(Në 100-vjetorin e lindjes së prof. Miftar Spahisë – Thaçi; – 14 mars 1914 – 5 nëntor 2005)/
Nga Shefqet Hoxha/*
Jemi tubuar për të përkujtuar 100 vjetorin e lindjes së prof. Miftar Spahisë – Thaçi, lumjanit të madh që bëri emër me përkushtimin dhe ndihmesat që dha për atdheun. Ai naltoi veten dhe krahinën, prandaj u mbiquajt “Korifé i Lumës”, po urdhri i lartë “Skënderbeu” që iu akordua në pragun e vdekjes, e ul këmbëkryq në sofrën e burrave më të mirë të kombit. Ai jetoi gjatë (14 mars 1914-5 nëntor 2005), po çdo ditë e çdo vit nuk prâni së dhuruari buqeta lulesh për atdheun dhe kombin e tij, prandaj prof. Miftari do të jetë vazhdimisht i pranishëm në kujtesën tonë, sepse burra si ky Luma e Shqipëria i kanë të numëruar me gishta.
Miftar Spahija vjen prej një fisi me emër të Kolesjanit (Lumë). Katër klasë të fillores i kreu në fshatin e lindjes, plotoren e gjimnazin në Tiranë, ku pat mësues intelektualë të njohur për dije e shqiptari: Veniamin Dashin, Anton Krajnin, Karl Gurakuqin, Mirash Ivanajn, prandaj u rrumbullakua kulturalisht, falë edhe brumit vetjak. Më 1935 mori diplomën e gjimnazit, duke u klasifikuar i pari. Në vitin pasardhës fitoi gradën e aspirantit në Shkollën Mbretërore. Në këte institut dhe në gjimnaz – shkruan ai – “nxuna me dashtë rranjët e mija e me u krenue si shqiptar, nxuna se Kosovën e Shqipninë Lindore na i kish pushtue Sërbi e Çamërinë Greku”. Këto “rranjë” më vonë pipzuan, luluan e ertuan dashuri të pamatë e përkushtim për atdheun dhe kombin shqiptar.
Rezultatet e larta në gjimnazin e Tiranës i siguruan Miftarit bursë shtetërore në Universitetin e Torinos (Itali), në fakultetin e letërsi-filozofisë (dega e letërsisë), ku shfaqi aftësi të merituara dhe u titullua “Dottore in lettera” me tezën “Elementa të huej në gjuhën shqipe” që e udhëhoqi albanalogu i njohur, prof. Bartoli. Këte tezë ai e elaboroi edhe më vonë, formuloi dhe vuri në jetë një platformë të tij gjuhësore, e cila e njëjtëson me rilindësit e mëdhenj, por me ndjesi bashkëkohore, sepse kërkon t’i dalim para rrezikut që na vjen nga proceset konverguese europiane.
Pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste Miftari dhe studentët shqiptarë të Torinos e pritën të pezmuar. Në qershor 1939 ai kthehet në Shqipëri pranë familjes, por këtu nisin dyshimet e përndjekjet: e izolon karabinieria në Bicaj dy javë, më vonë e burgos në Tiranë e prej këtu e internojnë në San Nicola di Tremiti, një ujëdhezë e vogël pranë Barit, ku gjeti edhe nacionalistë të tjerë shqiptarë. Pasi kalon edhe disa muaj në Sinalunga, pranë Sienës, në shtator 1941 kthehet në Kolesjan. Një muaj më vonë emërohet në gjimnazin “Sami Frashëri” të Prishtinës, ku dha mësim një motmot. Këtu qe shoqëruar me Ymer Berishën, njërin prej herojve të mëvonshëm të Kosovës. “Në këte vit shkollor – ka shkruar Miftari – u mundova t’i ushqej nxanësit me thërrmijat e ditunisë së fitueme në universitetet e Evropës”. Por, për t’i shërbyer më shumë Kosovës, sidomos konsolidimit të administratës shqiptare, ai angazhohet në qeverisje si nënprefekt në Rahovec e në Gjilan, prej kah, më 8 gusht 1943 largohet, pse ndiqej, por e ndalojnë në malet e Kukavicës dhe e ndryjnë në burgun e Prizrenit, prej të cilit doli më 9 shtator, kur kapitulloi Italia. Plot një vit qëndroi pa punë pranë familjes në Kolesjan “as i arratisun as i paarratisun, me nji sy në shtëpi, me tjetrin kah mali” – siç na ka kallëzuar ai.
Më 5 shtator 1944, forcat e Brigadës së Pestë hynë dhelpërisht në Lumë, ndërsa Miftar Spahija mbathi opingat e ngjeshi armët “për t’i shpëtue dorës gjakatare komuniste” (janë fjalët e tij), e cila – si na thotë ai, “qe nji zgjebe që e mbuloi kombin për gati gjysmë shekulli”. “Me doktrinën komuniste s’kishem asnji pajtim; e njihshem dhe e dijshem se Partija Komuniste Shqiptare asht bisht i komunizmit serb. Nuk duhej shumë mund me e kuptue se komunistat shqiptarë u ishin nënshtrue interesave të Sërbisë, s’çajshin kokën për Kosovën, për gjymsën e trupit të komit” – do të shkruante më vonë në kujtimet e veta Miftari.
Gjatë dy viteve (6 shtator 1944-20 gusht 1946) Miftar Spahija u ra pash e më pash maleve të Lumës, jetoi i vetmuar ose me tubën e Muharrem Bajraktarit, i ndjekur këmba-këmbës nga hafijet e Sigurimit e të Oznës dhe nga reparte speciale, por shpëtoi gjallë. Ndërkohë pushteti komunist i internoi familjen në kampin “Murat Çelebi” të Beratit, ku i vdiq njomzakja 15 muajshe, Kadishja. Kur qëndrimi në Shqipëri u bë i pamundur, Miftari, i inkuadruar në grupin prej 56 nacionalistësh, nën prijen e Muharrem Bajraktarit, i len lamtumirën atdheut. Pas një odiseje të gjatë e tejet të dhimbshme, ku humbi 21 shokë, më 13 shtator 1944, doli në botën e lirë. Por do t’i duheshin edhe 50 vjet “fshamje, lot e gjak” – siç ka shkruar ai – deri sa të shembej Muri i Berlinit, më 1989, e do ditë më shumë sa të binte edhe regjimi komunist në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve Miftar Spahija provoi kampet helene, jetën e rëndë në Romën e pasluftës dhe emigracionin në vendin më të pasur të botës, në SHBA. Këtu punoi nëpunës biblioteke në Universitetin “Kolombia”, pastaj mësues në një shkollë të mesme dhe profesor i asocuar në Universitetet e Harrisonit e të Mansfildit në Pensilvani, deri sa doli në pension në vitin 1980.
Prof. Miftar Spahisë i qe veshur akuza “armik i popullit” nga regjimi komunist pa të drejtë për t’u kthyer ndonjëherë në Shqipëri, por nuk qe e shkruar që ai të mos i rishihte të vetët, Kolesjanin, Lumën, Shqipërinë dhe Kosovën martire. Proceset demokratike të viteve 90 të shekullit të kaluar dogjën listën e mëkatarëve pa mëkate, shembën klonet që patën penguar bijtë e mallëzuar të Shqipes që të kthenin dalë, prandaj Miftari erdh disa herë në Shqipëri për të ftoritë “mallin që i pat veshkë zemrën, që i pat shtrydhë langun e gjallnisë, që e pat ba si të nërkimë” – siç na thoshte ai, – puthi varret e të parëve, por jo atë të së bijës 15-muajshe, pse pa varr, u çmall me Baftijen, gruan besnike që e priti një jetë të tërë, duke u shkrirë si qiriri larg tij.
Miftar Spahija, i lodhur dhe i këputur nga travajet e jetës dhe të kombit dhe në një moshë tejet të thyer, u shua në një spital të Njuxhersit, në SHBA, dhe u varros sipas amanetit të lënë në tokën e Arbërit, në Tiranë, më 12 nëntor 2005, i përcjellë nga një kortezh stërmadh miqsh e dashamirës, siç e meritonte.
Prof. Miftar Spahinë e kanë cilësuar “si korife të politikës dhe të diplomacisë shqiptare” (Baleta); ai ka qenë një idealist i vendosur për Shqipërinë etnike, për Kosovën dhe Çamërinë, pse – sipas tij – Kosova asht djepi i kombit të pavarun shqiptar” dhe “Çamëria asht banue gjithmonë prej shqiptarëve”. Më 25 korrik 1993 ai i qe përgjigjur rryeshëm Klintonit, Jelcinit, Miteranit, Mejxherit e Gonxales-it me një skicë të shkurtër historike për deklaratën që i kishin bërë ata kryetarit të Këshillit të Sigurimit se “nuk mbështetnin deklaratat për pavarësi të Kosovës. U thoshte se “nuk do të ketë paqë në zemër të Ballkanit pa një Kosovë të pavarur”. Njëherit i tërhoqi vëmendjen qeverisë shqiptare “që të mos i përtypte fjalët në sofizma, por t’i thoshte çiltas, se shqiptarët duen veç trojet e veta, te kërkuj tjetër”.
Ai ka qenë antikomunist i thantë. “Me doktrinën komuniste, – ka shkruar Miftari, – s’kam asnjë pajtim”. Për të Partia Komuniste Shqiptare qe murtaja e Shqipnisë dhe vorri i Kosovës”. Idetë antikomuniste Miftari i ka dëshmuar tërë jetën me shkrime dhe me vepra.
Sipas parimeve të filozofisë politike, ai pëlqente demokracinë republikane e parlamentare, si forma ma e arsyeshme e qeverisjes, por në rastin e mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut, – shkruan ai – është ndryshe. “Populli shqiptar duhet ta quej vetën fatbardhë që pati në krye të timonit nji burrë si Ahmet Zogu, i cili krijoi shtetin e njimendët shqiptar, ai diti me lundrue me guxim e me urti ndërmjet ujërave të turbullt të Jugosllavisë, Greqisë e Italisë”.
Miftar Spahija na ka lënë një vepër të gjerë, ku përfshihen punime historike, letrare, gjuhësore, një korrespondencë të pasur, një shumësi artikujsh e disa dorëshkrime ende të pashpaluara. Ndërkaq, unë e kam të vështirë të shprehem se cilën lëmí ka pasur më për zemër ai, historinë, letërsinë apo gjuhësinë. Ai ka botuar tri romane të stërmëdhenj, Hasimja (1990), Arbanët e Curranët (1998) dhe Taf Bardheti (2000) që kapullojnë 2756 f. Këto romane formojnë një të tërë në përmbajtje e në formë e veç vlerave letrare që bartin, ato janë edhe një gurrë e cemtë, ku mund të shuajnë etjen të gjithë ata që merren a duan të merren me historinë, etnologjinë e psikologjinë shoqërore të malësorëve shqiptarë në kapërcyell të shek. XIX, po edhe më parë dhe më pas, megjithëse në vetvete ato nuk janë as histori, as etnologji, as psikologji e mirëfilltë. Në këte vështrim vepra letrare e prof. Miftar Spahisë sikur vjen për të plotësuar, nga këndvështrimi i një vendësi, kërkimet e Nopçës, Durhamit, Hasllëkut etj. si dhe vizionet letrare historike të Pashko Vasës, dom Ndoc Nikajt, Shtjefën Gjeçovit… Sepse në çdo faqe të romaneve të Miftar Spahisë gëlon fryma e Rilindjes Kombëtare dhe e Kanunit të Maleve. Parë në tërësi, vepra letrare e shkrimtarit lumjan është një enciklopedi e vërtetë e jetës, e kulturës shpirtërore dhe e së folmes së malësorëve lumjanë.
E po deshi kush të qëmtojë pasurinë leksikore e frazeologjike të krahinës së Lumës, e siguroj se hambar janë veprat e Miftar Spahisë. Në këte lëmë Miftari ka pasur vetëm një akran, Tahir Kolgjinin. Pa i lexuar romanet e Miftar Spahisë, nuk duhet t’u grahish këmbëve për në tëbanat e lumjanëve, se para teje ka fluturuar atje kjo bletë mashtoke për të thithur nektarin më të vlefshëm që krijuan brezat në visin midis Ujit të Poslishtit e Veleshicës.
E tani t’i kthehemi gjuhës që përdor Miftar Spahija në veprat e veta, sepse ajo është elementi bazë i shprehjes, është mjeti me të cilin merren vesh e komunikojnë njerëzit. I ndjeri prof. Arshi Pipa diku paska thënë: “Shqipja paraqitet në tri forma: në gjuhën kombëtare, ku përfshihen të gjitha dialektet; në gjuhën e përdhosur letrare dhe në gjuhën e Miftar Spahisë”. Dhe ky vlerësim nuk është i pakët, sepse tregon se “gjuha e Miftarit” nuk ishte një formësim i rastësishëm, por një realitet i pranuar, një mjet komunikimi ngritur mbi kritere të caktuara të formuluara nga autori, të prezantuara në veprat e botuara, shpjeguar në bisedën me Hasan Hasanin (1992) dhe në fleshën e tretë të batrilit (romanit) Taf Bardheti. Miftar Spahija qe një puritan i skajshëm që, – sipas meje, – ia pat hipur kalistrup (kaliboç) vetes, sepse vepra e tij mbushur me tepri me neologjizma e krahinizma, me një drejtshkrim tejet fonetik, e ka të vështirë, madje të pamundur, të kënaqë lexuesit e sotëm.
Dijet e shumta në fushën e historisë Miftar Spahija i ka shfrytëzuar për të ndriçuar të kaluarën e kombit dhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve para shovinistëve fqinjë dhe imperializmit europian. Idetë e tij historike ai i ka shpaluar në veprat letrare, në letrat dhe memorandumet e shumta, po sidomos në skicën historike “Rreth Kosovës” shkruar në vitin 1993, e cila mbyllet me këte pasazh: “E vetmja zgjidhje për Kosovën e banueme prej shqiptarësh në masën 95% asht pavarësia nga Serbia, sepse as toka as populli i Kosovës nuk kanë qenë e nuk janë sllave”.
Miftar Spahisë i pëlqente ta quante veten “të Thaç”, megjithëse te ky burrë mali qenë të trupzuara vetitë më të spikatura që legjenda ua vesh disa fiseve shqiptare: “trimnia e Hotit, besa e tërvesa e Shalës, krenia e Shoshit…”; si i thaçjan Miftarin duhet ta karakterizonin – simbas legjendës “thanat e thaçat” po, përkundrazi, ky burrë i urtë mbetet shembull i rrallë i njeriut të punës e të veprimit”.
Fjala e mbajtur nga prof Shefqet Hoxha, në sesionin përkujtimor, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së prof.Myftar Spahija-Thaçi, me 15 nëntor, në Muzeun Historik Kombëtar
A mund të harrohet Korifeu i Lumës Miftar Spahia!
nga Beqir SINA, Nju Jork/
Bethlehem, Pennsylvania: Kanë kaluar, 10 vjet prej se kur nderroi jete ne nje spital te Pensilvenias ne moshen 91- vjecare Prof Miftar Spahija. Ose,- Korifeu i Lumes, që u nda prej nesh ku qendronte i shtruar për një kohë të gjatë ne spitalin St. Luke’s Hospital (Spitalin St. Luke) ne Bethlehem, Pennsylvania.
Sipas nje amaneti te lene per se gjalli prej te ndjerit, familja Gashi( Mithat Gashi me babën dhe vëllezërit, dhe të afërmit trupin e te te ndjemit do te dergonte në Shqipni per tu preh ne token qe e lindi dhe që ai e donte aq shume.
Vdekja e tij u përjetua si një humbje e madhe për diasporën – nacionalizmin shqiptarë në mërgim . Diasporës do t’i mungonte gjatë simboli i luftës anti komuniste – intelektuali patriot dhe njeriu që i dha aq shumë Kosovës dhe çështjes së saj.
Kur u çlirua Kosova në qershor 1999 – duke biseduar me këtë intelektual të vërtet patriot i shquar ai do të më thoshte ” Tani edhe në se vdes – nuk jam pishman për asgjë se Kosova u çlirua dhe është e lirë, Serbia nuk është më nën Serbi – një ëndër e kahmotshme kjo që na bën si me le” thoshte Prof Miftar Spahija. Ose, – Korifeu i Lumes,
Aktiviteti politik i prof. Miftar Spahise eshte shpaluar sidomos ne vepren e tij “About Kosova” (1998) botuar ne shqip nje vit me vone. Ketu autori ka permbledhur nje numer te madh letrash, memorandumesh, protestash, derguar burrave me te fuqishem te kohes si presidentit te SHBA Bill Klinton, presidentit te Frances François Miterrand, presidentit te Rusise Boris Jeltzin, kryeministrit britanik John Major, Zhak Shirakut, Al Gorit, kancelarit Helmut Kohl, Felipe Gonzalesit e shume e shume te tjereve, duke paraqitur me besnikeri gjendjen e rende te popullit te Kosoves dhe duke mbrojtur me argumente bindes te karakterit diplomatik e historik kombin shqiptar.
Sidomos protestat e kerkesat e prof. Miftarit jane fokusuar ne Kosove ku rezistohej e luftohej kunder Beogradit, por edhe ne Çameri, popullsia shqiptare e se ciles u shkaperderdh e u perzu sidomos pas Traktatit te Lausanne-s 1923, por veçanerisht nga bandat e Zerves me 1945, duke iu mohuar deri ne ditet e sotme e drejta mbi pronat stergjyshore, dhe ajo e kthimit ne trojet e tyre te lashta.
Ne qershor 1992 “me syte qe i shkrepnin xixa te nji zjarri te motshem, tue denese imtas, tue u shkllahe se qami” ky lumjan i mire, krenaria e krahines se tij u perqafua me te vetet ne Tirane, ne Laç, ne Kukes e ne Kolesjan duke puthur me permallim token ame, mbas rrëzimit të komunizmit.
Kush ishte Miftar Spahija (Thaçi) shkruar nga Dr. Shefqet Hoxha
Ka lindur ne mars 1914 ne Kolesjan te Lumes, 2 vjet pas betejes se famshme midis malesoreve te kesaj krahine, e hordhive serbe ku mbeten disa qindra armiq (nentor-dhjetor 1912). Ne shkollen fillore te fshatit pati mesues patriotin Riza Spahija. Gjimnazin e Tiranes e mbaroi shkelyqeshem (me 1935) duke jetuar ne konviktin Vaso Pasha. Si kreu edhe shkollen e plotesimit (1936) u regjistrua ne Universitetin e Torinos ne fakultetin Letersi-Filozofi, dega e letersise, te cilin e kreu ne qershor 1939, dy muaj pasi Italia fashiste kishte pushtuar atdheun e tij.
Pas disa diteve qe kthehet ne vendlindje, ndalohet nga karabineria e Bicajt per dy jave. Ne nentor te atij viti arrestohet serish dhe dergohet ne Tirane dhe prej andej ne burgjet dhe kampet e internimit ne Itali. Si ndenji per do kohe ne burgjet e Barit e te Manfredonias, dergohet ne ishullin e gurte San Nicola di Tremiti ku qendroi per 2 vjet e 3 muaj. Ketu u njoh me te internuar te tjere shqiptare si Halim Begeja, Sulejman Lleshi, Petraq Vuçani, etj. Edhe pse i internuar, ne vjeshten e vitit 1941 doktorohet per letersi. Pas nje qendrimi ne Sinalunga te Toskanes, lihet i lire per t’u kthyer ne atdhe. Ne Tirane takon Anton Krajnin, funksionar ne Ministrine e Arsimit dhe me ndihmen e tij caktohet profesor ne gjimnazin e Prishtines ku per nje vit (1941-1942) jep lendet e historise dhe gjeografise. Ne kete qender arsimore te rendesishme per popullin e Kosoves, jepnin mesim edhe patriote e antikomuniste te njohur si Rexhep Krasniqi, Vasil Andoni, Ymer Berisha etj..
Ai largohet nga vendlindja fillim te shtatorit 1944, i ndjekur kemba kembes nga Sigurimi dhe forcat e ndjekjes, ndersa familja i internohet ne Berat ku i vdes edhe vajza 15-muajshe. Ne gusht 1946 largohet nga Shqiperia se bashku me nje shpure nacionalistesh ku bente pjese edhe Muharrem Bajraktari dhe vendoset ne Greqi. Ne kampet greke jetoi deri ne vitin 1952 dhe pastaj kaloi ne Rome ku qendroi deri ne vitin 1956. Ne ate vit pat vdekur ne duart e tij intelektuali antikomunist, ish prefekti i Tiranes Qazim Mulleti (ne Rocca di Papa).
Ne nentor 1956 Miftar Spahija emigron ne SHBA ku jetonte deri në ditën e vdekjes, ne nje moshe te thyer, por i lidhur me vendin dhe njerezit e vet. Ne SHBA per 16 vjet rresht (1964-1980) qe profesor i asociuar ne James Madison University ne Harrisonbourg dhe ne Mansfield University te Penssylvania-s. Ne 1980, pensionohet dhe vendoset ne North Bergen te shtetit te New Jersey-t. Ne qershor 1992 “me syte qe i shkrepnin xixa te nji zjarri te motshem, tue denese imtas, tue u shkllahe se qami” ky lumjan i mire, krenaria e krahines se tij u perqafua me te vetet ne Tirane, ne Laç, ne Kukes e ne Kolesjan duke puthur me permallim token ame.
Ka shkruar e botuar qindra artikuj politike, historike, gjuhesore e letrare, ne shqip e ne anglisht, si edhe vepren “About Kosova” (Rreth Kosoves) dhe romanin “Hasimja” (1990), “Arbanet e Curranet” (1998), “Taf Bardheti” (2000), “Met Malushi” (2001). Shume vepra te tij jane ende te pabotuara.
Aktiviteti politik i prof. Miftar Spahise eshte shpaluar sidomos ne vepren e tij “About Kosova” (1998) botuar ne shqip nje vit me vone. Ketu autori ka permbledhur nje numer te madh letrash, memorandumesh, protestash, derguar burrave me te fuqishem te kohes si presidentit te SHBA Bill Klinton, presidentit te Frances François Miterrand, presidentit te Rusise Boris Jeltzin, kryeministrit britanik John Major, Zhak Shirakut, Al Gorit, kancelarit Helmut Kohl, Felipe Gonzalesit e shume e shume te tjereve duke paraqitur me besnikeri gjendjen e rende te popullit te Kosoves dhe duke mbrojtur me argumente bindes te karakterit diplomatik e historik kombin shqiptar. Sidomos protestat e kerkesat e prof. Miftarit jane fokusuar ne Kosove ku rezistohej e luftohej kunder Beogradit, por edhe ne Çameri, popullsia shqiptare e se ciles u shkaperderdh e u perzu sidomos pas Traktatit te Lausanne-s 1923, por veçanerisht nga bandat e Zerves me 1945, duke iu mohuar deri ne ditet e sotme e drejta mbi pronat stergjyshore, dhe ajo e kthimit ne trojet e tyre te lashta.
Ne nje leter qe i ka shkruar Boris Jeltzinit (25 korrik 1993) Miftar Spahija eshte shprehur: “Te gjithe shqiptaret kudo qe jane ndihen thellesisht te fyer, te plagosur nga vendimi juaj per te mos e njohur pavaresine e Kosoves. Vendimi juaj eshte normalisht i gabuar, indinjues, sepse shperblen pushtuesin, i padenje, sepse buron nga filozofia e agresionit, e shtypjes, e imperializmit, kolonizimit, serbizimit te afer 4 milion, po te 4 milion shqiptareve ne Jugosllavine e vdekur.”
Miftar Spahine e kane karakterizuar ne vijimesi bindjet monarkike e antikomuniste. Ne nje leter qe i ka shkruar nje bashkekrahinari me banim ne SHBA (23 shtator 95), Miftari eshte shprehur: “Ti thash keto mendime, jo se jam apologjist i Ahmet Zogut dhe as me qellime polemizuese, por i shfaqa mos me mohue vetveten ku qendroj.
Miftar Spahia i eshte kushtuar edhe qemtimit dhe shpalimit te vlerave gjuhesore te kombit. Ne nje sere artikujsh dhe ne vlerat letrare te tij ai ka zbuluar fjale e frazeologjizma thjesht shqipe, duke ngulmuar si nje rilindas i vertete per pastrimin e gjuhes nga lenda e huaj dhe duke gatuar fjale te reja me burim vendas, mbeshtetur ne modelet e gjuheve klasike, sidomos te latinishtes qe e njeh mire. Ne kete leme ky zen nje vend te veçante, te merituar. Ai e sheh gjuhen si nje element ne zhvillim e ne perfeksionim, prandaj ka shkruar: “Gjuha si kombi asht e gjalle, i gjalle kombi, e gjalle gjuha. Kombi nderron, gjuha nderron; kombi para, gjuha para. Na duhet te herrim gjuhen, ta qerojme.”
Dhe pastrimit te saj i pati hyre qe heret. Teza e doktoratures qe mbrojti para Bartolit, albanolog i njohur italian, 1941, mbante titullin “Elemente te huej ne gjuhen shqipe”. Ai me pas, e ka deshmuar veten jo vetem si qemtues i zellshem i vlerave me te mira gjuhesore te shqiptareve, por edhe si purist i tejskajshem, nje rilindes i shquar i koheve moderne qe kerkon qe bashkekombesit te hyjne ne Europen e bashkuar me fytyren e vertete te tyre si shqiptar.
Fjalet e krijuara prej tij, prof. Miftari i ka jetesuar ne veprat e tij letrare dhe nje pjese e tyre jane bere apo mund te behen mish i shqipes. Ashtu si rilindesit e shekullit XIX, ky lumjan i ditur me horizont te gjere ne shume fusha dhe me vullnet te pamposhtur, ne hulline e tyre, por me ndjesi bashkohore vazhdon luften per dekada te tera per t’ia arritur synimeve te tij te formuluara kthjelltas edhe kunder moskuptimit e mosdurimit te disave, qe te ruhet kombi e gjuha e tij para rrezikut te sigurt te zdrodhjes, te bjerrjes nga proceset konvergjente europiane dhe te globalizmit.
Mbi te gjitha Miftar Spahija mbetet nje krijues i perkushtuar, nje letrar idealist, nje romancier i plleshem. Veprat kryesore te tij jane romanet voluminoze: “Hasimja” botuar ne Kanada 1990 (728 faqe); “Arbanet e Curranet”, Tirane, 1998 (966 faqe); “Taf Bardheti, Tirane 2000, (1046 faqe). Nderkohe ka botuar edhe novelen “Met Malushi”, Prishtine 2001. Romani “Arbanet e Curranet” siç e ka pare nje studiues, – eshte nje nder veprat me perfaqesuese te shkrimtarit. I shkruar para viteve ’80-te te shek.XX, ai u perket veprave psikologjiko-filozofike, eshte nje pasqyre e zakoneve, sjelljeve, normave e dokeve, si edhe e menyres se te jetuarit ne malesite shqiptare, me te mirat dhe te keqijat e tyre, te cilat i ka vene ne site te komte autori.
Ne vijen e dy romaneve te para shkon edhe “Taf Bardheti”, prandaj mund te thuhet pa medyshje se te trija keto vepra formojne nje te tere ne permbajtje e ne forme e veç vlerave letrare. Ne kete veshtrim veprat letrare te Miftar Spahise duket se vijne per te plotesuar nga kendveshtrimi i nje vendasi, kerkimet e Nopçes, Durhamit, Hasllekut si dhe pershkrimet dhe mendimet historiko-letrare te Pashko Vases, Ndoc Nikajt, Shtjefen Gjeçovit. Sepse ne çdo faqe te romaneve te prof.Spahise gelon fryma e Rilindjes kombetare dhe ajo e Kanunit te Maleve, ketij korpusi vigan qe eshte krenaria e shqiptareve. Megjithese nje veper jo e karakterit letrar, por e gjinise se kujtimeve, “Intervista” e gjate qe i pat dhene Miftari shkrimtarit kosovar Hasan Hasani, mbetet nje gur themeli per te njohur jeten, veprimtarine politike, bindjet dhe formimin e gjithanshem te profesorit (Hasan Hasani, “Miftar Spahija – Korife i Lumës”, Prishtine 1995).