Në foto Elida 18 vjeçare, kohë kur ishte gjimnaziste tek Sami Frashëri/
NGA ELIDA BUÇPAPAJ/
Mësuesja e letërsisë që ishte për mua edhe shenjtore, edhe diell…
Këto rradhë që po i shkruaj sot, i kam përsëritur me zë e pa zë, vazhdimisht, sa herë që kam reflektuar rrjedhën e jetës time, i kam shqiptuar pa ndërprerë. Ajo ka qenë me mua gjithnjë pranë. Është njeriu që ka patur rolin më të rëndësishëm si mësuese e pedagoge, sepse më ka rizgjuar identitetin tim të groposur nga lufta e klasave, sikur thotë poeti Robert Frost “Unë nuk jam mësues por një zgjues”, zbulues, kur e bën çdo nxënës Kolomb të zbulojë Amerikën, pasionin e jetës.
Asnjëherë nuk ia kam shprehur mirënjohjen direkt sy më sy. Pastaj midis nesh nisi largësia, largimi ynë nga Shqipëria po aq i përmallshēm sa në baladat shqiptare. Ajo ndofta ka ndjerë trishtim, është zhgënjyer nga heshtja ime larg Alpesh, pas Alpesh. Dhe kjo më mbush me keqardhje, sepse është krejt ndryshe nga e vërteta. Unë e kam patur gjithnjë të gjallë këtë mirënjohje prej periudhës së viteve të gjelbër, kur isha vetëm një teen e deri kur fryma do të ngrihet lart si pupla e lehtë e një trishtili.
I kam folur për të Skënderit, sapo filluam historinë tonë të dashurisë, djemve, sepse im atë dhe mamaja ime e dinin se sa e rëndësishme ishte ajo për mua.
Edukimi nuk është mbushja e një thesi, thotë poeti William Butler Yates, por ndezja e një zjarri. E një zjarri apo pasioni, quaje si të duash, që ia dedikojmë jetën pa u lodhur kurrë.
Kjo ishte mësuesja e letërsisë e gjimnazit Sami Frashërit. Ferial Vasili. Ferial Vasili ishte për mua edhe shenjtore, edhe diell, sepse më ka ndriçuar rrugën, më ka ngrohur në ditë shumë të trishta të një adoleshence gjithë privime e terror psikologjik, të një adoleshence të acartë, kur shoqet dhe shokët e klasës të largoheshin, isha bija e armikut të partisë, lufta e klasave e ushqente urrejtjen klasore që në bankat e shkollës, të damkoste, të tregonin me gisht, pa asnjë lloj pezmi apo dhimbshurie, ishte seleksionimi që impononte diktatura, që shoqëria e mikpriste. Seleksionimi ishte si numrat e hebrejve, si ylli i verdhë Davidit që mbanin hebrejtë gjatë Holokaustit.
Ferial Vasili, e dashuruar me letërsinë, me profesionin e mësimdhënies ishte mësuesja më strikte e Sami Frashërit, në kuptimin se nuk pranonte të ndikohej dhe nuk bënte lëshime sa i përket vlerësimit të nxënësve.
Feriali Vasili ishte etaloni i meritokracisë të cilin e edukonte si vlerë. Tek Sami Frashëri sa vinte nje brez i ri gjimnazistash mësonte prej brezave pararendës se me Ferial Vasilin nuk mjaftonte të mësoje si peshkop, por duhej ta doje letërsinë me pasion, ta doje pa servilizëm apo hipokrizi, sepse Ferial Vasili i shquante menjëherë.
Për Ferial Vasilin, dhjeta në letërsi duhej merituar. Nuk mjaftoje të përsërisje tekstet rrjedhshēm, të mësoje përmendsh Elegjinë e Luigj Gurakuqit apo Fjalët e qiririt, sepse Ferial Vasili i dallonte ata që përsërisnin si papagaj nga ata që i qanin me lot vargjet e Fan Nolit apo të Naim Frashërit. Shkurt, të duhej dashuria për t’u lidhur me letërsinë në mënyrë shpirtërore, duhej të bije në dashuri me lëndën që ajo e bënte aq shumë për ta dashur. Nëse zgjidhej ky ekuacion ezoterik, atëhere po, e meritoje dhjetën. Po të ishe e talentuar, kjo ishte një plus, por të talentuarit janë të rrallë. Nuk janë shumësi kolektive asnjëherë.
Tek Sami Frashëri, gjimnazi nga kanë dalë 80 % e klasës politike në Shqipëri, nga kanë dalë shkencëtarë të sukseshëm sot nëpër botë, nxënësit e donin dhjetën me çdo kusht, në kuptimin se studionin, se ishin më të mirët në rang me gjimnazet e kryeqytetit dhe në dëftesat e tyre dhjetat rreshtoheshin me plotfuqishmëri, por me Ferial Vasilin nuk bëhej shaka. Ajo ishte si balanca e drejtësisë, si Perëndesha Romake Justitia.
Klasës tonë filloi t’i jepte mësim në vitin e tretë të gjimnazit. Përkonte me kohën kur ndaj tim eti regjimi diktatorial kishte ndërmarrë një fushatë persekutimesh të egra, e kishin hequr nga partia, e kishin pushuar nga puna, ia kishin hequr të drejtën e botimit, librat ia kishin bërë karton, dhe pasi i kishim shpëtuar internimit për një qime në një fshat gjeografikisht të Tiranës, i cili ishte tmerrësisht i izoluar mes malesh, afër Malit me Gropa dhe pasi e kishin lënë pa punë, më në fund e kishin dërguar të punonte si punëtor krahu në repartin e plehrave të Kombinatin Poligrafik. Mendoni, të gjitha këto të zeza që hiqte im atë kishin pasoja direkte tek unë. Shoqet e ngushta më kishin braktisur, nuk më ftonin as nëpër ditëlindje, kur kishim aktivitete shkollore më linin vetëm, ndodhte rëndom që shokë nga klasa kishin arritur deri aty sa të më thoshin se mësoja kot, pasi nuk do të më dilte e drejta e studimit, sikur edhe u vërtetua posa mbaruam maturën. Për të shmangur sjelljen e pështirë të shoqeve, detyrohesha të ndryshoja rrugën vajtje ardhje nga shkolla, i bija sa më gjatë, edhe kur shkoja, edhe kur kthehesha, isha vetëm. Shoqet e mia janë të gjitha dhe asnjëra prej tyre nuk mund të më pohojë të kundërtën. Kur Ismail Kadare botoi tek revista Nëntori novelën Nata me Hënë, u identifikova me heroinen e novelës, aq shumë ndeshesha me cinizmin e shoqërisë shqiptare.
Dikush do të thotë se ashtu ishte koha. Po, është e vërtetë. Prandaj në atë kohë tmerri shquhen njerëzit me zemër të madhe. Ishin të rrallë. Ishin konstelacione të rralla si kometa por ishin. Mësuesja e letërsisë Ferial Vasili e afroi të bijën e një poeti të censuruar, të ndaluar të përmendej në librat dhe orët e letërsisë, të një poeti të mallkuar nga regjimi. Mendoni, në mes të atij oqeani cinizmi obskurantist, për mua kishte një liman shprese. Në atë ferr shëmtie për mua kishte edhe dritë parajse, në orën e saj të letërsisë.
Unë mezi prisja që të kishim letërsi, megjithëse isha shkëlqyshëm në gati të gjitha lëndët e gjimnazit, por në orën e letërsisë, unë fitoja dinjitetin e humbur nga ajo që më ngjante në shkollë, sepse kishte edhe plot mësuese konformiste me sistemin, që mendonin ashtu si mendonte partia. Por kishte edhe mësues me dinjitet që i devijonin rregullave të hekurta të diktaturës dhe i respektonin adoleshentët gjimnazistë me prejardhje nga familje të persekutuara.
Kur filloi të na jepte mësim, në vitin e tretë të gjimnazit, ne si klasë ishim të gjithë të ndrojtur në fillim, sepse ishte mësuesja më me autoritet e shkollës. Ndërkohë, më kujtohet si tani, kur bëmë hartimin e parë. Tema ishte për dëshmorët e luftës. Unë shkrova një poemth për Qemal Stafën. Erdhi edhe dita kur kishim orën e korigjim-hartimit. Ishin dy orë të plota. Feriali i kalonte hartimet tona me rradhë, bënte vërejtje, komentonim dhe kështu emër për emër. Hartimi im nuk po dilte gjëkundi.
Gjithë klasa kishte përfunduar pothuaj. Unë në regjistër isha nga fillimi se emri më niste me gërmën „E“. Fillova të shqetësohem. Por nuk kaloi pak ajo më solli fletoren në bankën time dhe më tha: „Lexoje Elida“! Unë kisha shtangur, më kishte mbetur fryma! Ferial Vasili hartimin tim e konsideronte më të bukurin dhe më thosh që t’ia lexoja klasës me zë të lartë. Dhe ashtu bëra, nisa ta deklamoj me gjithë shpirt, sepse deklamoja shumë bukur. Atë ditë unë rilinda edhe për të gjithë kohën që do të vinte pastaj!
Prej asaj dite, midis Ferial Vasilit dhe meje u krijua një lidhje shumë e bukur, e sinqertë, njerëzore, unike. Asnjë nga shoqet e klasës, sado mirë që prindërit e tyre i kishin marrëdhëniet me partinë e punës, nuk e kishte atë lidhje speciale si kjo jona. Ferial Vasili e kishte rizbuluar tek unë rishtas vokacionin tim për të shkruar, të cilin unë e kisha shfaqur më herët dhe që ma kishte varrosur të gjallë diktatura.
Prej asaj dite, që kur deklamova hartimin tim kushtuar Qemal Stafës, heroit të adoleshencës time, unë e rizbulova letërsinë si dritare edhe për të parë botën, edhe si një lloj sfide. Ndërsa Ferial Vasili ishte gjëja më e bukur që kam patur gjatë gjimnazit, periudhë gjithë lot e vuajtje. Ajo më mikpriste edhe në shtëpinë e saj dhe aty më tregonte librat e babit, të cilat ishin hequr nga qarkullimi. Ajo më besonte mua aq shumë, ndërsa unë e shihja si perëndi.
Raporti me mësuesen time të letërsisë ishte i tillë, nga ata që nuk ka rëndësi nëse shihesh apo nuk shihesh, sepse ishte një lidhje nga ato që zgjasin gjithmonë. Pasi mbarova gjimnazin, nuk më doli e drejta e studimit, pa marrë parasysh rezultatet e larta dhe vokacionin tim për letërsi e gjuhë të huaja.
Komiteti ekzekutiv më dërgoi të punoja në fabrikën e pllakave në Kombinatin Josif Pashko, në repartin më të vështirë, atje ku punonin ata që i kishte dënuar partia e punës. Tek Josif Pashko punoja me dy turne, kur dilja në mëngjes ende pa zbardhur dita, në ditët e ftohta të dimrit qaja rrugës, kur nuk më shihte njeri. Pastaj fillova punë tek varrezat e Sharrës, vajzē e re 20 vjeçare.
Në një paradite pranvere, si kjo e sotmja takoj Ferial Vasilin. Më kujtohet si sot, afër kinema Partizanit. U takuam me mall si nëna me bijën. Më pyeti si i kisha punët. I tregova fill e për pe. I tregoja gjithçka, nuk i fshihja asgjë. I thashë se ku punoja dhe se si ishte gjendja. Më pyeti nëse im atë kishte njohje me Rozeta Uçin, gruan e Prof.Alfred Uçit dhe kur i thashë po, më tregoi se ishte një vend pune bosh, dhe Rozeta mund të më ndihmonte. Ishte fjala për arkivin e Istitutit të Kulturës Popullore. Unë i ndoqa fije për pe këshillat e saj. Im atë shkoi tek Rozeta Uçi me të cilën kishte miqësi dhe magjia ndodhi. Nisa të punoj në Institutin e Kulturës Popullore, ku filloi edhe njohja ime e thellë me fondin e baladave dhe mahnitja prej Ciklit të Kreshnikëve. Prej aty m’u krijua mundësia të ndiqja Universitetin për Gjuhë-Letërsi dhe jeta të merrte rrjedhën që mori, ndërkohë që Muri Berlinit ishte përmbysur dhe kishin lindur shpresa për të gjithë të pashpresët.
Ferial Vasili ishte fataliteti mrekulli e adoleshencës sime plot vuajtje e lot, që vazhdon e më ndjek kudo, në profesionin tim si gazetare, në krijimtarinë time, në jetën time si bijë, grua e nënë. Ajo është me mua përherë. Mësuesja e letërsisë në gjimnazin Sami Frashëri! Ajo ishte për mua edhe shenjtore, edhe diell!Pastaj jeta i ndau shqiptarët nëpër të katër anët e botës. U rishfaqën të shpalosura në mijra e mijra forma baladat shqiptare të jetuara në epokën moderne. Ajo ndofta ka menduar me keqardhje se unë mund ta kem harruar, por unë e mbaj përherë në zemrën time. Aty ku ndodhet vendi i posaçëm ku ruhen thesarët. Aty e ruaj kujtimin për Mësuesen time të letërsisë. Në gjimnazin Sami Frashëri./ 2013-2021
Fjalë kyçe:cElida Buçpapaj, Ferial Vasili, Gjimnazi Sami Frashëri, mësuesja e letërsisë