• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ministri emigracioni? Çne, dhe pse?

August 1, 2013 by dgreca

Nga Rafael FLOQI */

Diaspora e Amerikës si në kohën e Nolit e Konicës, ashtu edhe sot ka  zbatuar instinktivisht domethënien e fjalës së Xhon.F. Kenedit se “nuk  ka rëndësi çka bën atdheu për ty, por çfarë bën ti për atdheun”.  Ajo si gjithnjë do të vazhdojë ta kryejë këtë rol. Por ka ardhur koha të themi se diaspora jo vetëm ndihmon, jo vetëm mbush buxhetin me remitancat,  por ka dhe nevojë edhe për ndihmë, çka është përgjigja e politikës  shqiptare.
“Ministri emigracioni? Çne?” – u përgjigj kryeministri i ardhshëm   Edi Rama gjatë paraqitjes së kabinetit qeveritar, ku binte në sy mungesa e një ministrie të tillë. Madje, ai tha se nuk e ka premtuar asnjëherë  krijimin e një ministrie të tillë dhe me stilin “të fala Sandrit” u  përgjigj dy ditë pasi qe kthyer nga Selaniku se “nuk e di të kem bërë  ndonjë premtim elektoral për ministri emigracioni, mos e ngatërroni me  partinë e çamëve”.
Edhe pse nuk ishte shumë e gjetur përqasja që kryeministri ardhshëm i bëri çështjes së emigrantëve me partinë e çamëve, e sigurt është se  qindra mijë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë mijëra probleme që  presin zgjidhje. Mashtrimi elektoral i Ramës këtu u shfaq ashiqare kur  nga një kërkim i thjeshtë “Gazeta shqiptare” konstatoi se në një  intervistë për “Plus Gazeta Athina” më datën 15.02. 2013 Edi Rama pati  thënë: “Kemi premtuar ngritjen e një ministrie të veçantë për  emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elementë të spikatur  prej emigracionit si dhe një përfshirje të drejtpërdrejtë të emigrantëve në strukturat diplomatike të shtetit shqiptar, pra në ambasada dhe  konsullata”. Gazeta në fjalë botohet në Athinë për shqiptarët e Greqisë, por Rama ndoshta s’e di se gjendej edhe në Tiranë.
Kur u interesojnë autobusët e emigracionit për të marrë votat,  politikanët i bëjnë qefin atij me deklarata boshe, si të drejtë votimi  apo ministri, po kur vjen puna për qeverisje, e harrojnë një të tretën e kombit shqiptar. Diaspora shqiptare edhe për faktin se është e ndarë si pasojë e ardhjes nga pjesë të ndryshme të trungut shqiptar dhe në kohë  të ndryshme ka bërë më shumë punë për çështjen kombëtare sesa të gjitha  qeveritë apo firmat e PR-së, që kushtojnë miliona. Ato i kanë gjetur  lidhjet me Toni Blerin para Ramës dhe e kanë nderuar figurën e tij para  Ramës (kujtojmë mirënjohjen e KKSHA, duart e Shpresës vitin e kaluar).
Siç duket, shteti shqiptar, si ai i demokratëve, ashtu dhe ai i  socialistëve tani dhe nesër do të mbeten larg diasporës, pasi nuk i  duhet ajo për të siguruar pushtetin, edhe pse ajo është lobuesi më i  mirë i interesave kombëtare. Kjo shpjegon faktin pse Berisha kujtohet në zgrip të jetës së tij si kryeministër të miratojë ligjin e shtetësisë  shqiptare. Megjithatë, ai bëri një ligj si kofini pas të vjeli, edhe pse u kritikua, Shqipëria ishte e fundit nga vendet e rajonit që e bënte  këtë, dhe pse  është e rrethuar vetëm me troje shqiptare.
Po të ndalemi te qeveria. Nevoja e bashkëpunimit me diasporën është  imperative. Për çfarë duhet një ministër i bashkëpunimit me parlamentin  kur bashkëpunimi sigurohej nga ministrat deputetë dhe në vend të një  ministri pa portofol të kishte një ministri emigracioni me portofol?  Fondet mund t’i grumbullonte vetë diaspora si kontribut anëtarësimi.
Zyra e diasporës pranë MPJ-së në gjendjen aktuale ka vetëm pesë  nëpunës që regjistrojnë aktivitetet që bën diaspora, kryesisht të vjela  nga komunikimet me ambasadat, që i rrëfehen ministrit të Jashtëm ato sa  për protokoll dhe i futin letrat në dosje dhe kaq (?!). Kjo është një  punë krejtësisht e kotë, pasi me një kërkim në “Google” mund të shohësh  të gjithë shtypin dhe medien e diasporës si në SHBA, Greqi, Itali,  Angli, Zvicër apo Gjermani. Nga ana tjetër, a mund ta bëjë një ambasador  apo një personel ambasade i limituar, me fonde të limituara, lidhjen e  qenësishme me diasporën, që të mbajë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë  masë të madhe shqiptarësh? Besoj se jo. Një herë në konfidencë një  ambasador yni në një vend të madh mik më thoshte se kapte telefonin dhe  fliste me një zë femre, duke imituar një sekretare që s’e kishte, sa  herë kishte telefonata, pasi nuk është normale në diplomaci që  ambasadori të përgjigjej drejtpërdrejt në telefon. Sot, sipas shifrave  jo fort të sakta, jashtë Shqipërisë ka mbi 1milion e 300 mijë shqiptarë  nga Shqipëria, po dhe duke llogaritur edhe diasporën e vjetër dhe atë të trojeve shqiptare  mbi 3 milionë shqiptarë.
Disa ditë më parë miku im Artur Vrekaj, kryetar i shoqatës atdhetare  kulturore “Kombi” në Worcester, Masaçusets (SHBA) i drejtohej me një  letër të hapur kryeministrit të ardhshëm, z. Rama, duke i parashtruar  domosdoshmërinë e një ministrie diaspore dhe koordinimin e saj me  ministrinë e diasporës në Kosovë, duke shtruar pyetjen: “Pse u duhet  Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë në diasporë Ministria e  Diasporës?”, duke u përgjigjur po  vetë me të drejtë: “Mbi të gjitha për hartimin dhe vënien në funksion të një strategjie kombëtare për  vëmendjen që duhet t’i kushtojmë diasporës si pjesë vitale dhe integrale e kombit shqiptar. Ministria e diasporës do të na ndihmojë edhe për  bashkërendim dhe udhëheqje të punës atdhetare e kulturore.” Kështu e  kupton diaspora këtë domosdoshmëri.
Por ja që politikanëve shqiptarë u intereson më shumë pushteti i vet  dhe nuk e mendojnë diasporën si pjesë vitale dhe integrale e kombit  shqiptar. Këtë po e ilustroj me dy fakte nga dy krahët e politikës  shqiptare. Para dokohe drejtuesi i lëvizjes “Atdheu na Bashkon”,  patrioti Gjon Lulgjuraj, gjatë një pritje me Kryeministrin Berisha, ku  ai në emër të lëvizjes po i parashtronte atij gjendjen e malësorëve të  Malësisë së Madhe në Tuz, Berisha shihte vazhdimisht orën. “E kuptova, –  thotë Lulgjuraj, – se atij nuk i interesonte shume ajo çka ne po i  paraqitim dhe ishte koha për t’u ngritur.”Një rast tjetër që flet për  përkushtimin e liderit të opozitës ndaj dsporës është fakti se, edhe pse Rama ka ardhur të takojë disa herë të vëllain e vet, që është emigrant  në Miçigan, nuk ka gjetur aspak kohë për të takuar diasporën e këtushme, që është më shumë se 120 000  frymë. I pyetur për këtë nga “ALBTVUSA”  Rama u përgjigj se këto ishin thjesht vizita private.
Për të qenë më konkret se si duhet vepruar me diasporën, po përmend  masat e marra nga shteti kroat mbi diasporën e vet, e cila përbën mbi 4  milion  vetë. Këto masa janë në shenjë respekti për kontributin e saj në luftën për pavarësinë e Kroacisë. Kështu qysh në vitin 1991 Kroacia  miratoi masat e mëposhtme. Këto masa gjatë kohës kanë pasur ndryshimet  të domosdoshme, por thelbi i këtyre kërkesave mbetet. Ato drejtime duhet dhe mund të jenë rrugët për një kohezion dhe lidhje më të mirë të  Shqipërisë me diasporën e saj, të re të vjetër, të Shqipërisë dhe  trojeve tona.
Në fund të luftës në vitin 1995 u bë një çështje e pranuar gjerësisht se Republika e saponjohur e Kroacisë i kishte një borxh të madh   diasporës së saj dhe ajo kishte për t’ia shpaguar. Këto ishin disa prej  masave që u miratuan në atë kontekst politik, nga të cilat mund të  merret shembull:
Së pari, ligji i shtetësisë
Në vitin 1991 u miratua një ligj që u jepte shtetësi kroate të gjithë kroatëve dhe pasardhësve të tyre, pavarësisht se ku jetonin. Nëpërmjet  neneve 11 dhe 16 të ligjit kushdo që mund të provonte origjinën kroate i jepej dyshtetësia dhe një pasaportë. Edhe pse nuk ka statistika  zyrtare, sipas disa vlerësimeve thuhet se deri në 1,15 milionë njerëz  (në një popullsi prej rreth 4,4 milionë qytetarësh) e fitoi shtetësinë  kroate në këtë mënyrë.
Së dyti, e drejta e votës
Qytetarëve kroatë jashtë vendit iu dha e drejta për të votuar (duke  përfshirë edhe nënshtetasit e rinj  të përmendur më lart), duke i  caktuar një zonë të dedikuar zgjedhore (njësinë 11). Fillimisht rreth  10% e ulëseve në Sabor në (Dhomën e Deputetëve) ishin të rezervuar për  këtë zonë zgjedhore. Pas debateve të nxehta midis HDZ-së dhe partive  opozitare përqindja fikse u ndryshua në një përqindje të ndryshueshme,  llogaritur mbi bazën e votuesve.
Së treti, një ministri e veçantë në qeveri
Në fillim  në vitin 1991 u krijua një ministri jetëshkurtër për  emigrimin (Ministarstvo za iseljeništvo), pastaj në vitin 1997 me  Ministrinë për Kthim dhe Imigracion (Ministarstvo povratka i  useljenišla), kështu deri në vitin 1999 kroatëve jashtë vendit iu dha  status special burokratik dhe simbolik. Duke pasur parasysh marrëdhënien e gjatë mes Jugosllavisë dhe më vonë (Kroacisë) dhe diasporës këto  ndryshime shënuan një evolucion progresiv, duke siguruar  statusin  politik për diasporën.
Shembulli kroat, pra, ofron një përshkrim empirik në lidhje me  mënyrat në të cilat formacionet transnacionale të identitetit kombëtar  janë gjithnjë e duke u riformatuar ose janë duke riformatuar vetveten si diaspora. Roli i shtetit amë në integrimin dhe mosintegrimin e tyre  është mjaft domethënës në kushtet e kozmopolitizmit të sotëm. Duhet bërë e qartë dhe ndryshimi mes emigracionit dhe diasporës. Diaspora si  institucion social kolektiv do dhe ruan identitetin e saj kombëtar për  të mos u bërë “gjak i shprishur” dhe emigracioni është më i prirur drejt integrimit në vendin ku ndodhen dhe drejt asimilimit. Tani që po  shkohet më shumë nga kombi e shtetit monolit në shoqëritë  multikulturore, gjuha e “diasporës” evokon lidhjet transnacionale, prish identitete kulturore diskrete dhe i fuqizon ose i vartëson grupet e  quajtura diaspora me shtetet në të cilat ata jetojnë. Lidhja kulturore  dhe gjuhësore është elementi bazë që lidh diasporën me vendlindjen,  ashtu si Salman Rushdie në “Imaginary Homelands (atdhetë imagjinarë, ese dhe kritika,1981-1991 ) shkruante: “Ndonjëherë ne ndihemi se i  ngërthejmë të dyja kulturat ashtu  sikur ulemi njëkohësisht në dy stola, por shpesh ndodh që shkasim në mes dhe rrëzohemi.” Sot diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara është në mes së parës dhe  së dytës, integrimit dhe ruajtjes së identitetit. Ndaj aspekti kulturor i ndihmës nga kombi amë, sidomos për diasporën e re, është një kusht sine qua non dhe është detyrë e politikanëve shqiptarë me ministri apo pa ministri  diaspore qoftë ta japin këtë ndihmë. Të mos na harrojnë që të mos i  harrojmë.
*Autori është kryeredaktor i TV të shqiptarëve të  Amerikës me qendër në Miçigan.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Minsitri i emigrcionit, pse, Rafael Floqi

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT