NGA Dr. GJON BUCAJ/
Të dashtun Vatranë,
Përzemërsisht ju uroj festat e fundvitit, me shëndet dhe gëzime në familjet tueja, në farfis dhe në rrethin e miqve e të dashamirëve, për shumë mot!
Festat fetare, si Bajrami që kremtuem para pak kohe dhe Krishtlindjet që festojmë në këto ditë, sjellin gëzim, paqë e lumtuni, dashuni për Zotin e për kombin, harmoni me njenitjetrin dhe solidarizim e kujdes për nevojtarët.
Viti i ri asht festë e mbarë botës, kohë gëzimi e argëtimi për të gjithë. Asht koha kur këthejmë mendjen mbrapa, bajmë bilancin e sukseseve dhe mungesave të vitit në mbarim; këqyrim perpara drejt detyrave që na presin në vitin e ri, të përkushtuem për t’i përballue me besim në suksesin e arritjeve të reja.
Për kombin shqiptar viti 2012 asht viti i manifestimeve të mëdha të festës madhështore të 100 vjetorit të pavarësisë, që u zhvilluen kudo jetojnë shqiptarë, në të gjitha trojet etnike dhe në diasporë, me kremtimet kulmore në Vlorë e Tiranë.
Për Vatrën 2012-a asht viti i kremtimit madhështor të 100 vjetorit të saj, i përkujtimit me nderim të themeluesëve dhe figuravet tjera që ia kushtuen jetën rilindjes kombëtare, fitores dhe ruejtjes së pavarësisë. Asht i dhimshëm fati i disave nga këta patriotë që u këthyen për t’i shërbye kombit në atdhe, por gjetën vdekjen nën regjimin e okupimit nga ideologjija e huej. Ata ende presin drejtësi.
Në Konferencën Shkencore që nisi me lutje fetare e përshëndetje nga krenët e klerit të besimevet tona, historianë e publicistë nga trojet shqiptare dhe nga diaspora, ligjëruen mbi rrethana e figura të periudhës së pavarësisë dhe mbi kontributin e Vatrës për pavarësinë dhe për miqësinë me Amerikën.
Lutjet dhe përshëndetjet e krenëve të klerit, përshëndetjet e Kryeministrit Berisha, të Ambasadorit Amerikan Arvizu, të Zavendëskryeministres Teuta Arifi, të Ministrit Ibrahim Makolli dhe të Princit Leka ishin vëlerësim gjithëkombëtar i Vatrës dhe i kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të saj.
Pjesëmarrja në darkë nga të gjitha trojet dhe nga diaspora shqiptare e Europës dhe e Amerikës, zyrtarë shqiptarë dhe amerikanë, përfaqësuesët ma të lartë të klerit, delegacione e udhëheqës shoqatash dhe institucionesh, me praninë dhe me përshëndetjet e tyne i dhanë solemnitet të madh kremtimit. U prit me entuzjazëm leximi i mesazhevet uruese nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, Kryetarja e Parlamentit të Shqipnisë Jozefina Topalli, e Akademikut Mark Krasniqi, Ipeshkvit Arbresh të Lungros në Kalabri, Ercole Lupinaci dhe e Kryetarit të nderit të të Vatrës, z. Agim Karagjozi, sjellë nga i biri, Zuhdiu.
Pjesëmarrja në Konferencën Shkencore me ligjeratë e zotit Alexander Arvizu, Ambasador i Amerikës në Tiranë, dhe prania e tij në darkën solemne, dëshmoi vëlerat historike shqiptaro-amerikane të Vatrës.
Do të mbetet historike prania e prijsëve ma të lartë klerikë të besimevet tona, në frymën kombëtare të trashigueme nga Rilindësat, si dishmi e harmonisë së shqiptarëvet me besime të ndryshme, shtyllë mbështetëse në themelin e kombit tonë.
Ky që shkoi, për Vatrën asht edhe viti i shtimit të degëve. Përveç dy degëve të maparshme, në Washington me kryetare zonja Merita Bajraktari-McCormack dhe në Michigan me kryetar z. Alfons Grishaj, këtë vit u themeluen edhe tri degë tjera me radhë, në zonën West Palm Beach të shtetit Florida, kryetar z. Kolec Ndoja nga Pompano, në Hudson Valley në New York, kryetar z. Elmi Berisha dhe në Jacksonville, Florida, me kryetar z. Adriatik Spahiu. Parashihet të hapen edhe degë tjera në disa qytete të Amerikës ku ka shumë shqiptarë të interesuem për t’i shërbye çashtjes kombëtare me anë të Vatrës.
Mund të themi se viti 2012 ishte vit suksesesh për Vatrën. Entuzjazmi i frymëzuem prej kremtimit të 100 vjetroit, themelimi i degëve të reja, promovime librash me vëlerë kombëtare, vizitat në vende historike në vendlindje në përkujtim të disa figurave kombëtare, si dhe fryma e 100 vjetorit të pavarësisë, janë shenja që tregojnë moralin e lartë të Vatranëvet, të cilët kanë dhanë nji kontribut të jasshtëzakonshëm për realizimin e sukseseve.
Me këtë entuzjazëm dhe moral të lartë do të përballojmë detyrat e reja që na presin në vitin e ri 2013. Krijimi i degëve tjera, shtimi i antarëve të Vatrës, përpjekjet për të afrue rreth sa ma shumë antarë të tij, me nnji vemendje të posaçme për të rijt që ushqehen me idealizëm kombëtar, mbajtja e gazetës “Dielli” dhe synimi për t’a nxjerrë ma shpesh, gatishmënija për t’u gjtë prezent me qendrimet e Vatrës në dobi të Kombit ku dhe kurëdo që paraqitet nevoja, janë disa nga sfidat që na presin. Por kryesisht ky do të jetë viti i Kuvendit të Përgjithshëm të Vatrës.
Mbasi nuk u realizue Kuvendi në vitin e 100 vjetorit të Vatrës, do të synojmë përvjetorin e parë të shkullit të dytë. Mendoj se fundi i prillit do të ishte koha ma e përshtatshme. Pergatitjet do të jenë jo të lehta, pse duhet të kemi edhe degë tjera funksionuese, do të përshtatet kohëve të reja pjesa e rregullimit administrativ të Kanunores, pa luejtë pikat parimore, do të formulohet misioni i saj me vizion të gjanë dhe nji platformë kombëtare.
Në krye të platformës duhet të jetë Bashkimi Kombëtar dhe përkrahja e parezerva e çashtje çame. Shqiptarët janë në rrugë të mbarë për t’u bashkue, integrimi ndërshqiptar asht në rritje, abetarja unike në Shqipni e Kosovë asht nji fillim shumë shpresëdhanës, por duhet të unifikohet e të hyjë në përdorim në të gjitha shkollat shqipe, në trojet shqiptare dhe në diasporë. Duhet unifikue edhe tekstet tjera, të historisë kombëtare në rend të parë. Krijimi i institucioneve të përbashëta kulturore e sportive dhe ekonomike. Duhet të arrihet, në këtë mënyrë, bashkimi shpirtnor sa ma i fortë, që të jemi de facto të bashkuem kur të integrohemi në Europë. Gjatë kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë patriotizmi asht rritë dhe duhet kultivue në mënyrë të vazhdueshme por dhe me kujdes pët të evitue teprina (eksese). Asht realistik dhe shumë i qëlluem trumbetimi i bashkimit të shqiptarëvet në Europë.
Vatra duhet të vazhdojë thirrjet që shoqnia shqiptare në përgjithësi, jo vetëm në Shqipni, duhet të shkëputet nga trashigimia e së kaluemes komuniste Disa shenja inkurajuese shifen me largimin e disa prokurorëve por dhe duhet të bahen përpjekje ma të mëdha në këtë drejtim. Denimi i krimeve të komunizmit, aplikimi i ligjit të lustracionit, përpjekje për mëkamjen e shtresës së ish të përsekutuemëvet, vëlersimi objektiv i figuravet kombëtare që komunizmi i ka përndjekë, vra e masakrue ata që i ka nxanë dhe etiketue me epitetet ma të pa drejta dhe të pameritueme.
Dhe nji herë, Gëzue Festat të gjithëvet! Atyne që kanë humbë të dashtunit e tyne këtë vit, pritshi gëzime tash a mbas.