Shkruan: MSc. Eraldo MEÇALLA
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Teoritë mbi kombin dhe identitetin kombëtar, janë bazat kardinale për të kuptuar dhe hulumtuar marrëdhëniet ndërmjet kombit Shqiptar dhe kombit Serb. Njëkohësisht, bazë për të kuptuar diferencat dhe konfliktet ndërmjet shqiptaro-serbëve janë gjuha, etnia, historia dhe kultura.
Kombet moderne shqiptaro-serbe janë shfaqur në shekullin 19, por rrënjët dhe origjina e tyre është e lashtë dhe aty është edhe origjina e problemit. Është fakt historik i pranuar që shqiptarët janë një nga popujt më të lashtë dhe autokton në Ballkan, të njohur si paraardhësit e Shqiptarëve janë Ilirët, por flitet dhe diskutohet për lidhje ndërmjet Iliro-Pellazgëve, ndërsa Serbët në këtë pikë dihet që janë një popull i ardhur nga lindja. Ato emigruan dhe u vendosën në rajonin e Ballkanit në shekullin 6-7, ndërsa principata e parë Serbe u themelua në shekullin 9.
Në shekullin e 14, nën sundimin e Stefan Dushanit, Serbia mesjetare arriti kulmin e saj me pushtimet territoriale. Megjithatë, pas vdekjes së Dushanit, Serbia pësoi humbje të mëdha në luftë kundër Osmanëve sidomos në “Betejën e Kosovës” në vitin 1389. Nga mesi i shekullit të 15, Serbia ishte nën sundimin Osman për më shumë së 5 shekuj deri në shekullin e 19, ku fitoi autonominë dhe pavarësinë.
Që në vitet 1912 – 1913, me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe njohjen ndërkombëtare të saj, Serbia e kuptoi qartë që do ti duhej të bashkëpunonte me Shqipërinë, por problem themelor ishte Kosova dhe Shqiptarët e Kosovës të cilët ajo i cilësonte të rrezikshëm për integritetin territorial të Serbisë dhe i quante si pronë të saj pa të drejtë. Lufta Ballkanike në vitin 1912, mori një karakter të luftës së shenjtë për Serbët, si hakmarrje për humbjet e së shkuarës. Këtu Serbët bazojnë edhe konceptin që Kosova është e destinuar të jetë pjesë e “Serbisë së Madhe”.
Arsyet Serbe për këtë mënyrë konceptimi janë:
1.) Eksodi Serb i vitit 1690.
2.) Feja e ndryshme me Shqiptarët e Kosovës.
3.) Serbët me përkatësi fetare ortodokse, e quanin veten si mbrojtës të krishtërimit.
5.) Shumë i rëndësishëm është fakti që nacionalistët Serbë besojnë, se Shqiptarët u konvertuan në islam dhe gëzuan priviligje dhe status të veçantë nën Perandorinë Otomane, ç’ka në konceptin e tyre i kthente automatikisht Shqiptarët në Turq. Kjo logjikë nënkuptonte që në bazë të identitetit fetar, Shqiptarët duhet të kishin ndjekur Osmanët dhe të largoheshin nga Kosova kur otomanët u larguan nga Ballkani, pra një koncept dhe logjikë tërësisht e pabazuar në fakte dhe e gabuar.
6.) Shqiptarët flasin gjuhë jo-sllave, që i ndan dhe dallon radikalisht nga Serbët.
Vizioni i “Serbisë së Madhe”, mbështetet në përfshirjen e të gjithë Serbëve në një shtet të fuqishëm, në krijimin e një Federate të Sllavëve të Jugut me Serbinë si bazë dhe në ëndërrat e nacionalistëve radikalë Serbë pëfshihej edhe aneksimi i Kosovës dhe Shqipërisë. Shembuj të kësaj dëshire Serbe kanë qënë këto:
1.) Mbretëria Serbe, Kroate, Sllovene ( 1919 – 1929 ).
2.) Mbretëria e Jugosllavisë ( 1929 – 1941 ).
3.) Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë ( 1945 – 1991 ).
Që nga Lufta Ballkanike, Lufta e I-rë Botërore, Lufta e II-të Botërore dhe përgjatë Luftës së Ftohtë marrëdhëniet shqiptaro – serbe kanë qënë të tensionuara vazhdimisht. Në Luftën e II-të Botërore, shqiptarët e Kosovës janë cilësuar nga Serbët si bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit me idenë e krijimit të një “Shqipërie të Madhe”. Ndërsa për të ardhur tek epoka më gjakatare e kohëve moderne, ku Sllobodan Millosheviçi me anë të luftës, gjenocidit, spastrimeve etnike ndaj Shqiptarëve të Kosovës në periudhen 1998 – 1999, kërkoi të aneksonte Kosovën. Por kjo nuk u realizua kurrë sepse e drejta dhe fati ishin në anën e Shqiptarëve, që me mbështetjen e jashtëzakonshme të faktorit ndërkombëtarë duke filluar me Presidentin e SHBA-së Bill Clinton, NATO, OKB, BE, OSBE etj, gjithçka përfundoi me sukse me bombardimet e Natos në vitin 1999 në Serbi.
Deklarata e pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, njohja ndërkombëtare nga shtetet europiane dhe nga shtetet e tjera të botës, kanë çuar përpara idenë e bashkëpunimit në Ballkan. Vetë Serbia dëshiron të antarësohet në BE, dhe realisht pjesa më e madhe e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet, kjo ka ndikuar që edhe dialogu dhe marrëveshjet Kosovë – Serbi të drejtuara nga BE të jenë një rrugë e pakthyeshme tashmë. Vetëm bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë, Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Europian, do ta bëjë të mundur finalizimin me sukses të proçesit të integrimit të rajonit të Ballkanit në BE. Me vizion dhe diplomaci konstruktive, shtetet e Ballkanit mund të lënë pas konfliktet e së shkuarës dhe të shkojnë drejt bashkëpunimit për qëndrueshmëri dhe zhvillim ekonomik, politik, kulturor dhe sigurisht antarësim në BE. Ngjarjet historike në marrëdhëniet shqiptato – serbe, pavarësisht rëndësisë dhe peshës së fajtorit, duhet të tejkalohen për të mirën e përgjithëshme. Shqipëria duhet të shërbejë si ndërmjetëse për zhvillimin e mëtejshëm të dialogut dhe marrëveshjeve Kosovë – Serbi, duke lënë pas ngjarjet historike dhe mosbesimin dypalësh. Pavarësisht qëndrimeve radikalisht të kundërta në lidhje me Kosovën, si vizita e Kryeministrit Shqiptarë në Beograd dhe ajo e Kryeministrit Serbë në Tiranë, kanë bërë histori në marrëdhëniet Shqiptaro – Serbe. Ndërsa në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare kjo do të thotë paqe, siguri, stabilitet në Rajonin e Ballkanit.
Diplomacia dypalëshe është baza themelore për kapërcimin e krizave, paragjykimeve, nacionalizmave. Vetëm me dialog politik dhe ekonomik, mund të zhduken hijet e së shkuarës, ato sjellin një komunikim më të lartë dhe shkëmbime ekonomike e kulturore më të mëdha. Projekti i Ballkanit Perëndimor i ideuar nga kancelarja Gjermane Angela Merkel, ka qënë një pikë e fortë në afrimin Shqiptaro – Serb, kjo lidhje u forcua edhe nga vizitat e fundit të kancelares Merkel në Shqipëri dhe Serbi. Tashmë liderat në Shqipëri dhe Serbi e kanë kuptuar qartë dimensionin që ka realsiht marrëdhënia Shqiptaro – Serbe, për antarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo është edhe arsyeja se përse të dy vendet duhet të kenë kujdes në mënyrën e të bërit diplomaci dhe realizimit të politikës së jashtme.
Aspiratat e antarësimit në BE, kërkon që si Shqipëria dhe Serbia të ndjekin rrugën perëndimore në konsolidimin e demokracisë. Shqipëria sot e tregon më shumë se kurrë këtë dëshirë dhe përkushtim drejt perëndimit me antarësimin në NATO, lidhjen e veçantë me SHBA-në, OKB-në dhe sigurisht aspiratën shumëvjeçare për antarësimin në BE. Ndërsa Serbia nuk është kaq e prirur ndaj perëndimit, duke mos qënë anëtare e NATO-s, duke afruar Rusinë në Ballkan, por sidoqoftë me veprimet e fundit ajo ka shprehur rrugën europiane duke synuar integrimin në BE.
Komunikimi është baza për forcimin e lidhjes ndërmjet dy shteteve, ndërsa projektet finaciare, energjitike, infastrukturore janë të rëndësisë gjeopolitike. Çështja e marrëdhënieve Shqiptaro-Serbe është më delikatja për historiografinë e të dy shteteve, prandaj përmirësimi i marrëdhënieve dëshmon vizionin largpamës të qeverive për të ardhmen, për një bashkëpunim më të fortë politik dhe ekonomik. Në Europë dhe sigurisht në Ballkan historia ka qënë e mbushur me ngjarje problematike ndërmjet shteteve, ka pasur edhe luftë por nga lufta nuk fiton askush.
Marrëdhëniet Shqiptaro – Serbe për shumë kohë kanë qënë të dobëta për shkak të shumë çështjeve por spikaste problemi me Kosovën, që mbetet ende çështje delikate. Por perspektiva e antarësimit në BE, ka ndryshuar kapitullin e marrëdhënieve Shqiptaro –Serbe dhe Kosovaro – Serbe, të cilat tregojnë se interesi i përbashkët europian ka arritur të ulë paragjykimet e së shkuarës. Teoritë nacionaliste të “Shqipërisë së Madhe” dhe “Serbisë së Madhe”, duhet të anashkalohen dhe të harrohen nga elitat politike Shqiptaro – Serbe, kjo do të tregonte distancim nga e kaluara drejt një vizioni gjeopolitik, gjeoekonomik, gjeostrategjik, për një Ballkan Perëndimor të integruar në BE.
Diplomacia shqiptare, profesionalizëm apo diletantizëm ?
MSc. Eraldo MEÇALLA/
Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare/
Paraprakisht është e rëndësishme të shprehim vlerësimin dhe respektin maksimal për diplomatët shqiptarë të vlerës dhe virtytit, që me anë të profesionalizmit diplomatik kanë realizuar me sukses përfaqësimin e shtetit dhe zbatimin e politikës së jashtme, duke e ngritur lartë emrin e Shqipërisë.
Diplomacia përbën “trurin” e shtetit dhe të kombit, sepse nga vetë përkufizimi i diplomacisë si arti ose praktika e realizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nëpërmjet negociatave, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, kuptohet qartë roli jetik i saj. Nëse e shohim më konkretisht, diplomacia është instrumenti themelor në zbatimin dhe përfaqësimin e shtetit në politikën e jashtme, kjo realizohet nga diplomati i cili përfaqëson shtetin dërgues dhe zbaton politikën e jashtme në shtetin e akredituar.
Në vitin 1866, studiuesi Charles de Mortens shprehet mbi përkufizimin e diplomacisë, duke thënë: “Diplomacia është shkenca ose arti i negocimit”. Kjo nënkupton qartë se diplomati lypset të ketë cilësi dhe tipare shumëdimensionale dhe pjekuri të thellë në negocim, trakate dhe marrëveshje ndërkombëtare.
Që nga fillimet e saj dhe deri në vitin 1944, saktësisht nga mbarimi i Luftës së II-të Botërore kriteret mbi karrierën diplomatike dhe përbërja në Shqipëri ishin diplomaci aristokratike dhe pasurie. Ndërsa përgjatë viteve 1944 – 1990, nën regjimin komunist shqiptarë diplomacia u ideologjizua krejtësisht. Vetëm ardhja e viteve 1990, solli ndryshime radikale për kriteret, përbërjen e shërbimit diplomatik dhe karrierën diplomatike duke e demokratizuar sistemin Shqiptarë tërësisht, ku vihej theksi tek një diplomaci demokratike në bazë të meritës, vlerës dhe konkurrencës së drejtë.
Por është fatëkeqësi që nga vitet 1990 deri në vitin 2015, në diplomacinë shqiptare ka mbizotëruar diplomacia “familjare” dhe diletantiste. Në diplomacinë shqiptare pavarësisht arritjeve dhe përparimeve të dukshme, duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare më të mira, kanë gjetur terren dukuritë negative, në rekrutimin e personelit diplomatik nga diplomati me gradën më të ulët deri tek grada më e lartë Ambasadori. Ardhja e demokracisë pas viteve 1990, duhet të kishte sjellë bashkë me lirinë dhe konceptin e profesionalizmit në ushtrimin e çdo detyre ose profesioni. Kjo do të kishte shmangur të gjitha dukuritë negative që vërejme sot në shërbimin diplomatik dhe konsullorë shqiptarë.
Bazuar mbi aftësitë që duhet të posedojë një diplomat i vërtetë, akademiku dhe diplomati francez Francis de Callieres në vitin 1716, saktëson se: “Një diplomat duhet të zotërojë aftësi shpejtësie, shkathtësie, dinakërie, njohurie të shumëanëshme dhe mbi të gjitha mprehtësie. Dhe nuk është çudi që personat që angazhohen në këto detyra për hir të titullit dhe pagesës e pa asnjë ide mbi detyrat që përfshihen, shërbejnë si stazhier duke dëmtuar shumë rëndë punët të cilat i janë besuar atyre”.
Për rreth 25 vite me rrallë diplomacia shqiptare është mbuluar nga nepotizmi, politizimi, korrupsioni, klientelizmi dhe diletantizmi diplomatik, madje i shfrenuar. Në mënyrë që të kemi diplomaci, politikë të jashtme të sukseshme dhe produktive në interes të shtetit dhe kombit, kërkohet që të mbahen larg diplomatët amatorë.
Shqipëria, Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme duhet ti kthejë sytë nga praktikat më të përparuara të diplomacisë ndërkombëtare, që në këtë mënyrë edhe reformat e reja të qeverisë ose ligji për Shërbimin e Jashtëm të jetë në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të demokratizohet sistemi diplomatik nga baza e priamidës deri në majë.
Sot në vitin 2015, me Shqipërinë një hap larg hapjes së negociatave për antarësimin në Bashkimin Europian dhe më tej antarësimin e plotë, ndjehen shumë pasojat e gabimeve të së shkuarës me diplomatët e karrierës. Që nga vitet 1990, janë kryer emërime politike, futje në sistemin e karrierës diplomatike të diplomatëve amatorë e diletantë, largimi nga puna i diplomatëve profesionist këto veprime kanë goditur bërthamën e diplomacisë shqiptare.
Vitet e fundit janë bërë shumë gabime ku me anë të çdo rotacioni politik, janë kryer edhe rotacione diplomatike. Njëherë e përgjithmonë duhet të marrë fund hyrja dhe dalja në diplomaci me emërime politike dhe nepotizëm që janë elementet bazë të diletantizmit diplomatik, momenteve në të cilat proçedurat, rregullat dhe ligjet diplomatike nuk respektohen duhet ti vijë fundi. Largimet nga puna, emërimet e nxituara politike, vakancat e titullarëve, tejkalimi i mandatit të diplomatit kanë rritur dhe do të vazhdojnë të rrisin imazhin negativë të shtetit shqiptarë në ralizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në proçesin e reformimit të diplomacisë shqiptare që ka filluar që nga viti 2014, shteti shqiptarë duhet të bazohet tek meritokracia, konkurrenca e drejtë dhe vlerat europiane. Sytë duhet të drejtohen edhe tek brezi i ri i profesionistëve të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, energjia, pasioni, forca, freskia, potenciali, vlerat, vizionet, arsimimi, kultura, dijet intelektuale dhe njerëzore që posedojnë janë të domosdoshme për suksesin e diplomacisë shqiptare.
Është e qartë se për 25 vite, Ligji për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë nuk është respektuar në nivelin e duhur. Për pasojë MPJ, diplomatët e çdo rangu, politika e jashtme e Shqipërisë, diplomacia shqiptare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit tonë, nuk kanë qënë në lartësinë e kërkuar, ka pasur mungesë të profesionistëve të diplomacisë, mungesë etike dhe protokolli dhe emerime pa plotësuar kriteret e shërbimit të jashtëm.
Si duhet vepruar për të pasur profesionalizëm diplomatik ? Si specialist dhe studiues i fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, zgjidhja është tek respektimi i elementëve të mëposhtëm:
1.) Pranimi i diplomatëve duhet të bëhet në respekt të plotë të “Ligjit për Shërbimin e Jashtëm”.
2.) Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Integrimit Europian, duhet të ngrihen struktura të reja, inovative me ekspertë dhe profesionistë të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të cilët prioritet kryesorë të kenë shpejtimin e proçesit të antarësimit në BE.
3.) Emërimet në diplomaci duhet të jenë në bazë të sistemit diplomatik të karrierës, përfshirë këtu edhe konkurset.
4.) Kërkohet një ndarje e qartë ndërmjet diplomatëve të karrierës dhe diplomatëve politikë.
5.) Duhet respektuar ligji i shërbimit diplomatik për promovimin e diplomatëve, respektimin gradave, hirarkisë dhe titujve diplomatikë.
6.) Ekspertët dhe profesionistët e diplomacisë duhet të rekrutohen sipas konkurrencës së lirë dhe të drejtë.
7.) Akademia Diplomatike Shqiptare, duhet të jetë më aktive në formimin dhe edukimin profesional të diplomatëve të rinj.
Shqipëria pavarësisht ulje-ngritjeve të së shkuarës dhe të së tashmes të ardhmen e diplomacisë profesioniste e ka shumë të sigurtë, por duhet të kuptojmë qartë që diplomat nuk mund të bëhet kushdo. Nëse çdo individi i jepet ajo që i takon e asgjë më tepër, ku mbizotëron drejtësia, ligji, rregulli, konkurrenca dhe gjthë ato parime dhe vlera universal që ruajnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare në epokën e globalizmit, profesionalizmi diplomatik do të jetë realitet i përditshëm. Si mbyllje simbolike më duhet të perifrazojë shtetarin dhe diplomatin japonez Komura Jutaro, i cili konstaton: “Diplomati duhet të përdorë veshët e tij, dhe jo gojën e tij”.