”Kush nuk don t’arsyetojë është një fanatik ; kush nuk din t’arsyetojë është një trupeshk ; kush s’guxon t’arsyetojë është një skllav.”/- W. Drummond (Poet skocez 1585 – 1649)/
SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA/
Një nga ngjarjet më të rëndësishme të jubileut të 70 – vjetorit të ikjes së ushtrisë gjermane nga Shqipëria, qe hapja e Bunk – Artit , jo për vlerën reale që paraqet ky objekt faraonik në Vendin më të varfër t’Evropës, por për faktin që ai i u bë i njohur publikut të gjërë. Së bashku me pohimin e Kryeministrit për mundësinë e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, mendoj se bëhet një hap i madh përpara, jo për të dënuar komunizmin haptas e pa mëdyshje, mundësi tepër abstrakte për formimin dhe vullnetin e klasës sonë politike, sidomos të së majtës, por së paku për të nxjerrë në dritë një pjesë të veprimtarisë së tij kriminale në dëm të shqiptarvet.
Natyrshëm në këtë rast shtrohet pyetja : a ishte kaq e rëndësishme për t’u ruajtur me kaq ngulm e fshehta e këtij bunkeri dhe ajo e sivëllezërve të tij në gjithë Shqipërinë edhe mbas një çerek shekulli të tjetërsimit të sistemit e shfaqjes në skenën politike të partive “antikomuniste” të cilat, në pothuaj 13 vjet qeverimi, nuk thanë asnjë gjysëm fjale për qënien e tyre ?
A thua se edhe “paria” e Tiranës e këtij 23 vjetori “demokracie”, i besonte tezës së Enver Hoxhës se ne jemi “qendra e botës” në mbrojtje të marksizmit e, si e tillë duhej të ishim gati të përballonim një sulm të kombinuar të dy superfuqive, nëpërmjet bunkerëve të mbirë si këpurdhat mbas shiut, mbi dhe nën tokën e lashtë të Arbërit.
Dikush mund të qeshë me këta rrjeshta, por i nënëshkruari atë argument e ka patur në akt-akuzën që i kushtoi një dënim prej 8 vjetësh privim lirie e pune të detyruar. Madje një oficer i lartë i Hetuesisë së përgjithëshme, në një ballafaqim në hetuesinë e Lushnjes, në mënyrë “dashamirëse” më tha se pohimi i im për pamundësinë e përballimit të sulmit të dy superfuqive, rridhte ngaqë un nuk njihja aftësinë mbrojtëse të Shtetit tonë.
Misteri i “mbrojtjes” nëpërmjet bunkerëve vazhdoi të zotërojë edhe në këta vite, kur bota ka ndryshuar kaq shumë e Shqipëria, si pasojë e interesave strategjike të NATO-s, sot është antare e saj. Të më falë lexuesi për parantezën vetiake që hapa, por mendoj se pushtetarët e lartë të PD-së gjatë këtyre viteve, do të duhej të jepnin një shpjegim mbi arsyet e ruajtjes së “sekretit” të bunkerëve, kryesisht t’atij që u hap në ditët e shkuara. A mos qe një sakrilegj vendimi i Kryeministrit aktual e çfarë “dëmi” i solli ai Shqipërisë së sotme ?
Duke lexuar komentet në gazeta, sidomos të ish ushtarakëve të regjimit, tejduket një farë “pezmi” për vendimin e hapjes. Madje ndonjeri prej tyre si ish Kryetari Shtetit, z. Alfred Moisiu, në një intervistë në të përditëshmen “Panorama”, mundohet të bindë shqiptarët se ai pallat trekatësh, me 501 dhoma në thellësi të tokës, me strukturë qëndruese edhe kundrejt një sulmi bërthamor, nuk ishte ndërtuar për udhëheqjen, por për shtabin e përgjithshëm t’ushtrisë !!! Është qesharak ky pohim i ish Kryetarit, që i trajton shqiptarët si një grumbull të paaftësh mendorë, me koefiçent zgjuarsie të barabartë me atë të fëmijëve të foshnjores, saqë çfarëdo pallavre t’u thuash mund t’a besojnë. Por nuk ka vetëm motiv për të qeshur në fjalët e tij, që mundohen të përligjin vendimin e ndërtimit të këtij objekti, me garën e armatimeve të shteteve të tjera. Është për të vajtuar që këto ide vazhdojnë të kultivohen ende e, për më tepër në kokën e një ish Kryetari të Shtetit demokratik.
Askush nuk ve në dyshim masat mbrojtëse që secili shtet duhet të marrë në truallin e tij, për të përballuar një agresion të mundshëm nga jashtë. Shqipëria, për historinë e saj dhe pozitën gjeografike, mbetet një subjekt mjaft i ndjeshëm n’atë drejtim. Por strategjitë për mbrojtjen kudo janë të kushtëzuara nga dy faktorë : përmasa e rrezikut që kërcënon dhe mundësitë në fushën ekonomike-financiare për të përballuar shpenzimet e nevojshme. Mbetet parësore në këtë drejtim edhe politika, sistemi i aleancave, shfrytëzimi me zgjuarsi i konjukturave. Autarkia n’atë kontekst është një lluks që pak popuj mund t’i a lejojnë vetes.
Po t’i hedhim një sy gjëndjes së Shqipërisë, të rajonit e botës në fillim të viteve 70-të, do të bindemi se rreziku imperialisto – revizionist, aq shumë i përfolur nga Enver Hoxha dhe idhtarët e tij, ishte thjesht një prodhim i fantazisë për të justifikuar mbylljen hermetike të Vendit e terrorin brënda tij. Blloku lindor e kishte kaluar tronditjen e “Pranverës së Pragës”, madje dhe dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës nuk kishte patur asnjë kundërveprim, gjë që tregonte se rëndësia jonë për të ishte krejt e papërfillëshme. Kina, referentja kryesore e regjimit shqiptar, kish kuptuar se “revolucionet kulturore”, teoritë e Lin Biaos dhe ekstremizmi i grupit të gruas së Maos, nuk sillnin asnjë dobi në planin e jashtëm apo të brëndshëm. Drejtuesit kinezë po i hapnin rrugën hyrjes së Vendit në fushën e politikës që peshonte, nëpërmjet “diplomacisë së ping-pongut” e bisedimeve me administratën Nixon në SHBA. Lufta në Vietnam po shkonte drejt zgjidhjes paqësore, nëpërmjet bisedimeve të Parisit dhe në Ballkan nuk frynin erëra lufte.
Regjimi i Shqipërisë mundohej të krijonte një forcë autonome të komunizmit botëror, me disa grupe t’ashtuquajturisht marksistë – leninistë, nga Vende të ndryshme t’Evropës e të botës të cilët, krejtësisht të panjohur e mikroskopikë në Vendet e tyre, kishin gjetur një mënyrë të mirë financimi nga Shqipëria, duke bërë propagandë për të dhe drejtuesin kryesor të saj. Nuk di nëse ka ndonjë shqiptar të moshës së re që ka në kujtesën e tij emra si Fosko Dinuçi, Jak Gripà, Joao Amazonas, apo të tjerë “udhëheqës” të proletariatit botëror, që faleshin 2 – 3 herë në vit në teqen e Enver Hoxhës në Tiranë.
Pikërisht në këtë kohë, kur edhe ndihmat kineze në perspektivë do të ndërpriteshin, si pasojë e kundërshtimeve të udhëheqjes shqiptare ndaj “hapjes së Kinës”, kjo e fundit hartonte një plan të stërmadh për ndërtime bunkeresh e tunelesh. Nuk e dijmë me saktësi se cila ka qenë përqindja e shpenzimeve ushtarake në buxhetin e shtetit të viteve 70, mbasi askush nuk ka vendosur të heqë perden e misterit mbi to por, nga një llogari e thjeshtë vetiake mbi kostot e ndërtimeve, më rezulton se me paratë e shpenzuara për 700.000 bunkerë mbi tokë mund të ishin ndërtuar 1,4 milion apartamente banimi me dy dhoma e guzhinë. Po t’i shtojmë atyre shuma edhe më të mëdha për tunelet e nëndheshëm që mbaheshin të fshehtë, si ai i Bunk – Artit mund të përfytyrohet se sa rrugë, shkolla, spitale, qendra turistike etj. do të ishin ndërtuar në Shqipëri, sikur ato para të mos varroseshin në objekte të kota e pa asnjë dobi reale.
Sa mijra familje shqiptare, n’ato vite, jetonin duke ndarë më dysh një apartament me banjo të përbashkët, të kthyer edhe në vend gatimi. Sa mijra fëmijë që nga fillorja bënin mësim në klasa të përbashkëta, apo me dy ndërresa, sepse mungonin hapësirat e nevojshme. Sa njerëz të sëmurë vuanin sepse spitalet, një për çdo rreth, nuk kishin shtretër të mjaftueshëm, për të mos folur për aparatura bashkëkohore e barna të domosdoshme. Sa qindra km. rrugë t’asfaltuara mungonin në një Vend ku kalldrëmet ishin shumica dërmuese e lidhjeve të zonave rurale me rrugët kombëtare. Po t’i shtojmë këtyre domosdoshmërive edhe gjëndjen e mjeruar të kooperativave bujqësore, ku fshatarët punonin në një pjesë të madhe për një bukë e, në rastin më të mirë, për një kg. sheqer në ditë, do të kemi një tabllo të qartë të krimit shtetëror në dëm të popullit shqiptar, nëpërmjet shpërdorimit mizor të parave për ndërtimet ushtarake.
Z. Moisiu, si përfaqësues i kastës ushtarake, pjesa më parazitare e më e privilegjuar e regjimit, nuk mban parasysh asnjë nga këto konsiderata, kur justifikon atë politikë shkatërrimtare për interesat e vërteta të shqiptarëve. Në vend që të tregojë se cila ishte shuma e përdorur për Bunk – Artin, duke hedhur dritë mbi të vërtetën, mundohet të na bindë se se ai ishte ndërtuar jo për udhëheqjen, por për shtabin e përgjithshëm t’ushtrisë, duke harruar se objekte të tilla, në botën e qytetëruar, nuk ndërtohen afër kryeqytetit, ku rreziku i bombardimit të popullsisë civile mbetet tejet i mundshëm. Madje nuk është aspak i besueshëm pohimi i tij, duke marrë parasysh përmasat e objektit i cili, pa dyshim, ka qenë i paracaktuar për kastën drejtuese e familjet e tyre, një lloj “Arke të Nuhut”, i parashikuar për të qëndruar edhe për një kohë të gjatë, edhe nën një sulm bërthamor, që do t’i kishte kthyer të gjithë qytetarët e Shqipërisë në fosile.
Që të mos ketë ekzistuar asnjë njeri me kurajo n’atë kastë kriminale, që të kundërshtonte një program të tillë, të marrë e aventuresk, mund t’a kuptoj. Vetë fakti i asgjësimit të klasës së lartë ushtarake pa as më të voglin kundërveprim në vitet 70, tregon një mungesë të madhe karakteri e guximi dhe shkallën e nënështrimit ndaj diktatorit. Të mbrohen sot ato politika, kur mund të diskutohet lirisht mbi to, e kur arsyeja më parake nxjerr si përfundim se kanë qënë më të dështuarat e më kriminelet, përsa i përket pasojave në mjerimin e përgjithshëm, nuk është vetëm shprehje mëndjengushtësie e verbërie të pakrahasueshme, por për më tepër e një mungese të plotë të ndërgjegjes qytetare e kombëtare.
Krimi komunist nuk është përqëndruar vetëm në asgjësimin e kundërshtarëve ose të supozuar të tillë, së bashku me familjet në harkun kohor të tre brezavet. Ai është edhe hartimi e zbatimi i politikave ekonomike që e çuan popullin shqiptar në gjëndjen e bagëtisë, së cilës i kërkohej “të hante bar por të mos dorzohej” Nëse ka ende shqiptarë që bëjnë se nuk e kanë kuptuar këtë dukuri të tmerrshme të së shkuarës sonë t’afërt, shpresat për Shqipërinë evropiane mbeten vetëm një ëndërr e pasendërtueshme. Evropën duhet t’a pranojmë së pari në mendësinë tonë, në mësimet nga përvoja jonë, në prirjen për të ruajtur pjesën e shëndoshë e morale të saj e për të hedhur poshtë pa mëdyshje çdo shfaqje të trashëgimisë negative të diktaturës komuniste.
Dhjetor 2014