• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ana tjetër e festivalit të Këngës Magjike

June 5, 2021 by dgreca

Shumë shkëlqim, ngjyra e drita brenda dhe po aq mjerim jashtë/

NGA GEZIM ZILJA/
Ishte një festival plot drita, ngjyra, kostume rrëzëllitëse, bizhu, shumë herë më i kushtueshëm se paraardhësi, ku skenografia e teknologjia e përdorur ia kalonte festivalit të San-Remos. Po të mendosh se jetojmë në një vend të varfër, plot problem sociale, ku mbi 30% e popullsisë nuk ka të ardhura të përballojë jetesën, atëherë kujt i shërben gjithë ky luks e shkëlqim? Është propagandë dhe do të tregojë një realitet më të ngjyrosur, që në Shqipëri nuk ekziston? Do të bëjë propagandën e qeverisë se vendi po shkon në një bollëk të madh e nuk kemi ndryshim nga Europa madje jemi mbi të ? Për mua sidoqoftë është tangërllëk dhe snobizëm i panevojshëm. Unë di se disa pjesëmarrës të festivalit, big e jo big, kanë marrë para borxh që të kapin “lartësinë e festivalit” për veshjet, bizhutë, grupin shoqërues e xhingla të tjera, përndryshe do të ishin në fund dhe të përbuzur. Nuk jam kundër teknologjisë, të përparuarës, gëzimit gjithëpërfshirës, qejfit, pamjes, bukurisë së femrës e festave. Por kur kjo kthehet qëllim në vetevete, është jo e dobishme, madje e turpshme. Se u bë një festival me skenarist italjan, ku shpenzimet janë të mëdha, plot dritë e ngjyra me një luks marramendës nga a-ja te zh-ja kjo nuk do të thortë se jemi evropianë e kemi standart jetese të njejtë. Treguam si do ta shohim dhe më poshtë atë që nuk jemi dhe këtu qëndron ironia dhe boshi. Të dukej se ndodheshe në një festival europian apo atë italjan nga shkëlqimi, por kënga, muzika, poezia, orkestracioni, veshjet, skenari, baleti, etj etj. duhet të ishin në kulturën dhe traditën shqiptare. Por kjo nuk ndodhi në të 48 këngët dhe tre netët e festivalit.
Gjynah për shqipen tonë të bukur!
Dukej sheshit se tekstshkruesit shpesh nuk kishin as njohuritë e arsimit nëntë vjeçar për gjuhën shqipe e guxuan të shkruanin në gjuhë të çuditshme afër shqipes, se gjuhë shqipe ajo nuk ishte dhe nuk është. Pjesa më e madhe e tekstshkruesve, se poetë nuk janë, duket se nuk e kanë fare haberin se kush është Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Martin Camaj, Ali Podrimja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Azem Shkreli, Ismail Kadareja apo Dritëro Agolli. Nuk kanë dëgjuar për Kongresin e Manastirit, Petro Nini Luarasin dhe as e dinë që ekziston një libër me titull “ Gjuha Letrare Shqipe për të gjithë” botim i vitit 1976. Ndryshe nuk do ta masakronin gjuhën shqipe në atë farë feje, që ajo të tingëllonte e pakuptueshme dhe pa ngjyrë. Në një festival të këngës shqiptare në përmasat e Këngës Magjike, tekstet e këngëve, duhet të jenë të njësuara sipas rregullave të aprovuara në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972. Thënë ndryshe tekstet duhet të shkruhen në Gjuhën Letrare Shqipe, ose meqënëse është TV privat, të ruhet identiteti i plotë i toskërishtes ose gegënishtes. Janë dialekte plot ngjyra, bukuri e janë bekim për gjuhën shqipe. Por gegënishtja e përdorur nga disa këngëtarë në zhargonin e pabeve, bulevardit e kafeneve të trishton. Nuk është përdorur gegënishja e Ali Podrimes, Azem Shkrelit, Fishtës e Martin Camajt. Po citoj disa vargje me ndonjë koment të shkurtër.”… A pi she kto lot në sy/E kam mush kët got për ty/Edhe sun pe pi/Se m’kujtohesh ti dhe ma zi. (Lot) “ Ose “…Nejse nata me gjeti esull/Edhe hurma asht e pjekun/…. Kena mbet krejt si dikur/pa korrent, drita është e fikun/Na nep veç një mundësi o burrë/mos u merr veç me çensurë. (Zemra e din…)” Në këto tekste, poezi nuk ka, po dhe shqipja e shkretë, duket kaq e sakatuar e për gjynah! Ka tekste ku fillohet në dialektin gegërisht e pastaj kalohet në atë jugor, mjafton që të rimojnë në një farë mënyre. Gjejmë mjaft fjalë, të cilat futen shëmtueshëm vend e pavend dhe ndonjëherë vetëm në funksion të rimës e shëmbëllejnë si një përkthim bajat: “…Mbase ke të drejtë)/mbase nuk të meritoj/ Mbase duhet kohë që unë/Të reflektoj./Jo mos fol ti për dashni/Se nuk e njeh e di/Me faj më bën tani/kjo të shkon e ke mjeshtri… Udhëkryq” Nuk mund të përdoren në poezinë shqipe, as në gjuhën zyrtare fjalë të huaja si tentoj, dubloj, moment, akoma, imponoj, reflektoj, predikoj, pretendoj, çensuroj etj etj. Vargjet ndonjëherë zgjaten e futen fjalë, pasthirrma e zanore të stërzgjatura sa duket sikur po fut me zor një pykë për të çarë një trung, mjafton të plotësohet vija melodike (të çahet trungu). Në këngën “E Para” veç varfërisë së fjalëve e figurave artistike, që mungojnë, e i japin jetë poezisë, dy vargjet e para janë në toskërisht e dy të tjerat në gegënisht : S’ma pranove dashurinë/Dashuri për mua s’ka/Me m’mshkatrru e me m’lëndu/Ti do jesh gjithmonë e para. Dhe pastaj vjen refreni lebetitës me një “a” kilometrike “ Aaaaaa me momente/ Aaaaaa a ia vlente..” Vështirë të kuptosh se refreni është rrjedhojë logjike e katër vargjeve të para. Duket sikur teksti është krijuar duke luajtur bilardo apo diku duke pirë kafe . Si mund të lejohet kjo gjuhë shqipe në një festival aq të organizuar si Kënga Magjike: “…Asgjë nuk ish kon si paramenumun/ s’di se ku gabum/Lotët faqet mlojnë/e kujtimet m’vrajnë/ veç ty tu t’kujtu…Lakmi ” 
Tekste banale dhe jashtë realitetit shqiptar.
Në vitet ‘60-’70 Italia përjetoi bumin e parë ekonomik pas luftës së dytë botërore. Ishte një revolucion që kapi të gjitha sferat e jetës përfshi dhe atë shpirtërore. Pati disa dukuri që po shfaqen sot në Shqipëri ( jo bum ekonomik) si braktisja e fshatit, betonizimi i qyteteve dhe zhdukja e gjelbërimit. Këngët e kënduara në festival, patën jo pak ndikim (vazhdojnë dhe sot) në pakësimin e plagëve të kohës. Atëherë doli kënga e famshme e Adriano Çelentanos “Il Ragazo della via Gluck,” “Che sara”, “Vagabondo,” e shumë të tjera ku trajtoheshin tema të mprehta sociale., Atje ku kishte ajër të pastër e gjelbërim, u shndërrua gjithçka në beton e pluhur. Çelentano proteston në vargjet e tij të famshme: “ Eh no, non so, non so/ perché, perché continuano a costruire, le case/ e non lasciano l’erba,/ , Eh no, non so, non so perché,/Eh no, se andiamo avanti così, chissà come si farà, chissà… Kënga tjerër “Che sara” është lamturmira e një djali të ri që braktis vendlindjen për të shkuar në qytet se jeta në fshat është e vështirë, madje braktis dhe të dashurën “per qualcosa di piu”. Por ama jep një fjalë, një shprese në fund të këngës ku i drejtohet vendlindjes e vajzës në vargje të spikatura: Ti do l’apuntamento come quando non lo so /Ma so soltanto che ritornero. Ka këngë që i këndojnë nënës, Italisë, gjithë krenari, (Lasciatemi cantare,) jetës së vështirë, endacakut dhe sigurisht dashurisë, që italjanët duhet thënë janë kampionë në të shprehurit e ndjenjave. Një mrekulli ishte pjesëza e ndërtuar në perfeksion, ku Marsela Çibukaj shkëlqeu me zërin e saj magjik. Në të gjitha këngët italjane të kënduara jepeshin mesazhe të fuqishme për dashurinë njerëzore , për vendlindjen, rikthimin, dhe i thurrej himn njeriut. Pyes: Si është e mundur në një festival të përmasave të Këngës Magjike, në një vend si yni ku pabarazia, varfëria, pesimizmi, largimi i rinisë jashtë Shqipërisë, betonizimi i qendrave urbane, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe korrupsioni lulëzojnë si lulet në pyllin tropikal, nga 48 këngë të mos ketë një të vetme të cekë plagët shoqërore të mësipërme? Le të dominojnë këngët e dashurisë. Por të ketë “njëckë” për nënën ose për varfërinë, për largimin e të rinjve dhe boshatisjen e Shqipërisë. Është harresë, pakujdesi, u verbuan dhe i dhanë rëndësi dukjes, dritave, luksit idjot? Në këtë vend, vërtet vetëm dashurohen e ndahen, hanë, pinë, flenë dhe fillojnë sërish nga e para!? Vërtet “Clani” është një TV privat por jo aq sa duket. Është e përcaktuar me ligj për televizionet që marrin financime nga shteti ( dixhitalizimi, reklamat e detyrueshme nga shteti etj) dhe të tjerë, jo vetëm duhet të informojnë por edhe të formojnë, edukojnë, e ndikojnë në shijet e njerëzve, të ruajnë trashëgiminë kulturore, zakonet, traditën, historinë, dashurinë dhe respektin për atdheun, gjuhën e shkruar e të folur sipas standardeve të përcakura etj, etj. Dhe emisione e spektaklet me vlerat e mësipërme “Clanit” nuk i kanë munguar. Nuk po flas për cilësinë e teksteve, ku mungon në pjesën dërrmuese poezia, (shpesh në këngë fjalët nuk kuptohen,) ndjenja e hollë, finesa dhe eleganca e vargut, shqipja e bukur, e magjike. Vetëm lot, tradhëtira, vargje të shplara, pa nerv, pa pasion, të zvargura, (shih tekstin e kengës fituese Thikat) që shpesh të vijnë në vesh si mjaullima macesh e maçokësh në kohën e shumimit. Për poezinë dhe dëgjuesit shqiptar, duhet respektuar tradita, dituria, nervi poetik, dashuria për njeriun e dheun e të parëve dhe sigurisht shumë talent. Jo çdo bibë e bibuq, që nuk di të flasë drejt shqipen e bukur, këtë gjuhë hyjnore, mund të lejohet të zhgaravisë e të paraqesë tekste në një festë të madhe e plot autoritet si festivali i Këngës Magjike. Kjo nuk duhej lejuar.PS. Për ksehasje apo humor një gaztor intervistonte këngëtarët. E detyroi një këngëtare të huaj të thoshte disa herë frazën: Polli pula e Lleshit, në kaçile të leshit. Dhe ajo e shkreta plot pafajësi: Poli pula, leshi leshi… Gaztori u kënaq dhe shikonte gjithë krenari vërdallë. Humor është ky?

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Kenga Magjike, mjerimi

Shkëlqimi dhe mjerimi i Çështjes çame

March 11, 2021 by dgreca

– Atyre që ëndërrojnë e shpresojnë ende te kapedanët kandidatë, do u rekomandoja të kujtonin vargjet e këngës së vjetër të Minushes, por në variantin çam: Ne PDIU-ja, ma keshe shtëpinë/ Qaje moj Minushe, qaje Çamërinë! …/

SHKRUAN: GEZIM ZILJA/DIELLI

Duke parë skenën politike shqiptare, ku menjëherë mendja të shkon te dokumentarët me hienat dhe tufat e qenve të egër, nuk mund të rri pa thënë, atë që mendoj për këtë çështje, që e kam patur dhe e kam shumë për zemër. Duket sheshit se përfaqësuesit e çamëve e tradhtuan çështjen e shenjtë, që djeg e drithëron me historinë e masakrave, varret e prishura, e shpirtrat e të parëve, që enden, e enden në ato toka të bekuara, pa gjetur prehje. 

Themelimi i “Shoqatës Çamëria” ishte nismë e një grupi të madh çamësh, kryesisht nga qyteti i Vlorës dhe i Fierit, intelektualë dhe punëtorë. Shoqata në themelimin e saj shprehu si qëllim, të vetin, kthimin e trojeve të Çamërisë, zotërve të tyre, larguar më dhunë nga ushtria dhe policia greke. Në krye të “Shoqatës” u zgjodh burri i shquar i Çamërisë, intelektuali dhe patrioti i paharruar, Abaz Dojaka. “Shoqata” nën drejtimin e këtij njeriu idealist e plot virtute, bëri shumë herë më tepër se është bërë këto tridhjetë vite nga PDI-ja, PDU-ja dhe së fundmi PDIU-ja. Në kohën e zotit Dojaka, kishte entuziazëm dhe besim se çamët do të arrinin qëllimin, që i kishin vënë vetes. Atëherë kishte vetëm një yll polar, vetëm një qëllim, atë të njohjes dhe kthimit të pronave zotërve  të tyre. Në shumë pak kohë ajo arriti të ndërkombëtarizojë çështjen çame dhe të hartojë një program të thjeshtë e të zbatueshëm për arritjen e qëllimit bazë. Ndoshta është vendi të përmendim edhe një kryetar tjetër, shumë të çmuar të “Shoqatës,” Arshi Rexho. Nuk mund të harrohen sakrificat e tij për njohjen e çështjes çame sidomos jashtë vendit. Tridhjetë vjet më vonë problemi çam është kthyer në një tragjikomedi me regjisor, skenarist e aktorë vetë çamët dhe përfaqësuesit e tyre në parlamentin shqiptar. Tashmë jemi shumë larg idealit dhe kohës kur në krye ishin Abaz Dojaka, Arshi Rexhua dhe të tjerë. Më vonë “Shoqata” e pa të arsyeshme të kthehej në parti me kryetar çamin, Tahir Muhedini. Partia mori emrin PDI, Partia për Drejtësi dhe Integrim. Programi saj ishte po ai i Shoqatës “Çamëria” me ndonjë ndryshim të vogël. Çamët menduan se krijimi i PDI-së do të rriste shanset e zgjidhjes së problemit të tyre, duke pasur përfaqësuesit e vet në parlamentin shqiptar. Në zgjedhjet e vitit 2009 me një fushatë spektakolare nën sloganin e spikatur patriotik “E duam Çamërinë” arritën të fitonin një deputet, Dashamir Tahirin, në rrethin e Vlorës, atje ku çamët janë ngulur me shumicë. Ky ishte deputeti i vetëm i fituar nga partia çame. Në krahun e të majtëve nga lista emërore fitoi deputeti socialist Shpëtim Idrizi, çam, me kombësi shqiptare. Për arsye të ndryshme të dy deputetët krijuan partinë e re PDU-në, Partia për Drejtësi dhe Unitet, që edhe kjo do të merrej me problemin çam. Përfundimisht të dy partitë u shkrinë në një të vetme, PDIU, me kryetar Shpëtim Idrizin, nënkryetar Dashamir Tahirin dhe president Tahir Muhedinin. U gjetën tre karrike që krerët mund të rrinin rehat. Por ç’ndodhi në të vërtetë me partinë e re? PDIU-ja hyn në aleancë me qeverinë Berisha. Këtu fillojnë dhe pazarllëqet e para të PDIU-së. Ata ia “nxinë” jetën qeverisë demokratike me ato dy vota (vezë të arta) që sa herë i nevoiteshin, PDIU-ja e detyronte të kërcente vallen e famshme të Osman Takës, herë me muzikë e herë pa muzike. Në shkurt të vitit 2012 partia came arriti të merrte Zëvendësminstrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zëvëndësministrin e Arsimit dhe të Shkencës, Zëvendësministrin  e Drejtësisë,  Kreun e Sigurimeve Shoqërore, Kreun e Shërbimit Kombëtar të Punës, Nëndrejtorin e Arkivës së Shtetit, Kreun e Drejtorisë së Patentave, Kreun e Inspektoriatit Qendror të Ndërtimit dhe të Karburanteve dhe ca sardele e cironka shtesë  hera-herës.

Në 23 qershor 2013 PDIU “a gonfie velle” arriti apogjeun e vet me pesë deputetë. Dashamir Tahiri, Omer Mamo, Shpëtim Idrizi, Tahir Muhedini, Aqif Rakipi me përjashtim të Dashamir Tahirit anuan nga qeveria e majtë. Ata u muarën me gjithçka përveçse me çështjen çame.  Përçarjet midis tyre erdhën jo për çështje parimore por thjesht për çështje interesash. Në vitin 2017 përdredhjet e Idrizit ia kaluan kërcimtarëve dhe pelivanëve të cirqeve më të njohura mjafton të shohim tabelat me votat e PDIU-së në vitet 2013 dhe 2017.

Viti 2013    Tirana          Vlora            Fieri     Durrësi      Elbasani    Dibra

Vota           9.173            6.782         9.058       3.785          12.110     248

Viti 2017      Tirana         Vlora       Fieri       Durrësi       Elbasani      Dibra

Vota            12.434          3608        6347       4519          29.431       12.605

Kokoshi që polli tre vezë të arta çeli zogj në furrikun. që u  fabrikua, nga Partia Socialiste, në Elbasan dhe në Dibër. Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda nuk ia dolën të fitojnë në Tiranë dhe tre deputetët, që fitoi PDIU-ja kaluan me PS-në. Sot krerët e PDIU-së të djeshmit e të sotmit janë më të përçarë se kurrë. Idrizi dhe Doda kandidojnë nën siglën e PD-së, duke pasur në mes “armikun” Dule të  PBDNJ-së, Dashamir Tahiri nën siglën e partisë së Jozefina Topallit dhe Tahir Muhedini me Partinë Socialiste?! Çamët e mirë dhe të mençur mund të votojnë nga dhe si të duan. Por kapedanët çamë që morën përsipër “Çështjen çame” të ndarë në tre parti e kanë tradhëtuar atë në mënyrë të pariparueshme. Atyre që ëndërrojnë e shpresojnë ende te kapedanët kandidatë, do u rekomandoja të kujtonin vargjet e këngës së vjetër të Minushes, por në variantin çam: Ne PDIU-ja, ma keshe shtëpinë/ Qaje moj Minushe, qaje Çamërinë! 

Filed Under: Featured Tagged With: Gezim Zilja, i Çështjes çame, mjerimi, Shkëlqimi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT