SHKRESË/
Nga ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, dërguar më 23 qershor 1941, Ali Hasharovës, nëpërmjet së cilës ky i fundit njoftohet për dërgimin e një Mision Shkollor të Jashtëzakonshëm në Kosovën e çliruar, nën udhëheqjen e tij
Nr. 1162/14 Tiranë, 23 qershor 1941
Zotni A L I H A S H A R O V Ë S/
Antarit t’Inspektoris s’Epërt/
K ë t u/
Për me studjue gjendjen arsimore simbas programës qi përshkruhet mâ poshtë në Kosovën e lirueme, kam vendosë me dërgue atje nji misjon shkolluer të jashtzakonshëm.Si Kryetar të këtij Misjoni kam caktue Zotnin t’Uej, mbasi, i mbështetun në provat qi keni dhanë në t’i kryemìt e detyravet të ndryshme, qi ju kam pas ngarkue herë pas here, kam besimin e plotë se do t’ja dilni në krye si mâ mirë edhe kësaj pune kaq të randësishme nga çdo pikpamje.
Veprimtarija e Juej qi do të zhvilloni në Kosovën e lirë përmbledh studimet e gjendjes s’Arsimit Filluer e të Mesëm si edhe rregullimin e kursevet verore për gjuhën shqipe për të mëdhaj e të vegjël.
Këtu po ju radhisim në pika kryesore programën e punës, qi do ta zhvilloni:
- MBI ARSIMIN FILLUER
- Cilat janë qendrat e shkollavet fillore, që funksjonojshin në vitin shkolluer 940-941;
- Ç’numër nxansish dhe ç’fuqi mësimore kishte secila shkollë (të ndamë në shqiptarë e sllavë, kur janë të përzieme);
- Cilat ishin shkolla verore e cilat dimnore dhe me ç’sistem veproshin (orar i rregulltë apo gjymës dituer);
- Sa dhe cilat nga këto qendra shkollore janë thjeshtë shqiptare, cilat të përzieme (tue i da me numrin) dhe cilat krejt sllave;
- Me sa vite shkollore janë;
- Në ç’gjendje janë ndërtesat shkollore;
- Ku duhet, ose mund të hapen shkolla të tjera;
- Ç’numër fuqish mësimore, ma të paktën do të duhen për vitin e ardhshëm shkolluar, tue shënue për secilën shkollë numrin qi i duhet;
- Përpjestimisht me popullsin, të studiohet mundësisht:
- a) Sa fëmij shqiptarë e ndiqshin dhe sa duhesh t’a ndiqshin;
- b) Sa mund të mbërrijë numri i fëmijëve qi mund ta ndjekin por edhe që duhesh ta ndiqshin si-kur të zbatohej plotësisht detyrimi shkolluar;
- Sa libra mund të lypsen për t’u falë për popullsin shkollore të vobekët.
- MBI ARSIMIN E MESËM:
- Sa shkolla të mesme funksionojnë.
- Ku janë qendrat e tyne;
- Ç’farë tipit janë;
- Si janë ndërtesat;
- Numri i klasave;
- Numri i nxënësve (tue i ndamë simbas kombësis, mundësisht për çdo klasë);
- Cili ka qenë personeli (numri e kombësia);
- MBI DJEMT E VAJZAT SHQIPTARE ME KULTURË TË MESME E TË NALTË:
- Sa djem e vajza bahen gjithsejt nga ata qi kanë maturue, ose që kanë ndjekë shkollë të mesme (për këtë të fundit ç’farë shkollë dhe deri në çklasë kanë mbërrijtë. Po të jetë e mundun me u marrë dhe emnat bashkë me adresat e tyne).
Ç. MBI ORGANIZIMN DHE RREGULLIMIN E KURSEVE VERORE PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE NDËR TË MËDHEJ E TË VEGJËL ME ANËN E MËSUESËVE QI KANË ME MBËRRIJTË PAK DITË MBAS JUSH
- MBI STUDIMIN NË VJA TË PËRGJITHSHME TË LIGJEVE, TË PROGRAMEVE DHE TË TEKSTEVE SHKOLLORE.
Anëtarët qi kanë me bashkëpunue me Zotnin t’Uej janë:
- Jonuz Blaçkori, Profesor i Shkollës Punës Tiranë;
- Abdurrahim Buza, Profesor në Liceun e Tiranës;
Zoj. Flora Pali, mësuese n’Institutin Donika kastrioti;
- Shaban arra, Inspektor’I Arsimit të Kosovës;
- Zef Pali, mësues i gjuhës shqipe në Liceun e Shkodrës;
- Xhavid Nimani, mësues në qarkun e Kosovës;
- Fadil Haxhihoxha, mësues “ “
Të gjithë këta Zotni mvaren dhe do të drejtohen prej Jush në të kryemit e punovet të ndryshme qi do t’u caktoni.
Po kështu mvaren prej Jush edhe mësuesit qi do të dërgojmë s’afërmi për kurse verore të gjuhës shqipe për të mëdha e të vegjël. Zotni mësuesvet keni me u a caktua po Ju vetë vendet e shërbimit.
Shënimet e ndryshme mbi shkollat do të bâhen në formularët e posaçëm qi po Ju apim me vehte. Për secilën shkollë do të mbushen nga dy kopje, njena do të lihet në arkivën e Inspektoris së Dibrës dhe tjetra do t’i paraqitet Ministris. Të ngarkuesit me kët punë të porositen me i mbushë me sa të jetë e mundun, të tana pikat që përmban formulari.
Po ju apim nji sasi librash të ndryshëm, përdorimi i të cilëve simbas nevojës, po Ju a ngarkojmë po juve.
Ju uroj të gjithve punë të mbarë në të kryemit e kësaj detyre të shenjtë, kombëtare e me randësi historike.
M I N I S T R I
- K.
AQSH. F. 195. V. 1941. D. 180. Fl. 6
*Nxjerre nga “Tokat e Liruara 1941-1944: Përmbledhje dokumentesh”,Vëllimi IV nga Qerim Lita. Botim i vitit 2016 nga shtepia botuese LOGOS A, Shkup.