• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thellësia e mendimit, fuqia e ndjenjës dhe thjeshtësia e fjalës…

September 19, 2020 by dgreca

Recensë mbi vëllimin me poezi “Ishulli i fjalëve” të autorit Nikollë Loka–

Shkruan: Prof. Migena ARLLATI*

Nuk është e rastësishme ardhja e autorit Nikollë Loka me këtë vëllim të ri poetik. Poeti që mediton dhe ndjen në përjetime të çastit a të qëllimit, vjen momenti kur dëgjon vetveten t’i flasë e ta shtyjë drejt vendimit finalizues për të dërguar në shtyp vëllimin e radhës. Kjo shtysë është fundamentale për çdo shpirt poetik, pasi krijuesi dhe libri i tij janë të dyzuar si të ishin një.   

Në një përmbajtje të ndarë në dhjetë cikle, autori fillon me “Prej shekullit në shekull”, për të vazhduar me “Ma jep pak borë”, “A thue asht vegim ere?!”, “Një vështrim hëne”, “Në shtatë ditë udhë”, “Mëkati i dytë”, “Do të shkruaj me ujë”, “Ajo urë…”, “Murg mbi një fjalë e mbi një varg” dhe “Shpëtimi do të vijë nga një (V)arkë”.

I gjithë vëllimi shpalos artistikisht profilin e një shpirti njerëzor që ka fuqinë të ndjejë në rrafshe shumëdimensionalëshe, një shpirti të butë që mbi çdo vlerë vendos përmasën njerëzore larg dogmave dhe ndryshe skematizimeve. Karakteri prej njeriu të butë, nga njëra anë, dhe prej shkruesi me profesionalizëm, nga ana tjetër, bëjnë që poezia e tij të vijë e qartë si në lexim ashtu edhe në përjetim. Falë tre përbërësve: thellësisë së mendimit, fuqisë së ndjenjës dhe thjeshtësisë së fjalës, ai arrin të realizojë dhe të funksionalizojë misionin poetik.

Shpirti i tij prej poeti të ndjeshëm tundohet fillimisht nga poezia me temë historike e atdhetare e cila zë vend në ciklin e parë “Prej shekullit në shekull”. Poezitë e vëna që në krye na bëjnë me dije përkushtimin ndaj rrënjës arbnore, traditës dhe historisë që gjëmon. Autori na vërtit shekuj larg në kohën e lavdisë së Skënderbeut, kur Kruja ishte epiqendër e trojeve arbërore e pikërisht për ato kohëra kur vendasit jetonin në altarin e lirisë ai e quan atë “zonjë e madhe!”. Ai e shfaq ringjalljen si koncept historik për të treguar kalvarin e vuajtjeve të kombit shqiptar: “…tri herë kishte ba festë Ballkani / tri herë kishte ba mort!”. Me sa pak fjalë na rrëfen për ngjarje të përshkallëzuara të cilat popullit të tij i kanë peshuar mbi shpinë. Kjo ngarkesë kohërash, shekujsh, që zgjat e zgjat pambarimisht, e kthyer në përjetësi me anë të këngëve me lahutë, nuk është gjë tjetër veçse gjurma e gjakut të patharë në memorien e secilit. Dramaciteti, pavarësisht dhembjes poetike, nuk shfaqet në nivele dramatike, pasi autori sikur dëshiron më shumë të vërë në pah efektin e madhështisë: “…Në humnera fatesh madhnisht jemi ngritë, / nan tinguj lahute jemi rrit”.

Gjithë ky cikël i referohet një areali komunikues me shekujt: rrapi dardan, truall dhé, vajtohet Rozafa vllaznisht, në Ilirik luhet fati tragjik etj., me synimin për të thënë të vërtetën ndryshe nga mitet e legjendat, ndryshe nga ç’jemi mësuar t’i trajtojmë në libra e teorira. Tendenca e autorit për t’iu referuar ndryshe këtyre temave e bën poezinë e tij të mos jetë ajo e konsumuara e temës atdhetare e patriotike, por përkundrazi e lexueshme qartë nën një projeksion të ri.

Cikli i dytë “Ma jep pak borë” sjell një tjetër dimension shpirtëror, tashmë me fokusime më personale, ku janë ngritur dhe shembur shumë ura, ku poeti ngatërrohet mes rrezesh, e ku lirika arrin kulminacionin në poezinë që i ka dhënë titullin ciklit: “Ma fal pak borë që s’di të shkrijë, / që s’di të bëhet tokë…”.Është i qartë emocioni dhe cytja shtensionuese në kërkesën për të pasur atë që në fakt metaforizohet me konceptin antitezë të lëndës. Veprimi dhe gjendja tangentojnë të njëjtën ide në arritjen e dëshirës e cila vjen si synim dhe si urim.

Në disa raste, qasja poetike shfaqet me fillesën e vargut me anë të foljeve: “Nisem pa kohë, /
kthehem pa kohë, / endem pa mend, / gjendem pa mend…”
. Efekti është i qartë: veprimi dhe gjendja janë në të njëjtën shtjellë dhe kjo bën të duket qartë vlimi i ndjenjave.    

Konkretja dhe abstraktja jo rrallë herë na shfaqen pa kufinj mes tyre: “Kishte shumë dritë edhe shumë mall, / kishte shumë shpirt dhe një këngë të pakënduar”. Krijimi të kujton s poeti është në gjendje të shohë më shumë edhe aty ku asgjë nuk duket. Të gjitha poezitë e këtij cikli janë lirikë e e shprehur me një varg të shkurtër dhe poezi pakvargëshe. Duket qartazi se emocioni këtu ka fronin e mbizotërimit.

“A thue asht vegim ere?!” titullohet cikli i tretë ku miksohen brenda së njëjtës lëndë lule, erëra, ngjyra e aroma, reflekse, shikime e ëndrra. Poetit nuk i duhet shumë punë, ndjenjat janë ato që tashmë e tërheqin atë ta ndjekë. Dhe ai, i dorëzuar tërësisht në duart e tyre, ndjehet më i lirshëm se kurrë: “Në sytë e tu hyj fillikat i vetëm, / si dallgë që heq dorë nga deti…”. Janë vargje që na rrëfejnë se ai bashkëjeton me një realitet të përkryer, i cili për të është e tërë bota. Sytë, pasqyra, burimi… nuk janë tjetër veç rrëfyes që na josh ta shijojmë me kënaqësinë maksimale botën poetike në të cilën ai është i përfshirë. Parimi estetik prin në këto krijime ku herë shohim njeriun poet dhe herë poetin njeri: “…me mëshirën si virtyt / dhe me faljen si detyrë”. Pranëvënie të tilla i referohen bashkëekzistencës së dy botëve, si të kundërtat e së njëjtës pjesë, e cila si rezultat sjell përsosmërinë. Poezitë e këtushme vijnë me trajta të shumta dialektore të cilat nuk ia zbehin bukurinë krijimeve, përkundrazi, i shërbejnë autorit për t’u shprehur në një mënyrë ndryshe, qoftë edhe gjuhësisht.

Pason cikli i katërt “Një vështrim hëne”, cikël i cili në fakt të jep përshtypjen e një telajo të zgjeruar natyrore, një peizazhi, ku në vend të penelit dhe ngjyrave, autori përdor ndjenjën dhe fjalën. Kjo telajo fjalësh nuk është tjetër veçse tregues i një mjeshtëri artistike, nga e cila dalin në sipërfaqe vlerat e një poeti që luan me kontrastet dhe paralelizmat. Të duket se tashmë nuk flet poeti por natyra. Prirjet filozofik vënë në pah botën e tij që shpesh bëhet transparente. Poezia “S’e di” është njëra nga ato që konfirmojnë kredon poetike ku idea e kërkimit të dritësimit me anë të qiriut, zbulon brendi mendore e shpirtërore që tejkalojnë qëllimet personale. Qëllimet humaniste dhe ekzistencialiste i tejkalojnë shumëfish ato personale dhe lënë vend për interpretim të shumëfishtë.

Cikli pasues “Në shtatë ditë udhë” përshfaq si në një pasarelë shtatë ditët e javës. Autori, në emër të kohës, në emër të së shkuarës e të së ardhmes, i referohet së tashmës, ashtu siç janë të sendërtuara brenda tij jo vetëm renditja por edhe manierat e veprimeve në secilën ditë jave. Vërehet prirja që ai të bëhet njësh me të gjithë njerëzinë në mënyrën se si e jeton dhe e përjeton një cikël javor, apo njërën nga ditët. Referimi ndaj elementeve kozmogonike dhe antike krijojnë tabanin ekzistencial të fillesës kur asgjë nuk ishte siç sot është. 

“Mëkati i dytë”, vjen si cikël i gjashtë. Imagjinata poetike vjen herë në trajtën e rrëfimit e herë në trajtën e ëndërrimit. Verbi këtu peshon me një tjetër masë pasi autori na njeh me synime që vetëm poetikisht mund t’i realizojë. Përsëritja e historisë së fillesës së jetës njerëzore, kupto: mëkatit njerëzor, në një tjetër tokë, qoftë ajo edhe Hëna, përbën një gjetje të bukur për të treguar se njeriu nuk ndryshon kurrë, dhe po ashtu kurrë nuk vë mend nga mësimet e nxjerra në histori. Mëkati dhe njeriu, një binom ku njëri nuk mund të imagjinohet pa tjetrin. E megjithatë, njeriu e ngushëllon veten në besimin tek Zoti, qoftë edhe në fjalë të urta që e mbushin me besim. “Mbahemi humnerash pa e ditur, / se fati po na shtyn në një rrëpirë…” Ky diskurs hap portën e diskutimeve për dilemat e mëdha të së panjohurës, ashtu si vetë jeta, fati, arti të cilët duam t’i posedojmë maksimalisht e jemi aq të vegjël për të ditur më shumë se ajo që na ofrohet: “…e shkuara s’më kujtohet, / të ardhmen nuk e njoh… ”. Koha, pluhuri i saj, ngadalësimi i hapave renditen herë si këngë e herë si elegji. Autori flet mes kontraste kohësh, realitetesh, ndijimesh dhe përjetimesh. Tema të tilla tregojnë kulturë poetike për përqasje meditative: “Nën këtë nënqiell / pesë mbretëri kapërcehen…”.

I shtati cikël, “Do të shkruaj me ujë”, e gjen autorin në lojë me fjalën. Ai luan me të në kuptimin e përsosmërisë estetike, duke e tjetërsuar herë në ujë e herë në ajër, herë në shi e herë në mur. Konsideroj se poezia “Fjalët prej ujë” shfaqin qartazi misionin e tij jo thjesht si poet por si misionar i fjalës.  Autori shkruan me ujë, e ngjyros fjalën, e hedh atë në ujravara dëshirash (“Do të shkruaj me ujë”) dhe e gjitha kjo zhvillohet brenda një trilli që nuk fle. Larmia figurative prek kulmin me pastërtinë e fjalës si kumt dhe ndjenjës si qëllim. 

“Ajo urë…” vijon me krijime ku përvijëzohet dëshmia se rruga e artit është pafundësisht e bukur. “E jeton një çast” është kulmim me hamendësime imagjinare të ndjenjave. Autori herë struket e herë bëhet i dukshëm teksa kalon në lumin e jetës, të pendesës dhe të vdekjes.

E gjithë prona e tij është kjo: guri dhe eshka nga e cila ndez zjarrin. Poezia mbaron me një moralizim të fuqishëm mbi dilemën nëse duhet të jemi a duhet të kemi: “…një zjarr / që del prej gurit të zemrës, / nuk duhet ta ndrrosh / as me flori!”

Vetvetja, egoja përballë çmimit të jetës dalin si triumfe të vlerave njerëzore në joshjen e pafund prej mashtrimesh e makiazhesh të rrejshme. Himn për të vërtetën do ta quaja krijimin me titull “Me një prill”. Shtegu i verbër si metaforë e theqafjes shfaq këshillën e njeriut të mirë për të mos pësuar ndërsa mendimi pozitiv shfaqet kur autori vargëzon: “…Mendo veç ujë e shih një det!”, sepse mjafton të kemi qoftë edhe vetëm njërën nga dashuritë: “…tokën, detin a qiellin!”.

Cikli i nëntë “Murg mbi një fjalë e mbi një varg” hapet me poezinë që tregon rëndësinë fundamentale të momentumit (“Vjen fryma”) si qelizë e jetës e cila shkon si një hapje-mbyllje qepallash. Pavarësisht të gjithave, uni është aq i rëndësishëm për t’u ndërtuar dhe respektuar, pasi ai është vetë qenia e njeriut. Sprova më e mirë e tij është dita e vështirë, tatëpjeta: “…U rrëzuam, / kur u vramë e kuptuam, / na dhëmbi, / por duruam / e nuk ikëm nga vetvetja…”. Qartësia e shprehjes u jep poezive kuptimshmëri të lartë dhe kësisoj ato bëhen të dashura dhe të prekshme. Në dalldisjet e ndërdijes poeti fluturon herë verbërisht e herë të tjera me mend, për të prekur caqet e koshiencës për të cilën ai din dhe dëshiron të dijë sa më tepër. Koncepti i njohjes së vetvetes na kujton misionin ekzistencialist se njeriu pa njohur vetveten nuk mund të njohë botën.

Nxjerrja e definicioneve të vargëzuara: “…e qeshura dhe loti rrëshqasin së bashku” janë mësime brilante të përfituara nga ditët e farkëruara në vështirësi, dhimbje e vuajtje. Janë të shumta poezitë që vijnë me një mision të tillë ku kontrasti i shërben realizimit të idesë jo thjesht për qëllime didaktike: “…Dhe në ujë me kripë / zë e ëmbëlsohet”.

            Cikli përmbyllës “Shpëtimi do të vijë nga një (V)arkë” u qaset temave apokaliptike, të gjenezës së jetës, të më të parës fillesë, për të cilat poeti interesohet në emër të vazhdimësisë. Zanafilla, varka, akti i krijimit, Big Bengu janë morfema që hyjnë në leksikun poetik të botës së tij për të ndërtuar një ligjërim që i flet botës me vetë historinë e saj, me vetë gabimet dhe pësimet e saj. Krijuesi poet ka shpirt të ndjeshëm. I dhemb historia e njerëzimit duke e ditur se është i pamundur për të ndalur a ndryshuar diçka: “…Dëgjohen orakuj / që flasin përnjimend, / për pragjet, praglindjet, pragvdekjet…”.

Narracioni pozitivist shndërrohet në subjektiv sidomos kur bëhet fjalë për poetët. Meqë i përket kësaj kategorie të njerëzve të artit, poeti Loka e mundëson dëshirimin edhe në rast se është i pamundur: “…veç poetët, / të gjallë ose të vdekur, / përmes fjalës / do të mbërrijnë dikur atje…”.

Dëshira për të qenë atje ku duhet, qartësohet jo thjesht si nevojë por si domosdoshmëri. Pikërisht poezia “Ishulli i fjalëve” që i ka dhënë titullin tërë vëllimit, tregon botëkuptimin / përcaktimin e tij tokësor dhe jo qiellor, në kuptimin e të qëndrueshmes përballë inekzistentes së etershme. Ndaj, siç thotë poeti, ata, poetët janë njerëz të krijuar nga Zoti, ndërsa poezia është art i krijuar nga njerëzit poetë. Ky formulim vulos një status të qëndrueshëm të poezisë, jo thjesht si krijim imagjinativ, por si krijesë e dalë nga shpirti dhe brendia e njeriut.

            Procesi i krijimit të Nikollë Lokës i ngjan një rrjedhe të natyrshme lirike, e cila në pamje të parë duket e qetë dhe e shpenguar por në secilin lexim dhe rilexim të detyron të kapësh një tjetër mbi ose nënkuptim. Kuptimet e dyfishta janë të vendosura aq lehtë sa të japin pështypjen se qëndrojnë rastësisht aty. Një zgjedhje të tillë stilistikore realizohet qëllimshëm, duke i qëndruar besnik natyrshmërisë, si element apriori i domosdoshëm në artbërje. Vargjet e tij kanë një dimension të shtrirë gjerë jo thjesht në mendim por edhe në përjetim. Ato japin mundësinë e evoluimit brenda vetvetes, në kapjen e realiteteve të shtresuara njëra mbi tjetrën. Kjo tregon se bota e tij poetike vjen mes balancimesh dhe kapërcimesh që e bëjnë krijimin të shfaqet përmes një teknike origjinale vargimi.

Poezia e N. Lokës është thjesht dhe qartë një poezi e mirëfilltë, e cila kësaj here, me vëllimin “Ishulli i fjalëve” shënoi një arritje të re që duhet njohur dhe vlerësuar realisht.   

Doli nga shtypi libri “Ishulli i fjalëve”.
Redaktor:Fran Tanushi-


Reçensente dhe parathënia: Migena Arllati


Design:Mimoza Vasku-
Botimet “Emal”, Tiranë 2020 

*Dergoi per Diellin: Nikolin Kurti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ishulli i Fjaleve, Migena Allrati, Nikolle Loka

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT