8Haxhi Sali Bej Prrenjasi – ndërtuesi i veprave publike dhe kultit në Sulovë/
8Nje nga ndertimet tipike en Shek XVIII ne Sulove/
NGA PËLLUMB GORICA/
Sa më shumë kalojnë shekujt, aq më e trashë bëhet perdja e errësirës për të ndriçuar figura historike dhe kontribute humane. Kujtdo që nis të shkruaj, i duhet të shfletojë dokumenta arkivore, botime e shënime udhëtarësh të huaj, pa harruar legjendat, historitë gojore, këngët e visaret e tjera të popullit, morinë e veprave publike dhe fetare. E sërish, nuk mund të shkruhet gjithçka.
Sulova shtrihet në jug të Shqipërisë, në të manjtë të rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, rrëzë malit Tomorr. Ajo është e njohur për peizazhin e gjelbër, traditat e bukura, histori që enden mbushur me akte burrërie, por edhe edhe prej një njeriu që bëri epokë në këtë krahinë në vitet 1700, Haxhi Sali Bej Prrenjasin, që, si askush përmendet në bisedat e banorëve të krahinës së Sulovës. Ai ishte sundimtar i krahinës dhe gjatë qeverisjes së tij, ( gjysma e shekullit XVIII), ajo ka përjetuar një lulëzim urbanistik. Në atë kohë janë ngritur objekte fetare e publike. Koha, në të cilën ushtroi sundimin e vet dhe historitë e prania reale e ndërtimeve, e bëjnë figurën e tij më të prekshme.
Natyrisht,çka mbërritur në ditët tona nga jeta dhe kontributi i tij, është e mbështjellë me rrëfime dhe fakte të hulumtuara në dokumente. Haxhi Sali Bej Prrenjasi rridhte nga një familje e njohur në Labëri, pjesëmarrëse në luftëra e kuvende. Ai erdhi në krahinën e Sulovës në moshë të vogël, pasi aty kishte të martuar hallën, në derën e bejlerëve të Prrenjasit të Sulovës, derë e parë e qendër kazaje e Sulovës. Halla nuk kishte fëmijë dhe e mori si djalë dhe, kështu ai u bë trashëgimtar i një pasurie të madhe që ajo zotëronte e më vonë i pari i krahinës Sulovë, me ndikim jo vetëm aty, por edhe në gjithë trevat e Jugut. Haxhi Sali Bej Prrenjasi jetoi e veproi në periudhën e pashallëqeve të Shqipërisë. Në rini shkoi në Mekë për haxhillëk dhe kur u kthye, mori emrin Haxhi, me të cilin u thirr e u njoh.Duke iu përmbajtur zakonit të muhamedanizmit, një pjesë të pasurisë e përdori për vepra bamirësie.
Në krahinën e Sulovës, një sërë toponimesh njihen me emrin Haxhi Sali Bej Prrenjasit, si çezma, ujësjellsa, ura, rrugë, xhami etj, ndërtime këto si shenja të zhvillimit ekonomik të saj në periudhën e qeverisjes së tij. Më shumë këto i ndërtoi në Prrenjas të Sulovës, e cila në këtë kohë ishte qendër administrative e Sulovës, kaza. Me këto ndërtime, ky vendbanim u kthye në qytezë mesjetare. Në Prrenjas të Sulovës rindërtoi fortifikimin mesjetar, saraje, xhami, ujësjellës, furrë buke madje edhe burg. Edhe sot ekziston fortifikimi dhe brezat pasardhës. Ata dallohen nga pjesa tjetër e banorëve të Prrenjasit për mënyrën e sjelljes dhe të jetuarit. Ndaj atyre akoma u thërrasin bejlerë. Një pjesë tjetër u zhvendosën në krahina të tjera. Deri vonë janë shikuar me një sy tjetër nga politikat shtetërore, ndërsa nga banorët e krahinës shiheshin me admirim.
Vepra arkitektonike më e madhe ishte ura mbi lumin Devoll në Kadipashaj (Lumas i Elbasanit), e përjetësuar me emrin e tij. Kjo urë ishte i vetmi mjet komunikimi gjatë rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, që përbënte një lidhje të domosdoshme me krahina të tjera e qytetet treg, si Elbasani e Berati, ku kryehej tregti në këto shekuj. Studiues e udhëtarë të huaj, që kanë kaluar në Sulovë kanë shkruar për urën e Haxhi Sali Bej Prrenjasit. Ami Bue në“Rezueil d’itinerarires doms la turquic”, 1854,faqe 319 ka shkruar: “Në mesin e shekullit të XVIII sundimtari Haxhi Sali Bej Prrenjasi ndërtoi urën e (Kadipashajt)mbi Devoll në Gostimë me 3 qemerë. Ndërsa studiuesi Valter Shtylla në botimin e tij “Rrugët dhe urat më të vjetra në Shqipëri’’,faqe 205 shkruan: “Kjo urë është projektuar nga kryearkitekti i perandorisë osmane, Mimar Kasemi nga Tomorrica”. Lumi Devoll në periudhën e shirave, ishte i pakalueshëm dhe kërkonte patjetër një lidhje. Urë për të cilën tregohen edhe shumë histori gojore. Më e njohur është kjo: “Thonë se beu shkoi tek një hoxhë i mirë nga se po flinte me ankthe çdo natë. Ai e këshillon se duhej të ndërtonte vepra bamirësie për banorët dhe nuk duhet të përfitonte nga ndërtimi i tyre.Ndaj ai e ndërtoi këtë urë,që mbeti ndër breza si punë e mirë e tij”. Me tej historia vazhdon: “Do ta ndërtojmë urën, që të mos e shkulin më valët e lumit Devoll,-u tha banorëve. Në fillim dogji 5 furra me gëlqere dhe i la shumë vite në gropë.Me vonë grumbulloi qindra metra kub gur nga mali i Goricës. Kur u bë gati t’i hynte punës, dërgoi njerëz në Opar, që ti sillnin ustallarë të zgjedhur, më të mirët e asaj kohe në punimin e gurit. Beu i çoi ustallarët në brrylin e lumit dhe aty u kërkoi të ndërtonin një urë të gurtë.
-Filloni nga të doni vetëm urën e dua ta ndërtoni sa më shpejt dhe të fortë,-u tha beu ustallarëve.
Ustallarët iu përgjigjën beut se ishte e pamundur ndërtimi i urës atje. Beu e kuptoi se pa gjë nuk bëhej dhe mori një pale hejbe me monedha floriri e i hodhi në ujë. Ustallarët kur panë monedhat që hidheshin në lumë i thanë: “Kështu mund të ndërtohet ura”. Ata filluan menjëherë nga puna. Beu urdhëroi që kafshët e punës e meshkujt në moshën e duhur në Sulovë,të punonin për urën. Të mbanin materialet: gurët e gëlqeren nga mali i Goricës, drurët nga pylli i Radshit. Ndërtimi qe një punë e vështirë e u shoqërua edhe me shira e shtrëngata, por në fund ura u ngrit e bukur dhe me tre harqe. Mjeshtërit e njohur oparakë i gdhendën gurët mirë e bukur, ngritën këmbë të forta të urës dhe mbi to shtruan trasenë me gurë pllakë të gdhendur si pasqyrë. Një ditë pasi kishte mbaruar së ndërtuari ajo, beu bëri një festë të madhe dhe theri qindra kokë bagëti. Kokët e bagëtive i futi në themelet e urës për kurban. Lëkurët e bagëtive i shiti në pazar të Beratit”.
Në mënyrë të veçantë, Haxhi Bej Prrenjasi do të linte gjurmë në ndërtimin e degëzimeve të rrugës së karvaneve Elbasan-Berat, që kalonte në Sulovë. E rëndë ishte gjendja e rrugëve, sa vendbanimet e Sulovës ishin të veçuara nga njëra- tjetra dhe krahina e harruar dhe e pashkelur. Deri në fillim të shekullit XX ishin rrugë të rregullta. Nga qendra e zotërimeve të tij, në Përrenjas, ai i ndërtoi në disa drejtime: Mollas-Qafë e Grekanit-Përrenjas, Ura e Kadipashajt – Dragot – Qafë e Grekanit – Përrenjas. Darzezë –Kuturqarë – Kukucovë – Përrenjas, për të lidhur zotërimet etij me zonat përreth. (Petrit Basha“Legjenda nga rrethi i Gramshit” faqe160) Këto degëzime i lidhi me rrugën e karvaneve Elbasan-Berat. Tjetër kontribut ishin ujësjellsat që ndërtoi në Grekan, Përrenjas, Tunjë, Dufshan etj. Tepër i njohur ujësjellësi i Përrenjasit, që vinte nga mali shkëmbor i Goricës, ndërmjet një kanali me tuba qeramike e mur guri.
Elementët e trillimit popullor të aty-këtueshëm, Haxhi Sali Bej Prrenjasin, e përmendin edhe si mizor. Gjithsesi, këto nuk e zbehin figurën e tij. Përveç pasurisë që trashëgoi, Haxhi Sali Bej Prrenjasi, siç ishte koha atëherë,s iguroi përfitime dhe mbështetje nga administrata turke me taksa, duke e zgjeruar territorin e pasurinë e tij, akoma më shumë me ara, pyje, bagëti. Megjithë mugëtirën e kohës, rrëfimi i historive vjen i shkruar nga studiuesi i Sulovës, Petrit Basha,në librin “Legjenda nga rrethi i Gramshit”, faqe 159.“Edhe një në Mollas të Elbasanit, Rrapush Venari, nuk ia dorzoi tokën beut dhe ndenji firar arratisur në pyll fshehur, kaçak. Po ta kapte Axhiu e ziente në valë’’. Një tjetër histori e treguar: ‘‘Kush i kundërshtonte e të mos i bindej e ekzekutonte, duke paguar njerëz dhe duke i varur në vidhin shekullor pranë fortifikimit”.
Në fund të viteve 1700, Pashallëku i Beratit, ku bënte pjesë krahina e Sulovës në kohën e sundimit të Haxhi Sali bej Prrenjasit, hyri në luftë me Pashallëkun e Shkodrës. Bushatllinjtë e Shkodrës, me oreksin e madh që kishin, u përpoqën të zgjeronin zotërimet e tyre jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por edhe në Jug. Pengesë u bënë pashallëqet e Elbasanit,Beratit, Peqinit. Pashai i Shkodrës bëri luftë me zotërimet e Kurt Pashës së Beratit. Prandaj në vitin 1785 Mustafa pasha i Pashallëkut të Shkodrës me forca të shumta në Gostimë, buzë lumit Devoll, zhvilloi luftime me forcat e Pashait të Beratit. Për mbështetjen që i dha Sulova Ahmet Kurt Pashës së Beratit,me anën e sundimtarit të Sulovës Haxhi Sali Bej Prrenjasit, Pashai i Bushatllinjëve të Shkodrës me artilieri i shkatërroi kullat e fortifikuara në Sulovë dhe garnizonet e Ahmet Kurt Pashës së Beratit. Historiani, Stavri Naçi në studimin e tij“Pashallëku i Shkodrës nën sundimin Bushatllinjëve”, botim i vitit 1964, faqe165, parashtron rrjedhën e ngjarjeve. “Krahina e Sulovës me Haxhi Sali Beun e Prrenjasit mbante anën e Ahmet Kurt Pashës.Kara Mahmudi i Bushatllinjëve, me qëllim që të mund t’i nënshtronte gjithë sanxhakun dhe për të lehtësuar fitoren kundër Pashës së Beratit, dukej se kishte shpallur faljen e gjithë kundërshtarëve që nuk do t’i kundërshtonin me armë dhe do të kontribuonin në mbajtjen e ushtrisë së tij me ushqime.Haxhi Sali Beu për të fituar kohë, gjersa nga Berati t’i vinin përforcime ushtarësh, njoftoi Bushatlliun me letër, se do të mbante anën e tij dhe do ta ndihmonte me ushqime. Sipas kësaj letre, Kara Mahmudi u nis nga Elbasani ditën e dielë, më 21 Gusht 1785 dhe mbërriti në Gostimë pas katër ditësh, pasi krahinën e Sulovës dhe veçanërisht Haxhi Sali Bej Prrenjasin e fali. Ndërkohë, Haxhi Sali Beut i erdhën përforcim nga Berati dhjetë bajraqe ushtarësh. Atëherë ai shpalli se mohonte gjithçka kishte premtuar. Kështu lufta u bë e pashmangëshme”. Në Arkivin Shtetëror Shqiptar, dosja 22,pasqyrohen këto luftime: “Kara Mahmudi i Bushatllinjëve dërgoi kundër beut të Përrenjasit një pjesë të ushtrisë së vet.Sulmit të shkodranëve Beu i Përrenjasit nuk iu mbajt dot, u thye dhe ia mbathi këmbëve, i ndjekur gjer në afërsi të malit të Tomorrit. Mbi njëqind të vrarë dhe po aq robër mbetën nga forcat e Haxhi Sali Beut dhe njëmbëdhjet të vrarë e gjashtë të plagosur nga ushtarët e Bushatlliut. Për ndëshkim të krahinës së pabindur dhe prijësit të saj, Kara Mahmudi urdhëroi të digjeshin nga gjashtë kulla për çdo fshat,si dhe sarajet e Haxhi Sali Bej Prrenjasit”. Pas kësaj përplasje,pasuria e pozita e Haxhi Sali Bej Prrenjasit në krye të kazasë së Sulovës pësoi rënie. Pasurinë dhe pozitën pas vdekjes e trashëgoi i nipi, Dule Beu e megjithatë, ndikimi i Haxhi Sali Bej Prrenjasit do të vazhdonte gjatë.
Shekujt që kaluan me sundimet e ndryshme, por edhe agjentët atmosferikë kanë shkatërruar mjaft gjurmë të ndërtimeve. Si dëshmi kanë mbetur fragmente dhe kujtimi se dikur këtu ishte një ndërtesë, ujësjellës, rrugë,ura. Por, Haxhi Sali Bej Prrenjasi me kohën dhe bamirësitë e tij në ndërtimin e veprave të domosdoshme, është thesar i historie dhe krenari e krahinës së Sulovës. Studiuesi dhe folkloristi, Petrit Basha në botimet e tij, kohë pas kohe ka sjellë fakte të shumta rreth ndërtimeve dhe rrëfime ndaj Haxhi Sali Bej Prrenjasi. Veçse një monografi për figurën e Haxhi Bej Prenjasit do ta plotësonte me tej atë. Mbetet dëshirë e madhe, që të paktën një ditë do të hidhet dritë më shumë për figurën e tij me fakte e të vërteta historike.
Manastiri i “Shën Kozmait”, midis legjendës dhe historisë
Nga Nikolla Lena/-Në rrafshinën e ulët të Myzeqesë midis Fshatit Kolkondas dhe lumit Seman ndodhet Manastiri i Shën Kozmait. I ndërtuar në fillim të shekullit të XIX nga Ali Pashai i Tepelenës, mbart në vetvete hije legjendash dhe të vertetash, të cilat shkrihen me njëra-tjetrën duke u shndërruar në histori interesante që të befasojnë. Pikërisht nën efektin e tyre çdo 24 Gusht besimtarët ortodoksë të krahinës marrin rrugën për të festuar ditën e martirizimit të Apostullit Kozma. Ceremoniali i fesimeve zgjat gjatë gjithë ditës në këtë vend të shenjtë që ndodhet 10 km në veri të Fierit dhe që fsheh në vetvete një pjesë nga historia e kaluar e Shqipërisë.
Zanafilla
Kosta Esohoriti i cili do njihej më vonë me emrin Shën Kozmai, lindi në vitin 1714 në fshatin grek Lis i madh (Megalo Dhendro) në krahinën e Etolisë. Rridhte nga nje familje e thjeshtë dhe besimtare. Mësimet fillore i kreu në fshatin fqinjë të Sigdhicës ndërsa studimet e mesme i zhvilloi në manastirin e Agrafas. Në moshën njezet-vjeçare kur punonte si mësues në fshatrat e Navpaktit nisi të marre mësimet e plota fetare të cilat i përfundoi në Malin e Shenjtë, në manastirin e Vatopedhit. Manastirët e shumtë kishin nevojë për murgj dhe i riu Kosta nisi sherbimin fetar në një tjetër manastir atë të Filotheut, ku u pagezua me emrin Kozma me të cilin do te njihej tanimë.
Gjatë qëndrimit në Athos (malin e shenjtë) u dallua për dëshirën e madhe të studimit dhe për zellin e fuqishëm në shërbim të çështjeve fetare.
Për çdo klerik ortodoks të shekullit XVIII Kostandinopoja zinte një vend të veçantë. Ajo ishte qëndra e botës, atdheu i dytë, zemra e kishës. I shtyrë edhe nga etërit e Manastirit në vitin 1760 Kozmai shkoi në Kostandinopojë. Aty ai studjoi artin e gojetarisë dhe të llogjikës. Gjatë kohës së qëndrimit në kryeqytetin e Perandorisë Osmane i lindi deshira për të nisur veprën e Predikuesit dhe misionarit fetar në ato vise të Perandorisë ku krishterimi kishte nevojë. Për këtë ai u shty edhe nga i vellai Krisanth që punonte si mësues këtu por edhe nga miqtë dhe etërit e kishës. Patriarku i atëhershëm Serafimi i cili ishte me origjinë shqiptare nga Delvina i dha të drejtën për të qenë misionar shëtitës ku veprimtarinë e parë do ta ushtronte në rrethinat e Kostandinopojës, dhe në disa zona të Greqisë. Pas nje turi të suksesshëm në përhapjen e fjalës së ungjillit. Kozmai u kthye përsëri në kryeqytet nga ku pati takimin me patriarkun e ri Sofronin nga I cili mori udhezimet për të zhvilluar nje mision të ri në të gjithë Ballkanin.
Misioni
Thuhet se ai ishte një njeri i vendosur në rrugën e fesë. Kozmai e kishte kuptuar se përveç forcimit të fesë i duhej kushtuar rëndësi e veçantë edhe zhvillimit të arsimit. E kështu si misionar ai dha një ndihmesë të konsiderueshme në këtë fushë si në Greqi, Thraki, Maqedoni dhe Shqipëri. Per 20 vjet me rradhë,Kozmai përshkoi këto vende në katër ture udhëtimesh. Qëllimi kryesor i tyre ishte hapja e shkollave në gjuhën greke, e cila ishte caktuar nga Patriarkana e Stambollit në marveshje me Portën e Lartë, si gjuhë e kulturës e kishës dhe marrëdhënieve tregtare. Ashtu siç e tregon në letrën që i dërgoi të vellai Kristianth në Naksos.Ai krijoi me iniciativën e tij 200 shkolla të ulëta dhe 10 te mesme.
Filozofia
Predikimet e murgut Kozma ndiqnin me përpikmëri të njëjtin ritual. Në çdo vendbanim që shkonte, ai referonte perpara popullit në sheshin e kishës dy herë në ditë, në mëngjes dhe mbrëmje. Fjalimet bëheshin në gjuhen e thjeshtë vendase, duke gërshetuar idetë teologjike me mendimet praktike. Fjalët e tij kishin jehonë të madhe në popull sepse me gojetarinë, proverbat, dhe parashikimet ai merrte permasat e një profeti. Këshillimet e Kozmait u drejtoheshin të gjithëve të mëdhenj e të vegjel, të krishterë e myslymanë, çdo njera prej tyre ishte pothuajse urdhër për ata që e dëgjonin. Kështu ai bënte thirrje për tu larguar nga veset, për pajtim e tolerancë për bashkëjetesë, për të hequr dorë nga lluksi.
Në fund të çdo fjalimi Kozmai nuk harronte idenë kryesore të qellimit të tij, hapjen e shkollave nëpërmjet të cilave “ndriçoheshin mendjet”, zbulohej e kaluara historike dhe niste të ndërtohej e ardhmja. Pikërisht kjo platformë i shërbente politikës fetare të Patriarkanës së Stambollit e cila mbarte prirjet e idesë së krijimit të një shteti bizantin që mund të rilinde nën drejtimin e kishes nga germadhat e Perandorise Osmane.
Shën Kozmai erdhi në Shqipëri në vitin 1776. Nga Korfuzi ai mbërriti në Sarandë ku menjëherë nisi vizitat e tij “fshat me fshat”. Brenda një viti murgu Kozma ose siç e quante populli “çoban babai” përshkoi një hapësirë nga Preveza në Kavajë dhe nga Myzeqeja në Kostur. Deshmi të veprave të tij gjejmë në Artë, Pargë, Filat, Lëkurës, Kavajë, Korçë, Kostur, etj. Në Himare p.sh. ai ishte i pari që ju përvesh punës për ta shndërruar një kishë të vjetër dhe gjysmë të rrënuar në shkollë. Një dëshmi me vlera për veprimtarinë arsimore të Kozmait është dorëshkrimi i murgut Kostandin Berati i cili gjendet sot në akivin e bibliotekës kombetare ne Tiranë. Nga ai njoftohemi se Kozmai mbërriti në qytetin e Beratit në 22 Gusht 1777 dhe qëndroi deri në 2 Shtator të po atij viti. Ai predikoi gjatë 3 ditëve rekomandime për çeljen e shkollave. Kështu në kalanë e Beratit hapet e para shkollë në të cilën është mësuar edhe gjuha shqipe me alfabet grek.
Njohja me Aliun
Historia e njeh Ali Pashë Tepelenën si mikun dhe mbrojtesin e Murgut Kozma. Njohja e tyre u bë fare rastësisht kur sipas gojedhanës Aliu e shpetoi Kozmain kur ai mbahej peng prej nje grupi grabitësish. Pasi e liroi prej tyre Pashai i kerkoi si nder murgut që ti parashikonte të ardhmen, megjithëse atëhere ai ishte në fillimet e karrierës së tij. “Do të behesh Pasha i madh, do të marrësh Janinën dhe do zgjerosh shumë kufijtë e pashallëkut tëndë me mjekrën e kuqe në Stamboll”. Kështu ligjeroi Kozmai dhe kur pas disa vitesh theniet e tij u vërtetuan Aliu e beri mik.Murgut ju lejua që të predikonte në çdo cep të Pashallekut të Janinës, kudo që do udhëzonte Kozmai do të ngrihej një kishë dhe popullsia nuk do të inkurajohej ose do ti imponohej konvertimi të fesë.
Në vitet 1760-1770 kur Kozmai udhëtoi në tokat Shqiptare për të përmbushur misionin e tij sundondte anarkia feudale. Territori ishte ndarë në pashallëqe feudale të cilat ishin zotërime autonome brenda territorit te Perandorisë Osmane. Njëri prej tyre edhe Pashallëku i Beratit që drejtohej nga Kurt Pasha. Gjatë misionit të tij Murgu kaloi edhe në territorin e tij. Fama në formë legjende mbi Kozma Etolin arriti deri tek sundimtari Kurt Pasha. Ai e priti murgun në sarajet e tij. Gjatë bisedës, Kurtit i bëri shumë përshtypje Kozmai, saqë nga respekti që krijoi për të urdheroi që murgut ti prëgatitej në shenjë nderimi froni mbi të cilin do tu predikonte turmave. Por marrëdheniet e mira midis Pashait dhe murgut nuk zgjaten shumë. Kurt Pasha shumë shpejt nisi të dyshonte se veprimtaria e Kozmait nuk ishte gjë tjetër veçse aktivitet agjenturior për llogari të Ali Pashë Tepelenës, armikut të tij të betuar. Duke shfrytëzuar edhe protestat e klerit myslyman në adresë të misionit të murgut, Kurt Pasha dha urdhër për ta ekzekutuar.
Në moshën 60-vjeçare pikërisht në 24 Gusht 1779 Suvarinjtë e arrestuan Kozma Etolin kur kthehej në një nga misionet e tij. Me akuzën e organizimit të kryengritjes së armatosur dhe veprimtarisë si agjent i rusisë, Suvarinjtë e terhoqën në një korije buzë lumit Seman dhe e ekzekutuan pa gjyq.Pasi e varën, trupin e tij të zhveshur e hodhën në lum. Rryma e nxorri fillimisht kufomën në vendin e quajtur Mujalli duke e rimarrë përsëri për ta nxjerrë përfundimisht në bregun tjeter të Semanit në Kolkondas. Ketu trupi u gjet nga at Markoja, prifti i manastirit te Ardenices, i cili e veshi kufomen me Rrason e tij dhe e varrosi prane kishes së Shën Merisë së Kolkondasit.
Kisha u kthye në manastir
Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas ka një histori shumë interesante. Përpara se të ndertohej ky objekt, pranë tij në anën jugore ka qenë një tempull tjetër kristian më i hershëm: Kisha e “Shën Mërisë”. Ajo ishte ndertuar në fund të shekullit XVIII. Në murin rrënojë të kësaj kishe, në një pllakë të vendosur pranë njerës prej absidave të saj lexohet ky tekst “Është pikturuar ky tempull i hijshëm me kontributin e të gjithëhirshmit Mitropolitit të Beratit Josif, me shpenzimet dhe mundimet e të gjithë të krishterëve priftër dhe laikë, 30 Korrik 1792″. Ky tempull pati fatin e keq për shkak të pozicionit të tij në bregun e lumit Seman të kthehej nga permbytjet e tij në gërmadhë. Pikërisht në absidën e kësaj kishe u varros fillimisht murgu Kozma pasi u nxorr nga ujerat e lumit Seman.
Manastiri dhe Kisha e Shën Kozmait u ndërtua në vitet 1814-1815 me porosinë dhe ndihmën e Ali Pashë Tepelenes për nder të Kozma Etolit. Kjo dëshmohet edhe nga dy letrat që Pashai i drejton bashkesisë ortodokse dhe vllehëve grabovarë. Ndërtimi i manastirit u bë pasi Ali Pashë Tepelena e pushtoi Pashallëkun e Beratit. Pas kësaj ngjarjeje ai dha urdhër që për të ndeuar murgun, të ngrihej në vendvarrimin e tij një manastir.
Për ndertimin e manastirit punoi i gjithë populli i krahinës së Myzeqesë për një periudhë gati dy vjeçare. Në këtë objekt u perdorën gurë shtufi dhe gur të sjellë nga Apolonia. Manastiri përbëhej nga kisha e Shën Kozmait dhe konakët. Kisha eshte ndertim i tipit Bazilikal me kupole. Arkitektura e saj është e tipit të vone bizantin, në formë piramidale dhe krahë në formë kryqi. Konakët ishin dy katësh dhe permbanin 60 dhoma. Në katin e sipërm banonin klerikët dhe shërbyesit e manastirit, ndërsa në katin e parë nxenesit konviktorë, pelegrinët dhe tregetarët që vinin ditët e panairit. Me urdhër të Aliut pranë këtij manastiri u hap edhe një shkollë fillore me një konvikt prej 100 nxënësish, duke e shndërruar në shkollëen më të madhe të kësaj treve. Një tjetër porosi e Pashait ishte që manastiri i Kolkondasit të kthehej në qendrën e drejtimit fetar-kristian të të gjithë trevës nga Shkumbini në Vjosë.
Gjithashtu manastirit, Aliu i dha prona të shumta tokësore në fshatrat: Kolkondas, Bubullimë, Mujalli, Korkutas, Nartë etj. Mjeshtrat e parë që nisën ndërtimin e këtij tempulli u vranë nga Aliu, sepse nuk e ndërtuan dot kishen sipas shëmbëlltyrës së kokës së Kozmait. Mjeshtrat e dytë që e përfunduan këtë ndeëtesë kanë lënë portretet e tyre të gdhendura në dru. Interesant është fakti që në frontonin e këmbanores së kishës është gdhendur edhe portreti i bashkëshortes së Aliut, Vasiliqisë.
Pasi u ndërtua Manastiri i Shën Kozmait, me urdhër të Ali Pashës u bë transferimi i kufomës së Kozmait nga kisha e vjetër e Shën Mërisë për në kishën e re të Manastirit. Kur u bë zhvarrimi i kufomës u vu re se mungonin një pjesë e eshtrave (brinjeve) të cilat si na e pohon edhe Shën Nikodhimi në librin e tij, u morën nga nxënësit e Kozmait së bashku me shumë sende personale të tij, që u përdorën si objekte të shenjta që sillnin shërimin e njerëzve. Sipas dëshmitareve, koka e “Shenjtit” me porosi të Ali Pashës u vesh me ar dhe së bashku me trupin u fut në një arkë në të cilën mund ta vizitonin dhe ta nderonin besimtarët. Por fati i keq e ndoqi trupin e shenjtit edhe pas vdekjes se tij.
Gjatë viteve të luftës së parë Botërore shumë objekte me vlerë që ruheshin në kishat e Myzeqesë u grabitën nga Arkeologu Kamilo Prashniker, atëhere ushtarak i mobilizuar në ushtrinë Austro-Hungareze. Të njejtin fat pati edhe koka e veshur me ar e Shën Kozmait që u mor nga austriaket..
Emri dhe fama e murgut Kozma mbeti në ndërgjegjen e popullit sepse ai vlerësohej në kufirin e legjendës. Kjo për arsyen e thjeshtë se parashikimet dhe thëniet e tij kishin jehonë të madhe në popull. Ndërkohë që varri i tij u bë menjëherë vend pelegrinazhi për të krishterët e Myzeqesë dhe krahinave perreth.Po kështu edhe turistë të huaj apo Shqipëtar,bëhen kurioz për këtë njeri që jetoj midis njerzores dhe legjendës.
Kisha ortodokse e shpalli shenjtor murgun në vitin 1853. Por shenjtërimi i tij u bë shumë vite më vonë për shkak te presionit të autoriteteve turke sepse Kozmai ishte akuzuar si agjent i Rusisë. Shenjtërimi zyrtar i njohur dhe i shpallur u bë në vitin 1961 nga Sinodi i shenjtë i Patriarkanes Ekumenike te Stambollit.
Kjo është historia e Shën Kozmait e cila është e mbushur me ndodhi interesante jo vetëm kur shenjti ishte gjallë por edhe pas vdekjes së tij. Sot ajo tregohet në trajtën e legjendës në të cilën janë përfshire jetë njerëzore që nga njerezit m të pushtetshëm të kohës ku jeto e deri te ata më të thjeshtët.
Për vizitorët dhe kuriozët rreth jetës së Shenjtit dhe relikeve të mbetura prej jetës së tij,manastiri mbetet një vend i përhershëm pelegrinazhi