Nga MSc. Albert R. HABAZAJ*
Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” e Vlorës nuk bën pushim. Ajo ndez qytetin dhe fshatrat e krahinave të saj me zjarr atdhetar dhe dritë kulturore çdo stinë, çdo muaj, çdo javë, çdo ditë; në disa raste realizon edhe dy veprimtari në ditë, njërën më të bukur se tjetra, njërën më mbresëlënëse se tjetra. Ka pasuri gjeografie, grupmoshash, profesionesh, gjinie, tematike, cilësisht të mira, estetikisht të pëlqyeshme, shoqërisht të dobishme.
Një veprimtari e veçantë ishte takimi në trajtën e një mikrosimpoziumi shkencoro – kulturor në nderim të mësuesit veteran Dasho Miftar Ramosaço, që për nga pjesëmarrja, kumtuesit, serioziteti, mesazhet dhe konteksti i zhvillimit, qe takim kalibri; një model për veprimtaritë në vijim. Jemi mësuar të bëjmë takime të mëdha, me pjesëmarrje, me fjalë, me dekorata. Janë bërë takime shumë të mira. Janë nderuar sidomos figura të traditës historiko- kulturore nga treva e Labërisë apo nga treva të tjera që kanë merita edhe për krahinën e Labërisë. Janë nderuar veprimtarë shoqërorë me kontribute të veçanta për përparimin e sotshmërisë. Janë vlerësuar këngëtarë popullorë, artistë, poetë, shkrimtarë, regjisorë, aktorë, edhe mësues të shkencave humane. Rasti i Dashamir Ramosaçajt përbën një veçanësi e ndoshta është i pari si aplikim ndër vlerësimet e Labërisë për bijtë e saj intelektualë, kur përvoja e tyre arsimore – shoqërore është në dobi të komunitetit. Përse? Sepse Dasho Ramosaço, i cili ka lindur në Radhimë, në Gji të Perëndisë, që vetë Zoti, këtij vendi me diell, kaltësi e gjelbërim shkëlqimtar gjithëvjetor, i ka falur më të mirat visare që ka bota njerëzore, ka qenë mësues, një jetë të tërë mësues matematike, inspektor zone dhe përgjegjës i sektorit përkatës në Drejtorinë Rajonale të Arsimit, Vlorë. Nga monografia “Bota radhimjote” e autorit Neki Lameborshi mësojmë edhe për traditën e arsimit të këtij fshati të bekuar, edhe për stafetën fisnikërisht të bukur që vijoi në vitet e Pasçlirimit: “Duke qenë pra një fshat arsimdashës, radhimjotët, kudo që shkuan, në shkolla të përgjithshme e profesionale, u dalluan si nxënës të zellshëm e cilësorë. E ndër ta, me hapjen e Universitetit në Tiranë dhe instituteve të larta, u diplomuan në profesione të ndryshme. Nga një llogari e përafërt, rreth 200 djem e vajza nga Radhima përfunduan studimet e larta. E një plejadë e tërë, nga këta zgjodhën profesionin e bukur të mësuesit. Mbas përfundimit të studimeve, nisur nga dëshira e mirë për të dhënë kontribut në vazhimin e shkollësisë në Radhimë, shumë prej tyre si Abedin Hamiti, Avni Begotaraj, Tefta Lagji, Lefter Lameborshi, Gani Gjimara, Fatime Gjimara, Mustafa Lagji, Sadik Ruko, Kadrie Limo, Vjollca Lameborshi, Aneta Begotare, etj., filluan karierën e mësuesisë në fshat, duke dhënë me pas kontributin si shpërndarës të diturisë e dijes anë e kënd atdheut si shumë e shumë radhimjotë të tjerë, si Shezai Radhima, Piro Radhima, Jazo Bilani, Xhebro Vera, Hasan Cekodhima, Fitus Radhima, Farfuri Bilani, Dashuri Begotare, Tok Radhima, Spartak Hamiti, Bujtina Lameborshi, Dasho Ramosaço, Ilirjan Selmani, Hektor Radhima, Enver Dani, Hasan Havari, Agron Begotare, Muhedin Begotare, Reta Selmani, etj, etj. E këtu nuk mund të lihen pa përmendur dy mësuesit veteranë, që nuk jetojnë më, Bejko Selmani e Tare Kojani, që breza të tërë mësuan prej tyre A-B-C-në në Fshat”. Një nga ata dritanë të dritës, me të cilët krenohet jo vetëm Radhima, por edhe Vlora, është Dashua, icili spikati gati një gjysmë shekulli kontribut në mësimdhënie për edukimin arsimor dhe qytetar të bijve dhe bijave të Labërisë së Vlorës. Aq më tepër, që zhvillimi arsimor, në periudhën, kur ka dhënë mësim Dashua qe jo për t’u përmendur shumë pozitivisht dhe matematika nuk mirëpritej aq sa duhej. Lënda e matematikës klasifikohet shumë e vështirë, aq sa e bukur dhe e dobishme për përparimin civil. Dashua në këtë drejtim ka vlera të dallueshme, sepse qe i aftë si mësues, i zoti si metodist, me virtyte si njeri. Ai përgatiti një plejadë të tërë mësuesish matematike, që nderuan veten dhe mësuesin e tyre. Nuk ka fshat të krahinës së Labërisë së Vlorës që Dashua të mos e ketë shkelur, nuk ka banor të Labërisë së Vlorës, e cila plotësohet me anëlumas e me anëdetas, që Dashua mos ta ketë njohur, mos të ketë pirë kafe e raki në në shtëpi të tyre e mos t’ua ketë kthyer respektin në Vlorë në shtëpi të tij apo dhe në lokal, duke i mikpritur sipas traditës së bujarisë labe, sepse edhe ai është një djalë i mirë Labërie. Për këto vlera u diskutua në takim, për virtytet, për sakrificat, vullnetarizmin e solidaritetin me përparimtaren, që reflektoi një jetë të tërë Dasho Ramosaço dhe Dashamirët e tjerë të Dritës së Diturisë, që Vlora duhet t’i ruajë si perla të arsimit vlonjat në kohëra. Kishe vërtetë ç’të dëgjoje dhe ç’të mësoje nga fjalët e mençura të mësuesve të shkëlqyer, sot veteranë të arsimit në Vlorë, si Ilirian Selmani, Vitri Zyka, Hajri Allushi, poeti i fizikës Vaso Pata, apo nga Ahmet Dema, i cili është dhe kryetar i shoqatës “Labëria” për degën e Vlorës dhe që i dorëzoi Dashos dekoratën e lartë në një atmosferë festive dhe shumë të ngrohtë. Për këto u fol dhe për librin e tij “Rrugëtim në Origjinë”, që Dashua ua dhuroi miqve, si shenjë respekti, që kaluan momente të shkëlqyera miqësore dhe kulturore së bashku. Lajtmotivi i monografisë së Dashos është “Prindërit e mirë e lenë të pastër rrugën e fëmijve, por edhe fëmijët e mirë ua lehtësojnë peshën e barrës së moshës prindërve”. Vlera burrërore e Dashos u bë më evidente, sepse vlerësimi i tij qe planifikuar të bëhej në një kohë, kur atij i ndodhën dy ngjarje të dhembshura familjare. Dashua nuk kërkoi shtyrjen e aktivitetit. Dhembjen e përballoi me të tijtë. Nderimin që i bëri shoqëria ua ktheu me nderim. Për realizimin shembullor të aktivitetit të Dashos ka meritë nipi i tij fisnik, Dr. Miftar Ramosaço, pedagog dhe përgjegjës i Departamentit të Matematikës në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.
*) sekretar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, Vlorë.