Bisedë me znj.Mimoza Leskaj ish e përndjekur politik/
Kam jetuar çdo ditë të jetës sime me frikën se nga momenti në moment mund të humbja tim atë, dhe kjo ka qenë tortura më e madhe e jetës sime. M.Leskaj /
Bisedoi Keze Kozeta Zylo/
–Le të hidhemi në vitet e fëmijërisë suaj, si ka qenë ajo dhe si e keni përjetuar ju si fëmijë?
– Ishin vite të vështira! Familja ime përfaqësohet nga të dy mbiemrat..-Lesko nga babai ,dhe Shaska nga mamaja, pra vetë mbiemrat flasin shumë! Mbas shumë dëbimeve nga vende të ndryshme, ku edhe mbiemrin nga Lesko ja shkruaj në Leskaj, babai më në fund vendoset në një kasolle të vjetër në periferi të një qyteti të vogël që quhet Shijak! Mbas shumë mundimesh arrin të ngrejë shtëpi. Aty lind,dhe ndërsa rritem,filloj të kuptoj peripecitë e mëdha të familjes. Një fëmijëri e heshtur e imja, si e shumë të tjerëve që rridhnin nga familje me” biografi të keqe”, kjo lloj “damke” të ndiqte kudo, dhe në çdo lloj moshe.
Kam jetuar çdo ditë të jetës sime me frikën se nga momenti në moment mund të humbja tim atë, dhe kjo ka qenë tortura më e madhe e jetës sime.
Persekucionet mbi të ishin të shumëllojshme dhe kjo ndikonte shumë në rritjen dhe formimin tim si fëmijë. Vendi ku jetonim kishte njerëz bujar dhe të mirë, të cilët lehtësuan sado pak mënyrën e jetesës në Shijak, kshtuqë ndërsa kalonim rrugës nuk na shante dhe ofendonte njeri, me fjalën e ndyrë “balliste e qelbur” siç bënin shpesh në zonat ku jetonin të afërmit e mi.
E them me shumë respekt se vetë shijakasit ishin njerëz të mirë, bujarë dhe mikpritës. Babai im njeri shumë i ndershëm dhe punëtor arriti të fitonte respektin dhe dashurinë e këtyre njerëzve të mirë.
Na shihnin me respekt, dhe vlersonin kulturën e familjes sonë. Pjesa më e dhimbshme e fëmijërisë time ishte familja e mamasë time, dmth gjyshërit dhe dajot të internuar në një majë mali i quajtur (Skotull nga zona e qytetit të Vlorës), ku kishte vetëm egërsira. I ngjitesha atij mali me orë të tëra për të parë të afërmit që jetonin atje. Isha vetëm pesë vjeçe dhe imazhi i asaj jete atje më ka ngelur akoma në sy. Kam përpara syve dhe sot gjyshin Filo Shaska, i dalë shumë i sëmurë nga torturat e egra të burgjeve. Njeri i shkolluar, ekonomist i zoti dhe njeri i ndershëm, që njohu torturat dhe varfërinë më makabre të atyre kohrave. Varfëria e panumërt e ditëve që shoqëruan mamanë dhe motrat e vëllezërit e saj mbas arrestimit të gjyshit është e llahtarshme. Ajo nga mos të ushqyerit u sëmur aq shumë sa dhe sot i vuan ato pasoja. Këto ngjarje dhe shumë të tjera, i kam përejtuar shumë keq fëmijë. Kam derdhur lotë të panumërt përballë vuajtve të tyre, ku ajo e imja nuk ishte asgjë.
Cila është familja juaj dhe pse u persekutuat nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës?
–Familja ime ishte kundër sistemit komunist. Ajo asnjëherë nuk u përputh me idetë e gabuara të atij sistemi.
Im atë ishte djali i një nacionalisti shumë të njohur në gjithë zonën e Jugut, njeri me influencë të madhe, Ahmet Lesko nga Tatzati i Delvinës! Me plagosjen e tij dhe eliminimin fizik në spitalin e Tiranës ngjarjet ndryshuan. Menjëherë mbas fitores së komunizmit, vëllezërit e tjerë Qani, Karafil dhe Ismet Lesko u arratisën dhe jetuan derisa vdiqën në Amerikë, ku prehen atje dhe sot. Nëpërmjet arratisjes i shpëtuan barbarzmit të egër komunist.
Ndërsa vëllai vogël Namik Lesko duke menduar për fëmijët e mitur të lënë me nënat në moshë shumë, shumë të re, vendos të qèndrojë dhe të kujdeset për ta. Nuk kalon shumë kohë dhe e kapin duke e eliminuar në mënyrë barbare , në coptimin e trupit të tij, për ta hedhur në lumin e Lanës, ku kuptohet ngelet dhe pa varr!Pra duket qartë persekutimi në vazhdim i fëmijëve që filluan të rriteshin, ku më i madhi ishte babai im Enver Lesko!
–Çfarë do të kujtoni nga jeta juaj e peresekucionit, si e keni përjetuar diferencimin në shoqërinë e atëhershme, a mund të na sillni ju lutem ndonjë episod?
Kam shumë për të kujtuar. Vuajtjet janë të mëdha dhe të pafundme, por do ju sjell vetëm tri episode…
1-Në moshën 8 vjeçe qëllohem në buzë me sustën e një çante shkolle, dhe gjaku më rridhte papushim ,ashtu futem në shtëpi. Prindët të shqetsuar ulërinjë. Kjo bëhesh që babai im të reagonte dhe duke u irrituar të gjenin shkak për ta burgosur. Ngjarjet pasuan me një denoncim ku u përgatit një fletrrufe e hidhur,sic përdoresh atherë për të të demaskuar!
2-Në moshën 14 vjeçe nuk më jepej e drejta për të vazhduar shkollën e mesme dhe pse isha shumë mirë me mësime, dhe u bënë përpjekje të jashtzakonshme nga njerëz që na donin dhe respektonin të cilët e quanin të pavend faktin se nuk duhej të shkollohesha.
3- Në vitin 1987 mar guximin dhe fshehurazi prindërve I shkruaj një letër xhaxhait në Amerikë. Ishte thjeshtë një letër përshëndetje e shkruar me shumë kujdes, por që doja tu tregoja se ne ishim gjallë e mirë, dhe i mendonim. Përgjigja e tyre vjen pas një viti dhe nuk na jepet ne, por thërrasin babain në degën e brendshme, ku e kërcënojnë që duhet të më ”mblidhte” për guximin që mora, në një rast të dytë do mendonin ata vetë për mua!
Cilat kanë qenë ëndrrat tuaja të parealizuara në Shqipëri dhe si ndiheni sot kur i kujtoni pengesat e shumta që ju sollën gjatë regjimit komunist?
E vetmja ëndërr primare që kisha ishte Liria! Doja të isha e lirë dhe jo ashtu në kafaz siç jetoja! Nuk reshta asnjëherë në cdo moment të jetës pa e ëndërruar, sepse nga kjo varesh gjithcka. Shkruaja dhe lexoja me etje cdo libër, ëndërroja të bëhesha shkrimtare me emër ku të mund të shkruaja vetëm të vërteta! Dhe me këto dy ëndrra u rrita, ndërsa vitet kalonin. Që të dyja nuk i realizova dot në Shqipëri, dhe është kjo arsyeja që unë shkruaj dhe botoj në gjuhën shhqipe.
Ju ka rastisur gjatë periudhës postkomuniste të takoni persekutorët e familjes suaj?
-Kam shkruar një tregim për këtë. Kam qenë dëshmitare kur im atë takoi persekutorin e tij! Nuk mund ta harroj kurrsesi. Përsa i përket spiunëve ordinerë që ishin persekutorët në vazhdim, pothuajse jetonim me ta. Ishte njëlloj “kompromisi” e quaj unë….unë hesht, dhe ti s’më bën dot gjë. Absurditeti i asaj jete të jetuar ndryshe dhe të qenurit ndryshe, do thosha.
Kur ikët nga Atdheu dhe cila ishte arsyeja kryesore e largimit për në Itali?
Nga Atdheu largohem në vitin 1995, por kjo për arsye sepse martohem në Itali, sepse është zgjedhje personale e jetës!
Cili është ndryshimi midis Atdheut tënd dhe Italisë që të priti? Në bisedat me miqtë italianë në se ju ke treguar historinë tuaj të dhimbshme familjare, cili ka qenë qëndrimi i tyre?
Ndryshimet janë të mëdha sepse filloi një jetë familjare nga e para. Vendi , kultura dhe mënyra e jetesës ishin e kundërta e asaj që lashë dhe jetova unë.Shpesh me shaka them që kam jetuar dy botë, por kjo është e vërtetë. Në biseda me miqtë kam treguar shumë ngjarje, shpesh dhe nuk më kanë besuar, kjo për faktin se ka ngjarje vërtetë të paimagjinueshme, dhe kam arritur në konkluzionin që është e pamundur të na kuptojnë, duhet jetuar!
Sot mjerisht politikanë, pseudogazetarë, ku më duhet të them se ka dhe nga klasa juaj e persekutuar, qe në vend që të sjellin emrat e persekutorëve, dëshmitarëve, akuzuesve të tyre që i futën në burg apo internuan, merren me kundërshtarët e tyre nëpër komente që fshihen nëpër anonime apo në shkrime të ndryshme duke i akuzuar si kriminelë, tradhëtarë, vrasës pa fakte, pa dokumenta, pa i njohur kurrë, me një fjalë bëjnë të njejtën gjë siç i dënoi diktatura me shpifje, inate, diskriminime… Cili është opinioni juaj për këtë rrëmujë që po ndodh në Shqipëri dhe midis shqiptarëve kudo ne botë?
-Karakteri është personal! Ndërsa jeta rrjedh me shpejtësi edhe njeriu kërkon të rikuperojë me shpejtësi kohën e humbur, dhe këtu del në pah karakteri personal i çdokujt . Përsa i përket rrëmujës që ndodh në Shqipëri, ndiej dhimbje. I kthej shpesh mendjen dhe sytë aty me keqardhje të madhe. Ai popull i vuajtur meriton shumë, ai vend është vërtet shumë i bukur, por siç duket tek ne shqiptarët ka një lloj egoizmi që e përdorim në të keqen tonë.
Ju keni botuar libra me poezi, ku shumë prej peozive tuaja jane mirëpritur nga lexuesit, cilat janë motivet më kryesore qe ju kanë dhënë frymëzim për t’i hedhur në letër?
GjithCka më frymzon! Përpiqem të realizoj ëndrrën time të fëmijërisë, nuk është kurrë vonë për këtë. Mbas mungesës së fortë që ndjeva mbas humbjes së tim eti, i cili u bë shkas në realizimin e kësaj ëndrre, frymëzimin e gjej kudo. Nga mëngjesi dhe gjer në mbrëmje jeta të dhuron nga më të ndryshmet emocione. I marr ato nga e kaluara , risjell tek lexuesit e rinj atë pjesë të cilët ata nuk e njohin. Praktikisht shkruaj çdo emocion të vërtetë, dhe kjo ka bërë që lexuesit të kthejnë sytë në ato cka unë shkruaj.
Cilat jane ëndrrat tuaja që parashikoni se do t’i realizoni në të ardhmen?
Të ëndërrosh është bukur, sepse jeta kudo ka vështirësitë e veta, dhe unë mendoj se do vazhdoj akoma të shkruaj. Përfundova librin e tretë poetik, “Pyeta Retë” i cili hyn për botim këto ditë, mbas atyre dy të para si: “Flas me Heshtjen “ dhe Dashuri me Ngjyra Vjeshte”. Po përfundoj një libër me tregime të vërteta dhe disa dorëshkrime, si dhe po punoj për romanin e parë i cili titullohet “Rikthim në të kaluarën”! Shpresoj në realizimin dhe mbarësinë e tyre!
Qershor, 2016
New York, USA