-Kryeministri Mustafa tha se janë bërë përpjekje që kjo Strategji të koinçidon edhe me Strategjinë e re të Bashkimit Evropian “Evropa 2020”, dhe po ashtu me ciklin e ri të planifikimit të asistencës së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit/
-Edhe Programi për zbatimin e Strategjisë Minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2015-2017, mori miratimin e qeverisë/
-Qeveria e Kosovës theksoi se e ka përkushtimin e plotë që të punojë bashkërisht në realizimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim – MSA, sepse hap një rrugë shumë të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian, të forcimit të shtetit ligjor, por edhe të bashkëpunimeve në fushat tjera/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Janar 2016/ Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021 u miratua sot nga qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 71-të, të katërtën në këtë vit, pas dy mbledhjeve brenda ditës së 8 janarit dhe të tretës në 15 janar, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa.
Hartimi i kësaj Strategjie fokusohet në adresimin e pengesave kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të konkurrencës. Ky dokument reflekton objektivat e Qeverisë për pesë vitet e ardhshme, por edhe objektivat e parapara këtë vit në programin për reformën ekonomike, e cila gjatë këtij muaji do të dorëzohet në Komisionin Evropian.
Kryeministri Mustafa tha se kjo është një Strategji në të cilën kanë punuar të gjitha ministritë dhe se, ky është një prej dokumenteve tona më të rëndësishme të këtij viti. “Është një prej dokumenteve që adreson politikat tona zhvillimore gjithëpërfshirëse, por po ashtu një dokument i cili liston prioritetet më të larta të zhvillimit në të gjitha fushat gjatë një periudhe shumë të rëndësishme kohore në të cilat ne duhet t’i bëjmë reformat dhe ndryshimet strukturore të zhvillimit. Është vlerësim se Strategjia është punuar në harmoni të plotë me të gjitha proceset tona strategjike, me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, dhe po ashtu është në harmoni të plotë edhe me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim dhe me pjesë të veçanta të kësaj marrëveshje që ndërlidhen me zhvillimin ekonomik dhe me bashkërenditjen e zhvillimit ekonomik”, tha kryeministri Mustafa.
Më tej, kryeministri Mustafa tha se janë bërë përpjekje që kjo Strategji të koinçidon edhe me Strategjinë e re të Bashkimit Evropian “Evropa 2020”, dhe po ashtu me ciklin e ri të planifikimit të asistencës së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit.
Kabineti qeveritar aprovoi edhe Strategjinë Shtetërore për Sigurinë Kibernetike dhe Planin e Veprimit 2016-2019, e cila ka për qëllim të adresojë çështjen e sigurisë kibernetike në Republikën e Kosovës, si dhe të vazhdojë të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë kibernetike shtetërore.
U aprovua edhe Nisma për Lidhjen e Marrëveshjes Financiare për IPA 2015 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ky program për herë të parë është bazuar në qasjen e re të përkrahjes për sektorë në kuadër të IPA 2, dhe me këtë rast është fokusuar në tre sektorë kryesorë: Sundimi i Ligjit, Energjia dhe Bujqësia e Zhvillimi Rural. Përveç këtyre sektorëve me një përkrahje më të madhe horizontale do të mbështeten edhe procesi i integrimit evropian dhe përafrimi ligjor me Bashkimin Evropian.
Edhe Programi për zbatimin e Strategjisë Minerare të Republikës së Kosovës për periudhën 2015-2017, mori miratimin e qeverisë.
Qeveria e Kosovës mori edhe vendimin për shpalljen e “Zonës së Gadimes” Zonë e Veçantë.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës mori poashtu aprovimin e qeverisë.
Kryeministri Mustafa, gjatë mbledhjes, ka theksuar rëndësinë e madhe që ka për Kosovën ratifikimi, një ditë më parë, i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim në Parlamentin Evropian, duke shprehur njëkohësisht përkushtimin e qeverisë së Kosovës në proceset integruese evropiane.
“Konsideroj se është një sukses shumë i madh i Kosovës, por po ashtu është edhe shprehje e një pune shumë të madhe, e cila është bërë këtu edhe gjatë këtij viti, mirëpo është bërë edhe përpara, sepse është një proces i cili ka zgjatë një kohë”, u shpreh ai.
Qeveria, theksoi kryeministri Mustafa, e ka përkushtimin e plotë që të punojë bashkërisht në realizimin e MSA-së, sepse hap një rrugë shumë të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian, të forcimit të shtetit ligjor, por edhe të bashkëpunimeve në fushat tjera.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian është nënshkruar në 27 tetor 2015 nga kryeministri Mustafa dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, ndërsa është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në 2 nëntor 2015.
Qeveria e Kosovës dje në një deklaratë ka theksuar se, MSA-ja është një mundësi e shkëlqyer për fuqizimin e gjithanshëm të dialogut politik, të marrëdhënieve tregtare dhe të bashkëpunimit të shumanshëm ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Qeveria e Kosovës, me këtë rast, ka shprehur përkushtimin e saj për thellimin e mëtejshëm të reformave, për zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetit, në partneritet të plotë me vendet mike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet tjera të BE-së.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.