-Në Nju Jork, Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, shoqëruar nga Shefja e Misionit të Kosovës, Teuta Sahatqija, ka takuar Përfaqësuesin e Përhershëm të Uruguajit në OKB, ambasadorin Elbio Rossi, pastaj ambasadorin e Etiopisë Tekeda Alemu, atë të Bangladeshit, Masud Bin Momen dhe ambasadorin e Senegalit, Fode Seck/NJU JORK, 2 Gusht 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, ka udhëtuar për një vizitë pune në Amerikë. Në Nju Jork ka filluar një varg takimesh të ndara me Përfaqësues të Përhershëm të disa shteteve anëtare të OKB-së.Njoftimi i dërguar thekson se, në fokus të bisedave dhe takimeve është kontraktualiteti dhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në mekanizma, institucione dhe organizata ndërkombëtare të bashkëpunimit në fushën e rendit dhe ligjit, përkatësisht bashkëpunimit policor.
Kryesisht bisedat janë përqendruar në sigurimin e përkrahjes për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, e që pritet të votohet gjatë Asamblesë së Përgjithshme në shtator.
Dje, ministri Hyseni, i shoqëruar edhe nga Shefja e Misionit të Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, në takime të veçanta ka takuar dhe biseduar me Përfaqësuesin e Përhershëm të Uruguajit në OKB, ambasadorin Elbio Rossi, pastaj me ambasadorin e Etiopisë Tekeda Alemu, atë të Bangladeshit, Masud Bin Momen, dhe me ambasadorin e Senegalit, Fode Seck.
Në të gjitha takimet e deritashme është treguar gatishmëri e madhe për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL./b.j/