullimet ligjore që duhet të bëjë qeveria greke, fshihet gjithashtu një sugjerim i rëndësishëm i mbështetur mbi një të vërtetë absolute, që jo rrallë injorohet nga politika qeveritare. Traktati i miqësisë nuk është imediatisht i zbatueshëm, por ai ka nevojë për rregullime ligjore përkatëse që përmenden më sipër: abrogimi i Ligjit të Luftës, respektivisht heqja e sekuestros konservative. Po ashtu duhet të abrogohen ato ligje greke të cilat konsiderohen si pjesë e Kushtetutës greke dhe që kufizojnë ushtrimin e lirë të së drejtës së pronësisë së qytetarëve shqiptarë në Greqi dhe që janë në kundërshtim me nenin 15 të Traktatit të miqësisë. Në këtë nen duket ndikimi i ekspertëve më të mirë, respektivisht i avokatit Agim Tartari në formulimin e tij.
9.Edhe paragrafi mbi nevojën e njohjes ndërkombëtare të këtij teksti ka rëndësi të jashtëzakonshme: ndërkombëtarizimin e problemit. Ai duhet të ndodhë sipas rezolutës, që në fillim dhe jo si kushtëzim nëse qeveria greke nuk reagon pozitivisht. Pra, edhe ky nen e bën këtë rezolutë më të avancuar se projektrezoluta e dhjetorit 2012 apo dhe ajo e prezantuar prej komunitetit çam. Brenda shprehjes “qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit”, nënkuptohen fuqitë e mëdha që kanë ndikim absolut te Greqia, dhe institucionet do të ishin Bashkimi Europian, Këshilli i Europës, apo dhe institucionet e drejtësisë europiane dhe botërore. Prej këtij neni të fundit rrjedh automatikisht detyrimi i qeverisë shqiptare që t’ia dërgojë tekstin e rezolutës këtyre fuqive të mëdha të paktën, ashtu si dhe vetë Bashkimit Europian.
- E dergoi per Diellin Sali Bollati