• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

APEL I AKADEMIKËVE KROATË DREJTUAR BOTËS SË CIVILIZUAR

May 11, 2017 by dgreca

Nga kërkimet e vjetshme në Bibliotekën Kombëtare Austriake në Vjenë… një kroat të cilit nuk do mundemi dot t’i themi faleminderit për sa bëri e la pas për ne…/
Dr.-Milan-Shuflaj(Për Milan Šufflay)/- APEL I AKADEMIKËVE KROATË DREJTUAR BOTËS SË CIVILIZUAR/1 Lindita KomaniGjeti dhe përktheu: Lindita Komani/*Në mbrëmjen e 18 shkurtit të këtij viti shkencëtari kroat, profesori i universitetit Milan Šufflay u gjet pa ndjenja në rrugë përpara apartamentit të vet në Zagreb, me kokën të dërrmuar. Ai menjëherë u dërgua në spital, ku u shua pas 25 orësh, pa rifituar ndërgjegjen. Lajmi për këtë krim të tmerrshëm u përhap me shpejtësi rrufeje kudo në Kroaci ku emri i Šufflay-t gëzonte konsideratë të përgjithshme dhe të veçantë sidomos në rrethet intelektuale. Megjithatë, për çudinë më të madhe dhe tmerrin e publikut kroat, policia serbe e Zagrebit konfiskoi të gjitha gazetat që kishin publikuar lajmin për vrasjen dhe deri edhe komunikimet rreth vdekjes së Prof.Šufflay-t u bënë pre e konfiskimeve. Në vend që të bënin hetime për të ndriçuar rastin, policia serbe dërgoi një komision dy orë pas ngjarjes në apartamentin e shkencëtarit të vrarë ku pas një kërkimi të imtë konfiskoi gjithë materialin e çmuar shkencor që Prof.Šufflay kishte marrë me vete në Zagreb nga udhëtimi i tij i afërt në Shqipëri. Policia njëkohësisht ndaloi çdo fjalim në varrim dhe në varrin e tij arrestoi një student i cili donte t’i jepte lamtumirën e fundit profesorit të tij të adhuruar. Ajo largoi gjithë fjongot me ngjyrat kroate nga kurorat dhe rrethoi me shpata të zhveshura turmën që mbante zi.

Edhe pa patur evidencë fillimisht, njerëzit në Kroaci supozonin që prej fillimit, që policia serbe e cila e manifestoi urrejtjen kundër profesorit të vrarë në këtë mënyrë skandaloze mbi varrin e tij të hapur, duhet të ketë qenë e përfshirë në komplot. Çdokush e dinte që ishte rasti i një vrasjeje politike për të eliminuar një nga kokat drejtuese në Kroaci.

Shpejt misteri për vrasjen u zgjidh: hetime private ndriçuan motivet në lidhje me atë krim të ndyrë.

U gjetën rrethana të sigurta të cilat çonin drejt vrasësve. Prof.Šufflay kishte marrë një letër kërcënuese më 24 janar që e lajmëronte për vrasjen që e priste. Letra ishte nënshkruar nga “Organizata luftarake për mbretin dhe vendin” , identike sikurse dihet masivisht me organizatën terroriste “Mlada Jougoslavia” e përbërë nga agjentë të diktaturës dhe nga spiunë policie. Më 18 shkurt, kjo ishte dita e vrasjes – gazeta pro regjimit “Nasa Sloga” në Susak publikoi një artikull kundër inteligjencës kroate. Artikulli mbyllet me kërcënimin: “Kafka do të thyhen” – dhe pak orë më vonë Profesor Šufflay u gjet vërtet me kafkën e hapur në rrugën e Zagrebit! Ne duam të vëmë në dukje se dhe vrasja e liderit kroat Stephan Radic tre vjet më parë në parlamentin e Beogradit ishte bërë gjithashtu me dije në gazetën pro regjimit “Jedinstvo”.

Disa ditë pas masakrimit të Profesor Šufflay, lajmi për një rrethanë që jep evidencë të parefuzueshme për fajin e policisë serbe të Zagrebit si organizatore e krimit, doli nga qarqet e policisë. Sikurse gjithë kroatët e tjerë të spikatur, Profesor Šufflay ishte vazhdimisht i ndjekur dhe vëzhguar nga policia dhe i shoqëruar nga një detektiv. Disa ditë para se të vritej, atij ia larguan “qenin roje”. Në mbrëmjen para atentatit, ai i kërkoi policit Rukavina informacion se çfarë nënkuptonte ky largim i menjëhershëm. Rukavina i bëri të njëjtën pyetje eprorit të tij Stepanovic, drejtues i policisë sekrete, dhe mori këtë përgjigje: “Ai (Šufflay) nuk ka nevojë të mbrohet më, ne jemi kujdesur për të”.

– Agjenti Rukavina e ka thënë këtë para disa dëshmitarësh. –

Mund të duket e pamundur që policia serbe në vend që të gjejë krimet të ndihmojë në organizimin e vrasjeve dhe t’i zbatojë ato, por po – për turpin e epokës kulturore në të cilën jetojmë – kjo është e vërteta e tmerrshme në një vend në të cilin nën pjesëmarrjen gjysmë-zyrtare të autoriteteve, ndërtohen monumente për vrasësit.

Kur e gjithë Kroacia e dinte tashmë që policia e Zagrebit kishte përgatitur vrasjen e Profesor Šufflay dhe mbulon vrasjen, mundeshin të paktën të jepeshin emrat e nismëtarëve të vrasjes dhe t’i jepen publikut.

Në “Berliner Tageblatt” të datës 26 shkurt, gazetari kroat Slavko Cihlar publikoi një artikull i cili u mor më tej nga një pjesë e madhe e shtypit botëror. Në këtë artikull ai tregon për një takim të ndodhur në apartamentet private të gjeneralit Belimarkovic, komandant qyteti i Zagrebit, në natën e 11 shkurtit, me ç’rast u mor vendimi për vrasjen e Profesor Šufflay. Vrasja duhej të kryhej nga spiuni i policisë Nikola Jukic. Nën asistencën e tetë agjentëve të tjerë të policisë, të cilët, të ndarë në grupe të vogla, u pozicionuan përpara pallatit ku ndodhej apartamenti i profesorit, Jukic kreu vrasjen më 18 shkurt në orën 8 të mbrëmjes, duke e rrëzuar Profesor Sufflay-n me një shufër hekuri që i theu kafkën.

Gjashtë muaj kanë kaluar që prej kur shtypi botëror ka publikuar këto fakte që janë përgatitur nga persona dhe organizata të shumta të spikatura jashtë Kroacisë.

Megjithatë, ata që janë përmendur si vrasës nuk u quajtën asnjëherë përgjegjës për krimin e tyre dhe akuza as u mohua e as u refuzua. Gjenerali Belimarkovic është cilësuar para gjithë botës si personi që ka dhënë urdhrin për të vrarë Profesor Šufflay-n, policia serbe e Zagrebit si organizatorja e vrasjes, spiuni polic Jukic si personi që e zbatoi atë dhe megjithatë asnjeri nuk guxon ta mohojë. Edhe vetëm kjo rrethanë duhet të jetë një vërtetim i autenticitetit të fakteve të përmendura më lart. Dhe prova përfundimtare për fajin e diktaturës u dha përmes transferimit të gjeneralit Belimarkovic në Osijek (çdokush bënte me gisht për nga ai në Zagreb!)

Diktatura nuk i ndëshkon vrasësit, por i mbron ata, çka vërteton që gjeneral Belimarkovic veproi vetëm sipas qëllimeve të policisë që i dha urdhër për të vrarë Šufflay-n.

Turpi i këtij krimi që nuk bie vetëm mbi vrasësit dhe nismëtarët dhe shtetin që e organizoi atë, por edhe mbi epokën në të cilën diçka e tillë mund të ndodhte, merr rëndësi më të madhe nëse do të kishte njohje më të afërt me personalitetin e Profesor Šufflay dhe do të shikoheshin motivet që kanë shtyrë në vrasjen e tij.

Profesor Šufflay ishte një profesor historie në Universitetin e Zagrebit, dhe ishte masivisht i vlerësuar si një nga kokat më të rëndësishme të vendit të tij. Përmes kërkimit të tij shkencor për Shqipërinë, ai u kualifikua si njohësi më i mirë i Shqipërisë në ditët e sotshme dhe në këtë cilësi Akademia e Shkencave në Vjenë e ftoi atë të vazhdonte me Kodikun Albanicus të nisur nga Jirecek dhe Thalloczy. Profili goditës i këtij shkencëtari kroat të spikatur shkaktonte gjithnjë sensacion në Kongreset e Orientologëve dhe Bizantologëve. Kur disa vite më parë Beogradi e largoi patriotin e madh kroat nga katedra e tij në Universitetin e Zagrebit, atij iu ofruan disa profesura të rregullta në universitete të huaja, në mes tyre edhe në Universitetin e Budapestit.

Si një shkencëtar me famë botërore, si një njeri me njohuri të kompletuara, si një shkrimtar dhe gazetar dhe si një patriot entuziast kroat, Prof.Šufflay i përkiste ajkës së mendjeve të ndritura të jetës intelektuale kroate. Ai nuk ishte politikan, idetë e tij ishin thellësisht të shpirtëzuara, drejtuar pjesërisht drejt teorive abstrakte; shumë larg politikës së përditshme, personaliteti i tij i epërm ushtroi ndikim të madh mbi idetë kombëtare të Kroacisë. Si një kroat i cili u rrit në sferën e kulturës europiane dhe duke qenë se prej shekujsh kultura kombëtare kroate ka qenë pjesë e komunitetit të madh kulturor europian, ai si një shpirt i përmasave të rralla, ai u bë në mënyrë të natyrshme një nga mbrojtësit e spikatur të kulturës europiane në Kroaci, ku që prej kur përbën një pjesë të Jugosllavisë, Europa duhet të tërhiqet para se ballkanizmi të shkatërrojë gjithë kulturën. Në cilësinë e tij si historian, Profesor Šufflay kuptoi më mirë se kushdo tjetër humnerën që ndan kulturën europiane nga ajo ballkanike-bizantine, dhe kjo e shtyu atë më shumë se kurdo që të drejtojë punën e tij e qëndrimet e bashkatdhetarëve të tij për nga Europa dhe jo Orienti. Një europian dhe kroat në thellësi të shpirtit të tij, ai ushtroi mbi intelektualët kroatë, të rrezikuar nga ballkanizimi, ndikimin e tij më të madh në sens kroat dhe europian. Dhe në sytë e Beogradit ky ishte krimit për të cilin ai duhej të paguante përmes vdekjes.

Përmes krijimit të shtetit sllavo-jugor rajone të gjëra që i përkasin sferës së kulturës europiane – para së gjithash Mbretëria Kroate – janë vendosur nën qeverisjen serbe, ku traditat e vjetra politike dhe sociale ortodokse, bizantine, orientale-aziatike janë shkrirë të gjitha në një sistem jo vetëm që e kundërshton por që e urren civilizimin europian. Diktatura e absolutizmit sllavo-jugor u mendua si fitorja përfundimtare e Serbisë mbi Kroacinë, fitorja e Ballkanit mbi Europën brenda shtetit sllavo-jugor. Por, kjo fitore është e mundur vetëm kur të jetë shkatërruar çdo gjë kroate që është europiane, kur “shtylla europiane” e kroatëve të jetë thyer. Kjo është arsyeja se pse është e nevojshme që të largohen të gjithë përfaqësuesit e spikatur të kulturës europiane në Kroaci, dhe nëse gjithçka dështon, atëherë ata duhen vrarë. Sufflay ishte një nga më të rëndësishmit – ai duhej të zhdukej!

Ai ndjeu urrejtjen e pashprehur të diktaturës kundër personit të tij dhe thoshte:

Shteti ideal i diktaturës serbe mund të ndërtohet vetëm mbi rrënojat e bazave të kulturës europiane në Kroaci, që do të thotë shkatërrimin e plotë të kombit kroat, një shtet ku do të shihje vetëm dy klasa sociale: hierarkinë e të gjithëfuqishmes ushtri, polici dhe kishë ortodokse me diktatorin në krye të saj nga njëra anë dhe nga ana tjetër: qytetarët e nënshtruar, budallenj dhe jointeligjentë. Kjo nuk do të realizohet për aq kohë sa Kroacia mbetet një vend europian. Kjo është arsyeja pse diktatura ka krijuar në Kroaci një sundim të kamzhikut, të burgut dhe të vrasjes, kjo është arsyeja se pse Stephan Radic dhe kolegët e tij kroatë u vranë në parlamentin e Beogradit, kjo është arsyeja se pse qindra patriotë kroatë u torturuan për vdekje në burgjet e policisë serbe, kjo është arsyeja se pse një shkencëtar i cili nuk kishte të bënte fare me politikën u desh të vritet në rrugë si një qen i marrë.

Kishte edhe një tjetër rrethanë që e bëri urrejtjen e Beogradit ndaj Profesor Šufflay të ngrihet në nivelin sa për të realizuar vrasjen e tij. Profesor Šufflay ishte albanolog. Ai qëndroi në Shqipëri për kërkime shkencore pak përpara se të vritej dhe solli me vete në shtëpi material të çmuar shkencor. Diktatura serbe e konsideron Shqipërinë si një objekt të përshtatshëm për ekspansion dhe objektivi i punës shkencore të Profesor Šufflay në këtë këndvështrim ishte krejt i papërshtatshëm. Eksplorimi shkencor i materialit të mbledhur së fundmi në Shqipëri duhej të ndalohej: Profesor Šufflay u vra dhe rezultatet e punës së tij shkencore janë në duart e policisë së Zagrebit, si një tallje për të gjithë ata për të cilët liria e shkencës duket diçka e natyrshme dhe e padiskutueshme.

Duke marrë në konsideratë gjithë sa më lart, Shoqata e Klubeve Universitare Kroate deklaron që:

Shkencëtari kroat, profesori i universiteti Dr.Milan Šufflay u vra në rrugë të hapur në Zagreb nga agjenti i policisë Nikola Jukic në ndjekje të urdhrit gjeneralit serb Belimarkovic, sepse përmes punës së tij pastërtisht shkencore ai ishte një pengesë për aspiratat serbomëdha për ekspansion territorial dhe sepse ai, si një nga mendjet më të kulturuara në Kroaci bëri qëndresë kundër qëllimeve të shkatërrimit kulturor të absolutizmit serb.

Duke qenë se vrasja e Prof.Sufflay përbën një përpjekje të ndërgjegjshme kundër kulturës europiane që është një cilësi karakteristike e Kroacisë – sikurse edhe kundër lirisë së shkencës dhe duke qenë se e gjithë kjo është një ngjarje më shumë në një zinxhir të ngjashëm krimesh përmes të cilëve absolutizmi serb përpiqet të asgjësojë kombin kroat dhe të shkatërrojë kulturën europiane në Kroaci, Shoqata e Klubeve të Universiteteve Kroate si përfaqësuese e Universitetit të Zagrebit dhe e gjithë studentëve kroatë, fton gjithë botën e kulturuar, veçanërisht gjithë shoqatat e profesorëve dhe unionet kombëtare të studentëve që të ngrihen kundër këtij krimi në shenjë solidariteti të gjithë kombeve të kulturuara sikurse edhe si solidaritet akademik dhe të bëjnë një aksion të mëtejshëm për të penguar përpjekje të tjera të ngjashme të diktaturës së Beogradit.

Gusht 1931

Për Shoqatën e Klubeve Universitare Kroate:

Cand.jur. Dr. Branimir Janic — abs.jur. Josip Milkovic

Abs.jur. Ante Valenta — abs.teh. Ivan Kosutic

Cand.jur. Mladen Lorkovic — stud.rer.com. Vilko Pecnikar

*E dergio per Diellin astoria Lindita Komani

 

Filed Under: Histori Tagged With: Apel Akademikeve, Kroate, Lindita Komani, Milan Shuflaj

Milan Shuflai, kroati që vdiq për Shqipërinë

February 3, 2014 by dgreca

Jo vetëm jeta, por edhe vdekja e Shuflait ka lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë. Ai që ia kish kushtuar gjithë jetën historisë së Shqipërisë s’kish se si të ndahej nga kjo botë veçse për shkak të saj. Në dhjetor të vitit 1930 mbreti Zog e fton Milan Shuflain të vizitojë Shqipërinë. Mbreti e njihte mirë kontributin e Shuflait në hartimin e historisë së Ballkanit, prandaj ai donte që Shuflai të shkruante edhe historinë e Shqipërisë.

***

Shuflai mbajti një fjalim para parlamentarëve shqiptare. Aty përmendi biologjinë e fisit shqiptar si pjesë e një projekti për historinë tërësore të Shqipërisë. Në parlament ai foli shqip dhe për këtë u duartrokit dyfish. Një javë pasi u largua nga Shqipëria për në Zagreb i erdhi kërcënimi i parë. Një pusullë prej letre, k i kërkohet të hiqte dorë nga studimet dhe shkrimet e mëtejshme. Në fund shënimi: “Organizata Nacionale për Mbretin dhe Atdheun.”

***

Milan Shuflai lindi në Lepogllav te Kroacisë më 9 nëntor 1879. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin vazhdoi studimet për shkencat historike në Universitetin e Zagrebit. Qysh në universitet lexonte në origjinal veprat historike të shkruara në greqishten e vjetër, në latinisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht apo hungarisht. Ai njihte në themel të gjitha gjuhët sllave, e më vonë mësoi ebraisht, shqip e sankrisht. 24 vjeç afirmohet si studiues i përmasave evropiane. Pas studimeve universitare bashkëpunon me Shmiciklasin për hartimin e korpusit “Codex diplomaticus”.

Gjatë vitit 1902-1903 punon pranë Institutit të Studimeve Historike në Vjenë, ku boton “Dokumente private të Dalmacisë”. Nga viti 1904-1908 punon në muzeun popullor të Budapestit. Vepra monumentale e Milan Shuflait mbetet “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” që do të thotë dëshmi dhe dokumenta që ilustrojnë ngjarjet e Shqipërisë në kohën mesjetare. Shkurt kjo vepër me dy vëllime për historinë e Shqipërisë njihet me emrin “Acta Albaniae”. Volumi i parë u botua në Vjenë më 1913, kurse volumi i dytë më 1918 po në Vjenë. Ato flasin për Shqipërinë e viteve 334-1406 dhe janë shkruar në bashkëpunim me studiuesit K.Jirecek e L.Talocin.

Në vitin 1916 e më pas boton: “Gjëndja kishtare në Shqipëri”, “Kufijtë e Shqipërisë në mesjetë”, “Shqipëria mesjetare”, “Lidhja hungaro-shqiptare në mesjetë”, “Fatet politike të temës së Durrësit”, “Biologjia e fiseve të popullit shqiptar”, etj. Pas Luftës së Dytë Botërore me krijimin e shtetit sllav, ku veç Serbisë përfshihet edhe Sllovenia e Kroacia, për historianin Milan Shuflai fillojnë ndjekjet dhe persekutimet. Arrestohet, burgoset dhe dënohet më 3 vjet e gjysmë burg si anëtar i komitetit kroat të formuar në Grac të Austrisë. Serbët nuk mund të harronin aq kollaj argumentet dhe analizat që kish bërë ai për lashtësinë e shqiptarëve. Pasi del nga burgu i Mitrovices boton “Mjergullat kombëtare”, “Kadastrat e Shkodrës”, “Ciklonet etnike në Ballkan”, “Berthamat shtetëroreAugust 12, 2002_ August 12, 2002_iperia në lashtësi”, “Kështjellat dhe qytetet mesjetare të Shqipërisë”, “Serbët dhe shqiptarët”, “Mozaiku nacional në Maqedoni”, “Qytetet dhe fshatrat në mesjetë” etj. etj. gati 3 mijë tituj librash e artikujsh studimore mbi Shqipërinë, Serbinë, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Malin e Zi, Italinë, Slloveninë, Austrinë. Milan Shuflai ka botuar edhe me pseudonimin Alba Limi. Me këtë emër ai ka botuar romanin historik “Konstandin Balshaj”. Siç shihet dhe nga kjo bibliografi e shkurtër, Shuflai është një nga personalitetet më të mëdhenj të shkencës dhe albanologjisë. Ai është përfaqësuesi me dinjitoz. Nuk ka albanolog tjetër që mund të konkurojë Shuflain për periudhën e mesjetës. Me dokumente dhe fakte ai argumenton fillimet e para të jetës qytetarë të Shqipërisë, shumë kohë para se sa të vinin sllavët. Ai argumentoi prejardhjen tonë. Davariti mjergullat e kohës e saktësoi kohën ilire, helene, romake e bizantine të Shqipërisë. Ai dhe vetëm ai prezantoi themelet e ndërlikuara, mbi të cilat është ndërtuar jeta jonë kombëtare e shtetërore. Për të kryer studime të tilla nuk është e lehtë. Burimet e informacionit janë shumë të largëta, gati të paarritshme. Por edhe kur i gjen, është e pamundur t’i dëshifrosh se njerëzit në atë botë nuk flisnin e nuk shkruanin siç flasim e shkruajmë ne sot. Mendoni, ç’dituri e madhe, ç’punë kolosale, ç’kohë e gjatë e sa mund i është dashur Shuflait për të rindërtuar pa asnjë të metë mozaikun e shqiptarëve të sotëm që më parë quheshin arber e akoma më herët, ilire. Nëse historiografisë sonë i heqim Shuflain, atëherë ç’mbetet? Prejardhja jonë do të ishte e dyshimtë, e mangët, e cunguar. Të dhëna për këtë periudhë kanë paraqitur dhe studiues të tjerë, si; Farlati, Valentini, Dyselje etj., por roli dhe saktësia e Shuflait nuk mund të krahasohet me asnjë. Ai është i padiskutueshëm. Të gjithë ata që duan të flasin për historinë e Shqipërisë patjetër duhet të kalojnë nga burimi i Shuflait. Vritet pabesisht në Zagreb, me 18 shkurt 1931, një muaj pasi kishte vizituar Shqipërinë.

Si u vra Milan Shuflai !?

Jo vetëm jeta, por edhe vdekja e Shuflait ka lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë. Ai që ia kish kushtuar gjithë jetën historisë së Shqipërisë s’kish se si të ndahej nga kjo botë veçse për shkak të saj. Në dhjetor të vitit 1930 mbreti Zog e fton Milan Shuflain të vizitojë Shqipërinë. Mbreti e njihte mirë kontributin e Shuflait në hartimin e historisë së Ballkanit, prandaj ai donte që Shuflai të shkruante edhe historinë e Shqipërisë. Dhe Shuflai që e admironte kaq shumë këtë popull të vogël me histori të lashtë, erdhi në Tiranë. Bujti në hotel “Kontinental” dhe qëndroi 8 ditë. Në një nga këto ditë, ai mbajti një fjalim para parlamentarëve shqiptare. Aty përmendi biologjinë e fisit shqiptar si pjesë e një projekti për historinë tërësore të Shqipërisë. Në parlament ai foli shqip dhe për këtë u duartrokit dyfish. Një javë pasi u largua nga Shqipëria për në Zagreb i erdhi kërcënimi i parë. Një pusullë prej letre, k i kërkohet të hiqte dorë nga studimet dhe shkrimet e mëtejshme. Në fund shënimi: “Organizata Nacionale për Mbretin dhe Atdheun.” Natyrisht, tani ai kish më shumë punë se asnjëherë tjetër. Sapo që kthyer nga Shqipëria ku kish marrë obligim për të përfunduar vëllimin e tretë të “Acta Albaniae”. Katedra e historisë për Evropën Juglindore në Universitetin e Budapestit i kish afruar një vend pune. Mirëpo mbreti Aleksandër nuk e la të dilte jashtë kufijve të Serbisë. Ndërkohë dhe Akademia e Shkencave të Vjenës i kish propozuar të mbaronte punën për vëllimet e lëna përgjysmë. 52-vjeçari Milan Shuflai nuk mund të trembej nga një kërcënim prej letre. Të tërhiqej? As që bëhej fjalë! Kështu deri në mbrëmjen e 18 shkurtit. Ndërsa po kthehej në shtepi, hyri në një rrugicë dhe… (sipas pohimeve të mëvonshme) tre vetë e ndalojnë në errësirë, e qëllojnë me levë në kokë dhe largohen me shpejtësi. Rrëzohet pa ndjenja në tokë dhe ashtu të mbytur në gjak e gjejnë kalimtarët e rastit, të cilët e çojnë menjëherë në spital. Mirëpo është vonë. Vdes po atë natë, pa thënë asnjë fjalë e pa lënë asnjë amanet. Autoritetet ndaluan botimin e çfarëdo lajmi që kish lidhje me vdekjen e tij. Mirëpo Shuflai nuk ishte individi i zakonshëm. Ai ishte kthyer tashmë në institucion. Gazetarët e huaj dhanë menjëherë lajmin e bujshëm: “Milan Shuflai, ndërsa po kalonte rrugës për të shkuar në shtëpi, u godit në errësirë nga persona të panjohur e më pas vdiq në spital”. Ata e quajtën “krim të madh” pa nguruar të thonë “i organizuar nga policia serbe, e cila rrëmbeu nga shtëpia të gjitha dokumentet e dorëshkrimet e tij”. Pas këtij njoftimi intelektualët evropiane, midis të cilëve edhe Ajnshtajni e Hajnrih, e dënuan vrasjen makabre. Akademia e Shkencave të Kroacisë lëshoi një komunikatë ku dënonte vrasjen dhe shtronte pyetjet: Si u vra dijetari, studiuesi dhe profesori ynë? A ishte ky një sulm për ta grabitur, apo një vrasje politike e paramenduar? A u godit Shuflai thjesht për ta trembur e vetëm kaq apo duhej asgjësuar përfundimisht? Nëse po, atëherë pse duhej likuiduar fizikisht një burrë 52-vjeçar siç ishte Milan Shuflai? Ç’ekuilibër prishi ai? Po! Milan Shuflai kishte gabuar rëndë. Ai ishte larguar nga shkolla sllave. Rilindja serbe e quante popullin serb popull misionar, një popull i cili qëndron mbi të tjerët. Sllavët e jugut kishin ardhur në këtë rajon të Evropës për të emancipuar barinjtë e egër të Ballkanit. Kjo filozofi që ekziston dhe sot e kësaj dite binte ndesh me frymën evropiane të Shuflait. Ja pse vdekja e Shuflait në atë natë të ftohtë dimri mbeti misterioze deri në dimrin e vitit 1940! Ajo u ndricua vetëm pas këtij viti kur para Gjykatës së Zagrebit u nxorrën si të pandehur Branko Zverker, Lubomir Bellosheviç dhe Stevo Vecernica. Ata deklaruan se vendimi për likuidimin e Milan Shuflait u mor pasi ai u kthye nga Shqipëria. Pas kërcënimeve për të hequr dorë nga studimet e tij më 15 shkurt, në zyrën e shefit të Policisë së Zagrebit u vendos likuidimi i tij”. Kështu shkruan Josip Horvart (f.228) në veprën e tij kushtuar Milan Shuflait.

Si u gjet lënda e vëllimit të tretë të “Acta Albaniae”

Për lexuesin e gjërë duhet theksuar së qysh pas vdekjes së Milan Shuflait ka ekzistuar një debat i gjatë nëse e kish shkruar apo jo Shuflai vëllimin e tretë të “Acta et Diplomat es Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Kur Jireçek e Taloçi qenë gjallë, të tre autorët kishin deklaruar se do të botonin të paktën 4 vëllime. Mirëpo ata kishin vdekur. Vetë Shuflai kish deklaruar se do të këtë një vëllim të tretë që do të fillojë nga viti 1406 e do të mbarojë në vitin 1536. Po t’i referohemi letërkëmbimit që ka pasur Mit’hat Frashëri me Milan Shuflain në gjuhën frëngë, në një nga letrat e tij Mit’hat Frashëri e pyet: A po vazhdon të punosh me korpusin “Acta Albaniae”? Shuflai përgjigjet: “Po i dashur mik, jam duke përgatitur vëllimin e tretë”. Gjithsesi, ky pohim është një e dhënë e tërthortë që tregon se Shuflai kish ndërmend të botonte edhe vëllimin e tretë. Mirëpo nuk është vetë vepra. Një studiues mund të nisë një punë, apo të pohojë për një vepër e më pas ta lërë përgjysmë ose të mos e shkruaje kurrë.

Debati nëse ka apo jo një vëllim të tretë u aktivizua në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur studiuesi serb Radonic botoi një vepër me titull: “Acta Skanderbega” dhe me linje të ngjashme me atë të “Acta Diplomata”. Shumë studiues mendonin së lënda i përkiste Shuflait, por jo fryma. Ato nuk ishin marrë nga dy vëllimet e para, por nga një vëllim tjetër që nënkuptonte vazhdimin e dy të parave. Radonic, ose linte mënjanë frymën evropiane të Shuflait, ose e cungonge atë. Ka shumë mundësi që një botim i tillë të jetë bërë pikërisht për të ndrequr “gabimet e Shuflait” ose, më e pakta, për të riparuar diçka nga tërmeti që shkaktoi Shuflai në lidhje më lashtësinë dhe historinë e shqiptarëve. Radonic nuk e bëri këtë për të vjedhur punën e tjetrit, por më të njëjtën lëndë të krijojë një imazh tjetër të kundërt me atë që kish dhënë Milan Shuflai. Sa më shumë ka kaluar koha, aq më shumë është forcuar bindja se vëllimi i tretë i “Acta Albaniae” është shkruar dhe diku ekziston. Para tre muajve, gjatë një kërkimi të zakonshëm në fondin e Ministrisë së Arsimit që ruhet në Arkivin Qëndror të Shtetit në Tiranë u gjet një dosje e veçantë me nr.295, viti 1931 i quajtur fondi 85. Kjo dosje s’kishte të bënte fare me Ministrinë e Arsimit. Ajo ishte një dosje e çuditshme me 50 faqe dhe me një pasqyrë lëndë me tituj për Historinë e Shqipërisë nga viti 1400-1536. Ministria e Arsimit ka në fondin e vet dokumente administrative që lidhen me arsimin e jo dokumente historike.

Atëherë ç’ishte kjo dosje?

Hapi i parë që u bë nga AQSH ishte të verifikonte lëndën e ta krahasonte atë me një tjetër të ngjashme. Pas verifikimit u pa se e ngjashme me të ishte vetëm “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis ilustratia”. U vu re homogjeniteti i lëndës, vazhdimësia e saj, burimet e njëjta. Pikërisht atje ku mbyllej volumi i dytë i “Acta et diplomata” fillonte dosja 295 e vitit 1931. Megjithatë ishte vështirë të thuhej nëse dosja 295 ishte vërtetë dorëshkrimi i Milan Shuflait apo jo?

“E fotokopjuam këtë dorëshkrim,- thotë Shaban Sinani, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë,- dhe gjatë vizitës sime në Arkivin Qendror në Zagreb e mora me vete. Në takim me një grup specialistësh të Arkivave të Kroacisë u shtrova këto pyetje: A mund të verifikohet nëse gërmat e këtij dorëshkrimi i përkasin makinës me të cilën ka punuar Shuflai? A mund të verifikohet gjithashtu nëse shkrimi i bërë me dorë në faqen 19 është shkrimi origjinal i Milan Shuflait? A gjendet kjo lëndë në Arkivin e Kroacisë? Dhe, më në fund, a është kjo ende një vazhdim logjik i vëllimit të dytë të “Acta Albaniae”? Drejtori i Arkivave të Kroacisë z. Josip Kalanovic mblodhi një grup ekspertësh, të cilët pasi u morën me verifikimet e dorëshkrimit dhanë këto përgjigje: Po, gërmat e përdorura në këtë fletë i përkasin makinës së shkrimit të përdorur nga Milan Shuflai. Gjithashtu, shkrimi i bërë me dorë në faqen 19 i përket Shuflait. Për pyetjen e tretë, nëse kjo lënde ndodhej dhe në arkivat e Kroacisë, ata u përgjigjen: Jo! Kurse për pyetjen e katërt, arkivistët kroate u përgjigjen se e gjithë lënda që përfshinte periudhën 1400-1536 ishte vazhdim logjik i “Acta et diplomata”. Nga të dyja palet u konfirmua përfundimisht se Shuflai e kish pasur të gatshëm për botim gjithë lëndën e vëllimit të tretë. E kur pasqyra është 50 faqe, mendoni se sa do të ishte vëllimi i tretë? Të paktën 700 faqe.”

Për fatin tonë të mirë një pjesë e kësaj lëndë ndodhet në arkivin tonë, një pjesë në arkivin kroat, kurse pjesa tjetër në Venedik, Vatikan, Napoli, Raguzë, Vjenë etj. Pas këtij konfirmimi të gjitha hamendjet nëse ka patur apo jo një vëllim të tretë bien poshtë. Çudia, si çdo çudi shqiptare qëndron tek fakti që askush për 70 vjet në Shqipëri nuk ka bërë fjalë për të. Si shpjegohet që ndërsa vazhdonin diskutimet për vite e vite me rradhë, në shqiptarët të heshtnim kur lëndën e kësaj vepre e kishim në sirtar?! Tani mjaft njerëz pyesin. Si u ndodh në Ministrinë e Arsimit? Pse aty e pse këtu? Në vitet 30 Shqipëria nuk kishte as Akademi, as Institut Historie e as universitet. I vetmi vend ku mund të arkivohej një vepër e tillë ishte Ministria e Arsimit. Milan Shuflai mund t’ia këtë dhuruar këtë kopje bie fjala Mit’hat Frashërit, Lef Nosit apo ndonjë të njohuri tjetër, ose e ka lënë për siguri pas kërcënimeve të bëra nga serbët. Ndofta kjo ka qenë një masë paraprake për të patur dy kopje, që lënda e vëllimit të tretë të ndodhej krahas Zagrebit edhe në Tiranë. Tani problemi shtrohet: Si mund të disiplinohet kjo lëndë? Si mund të rikompozohet volumi i tretë i “Acta Diplomata” sa me afër përfytyrimit dhe stilit të Shuflait? Natyrisht vëllimi i tretë nuk mund të bëhet menjëherë. Ndoshta një redaksi e përbashkët me historianë, arkeologe, arkivistë e studiues nga Shqipëria e Kroacia mund t’ia dalin mbane si shenjë admirimi për Milan Shuflain që punoi dhe vdiq për Shqipërinë.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: kroati qe vdiq per Shqiperine, Milan Shuflaj

Artikujt e fundit

  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”
  • Zhvillimi e përdorimi i Gjuhës Shqipe në diasporë
  • Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë
  • HOMAZH E NDERIM PËR TË GJITHË ATA QË NDIHMUAN TË BËHEJ SHQIPËRIA
  • FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921
  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT